Duhet shtuar presioni ndërkombëtar mbi Serbinë për të pagjeturit
Nga Express më 30 gusht 2011 në ora 17:35
Me rastin e 30 Gushtit - Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi premtoi angazhime shtesë të institucioneve të vendit për të zbardhur fatin e të pagjeturve, ndërsa vlerësoi se për një sukses më të madh në këtë çështje nevojitet edhe një presion më i madh ndërkombëtar mbi Serbinë.
Pas takimit një orësh që ka zhvilluar me përfaqësuesit e Shoqatave të Familjarëve të të Zhdukurve të Kosovës, numri dy i Qeverisë tha se për të mbyllur sa më parë këtë dhimbje, duhet angazhim i të gjithëve, sidomos presioni ndërkombëtar.
“Kosova ka arsye që ta shënojë, por ka arsye që ta shënojë në mënyrën tjetër, duke shtuar përkushtimet tona edhe si Qeveri edhe si individ, por besojë në radhë të parë edhe ne përkushtimin dhe presionin ndërkombëtar mbi Serbinë që të dihet fati i të pagjeturve që janë mbi 1800 dhe të cilët i mungojnë familjeve të tyre dhe unë e quaj se është një dhimbje e pa mbyllur”, ka thënë ai.
Sipas tij, deri më tani nuk kanë munguar angazhimet e Qeverisë së Kosovës, ndërsa përmendi hartimin e ligjit për personat e pagjetur, i cili është në lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës.
Kuçi tha se festat dhe festa e sotme e Fitër Bajramit ka kuptim, kur janë të gjithë njerëzit dhe Kosova është e plotë dhe nuk ka dhimbjen për njerëz të pagjetur ende.
Kurse drejtuesi i Këshillit të Asociacioneve të Familjarëve të Personave të Pagjetur, Haki Kasumi tha se premtimet e marra nga zëvendëskryeministri Kuçi janë në një formë edhe urim për familjarët që kanë humbur më të dashurit e tyre.
“Nuk kërkojmë asgjë jashtë ligjit, por kërkojmë të realizojmë një të drejtë elementare tonën që të marrim informacion, gjegjësisht të dimë për fatin e njerëzve që i kërkojmë tash e 12 vjet, shpresojmë nga ky takim, nga këto fjalë të kalojmë në vepra”, ka thënë Kasumi.
Ndërkaq përfaqësuesi i familjarëve të personave të pagjetur për rajonin e Mitrovicës, Bajram Qerkini ka thënë se për herë të parë e ndien vetën më të relaksuar, pasi që janë takuar me një person të besueshëm.
“Të gjitha këto premtime që u folën numër një është zbardhja e fatit të të pagjeturve dhe do të bëjmë çmos”, ka Qerkini.
Pas këtij takimi përfaqësuesit e Shoqatave të Familjarëve të të Zhdukurve të Kosovës kanë bërë homazhe para fotografive të të zhdukurve, të cilat janë të vendosura në rrethojat e Kuvendit të Kosovës. /kp/
Krijoni Kontakt