Islami: Raporti dënon ata që na quajtën tradhtarë

Anëtari i Komitetit të Monitorimit në Këshillin e Europës, deputeti i PS, Kastriot Islami, duke analizuar raportin e përgatitur nga dy raporterë të Këshillit të Europës për zgjedhjet dhe situatën politike në Shqipëri, sjell shqetësimet e tyre.Sipas tij, raporterët përveç zgjedhjeve dhe ngërçit politik, sjellin shqetësim dhe për demokracinë e brendshme në parti, bojkotin e PS, etiketimin e zërave ndryshe etj.

Cili ishte qëllimi i vizitës së dy raportuesve të Këshillit të Europës?
Vizita e dy raportuesve të KiE është zhvilluar më 30 qershor–1 korrik 2011, në një situatë politike, “të tendosur” pas zgjedhjeve vendore te 8 majit. Qëllimi i vizitës ka qenë i dyfishtë 1) zhvillimet politike pas zgjedhjeve vendore dhe 2) debatet për gjetjen e mekanizmave për daljen nga kriza politike.

Përse në raport thuhet se shkak i bojkotit ishin “zhvillimet e brendshme dhe lufta për pushtet në gjirin e PS..”?
Kjo është e vërtetë, në raport thuhet se “shumica e vëzhguesve janë të mendimit se politika e brendshme dhe lufta për pushtet në gjirin e PS kanë një rol të konsiderueshëm në krijimin e ngërçit politik”. Më tej, në mënyrë më të detajuar thuhet se “sipas statutit të PS, Rama duhet të jepte dorëheqje nga kryetar i PS, kur partia humbte zgjedhjet”, por me propozimin e vetë Ramës, PS “miratoi një rezolutë ku tregohej se partia nuk i kishte humbur zgjedhjet, por që ato i ishin vjedhur”. Mbi këtë bazë “Rama mendonte se nuk ishte i detyruar të jepte dorëheqjen”, thuhet në raport. Kjo duket paradoksale, nisur nga fakti që, për të kërkuar hapjen e kutive, përfaqësuesit e PS u kishte thënë raportuesve se “e pranonin rezultatin zyrtar të zgjedhjeve 2009, pra humbjen”, ndërkohë që, për të justifikuar qëndrimin e Ramës në krye të PS, nuk e pranonin humbjen. Në raport thuhet se për këtë vendim të Ramës dhe për strategjinë e bojkotit nuk ka pasur “unanimitet të anëtarëve të partisë”, madje disa deputetë jo vetëm kanë kundërshtuar vendimin për bojkot, por “kanë marrë pjesë në punimet e Kuvendit”, pavarësisht vendimit për bojkot.

Cili është komenti juaj lidhur me cilësimin nga ana e raporterëve se “marrëdhëniet e kushtëzuara me Kuvendin u vendosën thjesht për të mos humbur mandatet…”?
Kështu rezulton nga raporti, në një paragraf të veçantë thuhet se “PS e përmbylli bojkotin” për ta zëvendësuar me një “marrëdhënie të kushtëzuar me Kuvendin”. Ky vendim thuhet në raport “ishte kryesisht i diktuar nga dëshira për të mos humbur mandatet parlamentare”. Kjo do të thoshte se “opozita ishte zyrtarisht në Kuvend”, por në realitet “ngërçi politik” vazhdonte të ishte prezent. Kjo situatë e ngërçit politik do të karakterizonte të gjitha përgatitjet për zgjedhjet vendore të 8 majit 2011.

Cila nga palët bëhet më shumë përgjegjëse për bojkotin nga partnerët ndërkombëtarë?
Dy raporterët kanë kuptuar dhe kanë shprehur në raport edhe një synim të “vjetër” të partive politike shqiptare, që nuk është diçka e re për klasën politike shqiptare pavarësisht moshës së lidershipit të saj: në konkurrimin e tyre, lidershipi i të dy krahëve “përpiqet të fitojë mbështetjen e ndërkombëtarëve”, duke tentuar t’ju argumentojnë atyre se pala kundërshtare është fajtore për krijimin e ngërçit, ndërkohë që të dyja janë të mbërthyera në një ngërç dhe synojnë të nxjerrin përfitime maksimale politike në sytë e votuesve vendës, duke siguruar mbështetjen ndërkombëtare. Por me sa duket, komuniteti ndërkombëtar, i cili e ka kuptuar këtë taktikë të vjetër “hileqare” të lidershipit shqiptar, në raport thuhet se ka “lejuar deri në një farë mase në mënyrë të pavullnetshme këtë situatë”, gjë që sipas raportuesve “i ka komplikuar mundësitë e moderimit dhe zhbllokimit të krizës”.

Si e shihni ju vlerësimin e situatës para zgjedhjeve vendore nga dy raportuesit?
Në raport thuhet se “disa mendonin se një fitore e Ramës do të legjitimonte atë në krye të PS, kurse në rast humbjeje, pozicioni i tij do të ishte i dobësuar në mënyrë të konsiderueshme, duke konfirmuar njëkohësisht edhe humbjen e zgjedhjeve të vitit 2009…”. Kurse disa të tjerë mendonin se “pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve”, situata politike do të përkeqësohej për shkak të “mllefit personal të liderave politikë” dhe të “kontrollit të fortë që ata ushtrojnë mbi militantët/klientelën dhe vendimet e partisë”.

Cili është vlerësimi i Këshillit të Europës për zgjedhjet e 8 majit 2011?
Në raport thuhet se edhe sipas OSBE/ODHIR, si dhe të Kongresit të Autoriteteve Vendore të Këshillit të Europës, është arritur në përfundimin se “me gjithë klimën e polarizuar dhe antagoniste, zgjedhjet vendore u zhvilluan përgjithësisht në mënyrë demokratike, ndonëse u konstatuan disa probleme procedurale”.

Çfarë opinioni japin raportuesit e KiE për “votat e hedhura në kutitë e gabuara?
Në raport përshkruhet deri në detaje e gjithë saga e zgjedhjeve për Bashkinë e Tiranës. Dy janë çështjet, që sipas raportuesve kanë qenë në qendër të këtij debati: 1) a duhen numëruar fletët e hedhura në kutitë e gabuara dhe 2) a është kompetente KQZ për të urdhëruar numërimin e këtyre votave. Për këtë rast, disa nga momentet kryesore të këtij raportimi janë: i) KQZ “kishte ndryshuar qëndrim lidhur me vlefshmërinë e fletëve të hedhura në kutitë e gabuara”, ii) vendimet e KQZ kanë qenë të politizuara sipas linjave partiake ; iii) Kodi Zgjedhor jep një listë shteruese kur vota konsiderohet e pavlefshme, dhe iv) vendimet e Kolegjit zgjedhor ishin të paanshme dhe të mbështetura në standardet europiane.

Po për reformën zgjedhore, çfarë rekomandon Këshilli i Europës?
Krahas marrjes në konsideratë të rekomandimeve të OSBE/ODHIR, dy raportuesit sugjerojnë që gjatë reformimit të Kodit Zgjedhor duhet të kushtohet kujdes ndaj partive të vogla dhe njëkohësisht të krijohen kushte hapjeje ndaj partive të reja… Kërkohet po ashtu në këtë këndvështrim të bashkëpunohet me Komisionin e Venecias.

Ka ndonjë sugjerim të veçantë në këtë raport të Këshillit të Europës?
Edhe për çudinë time, ka diçka që nuk është shkruar në këto 20 vjet në raportet e KiE-s. Konkretisht thuhet se ‘ngërçi politik ka vënë në dukje nevojën për të përmirësuar demokracinë e brendshme të partive”. Dhe raportuesit shtojnë se “është jashtëzakonisht e rëndësishme që partitë të pranojnë mendimin ndryshe dhe opinionet e disidentëve, pa i paraqitur ata si tradhtarë të çështjes së partisë”. Dhe shtojnë se “ne kemi synim të ndjekim çështjen e demokracisë së brendshme në kuadër të procedurave të monitorimit të KiE-s”.

KiE: Nuk ka kufizim për numërimin e votave në kutinë e gabuar

Bashkëraporterët e Këshillit të Europës, Tomas Jirsa dhe Grigore Petrenco, kanë dorëzuar në Asamblenë parlamentare një raport në lidhje me zgjedhjet lokale të 8 majit. Ata vizituan Shqipërinë në datat 30 qershor deri më 1 korrik, ku u takuan me autoritetet më të larta të vendit. Në raportin e tyre, thuhet se pavarësisht kundërshtimeve, praktika europiane flet se asnjë pengesë administrative nuk mund të pengojë numërimin e çdo vote. Sipas bashkëraporterëve, një gjë të tillë respektoi Kolegji Zgjedhor. “Në lidhje me vlefshmërinë e votave, Kodi Zgjedhor shqiptar jep një listë të detajuar të kritereve për shpalljen e pavlefshme të fletës së votimit. Duke pasur parasysh detajet dhe kohëzgjatjen e kësaj liste, na u duk se ligjvënësit kishin për qëllim që kjo listë të ishte shteruese. Kjo u konfirmua nga një numër bashkëbiseduesish, të cilët na informuan se komiteti ndërpartiak, që ka hartuar Kodin Zgjedhor, donte të vendoste një listë të qartë të kritereve për shpalljen e votave të pavlefshme, në mënyrë që të mos japin asnjë diskrecion mbi këtë çështje te komisionet e zgjedhjeve, pasi kjo ka qenë burim mosmarrëveshjesh në të kaluarën. Përveç kësaj, sipas standardeve europiane, duhet të ushtrohet kufizim maksimal në lidhje me pavlefshmërinë e votave. Për ne do të dukej që heqja e të drejtës së votimit të një votuesi për gabime rigoroze administrative do të binte ndesh me këtë parim. Argumente të ngjashme janë shprehur nga Kolegji Zgjedhor, kur ai vendosi për çështjen e fletëve të votimit të hedhura gabim. Kjo çështje nuk u ndoq më tej nga PS pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor”, thuhet në raport. Më tej thuhet se “lidhur me pyetjen nëse KQZ-ja mund të konsiderohet si një administratë zgjedhore e nivelit të dytë, çështja është nëse KQZ-ja kishte nevojë për një shumicë 2/3, ose vetëm një shumicë të thjeshtë, të urdhërojë rinumërimin e votave të pavlefshme. Një shumicë e kualifikuar është e nevojshme për aktet normative të KQZ-së. Megjithatë, Kolegji Zgjedhor vendosi se vendimi për të urdhëruar rinumërimin e fletëve të votimit të hedhura në kuti të gabuar u mor nga KQZ-ja si KZAZ dhe nuk ishte një akt normativ. Prandaj, vendosi se vendimi për të urdhëruar rinumërimin në Tiranë mund të merret me shumicë të thjeshtë. PS-ja u shpreh për faktin se KQZ-ja kishte urdhëruar vetëm një rinumërim të votave të hedhura gabim në ato vendvotime, ku ankesat zyrtare kundër shfuqizimit të këtyre votave kishin qenë të regjistruara. Kolegji Zgjedhor për këtë çështje urdhëroi një rinumërim të gjitha fletëve të votimit të hedhura gabim në Tiranë”. Raporti jep edhe disa konkluzione të tjera, të cilat flasin për situatën postzgjedhore, duke rekomanduar se zgjedhjet janë pranuar nga qytetarët shqiptarë. “Situata politike “stand-off” gjatë këtyre zgjedhjeve ka theksuar sërish nevojën për të përmirësuar proceset vendimmarrëse demokratike nga vetë palët. Demokracia e brendshme partiake ka qenë e kritikuar nga anëtarë brenda dy partive, Socialiste dhe Demokratike. E një rëndësie të madhe është që palët të pranojnë pikëpamjet alternative dhe disidente dhe të mos i portretizojnë ato si tradhti për problemet e partisë. Një zhvillim i mirëpritur është se komuniteti ndërkombëtar ka vepruar në unison nën koordinimin e ambasadorëve të Bashkimit Europian, Shtetet e Bashkuara dhe OSBE-së. Kjo ka qenë e rëndësishme për të shmangur përshkallëzimin dhe ndërkombëtarizimin e konfliktit dhe ka kontribuar në pranimin përfundimtar të rezultatit të këtyre zgjedhjeve nga ana e palëve, duke përfshirë, më e rëndësishmja, votuesit shqiptarë. Ajo ishte dhe është e një rëndësie vendimtare për të ruajtur legjitimitetin e institucioneve vendore dhe respektin për vendimet e tyre për të zgjidhur mosmarrëveshjen zgjedhore. Prandaj, në të gjitha rastet, ne kemi theksuar nevojën që të gjitha palët të pranojnë e të përmbahen nga vendimet e gjykatave dhe të përmbahen nga deklaratat që mund të perceptohen si minim i legjitimitetit të Gjyqësorit shqiptar”.

ARISTIR LUMEZI - Panorama