Më 1 gusht 1925 nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës i dërgonin telegram Shkëlqesisë Kryetarit Zog, ku shprehej hidhërim i madh kur kishin mësuar se Shën Naumi u jepej serbëve. Ahmet Zogu u përgjigjej: “Veprojmë me sentimentin më të thellë si me dhimbje shpirti shqiptar. Nevojat ndërkombëtare na shtytën në një transaksion me shtetin fqinj. Në dhomën e deputetëve u diskutuan, por për ne interesi shtetëror, shkon përpara popullaritetit personal. Pranojmë këshillat mjekësore por nuk i trembemi demagogjisë”
Drini buron edhe nga Shën Naumi. Gjatë 25 vjetëve Lasgush Poradeci vazhdimisht më tregonte se si i linte me testament Shqipërisë trojet e mbetura jashtë kufijve të atdheut. Drini i Zi rrjedh jashtë kufijve administrativë të Shqipërisë, por sipas poetit ai vazhdon rrjedhën mes përmes nëpër Shqipëri. Drini plak e i përrallshëm. Eqrem Çabej shtronte pyetjen: Shqipëria e sotme është rezultat ekspansioni apo restriksioni. Poetikisht Ismail Kadare është shprehur kundër kohërave që si qentë të kafshuan ku mundën të të hanë. Në harta të moçme te kohës së katër vilajeteve me 115 mijë km katrorë, tre liqenet, ai i Ohrit dhe i dy Prespave janë pa kufij. Sot në fotot satelitore natyrisht këto janë pa kufij. Shtysë për të shkruar për Shën Naumin ka qenë edhe emri i priftit patriot Dhimitër Misha. Pse shkruante me shkronja shqip në faltoren e Ajazmës, Shën Naum, dhe fshinte Svjeti Naum u vra nga serbët. Në vitet e mbretërisë Odise Paskali i kushtoi një bazoreliev që u vendos në një lapidar në Pogradec. Aty nga viti 1947 në një mesnatë me shi, me urdhër të Koçi Xoxes, u thye kjo përkujtimore se “prishte” miqësinë midis shteteve. Para prishjes me Jugosllavinë, mbretit Zog nuk i kujtohej dhurimi i Shën Naumit. Pas 1948 është kujtuar vazhdimisht. Në këto vite dy prozhektorë të fuqishëm dhe të frikshëm ndizeshin në mbrëmje për të ruajtur ujërat e liqenit. Kur Enver Hoxha në një libër të tij shante Mbretin Zog, mbretërorët që jetonin në demokracitë e mëdha i kujtonin atij masakrën e Tivarit dhe heshtjen për Kosovën. Duke shfletuar qindra dokumente në Arkivin Shtetëror të Shtetit jam befasuar nga lufta e gjerë në plan diplomatik dhe publicistik për Shën Naumin. Mbasi Ahmet Zogu ish dekoruar prej Republikës Franceze, ai merrte dhe dekoratën e mbretit të Jugosllavisë “Grand Kordonin e Karagjeorgjeviçëve”. Dy dekada më vonë edhe Jugosllavia Federative e Josip Broz Titos do të dekoronte Enverin me titullin e lartë “Hero i popujve të Jugosllavisë” në situatën kur Shqipëria do të bëhej Republika e shtatë e federatës jugosllave. Për hir të së vërtetës po nënvizoj edhe një shkrepëtimë interesante të stalinistit shqiptar në librin e tij “Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë”. V.Tempo qe shprehur se nocioni Shqipëri e Madhe është i dëmshëm dhe pa kuptim. Në përgjigje E. Hoxha nënvizonte se vërtet nuk ka Shqipëri të Madhe dhe kjo ishte një parullë shoviniste, por ama nuk kishte as Shqipëri të vogël, sipas tij kishte vetëm Shqipëri. 10 vjet më parë pata rastin ta shoh i mrekulluar me një ekspresion poetiko-mitologjik mes pallonjve krahëhapur me ngjyra ylberiane në Shën Naum, Ismail Kadarenë. Ai tha: “ky është Ballkoni i Ballkanit”. Kur është folur për lëshimin e këtij Manastiri është nënkuptuar vazhdimisht sikur kemi humbur një ndërtesë ose katër qoshe muresh. Janë humbur njëkohësisht dhjetëra km2 sipërfaqe ujore. Kështu Shën Naumi mbetet një simbol ngacmues estetik dhe politik që përfaqëson të gjitha territoret e mbetura jashtë Shqipërisë administrative të Ismail Qemalit.
Ç’thotë Londra për Shën Naumin?
Ishin vendimet e marra nga Konferenca e Londrës për kufijtë e Shqipërisë me 1913, por për shkak të interpretimit të asaj pjese të protokollit ku pretendohej se nuk përcaktohej se cilit shtet do t’i mbetej Manastiri ishin ato qe linden keqkuptimet. Shprehja prej katundit Lin deri në Shën Naum ishte e paqartë dhe nuk linte të kuptohej se kujt i takonte ky vend i shenjtë. Komisioni ndërkombëtar i kufijve midis Shqipërisë dhe Mbretërisë serbe erdhi në tetor të vitit 1913 dhe veproi prej fshatit Lin deri ne malin e Korabit. Lufta botërore e detyroi komisionin të largohet nga Shqipëria dhe mësohet se në sektorin e Shën Naumit komisioni nuk pati rast të punonte. Sipas disa analogjive me kufirin grek në Ftelja, logjika thoshte që do të ishte pjesë përbërëse e Shqipërisë. Edhe Konferenca e Paqes e Parisit me 1921 e cila rikonfirmoi jo gjë tjetër por atë të vitit 1913, këtë problem e la në mëdyshje. Kjo qe arsyeja që anëtarët e Komisionit të kufijve e parashtruan këtë çështje në Konferencën e Ambasadorëve më 06.10 1922. Në këtë konferencë u vendos që Shën Naumi t’i mbetej Shqipërisë. Pas këtij vendimi, me shumë vonesë në kohë, qeveria jugosllave protestoi, duke kërkuar anulimin e këtij vendimi. Konferenca iu drejtua Këshillit të Lidhjeve të Kombeve për të ditur nëse fuqitë aleate kryesore e kishin plotësuar misionin që i pati ngarkuar Asambleja e Lidhjes së Kombeve më 2.10 1921, lidhur me pikën e paqartë të kufirit. Meqenëse çështja kishte karakter juridik, Këshilli i Lidhjes së Kombeve iu drejtua për mendim konsultativ Gjyqit Ndërkombëtar të Hagës. Ky Gjyq duke marrë parasysh se ashtu siç ishte hartuar ne tekstin e vitit 1913, nuk tregohej në mënyrë të saktë se ku do të kalonte vija e kufirit në Shën Naum, gjykoi se çështja do të zgjidhej simbas vendimit të datës 6.10 1922. Në prag të vendimit të vitit 1922 ishte pikërisht Jugosllavia ajo që i kërkonte Shqipërisë të parapëlqente vendimin e ardhshëm. Shqipëria ishte e bindur për këtë, por kur vendimi që u mor nuk i pëlqeu Jugosllavisë, ajo nisi protestën. Gjyqi shprehu mendimin se me vendimin e vitit 1922 Fuqitë Aleate kryesore e kishin përfunduar misionin e tyre. Më 1924 Konferenca i njohu Shqipërisë posedimin e Manastirit të Shën Naumit, por njëherazi i njohu Jugosllavisë një pjesë të gjerë të rretheve të Manastirit - Trebeshicën, Lubanishtin deri në 750 metra para portës së Manastirit, e më pas kufiri ngjitej në mal të Galicishtës. Rrjedhimi ishte që sipërfaqja e liqenit të Ohrit të ndahej mes dy shteteve, por duke u spostuar kufiri në drejtim të Shën Naumit që i mbetej shtetit shqiptar, sipërfaqja më e madhe ujore i mbetej shtetit fqinj.
Disa hollësi të Gjyqit të Hagës
Kryetari i gjykatës, pasi përmend se qysh më 19 qershor 1924 çështja e Shën-Naumit i ishte paraqitur asaj për t’i dhënë një mendim konsultativ, bënte të ditur se palët e interesuara kishin paraqitur dokumentet e tyre dhe kishin caktuar dokumentacionet për t’i paraqitur pikëpamjet përpara Gjykatës. Në përfaqësimin shqiptar ishte edhe Gilbert Gidel, profesor i të Drejtës Ndërkombëtare. Vendi ynë qëndronte në pikëpamjen që Gjykata duhej të pohojë se vendimi i konferencës së 6 Dhjetorit 1922 e ka përfunduar misionin e përcaktuar nga Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme të Lidhjes së Kombeve. Konferenca e Ambasadorëve e ka vendosur intravires brenda kufijve të kompetencave të cilat janë njohur dhe janë pranuar shprehimisht nga palët e interesuara. Duhet thënë se më 17 dhjetor të vitit 1920 Shqipëria u pranua në Lidhjen e Kombeve pa asnjë kundërshtim dhe pa u vënë në diskutim çështja e kufijve të saj . Asokohe nuk pati reagim nga fqinjët e Shqipërisë. E drejta që u ishte njohur fuqive kryesore në Rezolutën e 2 tetorit të vitit 1921 nuk ishte që të caktonin në një moment të tillë kufijtë e Shqipërisë dhe pastaj t’i ndryshonin këta kufij në një moment tjetër. Pala serbo-kroato-sllovene, dhe ajo greke, kishte këto objeksione; 1- Në bisedime të Fuqive nuk kishte marrë pjesë SHBA-ja; 2- Kufijtë e një shteti nuk mund të caktohen pa pjesëmarrjen e shteteve të interesuara. Por dihej botërisht se fqinjët tanë kishin pranuar zyrtarisht vendimin e datës 9.12.1921, d.m.th. Detyrën që iu besua Konferencës së Ambasadorëve nga Asambleja e Lidhjes së Kombeve. N.Pashiçi, kryeministri i këtij shteti, kishte deklaruar zyrtarisht që qeveria mbretërore do të konfirmonte Vendimin e Ambasadorëve, megjithatë Pashiqi vinte në dukje se vendimi i datës 9.11.1921 nuk e përcaktonte plotësisht kufirin. Pavarësisht nga kjo deklaratë e kryeministrit, qeveria mbretërore serbo-kroato-sllovene kishte pranuar kufijtë dhe kishte deklaruar se do të tërhiqte trupat nga territori shqiptar, duke bërë ç’ishte e mundur që të kishin marrëdhënie të mira me Shqipërinë. Gjithsesi, më 6/4/1923 qeveria serbe, kërkoi rishikimin e vendimit të datës 6/12/1922. Argumentet mbi komunikacionin ishin në favor të tezës shqiptare sepse Shën Naumi ishte më afër Pogradecit dhe më larg Ohrit. Argumenti tjetër serb fliste për faktin se tokat e pushtuara nga Austria më 1915 kanë qenë jashtë kufijve të përcaktuar për Shqipërinë, pra sipas tyre, meqenëse Shën Naumi u pushtua nga austriakët kjo provonte, sipas tyre se nuk bënte pjesë në territorin shqiptar. Ky argument ishte pa baza, pasi edhe qyteti i Shkodrës e veriu i Shqipërisë u pushtua prej austriakëve në vitet 1915-1916, por ishin territor shqiptar. Një tjetër hollësi që përbën vlerë, ishte fakti se meqenëse Manastiri nuk kishte një element topografik, një ndarje sikundër të ishte një lumë ose një kreshtë territori deri në Shën Naum, nënkuptonte qenien në Shqipëri. Kështu që serbët ngulnin këmbën vetëm në argumentin e pushtimit të tij nga austriakët. Serbëve iu kërkua që të tërhiqnin forcat dhe elementet e armatosur nga kjo zonë, por ata nuk e përfillën vendimin e Konferencës. Pala shqiptare theksonte se nga prishja e kontratës shtetet e interesuara do të ishin të lira të vetëvepronin dhe Shqipëria me të drejtë do të ngrinte çështjen e copëtimit të territorit të saj, i cili përfshinte brenda kufijve të tij të njohur 1 milion banorë, duke lënë jashtë territorit të tij 1.8 milionë banorë. Jehona e vendimit të Gjykatës së Hagës ishte e madhe. Shtypi jugosllav ishte i egërsuar dhe e deformonte çështjen, ndërsa qeveria do të nxirrte pengesa për dorëzimin e Shën Naumit e do të bënte çmos të zgjaste pushtimin e tij me shpresë se mund të bëhej ndonjë ndryshim politik i cili të krijonte kushte të favorshme për të ndryshuar vendimin e Konferencës së Ambasadorëve. Madje aty do të ngrihej dhe çështja e shërbimit fetar. Fqinjët pretendonin për një formë trepalëshe serbo-shqiptare në shërbesat fetare. Më 11 janar të vitit 1925, Ministria e Jashtme udhëzonte përfaqësuesin shqiptar Mehdi Frashëri për dialogun shqiptaro-serb. Edhe legatat shqiptare në Europë kishin komunikime të dendura me MJ Shqiptare, ku citohej shtypi kryesor europian, opinione, e manovrime dhe ku ndihej një optimizëm për lirimin e Shën Naumit, por qëndrimi i fqinjëve dhe këmbëngulja e tyre për të marrë manastirin ishte shumë e madhe. Ky problem i ndërkombëtarizuar tashmë po shndërrohej në një problem bilateral. Diplomatët shqiptarë orientonin shefat e tyre që diçka e tillë do të ishte shumë e dëmshme, sepse nesër nuk do të kishin mundësi apo të drejtë t’u drejtoheshin fuqive kryesore. Ministri fuqiplotë në Paris, Dhimitër Berati, më 5 shtator të vitit 1925 citonte edhe z.Justin Godart, mik i Shqipërisë që aprovonte mendimin se Tirana nuk duhej të hynte në marrëdhënie direkte me Jugosllavinë. Përfaqësuesit e Francës, Anglisë dhe Italisë nuk e aprovonin mendimin e qeverisë shqiptare. Francezët na këshillonin se s’bënim mirë që nuk merreshim vesh me Jugosllavinë për çështjen e kufijve. Këtu nënkuptohet që përkrahja që u jepej serbëve ishte e fuqishme dhe Shqipëria nuk do të rezistonte. Kryetari i Shtatmadhorisë së ushtrisë shqiptare kolonel Mirdashi, kur kuptoi që kufiri do të lëvizte në dëm të Shqipërisë, shprehej me pikëllim se ky cedim do të hidhëronte njerëzit. Shën Naumi nuk ishte thjesht një qendër e fesë ortodokse, me lidhje të vjetra me qarkun e Korçës dhe në veçanti me Voskopojën e njohur, në shtypshkronjën e të cilës dy shekuj më parë ishin shtypur liturgjitë e Shën Naumit, por ky objekt ishte qendër pelegrinazhi edhe për shqiptarët myslimanë. Kaq intensitet arritën demarshet jugosllave me shtyp dhe me luftë diplomatike, gjer edhe në pandehjen se do të dilte nga Lidhja e Kombeve.
Shtypi i kohës dhe deklaratat e Fan Nolit e të Faik Konicës
Gazeta “Politika” kish botuar lajmin se Jugosllavia do të tërhiqej nga Lidhja e Kombeve për shkak të mosmarrëveshjes rreth Shën - Naumit. Por gazeta tjetër “Pravda”, pas këtij lajmi shkruante se ai ishte një lajm krejt pa baza që nuk i përgjigjej së vërtetës. Mesa duket politikanët serbë mjaftoheshin edhe vetëm me hedhjen e idesë për një protestë flagrante botërore. Gazeta “Politika” botonte intervistën e F.S. Nolit dhënë korrespondentit të saj më 6 Shtator 1924. Korrespondenti serb, Andrea Milosavleviç pasi shprehte habinë e madhe që për shkak të kulturës së gjerë dhe inteligjencës së Nolit fitonte tepër vendi i tij, Shqipëria, dhe shfaqte njëfarë xhelozie që pati dëgjuar se në hollin e hotelit “Rusia” personalitete diplomatike prisnin rastin për ta takuar Nolin, për një audiencë, me hirësinë e tij. Edhe gjenerali anglez në asamble priste në atë holl. Korrespondenti hidhte mendimin se Shqipëria punonte për shtetet e tjera. Ngrihej pandehja se Shqipëria ishte një Turqi e vogël në Ballkan. Noli me mprehtësinë karakteristike dallonte se tjetër është “nocioni popullsi myslimane” dhe tjetër është “shtet mysliman” në buzë të Adriatikut. Fetë nuk kishin rëndësi për ne. “A ka fakt më të fortë, që, unë kryeministri i këtij vendi, jam jo vetëm një i krishterë, por edhe një peshkop ortodoks?” - pyeste retorikisht F.S.Noli. Për Shën-Naumin ai u drejtohej serbëve: “Për Shën -Naumin ju bëhuni më xhymertë e zemërgjerë se ne nuk e bëjmë dot, Shqipëria s’mund të ketë qëllime agresive kundër fqinjëve, është e vogël tepër, moralisht e materialisht e çarmatosur. Asaj (Shqipërisë) i duhet vetëm qetësia. Në fondin e telegrameve të përfshira në dosjet me materialet mbi kufirin e në veçanti për Shën - Naumin dhe Vermoshin, në fondet e Arkivit Qendror të Shtetit gjen edhe telegramin e 6 shtatorit të vitit 1924, ku Fan Noli, nga Gjeneva i drejtohej Ministrisë së Jashtme në Tiranë, e ku thuhej se Gjykata e Hagës, kishte dhënë mendimin se me vendimin e Konferencës së Ambasadorëve të 6 dhjetorit 1922, Fuqitë kryesore aleate kishin përfunduar çështjen e kufirit midis Shqipërisë e Jugosllavisë në manastirin e Shën - Naumit, që lidhet me Rezolutën e asamblesë së Lidhjes së Kombeve të vitit 1921 .Kryeministri përfundonte: SHEN - NAUMI I MBETET SHQIPERISE. Më 17 shkurt 1925 Konsulli i përgjithshëm në Rumani informonte Ministrinë e Jashtme, për alarmin që ndjenin patriotët shqiptarë për cedimin e kufirit. Elementë të kolonisë në Rumani kërkonin të protestonin para Lidhjes së Kombeve, ndërsa nga Amerika, Faik Konica lëshimin e Shën Naumit e quante mendim tradhtie. Legata shqiptare e Athinës informonte ministrin e Jashtëm se opozita greke zhurmonte për paaftësinë e diplomacisë greke duke i kundërvënë asaj sukseset e diplomacisë serbe. Kur serbët po i merrnin toka Shqipërisë, përse ata i kishin lëshuar 14 katundet e përfolura. Në gazetën “Elefteria” në Larisa shkruhej me ironi se shkëlqesitë e Parisit, d.m.th. Ambasadorët, nuk mund të ishin më shqiptarë se shqiptarët. Më 2 shtator 1925 në gazetën “Vradhimi” kishte një ankim keq-ardhës që ndërsa serbet dinë të marrin, grekët, gjoja, dinë të japin. Në një komunikim Beograd-Tiranë, më 10 mars 1925, major Xhavit Leskoviku rekomandonte që të mos vihej në tryezë bisedimesh një çështje internacionale e përfunduar. Më 28 mars 1925 titullari Pekmezi njoftonte Myfit Libohovën se kundërshtarët e qeverisë ishin shumë të ndjeshëm për lëvizjet e fundit diplomatike. Duke cituar shtypin e Beogradit ai thoshte se ka një furi egoiste për Shën Naumin. E gjithë kjo klimë do të realizonte një mbledhje të të dy dhomave legjislative për njw vendim kolegjial lidhur me çështjen e kufirit në Shën Naum. Aty justifikohej se qeveria jugosllave qe e papërballueshme në këmbënguljen për Manastirin e famshëm i cili, siç thonin, kishte për ta rëndësi fetare, morale dhe prestigj kombëtar. Shumë gjëra mbeten të nënkuptuara, por ajo që është irrituese ishin një numër gjoja argumentesh për lëshimin e Shën Naumit".
Mbledhja sekrete e dy dhomave legjislative, 16 korrik 1925
Kishte ardhur çasti kur nga Ministri i Jashtëm do të bëhej ekspozeja për situatën: Kufiri midis Republikës Shqiptare dhe Mbretërisë Jugosllave ishte caktuar 750m tutje portës së Shën Naumit, pra jo deri në Trepezicë. Sidoqoftë, manastiri përfshihej brenda kufirit shqiptar. Ngrihej një shqetësim nga “përfaqësuesit e popullit” se do të rrezikohej jeta e priftërinjve në manastir. Në “dirigjimin” e çështjeve, qeveria jugosllave i jepte manastirit të famshëm rëndësi fetare, morale dhe të prestigjit kombëtar, prandaj propozonte që deri tek kodra me kuotën 961 t’i jepej Jugosllavisë. Kjo për kompensim do të lëshonte tokë në territorin e Katundit të Peshkëpisë e cila si sipërfaqe do të ishte më e madhe. Çështja paraqitej sikur do të dilnim ne shqiptarët më të përfituar. Argumentimet për lëshimin e Shën Naumit tingëllonin naive dhe jashtë çdo logjike: 1- Duke qenë se aty nuk ka banues. 2- Duke qenë se këto vise të kontestueme qysh prej luftës ballkanike ishin 12 vjet nën okupacion jugosllav; (edhe Ballkani ish nën Turqinë disa shekuj por lirinë e fitoi). 3- Duke qenë se zbrazja e këtyre viseve tek qeveria shqiptare pas situatës diplomatike të Ballkanit dukej e largët. 4- Duke qenë se vazhdimi i mos përfundimit të kufijve krijon një situatë të ligë morale e materiale (shpenzime etj). 5- Duke na i vonuar marrëveshjet ekonomike aq të domosdoshme, sidomos rregullimin e ujërave në gjithë zonën e Shkodrës. 6- Duke parë rekomandimin e Fuqive të Mëdha në bazë të kompensacioneve. 7- Duke marrë parasysh se në historinë e shumë shteteve ka pasur lëshime - si Savoja, djepi i derës Mbretërore të Italisë, që iu dha Francës nga Italia, si lëshimi i Izolës nga Britania, si lëshimi i Fiumes (Rijekës), prej Jugosllavisë në favor të Italisë etj. Me këto argumente dy komisionet dëshironin autorizimin për veprimin në “dobi” të shtetit shqiptar. Ky koncert parlamentar veçanërisht u duartrokit në Beograd, ku shpërtheu me eufori lavdërimi për triumfin e diplomacisë ngadhnjimtare serbe. Më 1 gusht 1925 nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës i dërgonin telegram Shkëlqesisë Kryetarit Zog, ku shprehej hidhërim i madh kur kishin mësuar se Shën Naumi u jepej serbëve. Ahmet Zogu u përgjigjej: "Veprojmë me sentimentin më të thellë si me dhimbje shpirti shqiptar. Nevojat ndërkombëtare na shtynë në një transaksion me shtetin fqinj. Në dhomën e deputetëve u diskutuan, por për ne interesi shtetëror, shkon përpara popullaritetit personal. Pranojmë këshillat mjekësore por nuk i trembemi demagogjisë. Gazeta italiane “Giornale D’italia” e Barit më 3 gusht botonte protestën e flaktë të Hasan Prishtinës për Shën Naumin, territor shqiptar “monument i rrallë natyral,turistik e kurativ”.
Krijoni Kontakt