Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 4
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,381
    Postimet në Bllog
    22

    Regjisori hollivudian Francis Ford Coppola, në Shqipëri

    Regjisori hollivudian Francis Ford Coppola, në Shqipëri

    Këto ditë të nxehta vere, kur pjesa dërrmuese e njerëzve e mban frymën në qytetet bregdetare që gëlojnë nga pushuesit e shumtë dhe Tirana mbetet e vakët në zhegun përvëlues të ditëve të gushtit, nuk është e rastit që realizimi i një ngjarjeje kulturore, siç është Festivali Ndërkombëtar Veror i Filmit, të zhvillohet në Durrës.

    Sikundër çdo vit tjetër, për të ardhur më pranë artdashësve të filmit, edhe ky edicion i katërt vjen me elemente dhe qasje të reja artistike. Një prej tyre është edhe prezenca për herë të parë e një kolosi të filmit hollivudian si Frensis Ford Coppola në vendin tonë. Jo vetëm pozicionimi i tij përballë mediave dhe artdashëseve, por njëherësh prezantimi i dy filmave premierë të tij, “Tetro” dhe “Youth without Youth”, do të përbëjnë gamën e risive këtij festivali. Por jo vetëm. Anila Varfi zbulon më shumë detaje…

    Edicioni IV i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Veror është në prag. Ç’mund të na thoni për risitë e këtij viti?

    Risia e parë që ka lidhje të drejtpërdrejtë edhe me median, është fakti që legalisht për herë të parë një eveniment shqiptar mbulohet nga “FiPresci”, Fondacioni Ndërkombëtar për Kritikën, çka do të thotë që dimensioni i këtij edicioni i kalon kufijtë nacionalë dhe internacionalë. Prania e personaliteteve të artit botëror, si Jiri Menzel, apo regjisori me famë botërore, Oscari Cek, Nik Powell, drejtori shkollës së filmit dhe TV në Londër, Jan Harlan, producent i Stanley Kubrick, gjithashtu Rade Serbedzija, aktor serb me famë botërore, bën që prania e këtyre personaliteteve në festivalin e këtij viti në Durrës ta rrisë shumë pritshmërinë e audiencës sonë tradicionale dhe asaj të re.

    Një personalitet i kastës së regjisorëve hollivudianë është edhe Frensis Ford Coppola (Frensis Ford Kopola), i cili u bashkohet risive të këtij evenimenti me praninë e tij në Durrës. Është sukses për t’u shënuar ky për ju, apo jo?

    Për herë të parë në vendin tonë shkel një regjisor i famshëm botëror si Frensis Ford Coppola. Ai do të jetë i pranishëm në datën 1 shtator përpara mediave shqiptare, admiruesve të filmave të tij dhe publikut të gjerë. Prej dy vitesh unë kam bërë tentativa të vazhdueshme me të dhe isha unë negociatorja e kësaj vizite që edhe me mbështetjen e Ambasadës Amerikane u bë e mundur prania e tij në vendin tonë. Ajo që konstatova ishte vëmendja e tij përgjatë viteve kundrejt festivalit tonë të filmit. Sigurisht që është sukses prezenca e atij që shumëkush e identifikon me producentin e filmit të famshëm “Kumbari”, që ka bërë jo pak jehonë edhe në vendin tonë, por edhe shumë produksioneve të tjera kinematografike të arrira. Gjatë zhvillimit të këtij festivali nga data 27 gusht deri më 2 shtator, do të shfaqen dy tituj filmash të Coppola-s, “Tetro” dhe “Youth without Youth”, dhe festivali do të kulmojë me një shfaqje madhështore të filmit “Tetro” në skenën e Amfiteatrit Romak.

    E gjithë kjo gjetje vjen në kuadër të gërshetimit të dy kulturave, asaj amerikane dhe turke, që do të përbëjnë edhe boshtin e seksioneve artistike të kompeticioni artistik?

    Mbrëmjet tona do t’i dedikohen jo vetëm filmit kompetitiv, por edhe “Mikut të Nderit” për këtë vit, që është kinemaja dhe kultura e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Turqisë. Këto dy kultura kinematografike do të vijnë përmes filmave dhe retrospektivës së regjisorit legjendar Francis Ford Coppola, ndërsa kultura kinematografike turke vjen përmes një programi të mirëdizajnuar nga kritikja e filmit Alin Tasciyan. Në ceremoninë e hapjes së festivalit, e cila do të mbahet më 27 gusht në Amfiteatrin Romak, në program është edhe filmi fitues i Festivalit të Berlinit “Honey” nga Semih Kaplanouglu. Më tej, në ditët e festivalit, përmes një programi do të prezantohen shtatë filma turq, më të mirët e produksioneve të tri viteve të fundit. “Durrës Film Festival” do të ketë vëmendjen e publikut te kultura e këtyre dy vendeve, duke tentuar të vendosë lidhje të forta midis Shqipërisë e vendeve fqinje nëpërmjet një aktiviteti që ka vendosur në qendër të tij kinemanë në të gjitha format e saj.

    Në përqasje me tri edicionet e kaluara të këtij festivali, çfarë ka ndryshe këtë vit?

    Këtë vit do të ketë më shumë filma pjesëmarrës, do të ketë katër juri që do të vlerësojnë titujt konkurrues. Do të jenë juria e filmit të madh bashkëkohor, juria e filmit të shkurtër, juria “FiPresci”, për herë të parë prezent në Shqipëri, i vetmi territor i pambuluar nga media e huaj për kinemanë deri më tani, si dhe juria e audiencës. Në kompeticionin “Botë Ballkanike”, çmimi “Filmi më i mirë ballkanik” do të jetë në lojë për filmat konkurrues. Gjithashtu, duke theksuar identitetin e festivalit, stafi i festivalit do të përzgjedhë 9 filma (35 mm) nga produksionet më të fundit europiane për konkurrimin në seksionin “Vizione bashkëkohore”. Katër çmimet e dhëna nga një juri ndërkombëtare janë: Çmimi “Gladiatori i Artë” për filmin më të mirë, çmimi që do t’i jepet producentit/ regjisorit më të mirënjohur në botë. Ky vit do të laureojë me këtë titull të madhin regjisorin hollivudian Francis Ford Coppola. Çmimi tjetër për regjisorin më të mirë, aktorin më të mirë, aktoren më të mirë. Ndërsa në këndin e retrospektivës, në ndryshim nga viti 2010, ku festivali prezantoi retrospektivën e veprave të Agim Qirjaqit, Bekim Femiut, Dhimitër Xhuvanit dhe Tinka Kurtit, emra të mëdhenj në artin shqiptar, të cilët u nderuan me Çmimin e Karrierës 2010, këtë vit do t’i bëhet jehonë aktorit Vangush Furxhi. Në ndryshim nga vitet e kaluara, sivjet festivalin do ta prezantojmë edhe në katër qytete tjera të vendit: Tiranë, Vlorë, Pogradec dhe Sarandë, me një program të veçantë për to.

    Po realizime shqiptare do të ketë?

    Emrat e filmave konkurrues do të bëhen të ditur vetëm 10 ditë përpara festivalit. Mund të them që nuk ka filma shqiptarë. Sepse për të qenë protagonistë konkurruesit në një eveniment si i yni, ekzistojnë kritere të forta vlerësuese nga një juri europiane. Një film konkurrues i producentes Greta Zenelaj, me titull “In the woods”. Ajo së bashku me të motrën kanë një studio produksioni në Los Anxhelos. Gjithashtu, një film tjetër pjesëmarrës do të jetë i një regjisori shqiptar të talentuar, por edhe ky me banim në Amerikë.

    Cili është boshti tematik që emetojnë filmat pjesëmarrës në këtë konkurrim artistik?

    Thuajse të gjithë filmat janë prodhime europiane me vizion bashkëkohor, që në themel të subjekteve të tyre kanë çështjet sociale dhe ato politike. Tema të prekshme dhe jetike për kohën në të cilën jetojmë, por që vijnë në këndvështrime të ndryshme nga regjisorë të ndryshëm. Një realizim krejt i veçantë artistik është edhe ai që i kushtohet ish-Presidentit të Çekisë, Vaslav Havel. Detajet e tjera do t’i zbulojmë gjatë zhvillimit të festivalit.

    Folëm për sukseset, por cilat janë vështirësitë që hasët deri në realizimin e këtij edicioni të festivalit?

    Kriza ekonomike u ndie edhe në punën tonë. Sigurisht që patëm probleme në çështjen e financimit, por dëshira e madhe për të mos e ndërprerë ëndrrën për filmin bëri të mundur që edhe me mbështetjen e Ambasadës Amerikane, Ambasadës Turke, kryetarit të Bashkisë së Durrësit dhe një grupi profesionistësh përreth, ky edicion i katër i “Durrës Film Festival” të mos mungonte edhe këtë vit për të gjithë artdashësit e filmit.

    Besoni në suksesin dhe përqafimin edhe këtë vit nga ana e audiencës kundrejt evenimentit që do të prezantoni në ditët në vijim?

    Absolutisht po. Nuk është e zakonshme që ne zgjedhim një qytet bregdetar për të realizuar këtë festival. Duke qenë më pranë pushuesve, por edhe artdashësve. Në një kohë kur edhe hyrja për në festival është e lirë, ne e sjellim më afër kulturën dhe magjinë e filmit dhe sukseseve botërore.

    Regjisori i “Kumbarit”, për herë të parë në Shqipëri

    Ai është regjisori i famshëm i filmit “Kumbari”. Produksioni i tij artistik që ka bërë bujë në mbarë botën, jo vetëm që është një etalon në krijimtarinë e tij filmike, por ka bërë që emri i Frensis Ford Coppola-s të renditet në kastën e producentëve të mëdhenj hollivudianë. Bazuar në romanin e Mauro Puzo-s, botuar në vitin 1969, i shitur në miliona kopje në të gjithë botën, “Kumbari” premtonte që në zanafillë suksesin që pati, ndërsa regjisori amerikan me origjinë italiane vendos ta mbyllë me dy produksione të tjera, duke e kthyer në trilogji krijimtarinë e tij filmike. Ai është një nga figurat më të njohura në kinematografinë amerikane edhe në shumë tituj të tjerë filmash të tij, si: “Lugina e lumturisë”, “Bashkëbisedim i fshehtë”, “Apocalypse Now”, “Idealisti”, “Sleepy Hollow” etj., njëherësh i nominuar për disa kategori të rëndësishme çmimesh në kompeticione ndërkombëtare. Nuk mjafton vetëm suksesi në kinematografi, por Frensis është edhe një sipërmarrës i suksesshëm. Kantina e tij e prodhimit të verërave është një nga më të njohurat në botë.

    Panorama
    ERMIRA ISUFAJ

  2. #2
    Regjisori i filmit “Kumbari” në Shqipëri

    Regjisori i njohur Hollivudian, Francis Ford Coppola, ai që ka firmën në filmat më të njohur, si “The Godfather”, (Kumbari), “Dracula” (Drakula)...etj do të vijë në Shqipëri. Coppola, i cili që prej 2007-ës, ka një rikthim si regjisor, së pari me “Youth without youth" (2007) dhe së fundmi me filmin "Tetro" (2010) do të jetë “Mik nderi” në seksion “Takime të afërta”, që këtë vit i dedikohet kinemasë turke dhe asaj amerikanë. Dy filmat e fundit të regjisorit, që ngriti në kult familjen dhe vlerat e saj, do të shfaqen premierë në netët e filmit veror në Durrës. Në ekranin gjigant, të vendosur në Amfiteatrin Romak të Durrësit, do të shfaqet premiera e filmit “Tetro”. Festivali do të kulmojë në një Gran Screening të filmit “Tetro”. Edhe pse krijimtaria e Francis Ford Coppola-s lidhet më së shumti me filmat më të njohur për publikun shqiptar, si “Kumbari” apo “Drakula”, në fakt krijimtaria e tij shkon përtej kulteve dhe legjendave me filma që përçojnë ndjeshmëri tek publiku dhe emocione personale, siç janë “The Convertation”, “Rusty James”, “Peggy Sue got married”…etj. Ardhja e regjisorit Fracis Ford Coppola, i cili ngriti dhe dinastinë Coppola në Hollivud (vajza e tij Sofia Coppola, gjithashtu një regjisore e njohur ashtu si dhe djali i vëllait të tij, aktori Nicola Cage) nuk do të jetë e vetmja risi e këtij festivali. Ardhja e regjisorit të madh në Shqipëri do të ishte e pamundur, pa ndihmën e Ambasadës së SHBA-së në vendin tonë. Gjithashtu, një ndihmesë të madhe për këtë Festival ka dhënë dhe Ambasada e Turqisë në vendin tonë, e cila bën të mundur shfaqjen në ekranin e madh të Festivalit të filmave më të mirë turk, të viteve të fundit, si filmin fitues të Festivalit të Berlinit “Honey”, i regjisorit Semih Kaplanouglu. Por edhe shumë surpriza të tjera ka ende për të zbuluar në ditët në vazhdim drejtoresha artistike e festivalit Anila Varfi. Mes të ftuarve që ajo zbulon shenjon një emër të njohur të kinemasë çeke, por dhe përtej saj, si regjisori Jiri Manzel, presidentin e Akademisë Europiane të Filmit Jan Harlan, njëkohësisht producent i Stanlay Kubrick, si dhe aktorin serb me famë botërore Rade Serbedzija. Shumë të ftuar që do t’i japin Festivalit një dimension të ri, si eventi më i madh kulturor e kinematografik i Europës Lindore. Po për herë të parë ky Festival synon të behët dhe anëtar i Fondacionit Ndërkombëtar për Kritikën e Filmit (FIPRESCI) që është Fondacioni më elitar i shtypit dhe kritikës kinematografike, i cili me një juri të ngritur nga anëtarë të këtij fondacioni jep dhe çmimin e madh “Fipresci”. Prania e këtij fonacioni në Shqipëri siguron për herë të parë mbulimin nga media e huaj për kinemanë të gjithë aktivitetit të këtij Festivali. “Prania e këtyre personaliteteve në festivalin e këtij viti në Durrës do t`a rrisë shumë pritshmërinë e audiencë sonë tradicionale dhe të re; festivalit do t’i kushtohet një vëmendje e madhe nga media, e cila do të reflektohet në artikuj të shumtë të shtypit të shkruar, si dhe në një nivel më të lartë të mbulimit dhe transmetimit televiziv” - u shpreh drejtoresha artistike e Festivalit, Anila Varfi.

    Rrugëtim në 4 vite “jetë” i Festivalit të Filmit

    Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Durrës e nisi rrugën e tij në vitin 2008, me mbështetjen e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë dhe Bashkisë Durrës. Edicioni i tij i 4-të do të zhvillohet nga 27 gusht deri më 2 shtator, në qytetin e Durrësit dhe këtë vit do të ndalojë edhe në katër qytete të tjera të Shqipërisë: Tiranë, Vlorë, Pogradec dhe Sarandë, me një program të veçantë për këto qytete. Festivali ka për qëllim të përforcojë identitetin e tij në ngritje, si një aktivitet i përqendruar në Mesdhe dhe të përforcojë lidhjet e tij historike me botën e kinemasë. Këtë vit vëmendja e tij është drejtuar në dy vende strategjike: SHBA dhe Turqi ku me të ftuar nderi “Par-excellence” do të konfirmojë edhe njëherë identitetin e Durrësit, si “Porta e hyrjes së Shqipërisë në Ballkan”.

    Aida Tuci - Mapo
    Mos shkruaj gjë kur je me nerva, sepse, ndërsa plaga e gjuhës është më e keqe se e shpatës, mendo ç’ka mund të jetë ajo e pendës

  3. #3
    Coppola: Mjaftonte ‘Kumbari I’, të tjerët i bëra për para

    Regjisori amerikan Francis Ford Coppola, dje në Durrës, si i ftuar i Festivalit

    Për të qenë të sinqertë, deri në momentin që ai zbriti nga limuzina e zezë dhe vendosi këmbën mbi tapetin e kuq, shtruar përpara teatrit “Aleksandër Moisiu”, ekzistonte frika se ai mund edhe të mos vinte.Çdo kërkonte Francis Ford Coppola në një vend si Shqipëria dhe në një festival 4-vjeçar si ai i Durrësit?! Por dje, një nga regjisorët më të mëdhenj të të gjitha kohërave ishte pikërisht në Durrës. Menjëherë pas mbërritjes nga Aeroporti, ai u drejtua për në teatrin “Aleksandër Moisiu”, ku e prisnin jo pak njerëz, qofshin këta të artit, apo edhe adhurues e kureshtarë. “Më bëni çfarëdolloj pyetje të doni. Mund të flasim për kinemanë, aktrimin, të shkruarit, teknologjinë…. Mos jini të turpshëm të më pyesni për gjithçka. Dua të jem i dobishëm për ju, meqenëse shoh shumë të rinj këtu”. Kështu, energjik, do t’u drejtohej tani kureshtarëve regjisori fitues i disa Oskarve e shumë çmimeve të tjera kinematografike. Takimi i parashikuar vetëm 60 minuta, zgjati dyfish. Babai i “Kumbarit”, “Apocalypse now”, “Drakula”, etj., u përgjigjet pyetjeve mbi karrierën, familjen, vështirësitë, ëndrrat…

    Jeni në Shqipëri sot, e njihnit më parë?
    Ishte viti 1972, kur xhiroja në Dubrovnik, në ish-Jugosllavi dhe që përtej dukej bregu juaj. Isha shumë kureshtar për të vizituar këtë vend kaq të bukur, por aso kohe ishte e pamundur. Ndaj dhe jam shumë i kënaqur që jam këtu pas kaq shumë vitesh.
    Nga skenarist, në regjisor, si nisi…?
    Kur isha i ri shkruaja pjesë teatri. Doja të bëhesha shkrimtar, një shkrimtar i mirë, por një ditë teksa isha në prapaskenë pashë që ishte dikush që drejtonte gjithçka, atëherë mendova se duhej të bëhesha regjisor. Dhe ëndrra ime e madhe ka qenë gjithnjë që të vija në skenë pjesët që unë shkruaja. Doja që të shkruaja pjesët e mia origjinale dhe jo të adaptoja histori që të tjerët kishin shkruar.
    Megjithatë, keni realizuar një nga filmat tuaj më të mirë, “Kumbari”, mbi një histori të dikujt tjetër…
    Ndërsa ishim duke kërkuar para për filmin “Njerëzit e shiut”, miku im, dy vjet më i ri, George Lucas, hodhi idenë që të realizonim një projekt të dytë që të mund të na sillnin paratë. Mora në dorë një libër që m’u propozua dhe kështu realizova një film të madh që ishte “Kumbari”. Por, me thënë të drejtën ky film i madh nuk më bëri edhe aq mirë, pasi më largonte gjithnjë e më shumë nga ëndrra ime për të bërë filmat e mi. Sa më të mëdha të jenë buxhetet e filmave, aq më e vogël është fuqia e regjisorit, dhe sa më i vogël të jetë buxheti, aq më i madh është pushteti i regjisorit mbi film. Dhe sa më shumë që futesha në procesin e realizimit të filmave me buxhet të madh, aq më shumë i largohesha mundësisë të realizoja skenarët e mi..
    Atëherë si lindi “Kumbari I” dhe II? Ju bën presion Hollywoodi për një të katërt?
    Gjatë karrierës sime kam rrezikuar shpesh. Kam pasur raste që jam rrëzuar dhe jam ngritur sërish. Unë nuk e mendoja kurrë se do të bëja një “Kumbar” të dytë. Një ishte i mjaftueshëm. Një film i mirë nuk ka nevojë për një vazhdim. Për dyshin m’u ofruan shumë para, ndërsa propozimi për treshin m’u ofrua pikërisht në një moment të tillë, kur unë kisha nevojë për paratë. Të bësh një film të mirë është si të nxjerrësh një markë. Serialët janë gjithnjë zgjidhje komerciale. Por, për një të katërt nuk besoj se ka më aq shumë para.
    Një tjetër “industri e rëndë” ka qenë “Apocalypse now”, si e keni realizuar atë?
    “Apocalypse now” ka qenë tmerr i vërtetë. Hollywood-i është i çuditshëm. Ti mendon se kur ke bërë 2-3 filma të suksesshëm, të gjithë do të vijnë pas, por nuk është kështu. Ai ishte filmi i parë që u bë mbi luftën në Vietnam. I vura qëllim vetes të bëja një film të madh që më vonë të bëja filma të vegjël. Kështu që guxova dhe vura gjithçka në lojë, shtëpinë time, vreshtin, madje edhe lotarinë e gruas në një supermarket dhe shkova në bankë. Nuk e mendoja se ky film do të më hante dyfishin e kohës, dhe shpenzimet do të rriteshin 4-fish. Besomëni isha në telashe të mëdha. Isha 30-40 vjeç dhe kisha një familje për të mbajtur. Përgjegjësia ishte e madhe. Teksa punoja, më dukej sikur nuk po gjeja dot fundin që më duhej, pasi, pas gjithë kësaj sakrifice do të ndodhesha me një film normal. Gati e humba mendjen. M’u desh të zgjohesha pas 10 vjetësh që të shihja se filmi im ishte i suksesshëm. Ata që më kishin kritikuar dikur e që më kishin quajtur të çmendur, e futën atë mes klasikëve.
    Keni qenë regjisor dhe producent i filmit, ç’ju shijoi më shumë?
    Të them të drejtën nuk kam shijuar asgjë. Isha aq i frikësuar gjatë gjithë procesit të prodhimit. “Apokalips now” ishte një gjigand i jashtëzakonshëm, që i kaloi parashikimet, për të cilin nuk pati reagime aq të mira kur doli fillimisht. Madje gazetarët shkruanin pa u bërë ende montazhi. Por, dalëngadalë, njerëzit filluan të ndryshonin mendje dhe ata që nisën ta pëlqejnë u bënë shumë në numër. Vetëm 20 vjet më vonë thanë se ishte i mirë.
    Jeni shprehur se tashmë keni nisur një etapë të re në karrierën tuaj, ç’kuptoni me këtë?
    Ndërsa i kisha kaluar të 60-at, më saktësisht teksa po i afrohesha të 67-ve, mendova t’i kthehesha ëndrrës sime të dikurshme. Dëshiroja të bëja filma të vegjël, për të cilët mund të gjeja paratë dhe të mund të krijoja të njëjtën atmosferë dhe dëshirë si te “Njerëzit e shiut”. Kështu që kam nisur një etapë të re të krijimtarisë sime, kur mund të realizojë filma të “vegjël”, shumë personalë, intimë, shpenzimet e të cilëve mund t’i përballoj vetë. Dëshira ime është që të ndaj sa më shumë gjëra personale me publikun. Ju e dini si e ka kjo jetë. Kur jeni të moshuar dhe keni shumë thinja në flokë, ktheni kokën prapa dhe shihni se keni bërë diçka.
    Përmes filmave tuaj keni zbuluar yje të ardhshëm të kinemasë si Al Pacino, etj, si e nuhasni një aktor të mirë?
    Sekreti i gjithë krijimtarisë kinematografike është të jesh i hapur dhe të shohësh përtej. Të jesh i aftë që të shohësh se çfarë të ofrojnë aktorët. Është si piktura e një fëmije. Keni parë ndonjëherë një pikturë të një vogëlushi që të mos jetë e bukur. Sa më shuam rritemi, aq më shumë i largohemi fëmijës që është brenda nesh. Duhet ta ushqejmë atë, ai do të dijë të zgjedhë.
    Sa ka ndikuar kinemaja europiane, në veçanti ajo italiane në krijimtarinë tuaj?
    Në Hollywood, ne gjithashtu kishim një traditë shumë të mirë, por ndërkohë një traditë shumë e mirë ishte krijuar në Itali, me regjisorë të mrekullueshëm, si Rosselini, De Sica, etj., por kishte edhe kinema japoneze, apo britanike. Kështu që regjisorët e brezit tim u gjendën mes dy traditash dhe u munduam të shfrytëzonim të dyja.
    Thatë se dikur merreshit me teatër, e keni braktisur?
    Kam qenë student kur nisa të merrem me kinemanë. Kinemaja është arti më i mrekullueshëm që ekziston, është kaq magjik, kaq hipnotizues, saqë unë do të shpenzoja gjithë jetën time duke mësuar dhe eksploruar në të. Kur bën një film ke mundësi të mësosh shumë gjëra. Ti lexon mbi temën që po punon, mbi luftën, mafien, gjithçka. Kur je duke realizuar një film personal, atëherë ti zbulon më shumë mbi veten. Tek filmi “Tetro” tregohet për dy vëllezër dhe mënyrën se si i vogli adhuron të madhin. Ka shumë doza personale në të. Unë kam një vëlla, i cili më ndihmoi në rrugën time dhe, të them të drejtën, jam në siklet për faktin se unë u bëra më “i madh” se ai. Ishte një aksident që unë u bëra i suksesshëm, sepse ai ishte më i zoti se unë.
    Cili është raporti juaj me të vërtetën?
    Gjithmonë u them të rinjve, që kur shkruani diçka vendosni dhe datën në të. Më vonë, kjo datë do t’ju ndihmojë. Gjithashtu u them që të mos gënjejnë dhe të thonë gjithnjë të vërtetën. Nëse gënjeni nis një proces i tërë gënjeshtrash, ajo fillon dhe ju helmon dhe ju nuk e ndani dot më të vërtetën nga gënjeshtra dhe arsyen pse gënjyet. Është më mirë që të përgjigjeni se ajo është një pyetje e pavend. Mund të mendojnë ç’të duan, por mos gënjeni.
    Mendoni se Hollywoodi ka probleme sot?
    Tanimë Hollywood-i nuk është më një vend. Nuk është më Los Angelesi. Hollywoodi është një ide, e cila po kopjohet ngado. Në qoftë se do të më pyesni nëse tregu i filmit ka probleme, atëherë unë ju them që ka, për faktin se bëhet në vazhdimësi i njëjti film. Ka nevojë për më shumë variacione, më shumë dramë, komedi… Sot ka shumë regjisorë të mirë në gjithë botën, që realizojnë filma të pavarur, por problemi i tyre është që nuk sigurojnë dot financat e duhura. Por, kinemaja është e re, ka ende shumë për të zbuluar. Nipërit tanë do të bëjnë kinemanë e vërtetë.
    Çfarë do i këshillonit regjisorët e rinj?
    Unë vë në lojë paratë e mia dhe jo të sponsorëve. Është më e lehtë të rrezikosh vetë, se sa të bindësh ata që i kanë paratë, të t’i japin. Për të gjithë ata regjisorë të rinj, që duan të bëhen të suksesshëm i them që të martohen sa më shpejt. Duke pasur një familje do të bëhen më seriozë dhe do të kenë më shumë përgjegjësi. Më pas, fëmijët do t’ju ndihmojnë. Nëse jeni një regjisor i ri duhet të keni patjetër një punë të dytë, në mos të tretë. Mos mendoni se do bëni para nga filmat. Unë me të njëjtin instinkt që kam bërë filmat, kam blerë një tokë dhe ngrita një vresht për të bërë verë, pasi ishte ajo që amerikanët donin në atë kohë. Të jesh artist do të thotë të kesh një padron dhe nuk ka padron më të mirë se vetja. Nëse je një grua e re, që do të bësh karrierë si regjisore… Mos u marto! (Bëj shaka, ime bijë Sofia, sapo është martuar).
    Tashmë Sofia është kolege dhe një “rivale” e juaja, si ju bën të ndiheni kjo?
    Unë i dua shumë fëmijët. Gjithmonë i kam dashur. Kur isha 15 apo 16 vjeç isha këshilltar në kampet verore. Madje unë jam bërë me fëmijë qysh në moshën 22-vjeçare. Gjatë karrierës sime më është dashur shpesh të largohesha nga shtëpia, me javë të tëra dhe, në vend që të rrija larg tyre, i merrja gjithnjë me vete nëpër sheshxhirime, në Filipine, Karaibe, kudo ku kam qenë. Kështu që duke luajtur dhe argëtuar së bashku ata mësuan gjithçka mbi filmin. Kështu lindi tradita familjare e ndjekur nga ime bijë Sofija, madje dhe nga mbesa Gia, e cila tashmë po realizon filmat e saj të parë. Jam shumë krenare për to. Ata kanë mësuar shumë nga unë, por edhe unë kam mësuar dyfish prej tyre.
    Nëse do ta kishit në dorë, nga gjithë historia e njerëzimit, cilin personalitet do të kishit dashur të takoni?
    Ka shumë njerëz që do të kisha dashur të takoja, por ndoshta do kishte qenë mirë të takoja dikë prej këtu, nga ky terren. E ndoshta, pse jo Pirron, i cili mendoj se ka qenë një nga udhëheqësit më premtues të periudhës helenistike. Ndoshta do të më kishte shijuar të shëtisja me të nëpër kopshte, shoqëruar nga filozofët. Tregojnë një anekdotë për të. Dikur Pirro dhe një nga filozofët zhvillojnë këtë bisedë: ” Do të kisha dashur t’ju takoja sërish në këtë kopsht, kur të kthehem nga lufta, i thotë Pirroja filozofit. Po përse të presim sa të mbarojë lufta, kur kohën e kemi tani, ia kthen filozofi. Jo, sepse në Lindje kam ca ushtri për të drejtuar i thotë Pirro”. Në fakt nuk u takuan më kurrë sepse Pirro nuk u kthye më nga lufta. Kështu që morali është: Mos luftoni, por shijoni kopshtin tuaj dhe filozofët!

    ALMA MILE - Panorama
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura  
    Mos shkruaj gjë kur je me nerva, sepse, ndërsa plaga e gjuhës është më e keqe se e shpatës, mendo ç’ka mund të jetë ajo e pendës

  4. #4
    -
    Anëtarësuar
    21-01-2009
    Vendndodhja
    -
    Postime
    2,081
    Pothuajse gjithmonë komercialiteti e shkatërron artin, por ndonjëherë në të rrallë (shumë rrallë) nxjerr kryevepra.
    Kumbari II mund të jetë xhiruar për komercializëm por është një mrekulli. Vetëm për lojën e Al Paçinos do të ishte mëkat të mos bëhej ai film.
    -

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •