-
Gjurmë historike në pistën e Kampionatit Botëror të Atletikës Malore
2011-09-10
Valter Gjoni
Parku i Liqenit
Për historinë e një qendre të banuar, mbetjet arkeologjike dhe monumentet e kulturës shfaqen si tregues të prekshëm të jetës së saj. Megjithëse e banuar krahasimisht vonë nga disa qytete të tjera, në rrjedhën e kohës, Tirana ka evidentuar vepra me vlera për historinë e saj dhe më gjerë për kulturën shqiptare. Këto vepra, së pari kanë vlerën e dëshmisë historike pa mënjanuar vlerat kulturore-artistike në shkallë të ndryshme. Sauku dhe Parku i Madh i Tiranës (sot) ose kodra e Shën Prokopit (dje), apo Kodra e Pashës (edhe më herët), me gjithë monumentet dhe simbolet e shumta, ka nevojë të rifillojë edhe kurimi i kujtesës historike qytetare, për të siguruar jetëgjatësinë e monumenteve të Tiranës, si vepra të papërsëritshme me vlerë të dyfishtë historiko-kulturore. Kështu, do të krijohen kushtet që këto vlera të kthehen në qendra të vizitueshme, pra në njërin prej funksioneve të rëndësishme në cilësinë e tyre, atë të kujtesës.
Qytetarët duhet ta mësojnë atë histori që qyteti i tyre e ka përjetuar. Dëshiroj të zgjoj kujtesën e shumë njerëzve dhe t’u tregoj shumë të tjerëve më të rinj për vlerat në këtë galeri të madhe historike të Tiranës, që shtrihet në Parkun e Madh të Liqenit Artificial të Tiranës dhe këto ditë historikut rreth dymijë vjeçar t’i shtoj edhe një ngjarje të madhe, atë të Kampionatit Botëror të Atletikës Malore “Tiranë 11 shtator 2011”.
Sauku, si vend pranë rrugës dytësore që hynte në Rrugën Egnatia nga Durrësi, Tirana, Petrela për në stacionin tjetër romak Mansio-Skampa (Elbasan), u përdor si një nënstacion periferik nën kontrollin e garnizoneve romake të terrenit dhe më pas garnizoneve të Petrelës.
Në shekullin IV shfaqet edhe vendqëndrimi i parë i tipit romak, Casa Rustika (shtëpi - han). Edhe arkeologu Hasan Ceka, konfirmon se tek ky vendqëndrim ka qenë një godinë e vetmuar antike, pronari i së cilës ka mundësi të ketë qenë funksionar romak ose latifondisti i terrenit. Në vitin 1963, pranë Pallatit të Brigadave (Territor i Saukut) gjetën një thesar me 48 monedha argjendi të përbëra nga drahme ilire dhe denarësh republikanë romakë. Ndërsa thesari i dytë u zbulua gjatë hapjes së themeleve të një ndërtese të re në vitin 1965. Thesari i dytë kishte 63 copë monedha romake, si dhe të qyteteve Durrës dhe Apolloni.
Historia evidenton faktin se në territorin e Saukut dhe Parkut të madh, janë dislokuar formacione ushtarake të huaja që kanë kryer luftime ose veprime ushtarake në vendin tonë.
Fillimet e ngulimit të bashkësisë ortodokse në këtë territor nisin me shtegtimin e vllehve baritorë nga Malësia e Gorës në shekullin XVII, pra nga viset e brendshme malore për në zonat rreth Tiranës. Kisha e “Shën Prokopit” e bashkësisë ortodokse të Tiranës (1780) e ka origjinën rreth dy shekuj më parë, më 1780-n, ishte ndërtuar në afërsi të kodrës së Liqenit. Kisha e parë e Shën Prokopit (1780), iu kushtua Shën Prokopit, dëshmor i kishës së krishterë, që ka ditën e përkujtimit më 8 korrikun e çdo viti.
Pas tridhjetë vjetësh të tjera pa funksion fetar, në vitin 1993, ky mjedis iu kthye Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, nё atë gjendje të tjetërsuar, e papёrshtashme pёr tё kryer shërbesat fetare. Ajo u përshtat thjesht si sallë lutjesh dhe tashmë prej 17 vjetësh funksionon për shërbesa me emrin Shën Prokopi. Kjo kishë është në kushte mjaft modeste, në pritje të ndërtimit të godinës së re.
KISHA E VJETËR E SHËN PROKOPIT
Në këtë gjendje qëndroi Kisha e Shën Prokopit deri më 1937, kur në bazë të planit rregullues të Tiranës së re, në bazë të vendimit nr. 11, datë 11 shkurt 1937, monumenti i rëndësishëm për historinë e Tiranës u shpronësua me 80 mijë franga ari dhe u shemb. Në vitin 1939, në kushtet e planit urbanistik, ndërtimit të bulevardit dhe ministrive, kisha u ndërtua nga italianët atje ku është edhe sot, te kodrat e liqenit artificial në Tiranë.
KISHA E SHËN PROKOPIT – SHESH XHIRIMI I FILMIT TË PARË SHQIPTAR
Kinostudio “Shqipëria e Re”, e ngritur më 1952, pati si përvojë të parë bashkëprodhimin shqiptaro-sovjetik të filmit “Skënderbeu” (1953), me regjisor Sergei Jutkeviç. Bashkëprodhimi bën pjesë tashmë në fondin e artë të kinematografisë shqiptare dhe shënon të parin film artistik shqiptar.
Ekipi realizues zgjodhi, ndёr të tjera, godinën e Kishës së Shën Prokopit për inskenimin e ngjarjes së Besëlidhjes së Lezhës
NGA KISHË NË BAR-RESTORANT
Gjatë kohës së sundimit të partisë-shtet të gjitha objektet fetare u ndaluan të kryenin funksionet e tyre. Për përdorimin e mëtejshëm, shumica e këtyre objekteve madhore, u shndërruan në objekte kulturore dhe një numër i madh i tyre u shkatërruan. Në vitin 1967, bashkë me shkatërrimin e gjithë objekteve fetare, u prish edhe Kisha e Shën Prokopit nё Tiranë dhe e kthye në restorant-birrari.
-
Regullat e Postimit
- Ju nuk mund të hapni tema të reja.
- Ju nuk mund të postoni në tema.
- Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
- Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
-
Rregullat e Forumit
Krijoni Kontakt