Thaçi e Feith sulmojnë Prizrenin02-09-2011 00:37 CET
(E plotësuar) Deputetët e Kuvendit të Kosovës po vazhdojnë të përballen me presion politik nga Qeveria dhe ICO për miratimin e projektligjit për Prizrenin...

Zyra Civile Ndërkombëtare (ICO) dhe kryeministri Hashim Thaçi, kanë vazhduar të bëjnë presion, secili në mënyrën e vet, mbi ligjvënësit kosovarë që të miratojnë Projektligjin për Qendrën Historike të Prizrenit. Madje Thaçi pa humbur kohë e ka riproceduar të enjten në mbledhjen e rregullt të Qeverisë këtë projektligj, si dhe ka kërkuar nga deputetët që ta respektojnë Pakon e Ahtisaarit, pjesë e cilës është edhe miratimi i këtij ligji.

Projektligji për Qendrën Historike të Prizrenit, i sponsoruar nga Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, është shqyrtuar javën e kaluar në Kuvend, por nuk u miratua nga deputetët. Për këtë projektligj votuan 44 deputetë, ndërsa kundër ishin dy më shumë (46).

Ligji nuk kaloi pavarësisht faktit se kryeministri Hashim Thaçi, sipas burimeve të “Zërit”, para se të mbahet mbledhja e Kuvendit të Kosovës, gjatë mbledhjes së Grupit parlamentar të PDK-së, i ka porositur deputetët që ta votojnë atë, pavarësisht kundërshtimeve personale.

Ky projektligj, sipas kryeministrit Hashim Thaçi, rregullon mbrojtjen e vlerës historike dhe kulturore të Prizrenit, në nivelin lokal, kombëtar dhe ndërkombëtar.

Ai tha të enjten në mbledhjen e qeverisë se Kosova ka marrë obligime ndërkombëtare me miratimin e Pakos së Ahtisarit dhe se këtë e dinë edhe deputetët. Andaj, ai kërkoi që projektligji të miratohet, duke i këshilluar deputetët se sa më shpejt që zbatohet Pakoja e Ahtisarit, aq më shpejt Kosova përmbyll fazën e pavarësisë së mbikëqyrur.

“Prizreni është qytet multietnik, multikukturor, shembull i diversitetit multikulturor dhe ne do ta avancojmë dhe forcojmë këtë vlerë të qytetarëve të Prizrenit dhe Kosovës”, është shprehur Thaçi. “Natyrisht ne përpos mbështetjes ndërkombëtare kemi edhe obligime ndërkombëtare për zbatimin e Planit të Ahtisarit dhe duam që sa më shpejt ta përmbyllim zbatimin e tij”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, deputetët e patën cilësuar këtë ligj të dëmshëm, duke vlerësuar se ai i jep shumë pushtet Kishës Ortodokse. Jo vetëm deputetë të opozitës, por edhe shumë ata të pozitës kishin kundërshtuar këtë ligj. Ndërkaq, mbetet të shihet se çfarë qëndrimi do të mbajnë tani, në versionin e ri të dërguar nga qeveria e vendit.

Ky projektligj, është thënë se parasheh shumë fuqi juridike dhe administrimin e pronave në qendër të Prizrenit nga ana e Kishës Ortodokse. Mirëpo, do të shihet nëse Kuvendi ka aq fuqi që të ndalë një ligj nga Pakoja e Ahtisarit.

Ndryshe “presioni” i kryeministrit mbi deputetët doli se nuk është “autokton” i Thaçit, por më shumë i shefit të ICO-së, Pieter Feith. Ky i fundit, i cili është i determinuar i BE-së për të shikuar zbatueshmërinë e Pakos së Ahtisarit, ka vazhduar presionin mbi Qeverinë për kalimin e këtij projektligji. Prandaj kryeministri, siç thonë edhe ligjvënësit e koalicionit, i shtyrë nga Feith po aplikon presionin për miratimin e këtij projektligji, sikurse ka bërë presion edhe për miratimin e Projektligjit për Hoçën e Madhe të Rahovecit.

Nait Hasani deputet i PDK-së publikisht e ka kundërshtuar Ligjin me arsyetimin se Ligji për qytetin e Prizrenit e favorizon kishën ortodokse serbe dhe si i tillë nuk i plotëson kushtet për votim. Edhe disa të tjerë e kanë kundërshtuar atë, por kur ka ardhur çështja e votimit e kanë votuar dhe kjo tregohet qartë në dokumentet e votimit të hapur.

“Disa kanë qenë kundër këtij ligji, por në fund janë bazuar në atë çfarë ka thënë partia. Përpos Nait Hasanit të tjerët e kanë votuar por këtë ligj e kanë lënë të pamiratuar partneri i Koalicionit AKR ngase disa deputetë të këtij subjekti e kanë kundërshtuar këtë”, thotë një zyrtar brenda PDK-së i afërt me grupin parlamentar të PDK-së.

“Edhe kryeministri edhe të gjithë mekanizmat ndërkombëtar kanë kërkuar që ky ligj të votohet dhe unë kam thënë që nuk do ta votoj ngase nuk i plotëson kushtet. Ky ligj e favorizon kishën ortodokse serbe dhe kjo ka qenë baza pse unë kam qenë kundër votimit”, thotë Nait Hasani.

Ai nuk komenton për deputetët tjerë të PDK-së që njëherë kanë qenë kundër e më pas kanë votuar ligjin, por për vete thotë se nuk blihet me para e as me tenderë. Por, në këtë mes Hasani kritikon përfaqësuesin Civil ndërkombëtar Pieter Faith për ndërhyrje direkte në këtë proces.

Pieter Faith, sipas burime të “Zërit” ka kërkuar nga kryeministri që të shtyjë miratimin e ligjit pasi që ligji është obligim i Pakos së Ahtisarit për të cilën pala kosovare është zotuar se do ta implementoj. “Si partia më e madhe në vend nuk guxojmë që të na ikin pa i miratuar ligjet që i kemi obligim për t’i miratuar”, mësohet se u ka thënë Thaçi zyrtarëve partiak.

I pyetur rreth pretendimeve të deputetit Nait Hasani se ky ligj ka ardhur i gatshëm nga Pieter Faith, zëdhënësi i ICO-së Dren Selimi thotë se ky ligj është përpiluar nga një grup normal punues ku pjesëmarrës kanë qenë edhe përfaqësues të ministrive.

“Ne besojmë se ky draft-ligj është në të mirë të madhe të të gjithë qytetarëve të Kosovës, ngase paraqet masë efektive për mbrojtjen e emrit të Prizrenit dhe llojshmërisë së jashtëzakonshme kulturore dhe fetare të tij”, ka thënë Selimi.

Ky i fundit ka bërë me dije se me miratimin e këtij ligji, qendra Historike e Prizrenit do të menaxhojë Komuna e Prizrenit.

“Ne i bëjmë thirrje Qeverisë që të vazhdojë të punoj rreth këtij legjislacioni të çmueshëm. I bëjmë thirrje edhe parlamentit të shqyrtojë me besnikëri çështjet e detajuara në të dhe të vazhdojë të ushtrojë përgjegjësitë e tij mbikëqyrëse”, ka thënë Selimi, duke mohuar se ka pasur ndikim direkt të shefit të tij, Pieter Faith.



http://www.zeri.info/artikulli/1/1/3...jne-prizrenin/