Wikileaks: Berisha, fushatë e ulët ndaj Sollakut
TIRANE- Beteja e gjatë e kryeministrit Berisha për të shkarkuar krye-prokurorin Theodhori Sollaku ka zënë vend të dukshëm në kabllogramet e ambasadës amerikane. Në një prej tyre, të dërguar në 2 maj 2006 nga ambasadorja amerikane, Marcie B. Ries, theksohet se kryeministri Berisha po e ashpërson fushatën e tij ndaj Sollakut, duke pretenduar se ai është pengesë për luftën ndaj krimit të organizuar. “Berisha e akuzon Sollakun për gjithçka, nga dembelizmi deri te lidhjet me krimin e organizuar në një përpjekje për ta diskredituar ish-këshilltarin e tij, duke e detyruar të japë dorëheqjen.
Problemet
Sollaku, energjia dhe sukseset e të cilit në detyrën janë të diskutueshme e ka mbajtur deri tani vendin e tij pasi ai mund të zëvendësohet vetëm nga presidenti”, - theksohet në mesazh. Ndërsa Sollaku nuk ka qenë aq energjik në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, akuzat e Berishës ndaj tij deri tani kanë rezultuar të pabaza. Ka gjasa të mira që shumica e PD-së të vendosë të largojë Sollakun edhe pse në Kushtetutë kjo theksohet se ndodh vetëm në rastet kur ka abuzime të mëdha me detyrën nga ana e kryeprokurorit. Duket se shumë energji po derdhet kot në një konflikt që nuk do të sjellë asnjë të mirë. Kjo gjë mund të përfundojë vetëm në një konfrontim kushtetues mes parlamentit që kërkon heqjen e kryeprokurorit dhe presidentit që kërkon ta mbrojë atë. Ambasadorja amerikane në Tiranë thekson se fushata kundër Sollakut mund të jetë një sulm i planifikuar i Berishës ndaj tij. I nxitur nga mbrojtja që Presidenti Moisiu po i bën Sollakut, Berisha ka vendosur të luajë fort duke deklaruar në televizion se Sollaku ka lidhje me krimin.
Konflikti
Por si është puna e tij? Deri tani nuk ka të dhëna se Sollaku ka lidhje me krimin. Kur u pyet nga ambasadorja, kryeparlamentarja Topalli tha se ajo nuk kishte prova që Sollaku ishte i korruptuar a po i lidhur me krimin, por ishte e bindur se hetimi do të nxirrte diçka. Kreu i OSBE-së në Tiranë, Vacek tha se ishte i pakënaqur me shpjegimet e Sollakut lidhur me disa raste të hetimeve në Vlorë që kishin të bënin me krimin e organizuar. Edhe specialisti ynë në OPDAT, që ka punuar bashkë me Sollakun në të shkuarën thotë se ai nuk ishte në dijeni të asgjëje që e lidh Sollakun me krimin. Megjithatë, ai tha se Sollaku në disa raste kishte mungesë agresiviteti ndaj disa çështjeve si për shembull rastet e ryshfeteve ndaj ish-ambasadorit Fator Tarifa. Specialisti i OPDAT tha se Sollaku kishte një kasetë ku Tarifa kërkonte ryshfet, por nuk e kishte çuar për hetim atë sepse kishte thënë se duheshin më shumë dokumente. Por, çështja e vërtetë është nëse Berisha dhe kompania e tij do të ndjekin procedurat apo do të kalojnë kufirin dhe do të cënojnë pavarësinë e institucioneve në Shqipëri. Cilido të jetë rezultati i hetimit të mundshëm ndaj Sollakut, është thuajse e sigurt se fati i tij është përcaktuar paraprakisht. Edhe nëse Moisiu do të refuzojë ta shkarkojë atë, aftësia e Sollakut për të bërë punën e tij tani mund të jetë kompromentuar shumë për shkak të kësaj fushate të ulët.
(GSH/BalkanWeb)
-----------------------------------------
Wikileaks, Topi: Qeveria presion mbi Presidentin dhe Institucionet e pavarura
Nga: ERJONA RUSI
TIRANE- Në një kabllogram të datës 29 janar 2010, Withers raporton për takimin që kish patur dy ditë përpara këtij mesazhi, me kreun e shtetit Bamir Topi, i cili i shprehte shqetësim për rritjen e presionit të qeverisë ndaj institucioneve të pavarura në vend por edhe ndaj vetë atij, institucionit të presidencës. “Gjatë takimit të 27 janarit presidenti Topi u shpreh i shqetësuar për rritjen e presionit të qeverisë shqiptare ndaj institucioneve të pavarura përfshirë këtu zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm, shërbimet inteligjente, media dhe gjykatat. Topi tha se bojkoti i opozitës në parlament vazhdon të mbajë pezull reformat e nevojshme në gjyqësor, të cilat kanë nevojë për 84 vota që të miratohen.”-thuhet ne mesazhin e Withers. Ish ambasadori tregon se presidenti iu ankua gjithashtu për mungesën e një opozite politike profesionale në Shqipëri, duke thene se këtë rol nuk mund ta bëjë ai. “Topi tha se aftësia e tij për të ndërmjetësuar krizën aktuale politike mes qeverisë dhe opozitës është e limituar pasi Partia Demokratike nuk e pranon atë si ndërmjetës”-vijon Withers duke u shprehur në mesazh se ndau shqetesimin e tij me kreun e shtetit ndërsa i shtoi “atij se shqiptaret duhet të ngrihen dhe të flasin për demokracinë shqiptare pasi komuniteti ndërkombëtar mund të japë pëkrahjen e tij por nuk mund të flasë në emër apo në vend të shqiptarëve.
Presioni në nivel maksimal
Në mesazh thuhet gjithashtu se gjatë ketij takimi, presidenti Topi tha se “presioni polititik ndaj institucioneve te pavarura ka arritur në një nivel maksimal, duke përfshirë këtu edhe presionin ndaj vetë presidencës. Withers thotë se “Topi i kërkoi atij një takim kokë më kokë me Prokruroren e Përgjithshme Ina Rama, duke i thënë se ajo ka nevojë për mbështetje. "
Ligji për SHISH, rikthim me epoken e Enver Hoxhes
Gjatë takimit Topi dhe Withers diskutuan edhe mbi ligjin e ri për Shërbimin Informativ Shqiptar, ku kreu i shtetit i kishte shprehur shqetësimin se projektiligji i paraqitur në parlament i kujtonte ish Sigurimin e Shtetit të periudhës komuniste. “Megjithatë Topi pranoi se zyra e tij nuk ka marrë ende një kopje të draftit dhe duhet ende tëe rishikojë zyrtarisht të gjithë ligjin. Topi tha se ka bërë gjithçka mundet që nga zgjedhja e tij në krye të shtetit për të mbrojtur pavaresinë dhe profesionalizmin e Shërbimeve Inteligjente dhe tha se do të insistojë që të thotë fjalen e tij edhe në këtë projektligj.”-vijon mesazhi iWithers.
Reforma në gjyqësor ka mbetur pezull
Në po të njëjtin takim te 27 janarit 2010, Topi i pati shprehur shqetësim ish ambasadorit Withers se reformat e nevojshme në gjyqesor si dhe emërimet kyçe në Gjykatën e Lartë po mbaheshin peng nga bojkoti i socialistëve në parlament. Topi tha se për shkak se shumica e ligjeve që prekin sektorin gjyqësor kërkojnë një mazhorancë 3/5 në parlament, miratimi i reformave kyçe ishte i pamundur për sa kohë do të vazhdonte bojkoti i socialistëve. “Topi tha se do që Partia Socialiste të jetë pjesë e procesit të miratimit dhe dëshiron që të evitojë kandidatët e përzgjedhur vetëm nga një parti në Gjykaten e Larte dhe atë Kushtetuese. „
“Topi ra në parim dakord ndaj sugjerimit të ambasadorit për të krijuar një komision gjyqesor bipartizan që do të ndihmonte në përzgjedhjen e njerëzve të kualifikuar për të mbushur një numër vendesh vakante në Gjykatën e Lartë dhe atë të Kushtetueses. Ai ra dakord megjithëse me gjysmë zëri që me mbështetjen e ambasadorit të ndërmjetësojë diskutimet mes PD dhe PS për t’i dhënë fund bojkotit”-vijon mesazhi i Withers.
Komentet e Withers
Ndërsa në komentet e tij, në fund të këtij mesazhi, ish ambasadori amerikan shprehet se „duhen marrë parasysh këto shqetësime të presidentit, duke qenë se Topi është i ndërlidhur mirë me të dyja institucionet, Prokurorinë e Përgjithshme dhe SHISH dhe se ka autoritet të konsiderueshëm në sektorin gjyqësor. “Topi ka punuar në të kaluarën në mënyrë efektive për të mbrojtur interesat e tij dhe të drejtën në sektorin gjyqësor dhe SHISH, megjithëse mbetet për t’u parë nëse do të dojë të bëjë të njëjtën gjë edhe këtë herë”-komenton Withers. Sipas tij, me kaq shumë vende të lira në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese në muajt e ardhshëm, vullneti i Topit për të luftuar bashkë me një komision gjyqësor që i jep peshë procesit përzgjedhës të gjyqesorit, mund të jetë çelësi për të shmangur çdo përpjekje të kryeministrit për të mbushur këto dy gjykata me miqtë e tij. Sa i përket bojkotit, ambasadorët e BE-se do t’i dërgojnë Topit një mesazh të ngjashëm për të ndihmuar ne zgjidhjen e krizës politike.
(s.g/balkanWeb)
--------------------------------------------------------------------
Wikileaks: Damir Fazlliç ruhet nga policia
TIRANE- Emri biznesmenit Damir Fazlliç përmendet në të paktët 14 kabllograme të Ambasadës Amerikane përfshi tentativat e kryeministrit Berisha për ta shpëtuar boshnjakun nga hetimet e prokurorisë. Problematika që rrethon Damir Fazlliç trajtohet në kabllogramin e datës 14 Tetor 2008 me titull: "Berisha fillon sulmin e ri ndaj Prokurores së Përgjithshme", ku thuhet: "Duke nisur nga data 10 Tetor dhe gjatë fundjavës kryeministri dhe Ministria e Drejtësisë nisën një fushatë të re për të intimiduar dhe minuar punën e Prokurorisë së Përgjithëshme me pretendimin se prokuroria ka thyer ligjin duke tentuar të marrë në pyetje biznesmenin boshnjak, Damir Fazlliç.
Ministria e Drejtësisë tentoi të sekuestrojë dosjen hetimore për Fazlliç dhe më pas po kjo ministri kërcënoi se do të ngrinte akuza për prokurorët në hetimin e Fazlliç. Por, zoti Berisha mohoi në një konferencë shtypi mohoi kategorikisht se ka tendencë për të ndërhyrë në punën e Prokurorisë së Përgjithshme". Kabllogrami hedh dritë se cili ishte qëllimi i daljes në një televizon nga ku Damir Fazlliç shpjegoi versionin e historisë së tij për atë që akuzohej.
Një përpjekje e përbashkët nga të dy për të pastruar emrin, vijon kabllogrami, me qëllim për t'i ngulur gishtat në sytë e opozitës. Berisha organizoi fluturimin e Fazlliç për të ardhur në Tiranë dhe të jepte një intervisë televizive. Prokurorët që kishin nisur hetimin për pastrim parash ndaj Fazlliç kur mësuan për ardhjen në Tiranë formuluan një kërkesë për ta marrë në pyetje. Fazlliç u njoftua nga policia e cila e shoqëronte nëpër qytet. Ai u largua me urgjencë nga Tirana një orë më parë nga ç'e kish planifikuar. Ambasada Amerikane ia komenton Uashingtonit këtë ngjarje bazuar në disa burime, se sulmet ndaj Prokurores së Përgjithshme janë tentativë për nxjerrë nga binarët e hetimit për një mori çështjes korruptive si Gërdeci dhe akuzat për rrugën Durrës-Kukës. Duke ndjerë natyrën shpërthyese prej të tilla investigimeve, Berisha ka arsye përse ta shtojë presionin ndaj Prokurores së Përgjithshme.
(.s.g/GSH/BalkanWeb)
Krijoni Kontakt