“Në Shqipëri më mirë se në Filipine dhe ShBa”
Kuzhinieri filipinas jeton në Tiranë prej tre vjetësh si një emigrant me kontratë pune. Ka punuar në vende të ndryshme, por i pëlqen shumë Shqipëria, për të sjellë edhe familjen, por “qenkërka shumë vështirë për dokumenta”.
Nga Magdalena Alla
“Nuk dua të rri në një vend. E kam pasion njohjen e botës. Sa jam ende i ri dua të jetoj dhe punoj në vende të ndryshme”. Dhe këto tre vitet e fundit, rastësia dhe zgjedhja e tij e sollën në fillim me kureshtje dhe e mbajtën më pas me dëshirë të madhe në Shqipëri. Edhe pse në atdheun e tij, Filipinen e largët, ka lënë bashkëshorten dhe tre fëmijë, të cilëve nuk ka mundësi t’iu gjendet pranë ‘për natë e për ditë’ veçse me paratë që iu dërgon çdo muaj. ‘Vetë nuk shkoj dot më shumë se një herë në vit”, thotë Ronilo P. Momandre. Është një emigrant me plot kuptimin e fjalës në Shqipëri, i ardhur në Tiranë falë një kontrate pune si kuzhinier i recetave unike japoneze, edhe sushit të famshëm në gjithë botën. ‘Po prisja të më ridilte oferta e punës për në ShBa, por papritur më ofruan Shqipërinë. Nuk dija asgjë për këtë vend dhe e para gjë që bëra ishte kërkimi në internet. Pashë dhe lexova diçka mbi historinë, qytetet dhe si kureshtar që jam nga natyra vendosa ta provoja, edhe pse familja ime e kundërshtoi këtë zgjedhje”. Të tjera vende ku ka punuar më parë Ronilo kanë qenë Japonia, Meksika, ShBA dhe atdheu i tij, Filipine. Por në krahasim me gjithë të tjerat, Shqipëria iu bë vendi ku po qëndron më gjatë dhe nga nuk i iket. “Më pëlqen shumë Shqipëria, natyra e bukur, njerëzit miqësorë. Me atdheun tim nuk ka të krahasuar, sepse këtu edhe pse ka probleme, prapë ka më siguri jete, ka më shumë mirëqenie. Edhe në ShBA ato pará që fiton i prish, ndërsa këtu mund t’i kursesh, jo se çmimet janë më lirë, përkundrazi, por jeta është më e thjeshtë, vendet ku do të shkosh, shërbimet i ke afër, nuk të duhet të harxhosh karburant me kilometra etj, etj.” Por Shqipëria shijohet meqë Roni ka një rrogë jo alashqiptare, por 2000 euro në muaj nga të cilat 1500 ia dërgon familjes në Manila, meqë fëmijët i ka në shkolla me pagesë, ndërsa me 500 euro ia kalon vetë për mrekulli në Tiranë, ndërkohë që edhe qiranë e ka të paguar nga punëdhënësi dhe ngrënien të sigurt në restorantin japonez ku punon. Me një shqipe jo të keqe Ronilo tregon se midis ShBA-së dhe Shqipërisë do zgjidhte për të jetuar Shqipërinë. “E kam menduar seriozisht të merrja gjithë familjen këtu, por është shumë vështirë për të bërë dokumentat si shtetas shqiptar.”
Gjithë ditën gjendet në restorant me hundët e tejngopura me erërat tipike të kuzhinës japoneze, ndaj kur dëshiron të hajë vetë gatimet edhe i përzien. I pëlqen edhe kuzhina dhe ushqimet shqiptare. “Mishi i viçit, pulës, peshkut janë shumë të shijshëm”.
Do të vazhdojë të eksplorojë botën apo do të rikthehet tek rrënjët dhe në gjirin e familjes? “Në të ardhmen? Nëse nuk e rinovoj dot kontratën për të qëndruar në Shqipëri, hera tjetër do të jetë Gjermania, ndoshta. Më vonë do kthehem përfundimisht në atdhe, në Manila. Aty kam një biznes, një bar dhe bilardo timen dhe s’do të lëviz më”.Shekulli
Krijoni Kontakt