Korçë: Ish-liceu francez feston 90-vjetorin e krijimit
Ish-liceu francez i Korçës, (sot shkolla e mesme "Raqi Qirinxhi"), festoi dje 90-vjetorin e krijimit, në një ceremoni të zhvilluar në mjediset e kinemasë së qytetit, ku krahas nxënësve aktualë kanë marrë pjesë dhe ish-nxënës të dalë nga bankat e kësaj shkolle. "Dita e sotme na mbledh së toku në një emblemë gëzimi dhe krenarie, kontributesh dhe besimi. Emri i shkollës "Raqi Qirinxhi" do të ecë përkrah ndryshimeve të arsimit kombëtar, duke u paraprirë gjithmonë atyre", tha në fjalën e përshëndetjes drejtori i kësaj shkolle, Gjergji Çikopani. Ai i cilësoi arritjet e shkollës që mban emrin e ish-liceistit të parë dhe dëshmorit të luftës, Raqi Qirinxhi, si një enciklopedi, duke përmendur faktin se në të përgjatë 90 viteve kanë mësuar mbi 23 mijë e 500 qytetarë korçarë.
Disa prej tyre kanë rënë për atdhenë, disa të tjerë janë shpallur pishtarë të demokracisë. Të tjerë kanë dalë shkencëtarë, mjekë, inxhinierë të zot, shkrimtarë dhe ekonomistë mjaft të njohur. Drejtori Çikopani përmendi dhe faktin se nga 22 qytetarë nderi që ka shpallur Këshilli Bashkiak i Korçës, 8 prej tyre kanë qenë nxënës të shkollës "Raqi Qirinxhi".
"Për vlerësimet dhe kontributet pa fund, qytetarët korçarë në mbarim të mijëvjeçarit e vlerësuan dhe votuan shkollën tonë si shkolla e shekullit", tha më tej ai, ndërsa përmendi si arritje të tanishme rritjen mbi 35% të numrit të nxënësve, kalueshmërinë mbi 32% si dhe fitimin e 4 medaljeve të arta nga 20 gjithsej në shkallë vendi, gjatë vitit të kaluar.
Investimet e vazhdueshme kanë përmirësuar ndjeshëm infrastrukturën dhe logjistikën e kësaj shkolle, pasi janë rikonstruktuar të gjitha mjediset e saj. Kualifikimi për seksionin dy gjuhësh shqip-frëngjisht është një tjetër veçanti dhe arritje e shkollës së mesme "Raqi Qirinxhi" në saj të ndihmës nga ambasada franceze në Tiranë. "Të gjitha këto arritje, por edhe të tjera, tregojnë themelet dhe arkitekturën sa moderne aq edhe humane të shkollës sonë", tha drejtori i saj, Gjergji Çikopani, në 90-vjetorin e krijimit të kësaj shkolle.
Festimet për këtë përvjetor u shoqëruan dhe me një program artistik të përgatitur nga nxënësit e shkollës.
RD
Krijoni Kontakt