Withers: Jo më shumë se 3 % grekë
Ish-ambasadori amerikan në Tiranë, John Withers, i ka kushtuar një rëndësi të veçantë edhe problemit çam në Shqipëri.Në një raport drejtuar Departamentit të Shtetit, dërguar në nëntor të vitit 2008, Withers shkruan gjerë e gjatë për çështjen çame duke vendosur si titull: Qeveria shqiptare i mirëkupton çamët, por… sipas ish-ambasadorit, qeveria shqiptare i ka duart e lidhura, sepse ajo nuk kërkon të dëmtojë marrëdhëniet me shtetin grek, kur e ka si partner të dytë tregtar dhe më se 1 milion shqiptarë punojnë në shtetin helen. “Ndërsa gjendja e çamëve është për të ardhur keq, duket se qeveria shqiptare është më e shqetësuar për marrëdhëniet e saj bilaterale me Greqinë se pretendimet e çamëve. Greqia është partneri tregtar i dytë më i madh i Shqipërisë dhe një milion shqiptarë punojnë në Greqi, kështu qeveria nuk është e gatshme të dëmtojë këto marrëdhënie për të ndjekur çështjen çame”, shkruan Withers. Më tej, ai flet për perspektivën e çështjes së tyre, duke thënë se është e paqartë se cila gjykatë mund të vendosë për pretendimet e drejta të tyre. “Pak është bërë për kauzën çame që një nga vitit 1994 kur u miratua një rezulotë në Parlamentin shqiptar, ku u pranuan kërkesat e tyre, por duket se qeveria shqiptare nuk kërkon të armiqësohet me shtetin fqinj dhe të rrezikojë marrëdhëniet me Greqinë. Perspektiva e një çështjeje ligjore mund të sjellë më shumë vëmendje për çamët, por është e paqartë se cila gjykatë do të ketë juridiksion mbi këtë çështje dhe çfarë, nëse ka, ndonjë efekt konkret për çamët. Në një përpjekje për të tërhequr më shumë vëmendje për kauzën e tyre, çamët dhe pasardhësit e tyre në Shqipëri kanë organizuar herë pas here protesta për të kërkuar shtetësinë greke ose kompensim për humbjen e pronave së tyre. Për shembull, në vitin 2005, Presidenti grek, Karolos Papulias, ndërpreu një vizitë në Shqipëri, duke anuluar takimin me homologun shqiptar, duke ndier shqetësim për sigurinë për protestat e çamëve, por hasi në një reagim nga media dhe qeveria se këto protesta nuk kanë asnjë rrezik për sigurinë”, thuhet në raport.
Jo më shumë se 3 % grekë
Sipas një kabllogrami të dërguar nga ish-ambasadori Withers, në Shqipëri nuk ka më shumë se 3 për qind minoritet grek, ndërsa 2 për qind janë të etnive të tjera. “Shqipëria është një vend prej rreth 3.6 milionë të përbërë nga shqiptarët etnikë (95 për qind), grekët (3 për qind) dhe të tjera grupe, të tilla si romët (ciganët), serbët dhe maqedonasit. Ndërsa sipas burimeve të ndryshme, mbi një milion shqiptarë jetojnë në Turqi, mbi 500.000 në Maqedoni, 440.000 në Greqi, 200,000 në vende si Italia dhe Britania e Madhe, më shumë se 100.000 në SHBA e në Gjermani, me po aq shumë në Zvicër, dhe rreth 30,000 në Mal të Zi. Ka një shaka në Shqipëri që më shumë
shqiptarë jetojnë jashtë saj sesa brenda”, thuhet në një nga kabllogramet.
Politikanët, financime në diasporë
Kabllogramet i kushtojnë një rëndësi të veçantë edhe rolit të diasporës shqiptare jashtë vendit, si dhe rolin e saj në Shqipëri. Në të thuhet se shqiptarët jashtë vendit janë aktivë, por jo aq sa duhet. Ata ende nuk po investojnë sa duhet, ndonëse dërgojnë më shumë se 200 milionë euro në Shqipëri për familjet e tyre. Nga ana tjetër, theksohet se edhe politikanët financohen nga shqiptarët e diasporës. “Gjatë periudhës së fundit të zgjedhjeve, politikanët kryesorë të të dyja kampeve kanë udhëtuar jashtë shtetit për të fituar para dhe për t’u promovuar”, thuhet në kabllogram. Një rëndësi e veçantë i kushtohet lidhjes historike mes shqiptarëve, si dhe shpërndarjes së tyre në vende të ndryshme të botës.
Komentet
Ish-ambasadori Withers preferonte që të komentonte një paragraf në fund të çdo kabllogrami të dërguar në Uashington. Pasi bën një rrëfim të situatës referuar shumë burimeve të ndryshme, shpeshherë ai zgjedh ndonjë citim apo thënie të ditës për të komentuar situatën. Gjithsesi, ai vetë nuk ka përtuar të japë mendimin e tij pa dorashka, në lidhje me çdo situatë që raportonte. Ish-ambasadori ka dërguar çdo javë raporte të rregullta në Uashington./Shqipëria.com/
Krijoni Kontakt