Ambasada: Berisha qesharak, ka humbur lidhjet me realitetin
Sali Berisha
Në këtë kabllogram të publikuar nga Wikileaks, ndodhet një raport i firmosur nga ish-ambasadori Uithers për shefat e tij në Uashinton. Gjuha e përdorur është “lisho”, më në fund mund të kuptohet se sa qesharak u dukej ambasadës amerikane, kryeministri shqiptar. Më poshtë, pjesë nga kabllogrami:
Titulli: Ambasada e Tiranës, raporti javor
Dërguar: Nga Ambasada e Tiranës më 25 nëntor 2008
Merr: Departamenti Amerikan i Shtetit
Autori: Ambasadori Xhon Uidhers
“…Kur kryeministri Sali Berisha nis të flasë, ai fluturon. Deklaratat e fundit që nisnin nga mbjellja e ullinjve deri tek platformat energjetike kanë lënë gojëhapur shumë shqiptarë. Edhe ata që janë mësuar me lulëzimet e shpeshta histerike të kryeministrit, kësaj here mendojnë se kryeministri i ka humbur lidhjet me realitetin.
Berisha habiti si FMN-në, ashtu edhe këshilltarët e tij ekonomikë kur tha se Shqipëria ka një rritje ekonomike “dyshifrore”,- dyfishin e asaj që mendojnë vetë këshilltarët e tij ekonomikë dhe FMN-ja. Në një tjetër dalje publike, Berisha detajoi planet e tij për të bërë Shqipërinë “superfuqinë energjetike të rajonit”, një deklaratë që për shqiptarët ishte gallatë duke pasur parasysh ndërprerjet e shpeshta të energjisë elektrike që ka ky vend.
Kryeministri u zotua në çojë Shqipërinë në epokën dixhitale duke vendosur kompjuterë në çdo shkollë dhe çdo familje, kur shumë nga këto shtëpi dhe shkolla nuk kanë ujë të pijshëm dhe energji elektrike. Në fund, deklarata më e çuditshme dhe qesharake ishte zotimi për ta bërë Shqipërinë “vendin më të bukur me ullinj në Mesdhe” duke mbjellë 20 milionë pemë ulliri në vitet e ardhshme.
Që nga viti 2005 (kush Berisha u rikthye në pushtet) shqiptarët janë mësuar të dëgjojnë fjalime të madhërishme mbi projektet gjigante që kryeministri ka ndër mend të bëjë njëri pas tjetrit. Kryeministri më duket se thjesht nuk është i aftë të mendojë për gjërat e vogla. Problemi vjen kur përplasen fjalimet e kryeministrit për Shqipërinë që lulëzon dhe ashpërsinë e jetës reale të shqiptarëve të thjeshtë.
Kjo u kujton shqiptarëve një barsoletë të vjetër të kohës së komunizmit kur një edukatore kopshti po i fliste fëmijëve për Shqipërinë e mrekullueshme. Kur ajo mbaroi së foluri rreth vendit që e përshkroi si një kopsht me lule, një vend të begatë ku njerëzit ishin më të lumturit në botë, një vend ku çdo fëmijë kishte gjithçka, një fëmijë në fund nisi të qante. Kur edukatorja e pyeti pse, djali që po qante nisi të bërtasë: “Dua të shkoj në Shqipëri, ju lutem më çoni atje, ju lutem”.
* * *
Ambasada: Deputetët shqiptarë s’e kanë problem të shesin veten
SHBA bën një analizë të hollësishme përpara zgjedhjeve të 28 qershorit 2009 duke krahasuar strategjitë e PD-së dhe PS-së. Për secilin krah ambasada ka një “spiun”. Ilir Rusmali raporton nga PD, ndërsa Kastriot Islami për PS-në. Përmbledhja e ambasadës: Deputetët shqiptarë janë gati të shiten tek ofruesi më i lartë. Partitë do i blejnë votat me para dhe stimuj të tjerë me vlerë. Më poshtë, pjesë nga ky kabllogram që hedh dritë edhe mbi atë që amerikanët mendojnë realisht për deputetët shqiptarë…
Titulli: Një histori me dy strategji
Dërguar: Ambasada e Tiranës më 4 qershor 2009
Merr: Departamenti Amerikan i Shtetit
Autori: Pa firmë
“…Me hapjen zyrtarisht të fushatës elektorale Partia Demokratike qeverisëse dhe opozita kanë shpalosur strategji të ndryshme fushate me qëllim marrjen e 71 deputetëve, kufiri i nevojshëm për të siguruar mazhorancën në parlamentin me 140 vende. Partia Demokratike ka krijuar një koalicion të madh me 17 parti shpreson që të jetë e avantazhuar në zonat rurale.
Fushata e PD-së do të fokusohet ndjeshëm në paraqitjen e arritjeve të qeverisë në katër vitet e shkuara. Partia Socialiste nga ana tjetër, shpreson të përqendrohet në figurën e konsumuar të Kryeministrit Berisha dhe në tragjedinë e Gërdecit, skandaleve të tjera të korrupsionit si dhe në elektoratin kryesisht të majtë për t’i rritur shanset e saj.
Strategu i Partisë Demokratike, Ilir Rusmali i tha ambasadës se koalicioni me 17 parti, do t’i sjellë PD-së një avantazh të vogël, duke akumuluar më shumë vota rurale krahasuar me koalicionin me 5 parti të PS-së. Referuar Rusmalit, asnjë nga 16 partitë e tjera në koalicion me PD-në nuk pritet të marrin mjaftueshëm vota për të fituar deputetë, por votat e tyre pritet t’i mbeten PD-së. Zakonisht, nëpër fshatra, votat shkojnë për kandidatët nga ato zona. Rusmali vlerëson se partnerët e koalicionit të PD-së mund t’i shtojnë kësaj të fundit vota të mjaftueshme për të marrë 1 ose 2 deputetë, të cilat sipas shpjegimit të tij do të bëjnë diferencën në këto zgjedhje me rezultat të ngushtë.
Nga ana tjetër, Partia Socialiste firmosi në minutën e fundit marrëveshjen për të marrë në koalicion Partinë e të Drejtave të Njeriut, përfaqësues të minoritetit grek…
…Vëzhgues të tjerë bien dakord që baza e PS-së është e ndarë midis Ramës, ish Kryeministrit Fatos Nano dhe ish-kryeministrit tjetër Ilir Meta, por nuk është e qartë efekti që do të ketë kjo në garën e PS-së. PD-së ka një bazë me të përmbledhur. Por ajo gjithashtu mbart riskun e tjetërsimit të votave nga të dyja anët që vuajnë nga konsumimi i Berishës.
Elektorati shqiptar është mjaft i ngurtë, me pak “aktivitet votuesish” në kuptimin amerikan. Konsensusi ka pak rendësi për shumë votues dhe zgjedhjet janë zakonisht një referendum ku nuk u jepet shumë rendësi vizionit apo premtimeve të kandidatëve. Rasti konkret është ai në vitin 2005, kur votuesit e lodhur nga korrupsioni i nivelit të lartë të Kryeministrit Nano e lanë PS-në.
Vëzhgues të cilët janë jashtë grupimeve politike nuk janë shumë të qartë. Besojnë më shumë se as PD dhe as PS nuk do ta arrijë magjiken 71. “Juria” ende nuk ka vendosur se kush, Edi Rama apo Sali Berisha, do ta ketë më të lehtë të formojë qeverinë në rast se asnjëri prej tyre nuk do të fitojë mazhorancën. Por kjo mund të mos ketë rëndësi. Cilado parti që do të marrë numrin më të madh të vendeve në kuvend do të ketë një avantazh të madh në momentin kur deputetët të hyjnë në koalicione. Në këtë moment çdo deputet i këtushëm bëhet një “lojtar i lirë” që ka mundësinë të braktisë partinë dhe të zgjedhë krahun tjetër nëse dëshiron. Ajo parti që do të marrë e para mundësinë për të krijuar qeverinë do të ofrojë gjithçka që do ti kërkohet, ministra, para të thata ose stimuj të tjerë me shumë vlerë, për ta joshur të ndërrojë krah për të formuar shumicën e 71 deputetëve. Si koalicioni i PD, ashtu edhe ai i PS përmbajnë një numër të madh kandidatësh që do të shisnin me shumë qejf veten e tyre tek ai që do të ofronte më shumë, që do të thotë se ftesa e Presidentit drejt Ramës ose Berishës për të krijuar qeverinë mund të hapë një luftë ofertash për të blerë besnikërinë e disa deputetëve kyç…”
/Shekulli/
----------------------
Wikileaks: Komandot, rrjet mashtrimi me vizat e SHBA
TIRANE- Komandot shqiptarë të kthyer nga Iraku, u përfshinë në një rrjet mashtrimi me vizat amerikane për të siguruar hyrjen dhe qëndrimin në SHBA. Çështja ka rezultuar tepër shqetësuese për zyrtarët e lartë të ambasadës dhe vetë ambasadorin John Withers, i cili e ka raportuar këtë në Departamentin e Shtetit. Në një kabllogram që daton 19 shkurtin 2009, theksohet se 20 komando shqiptarë aplikuan në ambasadën amerikane në Tiranë për viza turistike, me qëllim që të vizitonin miqtë që kishin njohur ndërsa kryenin shërbimin ushtarak në Irak. Shumë prej tyre paraqitën ftesa nga kontraktorë apo personeli ushtarak amerikan në Irak. Shumë prej tyre vërtetuan se ishin në detyrë dhe kishin marrë autorizim për leje, por asnjë prej tyre nuk është kthyer deri tani në Shqipëri", thekson mesazhi. Për këtë arsye, ambasada i ka kërkuar ndihmë Departamentit të Shtetit në zgjidhjen e çështjes dhe marrjen e masave parandaluese.
Rrjeti i mashtrimit
Dokumenti thekson se gjatë dy viteve, më shumë se 20 ushtarë kishin aplikuar për viza turistike dhe ambasada ua kishte dhënë për shkak se nuk donte të kishte të bënte me pakënaqësi në momentin kur presidenti Bush të vizitonte Shqipërinë dhe të takohej edhe me komandot shqiptarë", shkruhet në mesazh. Por, pas rritjes së numrit të kërkesave për viza, disa u refuzuan dhe pas kësaj, komandot shqiptarë nisën të paraqesin ftesa nga punonjës amerikanë. Tetë aplikime u paraqitën në 2007-ën dhe 2008-ën, një nga vizat u anulua dhe një tjetër u kthye mbrapsht. Nga gjashtë aplikantë, tre janë ilegalisht në SHBA sot dhe tre të tjerë kanë aplikuar për të ndryshuar statusin. Disa prej aplikantëve morën ftesë nga shtetasi amerikan Matthew Woodford Vinson III, punonjës në një kompani ushtarake në Mosul, në vitin 2006. Pasi disa viza u refuzuan, komandot nisën të paraqesin kërkesa nga Kendra Evers, një tjetër punonjëse e personalit ushtarak në Irak. Nga komandot shqiptarë, Mirjan Xhixha është ilegalisht në SHBA, pasi paraqiti një ftesë nga Vinson, ndërsa Alfred Dani hyri në SHBA pasi iu refuzuar kërkesa e parë për vizë. Edhe Alban Kadhe paraqiti një ftesë nga Vinson në nëntor të 2007-ës, duke siguruar vizë tremujore. Gentian Noka siguroi vizën në janar të 2008-ës, pasi paraqiti ftesën e Vinson. Ai tha se kishte gruan shtatzënë dhe do të kthehej shpejt, ndërsa punonjësi i sektorit konsullor verifikoi lejen e tij nga ushtria. Ai ka hyrë në SHBA dhe ende është atje ilegalisht.
Vërejtje ushtrisë
Po ashtu, Ervin Korrës iu dha një vizë tremujore në gusht 2007 për të vizituar hallën e tij në Bruklin. Ai tha se kishte një muaj leje, por qëndroi atje dhe tentoi të ndryshonte statusin në prill 2008. Në janar të 2008-ës, motra e tij, Valbona Korra dhe bashkëshorti i saj nuk morën dot viza për ta vizituar atë. Një tjetër ushtar komando, Blerim Xhaja, ka aplikuar dy herë për të vizituar anëtarët e familjes Korra në Bruklin. Dyshohet se martesa e tij me Christina Paone për ndryshimin e statusit është një mashtrim dhe familjarët nuk dinin gjë për këtë kur aplikuan për viza. Edhe Ajet Aruçi, pasi siguroi një vizë me qëllim që të vizitonte Kendra Evers në shtetin e Uashingtonit, hyri në SHBA më 18 shkurt 2008 dhe nuk u largua më. Ai tentoi të ndryshonte statusin dhe ndjek Universitetin e Nju Jorkut. E"Matthew Vinson dhe Kendra Evers i kanë ndihmuar këta ushtarë të marrin viza, që më pas të hyjnë dhe të sigurojnë strehim në SHBA", thekson kabllogrami. Ambasada ka kërkuar hetimin e të dy shtetasve amerikanë për aktiviteteve të dyshimta, ndërsa ka kërkuar që ushtrisë shqiptare t'i dërgohet një mesazh, në mënyrë që të parandalohen aplikimet e tjera të gënjeshtërta.
(GSH/BalkanWeb)
------------------------------------------------------------------------
30 Gusht 2011 - 12:05 | Shqiperi
Wikileaks, Withersshqetësuar për vendimet e Thimio Kondit
TIRANE- Në një prej mesazheve të shumta të ish-ambasadorit amerikan në Tiranë, dërguar Departamentit të Shtetit, dhe publikuar së fundmi nga Wikileaks, është dhe një i prillit 2008, ku Withers shpreh shqetësim për vendimet e ish- kreut të Gjykatës së Lartë, Thimio Kondi në dy çështje mjaft të rëndësishme.
I pari ka të bëjë me pezullimin e vendimeve të Gjykatës së Krimeve të Rënda në çështjen kundër Fatmir Tahiraj dhe Arjan Kane, të akuzuar për prostitucion dhe trafikim. Ish ambasadori shprehet se Tahiraj dhe Kane i përdorën fitimet e aktivitetit të tyre të jashtëligjshëm për të ndërtuar biznese të mëdha në Tiranë dhe Fier. Pas kërkesës së Tahiraj, Kondi pezulloi vendimin e gjykatës së Apelit për konfiskimin e aseteve të tij. Gjykatësi Kondi, sipas ish ambasadorit, përdori një dispozitë të Kodit të Procedurës Kriminale që i jep të drejtën Gjykatës së Lartë të ngrijë vendimet e Apelit deri në një seancë përfundimtare nga gjykata. “E ndërsa kjo praktikë është normale për çështjet civile, kjo është hera e parë që një vendim i tillë në një rast kriminal, tërheq vemendjen tonë. Po keshtu, Withers përmend edhe vendimin tjetër shqetësues, të asaj kohe, të Thimio Kondit, të datës 31 dhjetor 2007, lidhur me trafikun e cigareve në portin e Durrësit, pas dënimit me 5 vjet të Ndoc Gjergjit.
“Gjergji ishte pjesë e një grupi të dhunshëm trafikues që përdorte portin e Durrësit për të trafikuar sasi të mëdha cigaresh dhe substanca të tjera në Shqipëri. Individë të tjerë të dënuar në këtë hetim janë Leonard Koka, vëllai i ish -kryetarit të bashkisë së Durrësit dhe një prej ortakëve të ish kryeministrit, Fatos Nano”-shprehet Withers në mesazhin e tij, publikuar nga wikileaks. “E ndërsa këto dy raste nuk tregojnë një tendencë, ato janë shqetësuese në dritën e marrëdhënieve të tyre me dy çështje serioze kriminale. Ato dërgojnë qartësisht një sinjal të gabuar, në një kohë kur Shipëria është e fokusuar në reformën në sistemin gjyqësor dhe çrrënjosjen e krimit te organizuar.”-përfundon komentet e tij, ish ambasadori amerikan Withers.
(s.g/NEWS24/BalkanWeb)
Krijoni Kontakt