PDSH: Qeveria dëshiron ta falsifikojë regjistrimin
telegrafi, 15:48 / 26.08.2011
Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) ka dorëzuar në Parlamentin e Maqedonisë propozimin për ndryshimet në ligjin për regjistrimin e popullatës.
Opozita shqiptare përmes këtij ligji kërkon që regjistrimi të mbahet nga 1 deri në 15 korrik të vitit 2012, e jo siç propozon qeveria nga 1 deri më 15 tetor të këtij viti.
“Kjo kërkesë e jona bazohet në faktin se një numër i madh i qytetarëve shqiptarë jetojnë dhe veprojnë në shumë shtete të botës, prandaj mendojmë se kjo është periudha më e përshtatshme që edhe ata të kenë të drejtën për tu regjistruar”, ka deklaruar deputeti PDSH-së, Imer Aliu.
Sipas tij, qytetarët nuk janë të gatshëm për regjistrimin pasi komisioni nuk ka treguar ndonjë përkushtim për sensibilizim të opinionit.
“Qeveria dëshiron të falsifikojë regjistrimin duke ulur numrin e shqiptarëve. Me propozimin tonë do të mundësohet që ai të jetë më real”, ka thënë Aliu, transmeton “Zhurnal”.
Sipas PDSH-së, numri i qytetarëve shqiptarë të Maqedonisë që jetojnë jashtë vendit është mbi 200 mijë. /Telegrafi/
Krijoni Kontakt