http://www.zeri.info/fotot/35662/ball_wikileaks-001.jpg
(E plotësuar)Vlerësimi i plotë për kryeministrin e Kosovës ka qenë: “Në fakt, kjo e paraqiste Thaçin në formën më të keqe–emocional, i ngutshëm (impulsiv) dhe i nxituar”. Komenti amerikan, i shkruar nga ambasadori Christopher Dell, bën fjalë për natën kur PDK, nga kafe-bari i Prishtinës, “Zanzibar”, përmes një mesazhi telefonik dërguar RTK-së, njoftoi shpërbërjen e qeverisë PDK–LDK.
Kryeministri Thaçi, thuhet në dokument, e ka njoftuar Ambasadën amerikane se ai konsideron që marrëveshja të cilën e kishte arritur partneri i koalicionit, LDK, me partinë opozitare, AAK, për zgjedhjet lokale 2009, e ka dëmtuar koalicionin qeverisës.
Dell, në këtë dokument, jep edhe këtë sqarim interesant për atë natë: “Sipas të gjitha gjasave, kryeministri Thaçi ka vepruar në mënyrë të pakujdesshme natën e kaluar, kur ka vendosur që të përjashtojë LDK-në prej koalicionit, vetëm një orë pasi ka marrë vesh për marrëveshjen mes LDK-së e AAK-së.
I njëjti dokument i zbuluar nga Wikileaks shkon më tutje në trajtimin e këtij problemi duke thënë se Thaçi e kishte të qartë “marrëzinë e këtij veprimi, mëngjesin e nesërm pas një takimi me presidentin Sejdiu, atëherë kur nuk kishte asgjë për të treguar”.
Një pjesë tjetër interesante e këtij dokumenti është edhe parashikimi i saktë i Ambasadës amerikane për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme një vit më pas, zgjedhje këto që me të vërtetë u mbajtën në fund të vitit 2010.
Sipas dokumentit të shkruar nga ambasadori amerikan Christopher Dell, dëmi që i ishte shkaktuar qeverisë PDK – LDK nga veprimi i Thaçit “ndoshta ishte i pariparueshëm”. Me gjithë parashikimet e sakta të ambasadorit Dell për këtë problem, ky i fundit vlerëson diçka pozitive ka nga kjo, pasi “sistemi funksionoi duke e mbijetuar një test kritik politik”.
Dell vazhdon më tej duke vlerësuar se “diçka edhe më e mirë nga kjo është se kosovarët e tejkaluan këtë problem vetë, ndërsa kjo ishte një mësim i mirë për të gjithë”. Vlerësimet e ambasadorit Dell gjithashtu bëjnë të qartë se kryeministri Thaçi kishte njoftuar opinionin për krijimin e një qeverie të re, me partinë e Behgjet Pacollit, Aleanca Kosova e Re, dhe me partinë e Nexhat Dacit, Lidhja Demokratike e Dardanisë, pa i njoftuar fare këta të fundit.
AAK, jo e gatshme për pushtet, Pacollit i përmendet ekstremizmi
Në mesin e mbi 320 dokumenteve të Ambasadës amerikane të zbuluara nga Wikileaks, janë edhe komunikimet e ambasadorit Dell me Uashingtonin rreth takimeve që ka pasur me kreun e AAK-së, Ramush Haradinaj, dhe atë të AKR-së, Behgjet Pacolli.
Takimi me Ramush Haradinajn është mbajtur më 9 shtator 2009, ku thuhet se lideri i AAK-së i ka thënë Dellit se “ne shikojmë nga ju që të na udhëzoni neve”.
Në këtë dokument, vlerësimet që i ka bërë Haradinaj për kolegët e tij nga partitë e tjera, është si vijon: marrëdhëniet me kryeministrin Thaçi janë “të varfra”, ndërsa marrëdhëniet e tij me presidentin Sejdiu janë “korrekte”, ndërsa me “problematike” i ka vlerësuar marrëdhëniet e tij me kreun e AKR-së, Behgjet Pacollin, dhe me kreun e LDD-së, Nexhat Dacin. Dokumenti e citon Haradinajn se në atë kohë “AAK (shtator 2009) nuk është e gatshme që të marrë pushtetin”.
Komenti, që është pjesë e çdo fundi të dokumenteve amerikane, ndër të tjera vlerëson se AAK atëkohë ka qenë partia më së miri e organizuar opozitare. Sidoqoftë, pjesa më interesante e komentit të ambasadorit Dell është kur thotë që “Kosova në këtë kohë delikate të marrëdhënieve me Evropën, politikanët e saj duhet patjetër të punojnë së bashku që të evitojnë kurthet e Beogradit dhe paragjykimet evropiane, me qëllim që të çojë para interesat e vendit”.
Ndërkaq, dokumenti tjetër flet për takimin e 12 shtatorit me, atë kohë, liderin e AKRsë, Behgjet Pacolli. Ky dokument tregon se, gjatë këtij takimi, Pacollit i është thënë se ambasadori Dell “e kishte paralajmëruar me shqetësim rreth angazhimit të Pacollit me liderë të ndryshëm si Muamer al Gadafi , me të cilin ai ishte takuar në fillim të shtatorit 2009”.
Ambasadori amerikan me shqetësim e kishte ngritur çështjen e ekstremizmit islamik, pasi ekziston mundësia që kosovarët, që shkojnë për të punuar në vende si Libia, mund të “rikthehen në shtëpi me ideologji më ekstremiste”. Ambasadori ia ka bërë të qartë Pacollit, thuhet në këtë dokument, se SHBA-të “nuk duan të shohin rritje të ndikimit të ekstremizmit në popullatën e moderuar properëndimore të Kosovës”.
Më tej, një shënim i shtuar në këtë dokument thotë edhe këtë: “Thashetheme të pabazuara flasin se si Pacolli financon ndërtimin e xhamive në stil të vahabistëve në Kosovë”.
LDK me Mustafën, PDK me Thaçin
Në dy dokumente të tjera, Ambasada amerikane bën vlerësimin e dy partive më të mëdha para zgjedhjeve lokale të 2009. Ambasada amerikane kujton se “hiq më pak se tre kandidatë të PDKsë janë dënuar nga drejtësia për krime apo përballen me akuza: Sami Lushtaku–Skenderaj, kandidati i Kaçanikut, Xhabir Zharku, i cili në dokument gabimisht përmendet si kandidat për Podujevë, dhe Shukri Buja, kandidat i Lipjanit.
Dokumenti vlerëson se tipar i dobishëm për PDK është vetë Hashim Thaçi, të cilin e quan “një luftëtar të palodhshëm i cili ka premtuar një numër mbresëlënës dhe jo gjithmonë bindës të projekteve në sektorin publik”.
Ndërkaq, në vlerësimet për LDK-në, një fakt interesant është parashikimi që bën Ambasada amerikane për, atë kohë, kandidatin e LDK-së për Prishtinën, Isa Mustafën, si njeriu i mundshëm që do ta sfi dojë Fatmir Sejdiun në krye të partisë.
“Paraqitja më e mirë teknike nuk mund t’i sigurojë LDK-së rikthimin në ditët e saj të lavdisë në politikën kosovare; partia ka nevojë edhe për një lider që e prezanton partinë në formën të cilën Sejdiu nuk mundet. Isa Mustafa mund ta luajë atë rol, dhe është ironike që derisa ai e udhëheq igjallërimin politik të LDK-së, ai mund të jetë gjithashtu duke krijuar kushtet për një përballje lidershipi që e vendos atë kundër presidentit Sejdiu.”, thuhet në vlerësimin e Ambasadës amerikane, të shkruar para mbajtjes së zgjedhjeve lokale të 15 shtatorit 2009.
Vrasësi i paguar
Në dokumentet sekrete amerikane, i vetëdeklaruari si anëtar i Shërbimit Sekret të Kosovës, Nazim Bllaca, cilësohet si “vrasës i paguar”. Ambasada ka përshkuar se si iniciues i publikimit të këtij rasti kishte qenë deputeti Gani Geci e më pas publikisht kishte dalë edhe vetë Nazim Bllaca në një konferencë për media.
“Lidershipi politik kosovar është tronditur nga deklarimet pas akuzave se zyrtarët e Partisë Demokratike të Kosovës janë të përfshirë në komplote vrasjesh që kanë ngjarë gjatë periudhës 1999-2003”, fillon rrëfimin Ambasada amerikane në Prishtinë lidhur me ngjarjen e ashtuquajtur “Bllaca” që kishte ngjarë në fund të nëntorit 2009.
Uashingtoni ishte informuar për arrestimin e Bllacës dhe caktimin e arrestit shtëpiak për të, ndërsa në një faqe ishte folur edhe për përmbajtjen e DVD-së që e kishte prezantuar Nazim Bllaca. Azem Syla, Xhavit Haliti, Fatmir Limaj, Fatmir Xhelili kishin qenë disa nga emrat të cilët Bllaca i kishte përmendur në CD-në e tij, emra për të cilët ishin njoftuar edhe strukturat amerikane nga punonjësit e tyre në Kosovë.
Pas kësaj ngjarje, zyrtarët amerikanë, sipas dokumenteve të publikuara nga Wikileaks, kanë raportuar për takimin që ka pasur presidenti i atëhershëm i Kosovës Fatmir Sejdiu me kryeministrin Hashim Thaçi dhe ky i fundit për takimet që ka pasur me përfaqësuesit e shteteve të Kuintit.
Mes të gjithëve ishte diskutuar se duhet ti lihet rrugë drejtësisë për të zgjidhur këtë rast “Mesazhi privat i Sejdiut i ka kujtuar Thaçit se respekti i tij për sundimin e ligjit është më i rëndësishmi dhe se rasti Bllaca duhet t’i lihet sundimit të ligjit dhe institucioneve gjyqësore për hetim të drejtë dhe jopolitik”, thuhet mes të tjerash në dokumentin e datës 2 dhjetor 2009 të cilin Ambasada e kishte dërguar në Uashington.
Thaçi citohet në këtë dokument të ketë takuar asokohe zëvendësshefi n e EULEX-it, Roy Reeve, nga i cili kishte kërkuar që të arrestohet Nazim Bllaca. Thaçi po ashtu mësohet se kishte raportuar tek anëtarët e Kuintit që EULEX i ka penguar institucionet e Kosovës për të arrestuar Nazim Bllacën në ditën e daljes së tij publike. EULEX, sipas këtij dokumenti, kishte planifikuar të arrestonte Nazim Bllacën në fund të javës edhe pse kishte pasur kontroll mbi të në njëfarë mënyre, qysh një ditë pas daljes së tij publike.
“Më 1 dhjetor, në takimin e ambasadorëve të Kuintit (përjashtuar ambasadorin francez), është kritikuar EULEX-i në raport me trajtimin e rastit Bllaca dhe ky rast është karakterizuar si test për kredibilitetin e EULEXit”, thuhet më tej në dokument. Kuinti kishte kërkuar nga EULEX që të keq dorë nga mantra (shprehje rutinore) se po këshillon, monitoron e mentoron, por të pozicionohet në “përgjegjësinë politike” dhe në zhvillimet aktuale.
Në komentin personal të ambasadorit amerikan në Kosovë thuhet se nuk dihet çfarë qëndron prapa deklaratave të Bllacës dhe cila është e vërteta e tyre. Kjo ngjarje, sipas komentit të ambasadorit, ka ngjarë në kohën kur më shumë ishte dashur të përqendrohen në mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Kosovën dhe në kohën kur kryeministri Thaçi nuk ishte stabilizuar pas përpjekjes së tij për t’u shkëputur nga koalicioni me LDK-në. Ky rast, sipas ambasadorit Dell, është një shans i mirë për EULEX por edhe për Kosovën që si një shtet në transicion të vërë para drejtësisë njerëz me ndikim të lartë të cilët përmenden se kanë kryer krime në vitet e para të pasluftës.
Në vazhdën e publikimeve në faqen e Internetit Wikileaks, Kosova këtë fundjavë ka mbushur hapësirën ku publikohen dokumentet e dërguara nga Ambasada amerikane në Prishtinë drejt Uashingtonit.
Në 332 dokumente të publikuara gjatë të shtunës jepen vlerësime nga më të ndryshmet për zhvillimet politike dhe për ngjarje të tjera që e kanë karakterizuar Kosovën në tri vitet e fundit.
Në dokumentet e publikuara nga Wikileaks përshkruhet përshtypja amerikane që nga përgatitja e Pakos së Ahtisarit, takimet e ambasadorëve amerikanë me liderë të ndryshëm në Kosovë dhe përshtypjet e njërit për tjetrin.
Më tutje, amerikanët nuk kanë lënë pa raportuar për nivelin e kriminalitetit në Kosovë, për kandidatët partiakë që janë dënuar nga gjykatat e që nuk kanë hezituar të kandidojnë për zgjedhjet lokale 2009.
Në dokumentet disafaqëshe, amerikanët kanë dhënë vlerësime në detaje për tentativat e kryeministrit Thaçi për ta përjashtuar LDK-në nga koalicioni, duke e cilësuar atë si formën më të keqe të paraqitjes së Thaçit.
Thaçi, sipas dokumenteve, është lëkundur edhe në momentin kur publikisht ishte paraqitur Nazim Bllaca. Dokumenti i Ambasadës amerikane, që është shkruar më 20 nëntor të vitit 2009, i emëruar: “Kryeministri e rimendon shpërbërjen e qeverisë”, zbulojnë ato që Ambasada i quan “momentet më të këqija të Hashim Thaçit”.
Zeri
Krijoni Kontakt