
Postuar më parë nga
ARIANI_TB
Për arsimim për fetë dhe mbi fetë, e jo edukim dhe udhëzime fetare
Një debat deri tash goxha i heshtur, këtë festë të Fitër Bajramit e mori dhenë. A duhet të kemi edukatë fetare nëpër shkollat tona publike apo nuk duhet të kemi? Kjo ishte pyetja kryesore, dhe tema qendrore e diskutimeve nëpër dhomat e pritjes së familjeve nëpër Kosovë me mysafirët e shumtë që frekuentojnë sipas zakonit njëri-tjetrin. Kjo temë sigurisht se u diskutua edhe në secilën xhami të Kosovës në ditën kur numri i pjesëmarrësve në faljen e namazit është më i larti në vit. Dhe e tërë kjo u nxit nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, më saktësisht nga zëvendësimi i rendit të ditës të dakorduar për seancën e së hënës (29 gusht) me një tjetër rend dite i cili kërkonte nga deputetët që t’i votojnë në lexim të dytë 14 ligje, për të cilat Kuvendi nuk ishte fare i përgatitur, dhe deputetët madje as nuk e dinin saktë formulimin tekstual të amandamenteve në këto ligje për të cilat kërkohej votimi. Njëri prej këtyre ligjeve ishte edhe ai për arsimin parauniversitar në të cilin 3 grupe parlamentare, ai i Koalicionit për Kosovë të Re, Grupi i Partisë Liberale Serbe (SLS) dhe Grupi Parlamentar 6+, i kishin paraqitur 2 amandamentime përmes të cilave kërkohej lejimi i bartjes së simboleve fetare nëpër institucionet publike si dhe futja e një lënde të re në kurrikulën e shkollës publike parauniversitare, lëndë kjo e emërtuar nga propozuesit si “Edukatë fetare dhe morale”.
Ky debat për mësimin fetar, edhe pse në heshtje vie vërdallë tash një kohë të gjatë, asnjëherë nuk është zhvilluar në mënyrën se si duhet zhvilluar një debat për një çështje goxha të rëndësishme për zhvillimin e jetës shoqërore e politike në vend. Një debat i tillë në asnjë mënyrë nuk bën të reduktohet vetëm në debat parlamentar mes deputetëve dhe përfaqësuesve të subjekteve politike, por në të doemos duhet përfshirë para së gjithash ekspertët e fushave të ndryshme, veçanërisht ata të arsimit, psikologët e fëmijëve, sociologët, por edhe organizatat e ndryshme shoqërore, dhe përfaqësuesit e bashkësive fetare. Kështu kjo do të mundësonte që secili qytetar i Kosovës të jetë më mirë i informuar për atë nëse duhet të kemi lëndë që përqendrohet në arsimimin fetar dhe çfarë lloj mësimi duhet të ketë aty. Mbase mungesa e një debati të tillë na ka sjellë këtu ku gjendemi sot dhe ku u gjendën deputetët të hënën – një situatë para dy mundësive të vetme, statike karshi njëra tjetrës. Ky lloj shantazhi i dyfishtë prodhon pamundësi mendimi e veprimi, ndërkohë që neve si popull na nevojitet pikërisht mundësia për të menduar dhe vepruar.
Vendimi për këtë çështje nuk bën të merret as si vendim i një grupi të caktuar njerëzish (në këtë rast njerëzit të cilët janë pjesë e institucioneve të Republikës së Kosovës) e as si vendim i cili bazohet në praktikat e vendeve tjera. Ky vendim duhet të jetë vendim kolektiv i cili bazohet në interesin e përgjithshëm dhe i cili i del në mbrojtje këtij interesi të përgjithshëm. Sepse vendimi i tillë para se të prek të drejtat individuale të kujtdo qoftë, është i lidhur me të drejtën dhe vullnetin kolektiv të shoqërisë për shkak se rrjedh nga interesi i përgjithshëm shoqëror, dhe e kushtëzon atë.
Interes yni kombëtar dhe shoqëror është bashkimi. Shih për këtë shkollat tona publike nuk duhet të diskriminojnë, por as të ndajnë në emër të të drejtave individuale të njeriut. Programi i Lëvizjes VETËVENDOSJE! thotë që “Shkollat tona duhet të kontribuojnë në krijimin e një shoqërie të shëndoshë, të udhëhequr sipas parimeve universale të drejtësisë, barazisë, dhe solidaritetit shoqëror.” Përmes arsimit parauniversitar ne nuk synojmë vetëm hapjen e derës në botën e madhe të shkencës dhe mendimit njerëzor, por edhe edukimin praktik për kohezionin shoqëror, pasurinë tonë të përbashkët publike, dhe përgjegjësinë individuale ndaj shoqërisë. Kjo është e arritshme po qe se i zbresim në minimum elementet ndarëse në mes të nxënësve. Por, kjo mund të eskalojë në skajshmëri nëse shteti i shton elementet përçarëse përbrenda sistemit publik arsimor.
Shteti luan rol kyç në mënyrën se si qytetarët i qasen dhe e kuptojnë religjionin (por edhe ateizmin e agnosticizmin), si dhe atë se çfarë dinë për to. Nëse shteti nuk e bën këtë atëherë kjo do të bëhet nga familjet ose bashkësitë lokale, gjë që do të nënkuptonte se qytetarët do të arsimohen duke fituar shumë njohuri për vetëm një konfesion, atë së cilës i takojnë, ose të mos mësojnë fare për fenë nëse familja e tyre nuk janë fetarë. Mosdija shumë lehtë e kushtëzon paragjykimin ndaj feve tjera ose naivitetin për rrezikshmërinë e tyre. Nëse fëmijët nuk mësojnë për religjionin, ata nuk do t’i kenë informatat e tërësishme për ta kuptuar historinë por edhe politikën e së kaluarës dhe të së sotmes.
Në vijë me rendin republikan sekular shkollat publike të Kosovës duhen forcuar në cilësinë e mësimit baza e të cilit është shkenca: ato ekzakte por edhe shkencat shoqërore. Në këtë drejtim secila lëndë e kurrikulumit arsimor duhet të jetë shkencore, si dhe të mësohet përmes metodave shkencore. Nuk ka asgjë të keqe që nxënësit në Kosovë të arsimohen dhe ta kuptojnë se si kanë lindur fetë e ndryshme, cilat janë parimet bazë të tyre, cili ka qenë zhvillimi historik dhe aktual i tyre, etj. Rëndësia që religjioni në përgjithësi, dhe fetë e ndryshme secila veçanërisht, kanë pasur në zhvillimin shoqëror e të dijes botërore, është e pamohueshme. Mirëpo ky arsimim mbi fetë është radikalisht i kundërt me udhëzimin fetar apo edukatën fetare për të cilën po flitet në Kosovë. Mësimi për fetë duhet të jetë i bazuar në pikëpamjet filozofike, metafizike, ekonomike, sociale e sociologjike, për t’ia mundësuar kështu nxënësit mësimin për fetë dhe hapësirën për qasje kritike ndaj tyre. Një lloj mësimi i tillë tashmë është pjesë e kurrikulës publike në Kosovë, vetëm se është e shpërndarë nëpër lëndë të ndryshme siç janë edukata qytetare nëpër shkollat fillore, apo sociologjia e filozofia nëpër shkollat e mesme. Një lëndë e tillë madje ligjërohet edhe në arsimin universitar në Kosovë. Për shembull, në Departmentin e Sociologjisë pranë Fakultetit Filozofik ligjërohet lënda Sociologji e Religjionit.
Ky mësim shkencor për fenë duhet të bëhet nga mësues të trajnuar të cilët janë pjesë e korpusit të mësimdhënësve publik të Kosovës. Dhe për këtë natyrisht se nevojiten mësues të arsimuar dhe trajnuar mirë. Sepse, sikur për secilën lëndë tjetër, edhe për këtë lloj lënde nevojiten mësimdhënësit e specializuar. Ky është aspekt shumë i rëndësishëm i organizimit të lëndës për fetë dhe mbi to në shkollat publike të Kosovës.
Mësimi i fesë, apo mësimi fetar, në një shtet sekular, është diçka që mund të bëhet vetëm në shkolla të atij profili (shkolla fetare - jopublike). Edhe në ato shkolla, duhet që mosha më e re e nxënësve të jetë 14 vjeç. Shteti duhet të marrë më tepër rol edhe në zhvillimin e atyre shkollave, kolegjeve, medreseve e manastireve, që feja të vijojë të mbetet liri e komuniteteve dhe individëve, por të mos jetë instrument në duar të interesave politike jashtë Kosovës, cilatdo qofshin këto interesa. Një shtet sekular, kujdeset për komunitetet e veta. Imamët e priftërinjtë, xhamitë e kishat, në shtete sekulare, paguhen e përkrahen nga fonde të kontrolluara e të përkrahura prej shtetit, e nuk lejohet të paguhen prej burimeve të paqarta. Feja e shqiptarëve nuk mund të tolerohet që të qeveriset prej të huajve, pavarësisht kush janë ata dhe prej cilit shtet vijnë.
Këtu mbase edhe konsiston i tërë keqkuptimi (i qëllimshëm) që i është bërë pozicionit të Lëvizjes VETËVENDOSJE! karshi kësaj çështje. Media të caktuara të shkruara por edhe elektronike kanë krijuar përshtypjen se karshi kësaj çështjeje ekzistojnë vetëm dy pozicionime, duke i paraqitur këto gabimisht si diametralisht të kundërta me njëra tjetrën. Mirëpo këto dy pozicionime janë dy anë të së njëjtës medalje, meqenëse të dyja këto e kuptojnë lëndën për fenë vetëm si udhëzim fetar, dhe pastaj e përkrahin apo kundërshtojnë. Në rrafshin konceptual të dyja këto bashkohen në kundërshtimin e skajshëm të mundësisë për të mësuar, shkencërisht dhe historikisht, mbi fetë dhe për t’ia mundësuar kështu nxënësit kuptimin e drejtë faktik të tyre, dhe hapësirën për qasje kritike ndaj tyre. E, pikërisht kjo mundësi e të mësuarit për fetë dhe mbi to është pozicioni radikalisht i kundërt karshi dy pozicionimeve me kundërshtim të falsifikuar.
Visar Ymeri (Kryetar i Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!)
Krijoni Kontakt