
Postuar më parë nga
MafiaWarz
Maqedonia me mbi 60 mijë analfabetë
Në Maqedoni akoma është i pranishëm analfabetizmi dhe me këtë dukuri po ballafaqohen ende kategoritë më të ulëta sociale dhe ato të zonave të thella rurale.
Në bazë të të dhënave statistikore nga Enti Republikan i Maqedonisë, sipas regjistrimit të vitit 2002, nga mosha 10-vjeçare e përpjetë nga gjithsej 1.756.606 qytetarë të Maqedonisë numri analfabetëve arrin në 63.562 ose 3.6%. Nga ky total 1,7% janë meshkuj, kurse 5,5 % janë femra.
Megjithatë numri zyrtar nuk korrespondon me situatën në terren, sepse në Maqedoni numri i analfabetëve është 12,2,%, ndërsa 40 % është numri i popullatës së papunësuar pa asnjë kualifikim profesional.
Në bazë të një projekti që u organizua në Maqedoni me ndihmën e UNICEF-it, “Arsimimi funksional”, të dhënat flasin ndryshe. Në Maqedoni numri total i qytetarëve analfabetë arrin 18,3%. Ndërkaq sipas strukturës nacionale te shqiptarët arrin në 15,5%, te turqit 10%, kurse te romët mbi 90%.
Kryetari i forumit tё intelektualëve shqiptar Avzi Mustafa, thotë se institucionet kompetente në Maqedoni duhet të marrin masa për ta parandaluar këtë fenomen.
“Nëse merren parasysh rrethanat, si p.sh. autodidaktët, përfshirja e të rriturve në arsimim, mortaliteti, fertiliteti, përqindja e shkapërderdhjes së nxënësve të shkollave fillore dhe niveli i zhvillimit tekniko-teknologjik, në mënyre hipotetike mund të konstatohet se përqindja e analfabetëve funksional arrin deri në 60%. Kjo vetvetiu na alarmon se urgjentisht duhet të merren hapa të shpejtë të intervenimit”, deklaroi Mustafa.
Sociologët theksojnë se analfabetizmi është i pranishëm, mirëpo jo në shkallën alarmante.
“Ka raste të caktuara, por ato rrjedhin nga familjet patriarkale dhe të zonave të thella që nuk janë shkolluar. Nga ana tjetër, në përgjithësi kemi shkallë të ulët, sepse kemi shkollimin e domosdoshëm, duke filluar tani edhe atë të mesëm”, ka deklaruar sociologu Lulzim Murtezani nga Universiteti i Tetovës. (INA)
Krijoni Kontakt