Për presidenten lufta e UÇK-së ishte konflikt
Nga Express më 09 shtator 2011 në ora 18:48
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka dëshmuar se di të jap falënderime të shumta për të gjithë ata që kanë ndihmuar Kosovën gjatë periudhave të rënda, sidomos NATO-n për intervenimin e saj më 1999. Falënderimet e Jahjagës ishin me bollëk edhe të premten gjatë ceremonisë së ndërrimit të komandës së KFOR-it.
Presidentja falënderimet e sotme i bëri për angazhimin e NATO-s gjatë vitit 1999 dhe KFOR-it për 12 vjet me radhë në Kosovë. Mirëpo periudhës në fjalë, presidentja e vendit tonë, Atifete Jahjaga i referohet me emërtimin konflikt dhe jo luftë ashtu siç ishte në realitet dhe e quan populli i Kosovës.
Ajo qysh në fillim të fjalimit të saj dy herë thotë se NATO-ja e mandej KFOR-i, kanë kontribuar në ndalimin e konfliktit.
“Ndërrimi i komandave të misionit të forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë është një ngjarje e rëndësishme për Kosovën, për KFOR-in dhe për misionin paqeruajtës në këtë pjesë të Evropës. Burrat dhe gratë - pjesëtarë të KFOR-it - kanë luajtur një rol të veçantë në ruajtjen e paqes dhe të stabilitetit në Kosovë, të mirëkuptimit ndëretnik dhe të ruajtjes së sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës, që ndikoi në krijimin e kushteve të bashkëpunimit dhe kooperimit në periudhën e pas konfliktit. Misioni i KFOR-it që erdhi natyrshëm pas intervenimit të NATO-s për të ndalur konfliktin dhe për të parandaluar gjenocidin është tejet human”, ka thënë ajo.
Presidentja e Kosovës, e cila erdhi në krye të shtetit pas një krize të rëndë politike, nuk ka thënë as edhe një herë në fjalimin e saj se në Kosovë kishte luftë.
Zakonisht deri tani ishin përfaqësues të huaj dhe serbët që konsideronin që në Kosovë ka ndodhur vetëm konflikt. Tani anashkalimi i faktit se kishte luftë në Kosovë nga vetë presidentja Atifeta Jahjaga, mund të nxis reagime nga qytetarët e Kosovës e posaçërisht nga ish luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). (Kosovapress)
http://www.gazetaexpress.com/?cid=1,13,62484
Krijoni Kontakt