Nga Amanda Paul (Zaman)
Një herë e një kohë Turqia dhe Izraeli gëzuan marrëdhënie të ngrohta e miqësore. Aq sa një diplomat turk më tha “marrëdhëniet ishin pothuajse të shenjta”. Megjithëse Turqia gjithmonë i ka kërkuar Izraelit të respektojë të drejtat e popullit palestinez, dy shtetet kanë bashkëpunuar në çështje të shumta duke përfaqësuar diçka nga “vargu” i aleatëve të SHBA-ve në Lindjen e Mesme. Për fat të keq, ato ditë kanë marrë fund tani. Marrëdhëniet kanë arritur nivelin më të ulët me vendimin e Turqisë për zbritjen në nivel të dytë të lidhjeve diplomatike pas publikimit të raportit të OKB-së (Palmer Report). Marrëdhëniet kanë ardhur duke u përkeqësuar që prej vitit 2005 kur Izraeli shtoi operacionet kundër Gazës. Gjerat u përkeqësuan më tej në vitin 2009, kur kryeministri turk, Rexhep Tajip Erdoan dhe Presidenti izraelit, Shimon Perez, patën zënkën “one minute” lidhur me operacionet izraelite në Gaza, të cilët shkaktuan vdekjen e civilëve. Marrëdhëniet vazhduan spiralen e tyre të përkeqësimit duke arritur në nivelet më të ulëta si pasojë e incidentit të vitit 2010 me anijen “Mavi Marmara” kur nëntë turq u vranë nga komandot izraelitë. Megjithëse raporti sugjeron që Izraeli duhet të shprehë keqardhje për vrasjen e nëntë turqve në bordin e anijes dhe të paguajë kompensim, ai thotë se kur komandot izraelitë përdorën forcë të tepruar, veprimet e tyre përbënin akte vetëmbrojtjeje duke qenë se “u përballën me rezistencën e qenësishme” të një grupi pasagjerësh. Në raport po ashtu thuhet se bllokada detare e Izraelit ndaj Gazës është e ligjshme, diçka që zemëroi Turqinë, e cila vijon të këmbëngulë se bllokada bie në kundërshtim me ligjet ndërkombëtare. Megjithëse Izraeli shpreh keqardhje për gjendjen aktuale të marrëdhënieve bilaterale dhe për humbjen e jetëve, e po ashtu thotë se është gati të përmbushë rekomandimet e raportit, lidershipi i tij vijimësisht ka theksuar se nuk ka për çfarë të kërkojë falje dhe se po ashtu nuk ka ndër mend të heqë bllokadën mbi Gazën. Sikurse shpjegoi edhe një diplomat izraelit: “Ne nuk do ta heqim bllokadën thjeshtë sepse diçka të tillë e kërkon Turqia. Ne do ta heqim kur të marrë fund trafikimi i armëve dhe kur qytetarët izraelitë të mos jenë më në rrezik”. Përkeqësimi i marrëdhënieve diplomatike tani e bën më të vështirë shqyrtimin e rrugëve të riafrimit. Për momentin, të dyja palët po mbyllen më tej në guaskat e tyre. Duket sikur Izraeli po bën një zgjedhje strategjike që vë në rrezik jo vetëm ndërprerjen e marrëdhënieve, por shumë më tepër, duke dështuar të kuptojë pasojat rajonale të kësaj ngecjeje, të cilat janë qartësisht më të gjera se vetëm me Turqinë. Për shembull, Izraeli do të humbë mundësinë për të bashkëpunuar me Turqinë për ripërtëritjen e marrëdhënieve me regjimin e ri të Sirisë, i cili herët apo vonë do zërë vendin e regjimit të Al-Asadit, teksa në krahun tjetër rrezikohet tensionim i mëtejshëm i marrëdhënieve me Iranin. Prandaj, jo çuditërisht, ka shumë zëra në Izrael që thonë se qeveria s’duhet të fshihet më si struci por të kërkojë falje. Për më tepër, komentet e ish-Sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Robert Gates, se Izraeli është një aleat mosmirënjohës dhe i paaftë të përballojë izolimin e tij në rritje, qartësisht tregon se SHBA-të po fillojnë ta humbin durimin. Ndërkaq, Izraeli duket i fokusuar në ndërtimin e marrëdhënieve më të ngushta bilaterale me shtete të etiketuar si armike të Turqisë: Greqi, Qipro Greke dhe Armeni. Turqia, e cila e ka përshkruar raportin si të pavlefshëm, tashme jo vetëm që ka ulur në gradë marrëdhëniet diplomatike, ngrirë marrëveshjet ushtarake dhe planifikon të sfidojë Izraelin dhe legjitimitetin e bllokadës së Gazës në gjykata ndërkombëtare, por kërcënon se do ta shqetësojë Izraelin, në rast nevoje, në ujërat ndërkombëtare të Mesdheut, ku me shumë gjasa flota turke shpejt do të dërgohet për patrulla. Përleshja mes dy flotave nuk mund të përjashtohet. Mirëpo, nëse Turqia ndjek këtë rrugë do të thotë se ka bërë kthesë 180 gradë nga qasja e butë që ka ndjekur gjatë viteve të fundit. Turqia duket se po përdor një politikë që e shtyn Izraelin thellë e më thellë në izolim, me shpresën se Izraeli do të “thyhet” në një rajon ky influenca e Turqisë ka arritur në qiellin e shtatë gjatë ditëve të fundit dhe ku Ankaraja ka ambicie të mëdha. Prapëseprapë, edhe pse shumë analistë theksojnë se Turqia duket sikur është më e interesuar të përdorë Izraelin si “kurban” për të rritur popullaritetin e saj në botën arabe më shumë se sa për të rindërtuar marrëdhëniet, Turqia po ashtu ka nevojë të reflektojë në strategjinë dhe besueshmërinë e saj - veçanërisht në dritën e një kërkese të ardhshme të Palestinës për njohje dhe anëtarësim të plotë në OKB, gjë të cilën Turqia do të përpiqet ta nxisë jashtëzakonisht. Tani për tani duket sikur të dy shtetet po presin që tjetri të ndryshojë diplomaci. Turqia i ka ndërprerë marrëdhëniet edhe në vitet 1980, pasi Izraeli aneksoi Jerusalemin Lindor dhe transferoi kryeqytetin në qytetin e lashtë. U deshën 12 vjet që dy shtetet t’i rivendosnin lidhjet diplomatike në rrugën e duhur. Megjithatë, këtë herë duket sikur ka më shumë rrezik. Me tensionet e vazhdueshme në Siri dhe me projektin qiprioto-izraelito-amerikan për shpimin e gazit që do të fillojë me 1 tetor, rrita e ndjeshme e tensioneve në Mesdheun Lindor gjatë javëve të ardhshme nuk mund të përjashtohet.
Krijoni Kontakt