Organizatat politike të serbëve të Bujanocit kërkojnë që të bëhen listat e shqiptarëve që jetojnë në Kosovë e që gjoja në Bujanoc paraqiten vetëm për zgjedhje. Ata madje kërkojnë edhe ndarjen e komunës në baza etnike.
Para regjistrimit të popullatës në Serbi, që do të mbahet në tetor, serbët e Bujanocit thonë se në listat votuese paraqiten njerëz pa numër amze, e që sipas tyre janë shqiptarë nga Kosova ose nga Maqedonia.
Randel Veljkovic, koordinator i Këshillit nacional serb të Bujanocit, thotë se një delegacion serb në Institutin e Statistikave ka thënë se “në regjistrimin e mëparshëm të vitit 2001 kishte probleme, përfshirë edhe falsifikime, me të cilat është rritur numri i shqiptarëve dhe është bërë majorizimi i tyre në pushtetin e Bujanocit”.
“Shqiptarët i kanë marrë të gjitha të drejtat, dhe të gjitha funksionet në kompanitë publike u takojnë atyre. Nëse kjo është në duar të shqiptarëve, atëherë po radikalizohet projekti i Shqipërisë së Madhe, se ata Bujanocin veç e cilësojnë si pjesë të Kosovës Lindore”, ka thënë Veljkovic, transmeton “B92”.
Kryetari i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, ka thënë se idetë për ndarjen e komunës janë të liga, të cilat mund të shkaktojnë tensione në këtë komunë shumetnike.
“Jam kundër ndarjes së komunës, sepse këto ide na kthejnë në të kaluarën. Nuk e di asnjë arsye tjetër që të dëshmohet numri i banorëve të komunës, pos asaj që është shkruar me ligj, pra me regjistrim. Është e pakuptimtë se si dikush në nivelin lokal kërkon caktimin e kufijve etnik”.
Sipas Kambherit, nuk është e vërtetë se serbët janë të majorizuar, sepse numri i të punësuarve është në dobi të tyre.
“Ndërsa, sa i përket funksioneve udhëheqëse, në Bujanoc vepron vetëqeverisja lokale në bazë të marrëveshjes së koalicionit të arritur mes partive politike shqiptare dhe serbe. Edhe pse shqiptarët me regjistrim e përbëjnë 54 përqindëshin e popullatës – pa i llogaritur 10 mijë shqiptarë që jetojnë jashtë – pjesëmarrje e tyre në institucionet lokale dhe rajonale është simbolike, ose pothuaj nuk ka fare. Koalicioni i tashëm, i përbërë nga tri parti shqiptare dhe dy serbe, është dëshmi se është i mundshëm bashkëpunimi dhe funksionimi normal i komunës në dobi të qytetarëve të saj”.
Nënkryetari i Këshillit të serbëve të Bujanocit, Svetislav Velickovic, thotë se në regjistrimin e vitit 2002 në Bujanoc ishin dy regjistrues, shqiptar dhe serb, “dhe se të dhënat e tyre ishin të ndryshme”, porse janë ‘përshtatur’ me urdhër të Nebojsa Covicit, kryetarit të atëhershëm të Trupit Koordinues.
“Pas përshtatjes, ka dal se janë 23 mijë shqiptarë, 15 mijë serbë, krahas 3 mijë e 800 romëve dhe 500 të tjerëve. Ndërsa, është reale se ka së paku 1 për qind serbë më shumë se shqiptarë, derisa në qytet kjo shkon në 5 për qind”, ka thënë Velickovic.
Tomislav Stojanovic, nga Këshilli popullor dhe Lëvizja për Bujanoc, thotë se nëse nuk gjendet një zgjidhje e përshtatshme për serbët, ndarja e komunës është e pashmangshme.
Sipas tij, janë formuluar tri kërkesa. E para ka të bëjë me regjistrimin me kontrollin e fortë të organeve shtetërore, të cilët nuk duhet të jenë nga Bujanoci.
“Deri tash, në komisionin regjistrues të komunës ishin katër shqiptarë dhe dy serbë”, ka thënë ai.
“Së dyti, kërkojmë që të rregullohen dhe të revidohen listat e regjistrimit, me kontrollin e fuqishëm të lajmërimit të qëndrimit. Shteti duhet të kërkojë listat e atyre që jetojnë në Kosovë, ndërsa figurojnë ende në Bujanoc e lajmërohen veç kur duhet të votojnë. Dhe e treta, nëse dy kërkesat tona nuk realizohen dhe nëse serbët akoma janë qytetarë të rendit të dytë në shtetin e tyre, nuk na mbetet gjë tjetër pos të kërkojmë përkufizim territorial dhe ndarjen e Bujanocit në dy komuna, në një lloj të etnitetit serb dhe shqiptar. Qyteti i Bujanocit do të mbeste në etnitetin serb, ndërsa ai shqiptar do ta kishte qendrën në Tërnocin e Madh”.
Kryetari i Klubit shtëpiak, Aleksandar Popovic, ka thënë se në shkurt e kanë dorëzuar një peticion Qeverisë së Serbisë, të cilën e kanë nënshkruar 7 mijë e 50 serbë të Bujanocit, ku janë përmbledhur kërkesat e tyre, përfshirë edhe ato për formimin e këshillit anketues në parlament, “i cili do të vërtetonte të gjitha faktet për Bujanocin”. /Telegrafi/
http://www.telegrafi.com/?id=2&a=16828
Krijoni Kontakt