Kabllogrami tronditës i SHBA-së: Deputetët shqiptarë, të lidhur me krimin
Tom Doshi, Lefter Koka, Sokol Olldashi, Lulzim Basha, Paulin Sterkaj e Gramoz Ruçi i përkasin partive të ndryshme, por për Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë kanë një element të përbashkët. Janë të gjithë deputetë që kanë lidhje me krimin e organizuar.
Një kabllogram i koduar 09TIRANA552 me titull: “Kriminelët bëjnë ligjin në Parlamentin e Shqipërisë”, liston deputetët e të majtës dhe të djathtës me lidhje me krimin e organizuar. Kabllogramin po e publikojmë të plotë
Titulli: Kriminelët bëjnë ligjin në Parlamentin shqiptar
Pavarësisht qetësisë relative në ditën e zgjedhjeve, në vëmendjen tonë ka ardhur fakti se ka një numër të madh njerëzish të lidhur me krimin e organizuar, të cilët kanë marrë pjesë ose janë përfshirë në manipulime të mundshme në zgjedhjet e 28 qershorit [2009]. Të tria partitë kryesore: Partia Demokratike, Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, të gjitha kanë deputetë me lidhje me krimin e organizuar. Ndonëse ambasada nuk mund të provojë ligjërisht këto lidhje, dituria konvencionale, e mbështetur nga raporte të tjera, tregon se Parlamenti i ri ka disa trafikantë droge dhe pastrues parash. Gjatë fushatës elektorale, një politikan, Aleks Keka, kreu vendor i Partisë Kristian-Demokrate në Shqipërinë e Veriut u vra me një bombë në makinë. Keka dyshohej se qe përfshirë në trafikimin e armëve dhe drogës. (Shënim: Keka nuk kandidoi për në Parlament, megjithëse shumë anëtarë të tjerë të partisë së tij kandiduan. Fundi i shënimit).
Ligjthyes të kthyer në ligjvënës
Disa nga deputetët më të njohur për lidhje me krimin e organizuar janë:
Tom Doshi: Një deputet socialist nga Shkodra, Doshi është i raportuar në Raportin për të Drejtat e Njeriut, sepse sulmoi një gazetar në hotelin “Sheraton” dhe qe një figurë kyçe në financimin e fushatës elektorale të Partisë Socialiste. Ai është i njohur si deputeti më i pasur, me një pasuri prej më shumë se 15 milionë dollarë dhe është gjithashtu i dyshuar për trafik droge. Doshi ka shërbyer në Parlamentin e mëparshëm si deputet i PD-së dhe ndryshoi krah pak kohë para zgjedhjeve.
Lefter Koka: Përfaqëson LSI-në, nga Durrësi. Koka është një anëtar, i ndoshta familjes së krimit të organizuar më të njohur në Shqipëri, me lidhje në narkotikë, trafikimin njerëzor e aktivitete të tjera ilegale.
Sokol Olldashi: Olldashi është ministri aktual i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit si dhe deputet i PD-së nga Fieri, është i dyshuar për kontrabandë mallrash dhe droge. Prova rrethanore e lidhin Olldashin dhe Fatmir Kajollin në Fier me ministrin e Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, në një skemë për lirimin e të burgosurve nga burgu për të shërbyer si gangsterë zgjedhorë.
Lulzim Basha: Sipas një burimi nga Partia Socialiste, ministri i Jashtëm, Basha, i cili përfaqëson PD-në në Elbasan, është përfshirë në lehtësimin e lirimit nga burgu të kriminelëve të njohur në Elbasan në këmbim të mbështetjes nga familjet kriminale. Të afërm të kriminelit premtuan të “organizojnë” njerëzit e tyre në Elbasan në mbështetje të Bashës. Krimineli u lirua më 29 qershor, ditën pas zgjedhjeve.
Paulin Sterkaj: Deputeti 48-vjeçar i Partisë Demokratike, nga Shkodra është një ish-mundës profesional me pak ose aspak arsimim formal. Sterkaj ka qenë më herët deputet i PS-së dhe është akuzuar nga një ish-mik për vrasjen e një politikani në Shkodër disa vite më parë. Sterkaj pretendon se ka interesa biznesi në naftë, restorante dhe ndërtim, por shumë pak gjëra dihen mbi aktivitetet e tij.
Gramoz Ruçi: Deputet i PS-së dhe sekretar i përgjithshëm i kësaj partie, Ruçi ka lidhje afatgjata me trafikantët e drogës dhe krimin e organizuar. Ruçi është ndaluar të hyjë në SHBA që nga viti 2005, për shkak se ka marrë refuzim permanent vize.
Koment: Ambasada nuk është e sigurt se çfarë qëndrimi do të mbajë raporti i ODIHR-it mbi zgjedhjet kur të publikohet, por është gjerësisht e pranuar në vend se shumë deputetë që pozojnë si “biznesmenë”, në fakt janë të dyshuar të fortë për lidhje me krimin e organizuar. Këta individë janë tashmë deputetë, kanë imunitet me ligj dhe janë përgjegjës për të bërë ligje që duhet t’i dërgojnë shqiptarët drejt Bashkimit Europian. Sjellja e sëmurë dhe ndoshta kriminale e shumë deputetëve shqiptarë është shqetësuese dhe nuk është e përshtatshme për zhvillimet demokratike. Është gjerësisht i pranuar në Shqipëri se, të gjitha partitë kanë deputetë me lidhje me krimin e organizuar dhe pranojnë para nga krimi i organizuar. Ky është një fenomen shumë shqetësues, që ne dhe bashkësia ndërkombëtare do të duhet të përballemi në një pikë në të ardhmen. Një fakt pozitiv, gjithsesi, është se ka disa deputetë që kanë filluar të kuptojnë se Shqipëria nuk duhet të ketë personazhe të tilla në Parlament. Se sa kohë do të duhet për të hequr këta rufjanë nga pushteti, kjo është një pyetje tjetër. Në fund të fundit, paraja është gjaku i politikës dhe në një vend të varfër dhe me fushatë pa transparencë financiare apo traditë të donacioneve të vogla në mbështetje të kandidatëve, kriminelët janë një burim i lehtë për fonde fushate.
/Tema/
------------------------
SHBA: Agron Kuliçaj i lidhur me krimin. Dyshojmë se ndihmonte Dritan Dajtin
E plote, sipas Wikleaks
Ndryshimet në polici zbulojnë një të “paprekshëm”
Pas vetëm një jave në detyrë, drejtori i ri i Përgjithshëm iI Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, njoftoi ndryshimet në shumicën e drejtorëve rajonalë. Pas dy javësh Burgaj bëri ndryshime të njëjta stafi dhe në Policinë Kufitare. Shpejtësia e ndryshimeve mori kritika dhe suprizoi donacionet ndërkombëtare. Ndërsa Misioni i Asistencës Policore të Bashkimit Evropian, PAMECA vlerësoi se ndryshimet ishin në përputhje me rregulloret dhe ICITAP beson se disa lëvizje janë shumë pozitive. Megjithatë, mbetet shqetësimi për Drejtorin e Inteligjencës, Agron Kuliçaj, i cili nuk u zhvendos gjatë lëvizjeve. Burimet pohojnë se Kuliçaj është i korruptuar dhe donatorët ndërkombëtarë refuzojë për të ndihmuar Policinë Shqiptare pjesërisht për shkak të praninë së tij.
Ambasadori ka shprehur shqetësimin tonë për korrupsionin në radhët e larta të Policisë së Shtetit në përgjithësi tek Ministri i Brendshëm Lulzim Basha, dhe ICITAP- Post ka shprehur shqetësimet tona specifike për Kuliçaj tek Burgaj. Por Burgaj ka theksuar se Kuliçaj është i lidhur ngushtë me Kryeministrin dhe çdo veprim për shkarkimin apo largimin e tij duhet të vijë nga zyra e kryeministrit.
Lëvizja e përgjithshme u vlerësua pozivitisht
Më 29 nëntor, Burgaj është emëruar nga Këshilli i Ministrave për të zëvendësuar Ahmet Prençin. Është përfolur shumë se Prençi paraqiti dorëheqjen e tij për shkak të shqetësimeve shëndetësore, por në realitet ai mori përsipër keqpërdorimin e policisë në arrestimin e Dritan Dajtit në gusht, një figurë e krimit të organizuar. Burgaj ishte më parë zëvendës i Prençit dhe gëzon një reputacion të mirë. Deri më sot, Post (ICITAP) ka qenë i kënaqur me performancën e Burgajt. Menjëherë pas emërimit të tij, Burgaj i ka treguar Post qëllimin e tij për të bërë ndryshime gjithëpërfshirës të personelit në Policinë e Shtetit.
Ndërsa shpejtësia e ndryshimeve që njoftoi Burgaj ishte befasuese, ndryshimet janë vlerësuar pozitivisht dhe kanë qenë në përputhje me rregulloren në Ligjin e Policisë. Një shqetësim i raportuar nga PAMECA është se zakonisht, largimi ose dorëheqja e oficerëve duhet të njoftohet 30 ditë përpara, por në raportin e saj PAMECA-s thotë: “praktika në forcat e Mbretërisë së Bashkuar nuk ka ndryshime të shumta pas emërimit të Shefit të ri të Policisë”, kështu që përgjigja e PAMECA-s ka qenë një përgjigje e balancuar “.
Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar ka ngritur shqetësimin fillestar mbi largimin e Arjan Muçës nga drejtoria e krimit të organizuar për të shkuar si një këshilltar për Burgaj. Shqetësimet britanike vijnë për shkak të investimeve të konsiderueshme që BE kishte bërë në drejtorinë e krimit të organizuar, që ata mendojnë se do të jenë të humbura pas pushimit të tij nga puna. Megjithatë, pas shqyrtimit të mëtejshëm, BE-ja arriti në përfundimin se trajnimi do të mbetet i paprekur në cilësinë e stafit. ICITAP beson se largimi i Muçës është i dobishëm pasi Muça ka kundërshtuar këmbimin e informatave me Policinë Kufitare.
Shqetësimet mbi Kuliçajn vazhdojnë….
Një drejtor që nuk u prek nga ndryshimet ishte Agron Kuliçaj, drejtor i intilegjencës në drejtorinë e Policisë së Shtetit, për të cilin besohet gjerësisht se është i korruptuar. Burimet i thanë POST se shumë donatorë evropiane refuzojnë të përfshihen në asistencën për policinë pjesërisht për shkak të prezencës së Kuliçajt. Ne kemi arsye të besojmë se kjo mund të jetë e vërtetë, ashtu si dhe për disa agjensi amerikane. Jo vetëm praktikat korruptive për Kuliçajn janë tashmë të njohura, por ka zëra brenda në polici që besojnë se vetë Kuliçaj, ndoshta ka ndihmuar Dritan Dajtin për t’i shpëtuar arrestimeve të dështuara në të shkuarën. Duke cituar burime brenda Policisë Shqiptare, ambasada amerikane në shqetësimin për zotin Kuliçaj njofton Departamentin Amerikan të Shtetit se operacioni për kapjen e Dritan Dajtit u zhvillua pikërisht në muajin Gusht, kur Kuliçaj ndodhej jashtë Shqipërisë për mos t’i dhënë mundësi sinjalizimi Dajtit”.
Ambasadori ndau me ministrin Basha shqëtësimet tona mbi korrupsionin në nivele të larta të Policisë. Javën e shkuar ICITAP bisedoi me drejtorin Burgaj për shqetësimet tona specifike mbi Kuliçajn. Burgaj u pajtua duke pranuar se ai ka pasur problemet e tij me Kuliçaj dhe se edhe të tjerë në Polici janë të shqetësuar për lidhjet e tij ( përfshirjen në korrupsion) dhe për lidhjet me organizatat kriminale. Sidoqoftë Burgaj theksoi se ai nuk e ka fuqinë për ta transferuar ose shkarkuar Kuliçajn.
Zoti Burgaj është i frikësuar pasi Kuliçaj është një i afërt i kryeministrit dhe ish-bodigard i tij. Sugjerimi i Burgajt lidhur me shqetësimet e ambasadës në lidhje me Kuliçajn duhet t’i prezantohen kryeministrit Berisha, i cili është i vetmi që mund të marrë vendimi për postin se ku mund të punojë ish-bodigardi i tij.
/Tema/
-----------------------------------------------------
Wikileaks/Shkëlzen Berisha kërcënoi gjeneralin Luan Hoxha që të heshte për Gërdecin
Wikileaks vazhdon që të nxjerrë kabllograme që tregojnë fakte skandaloze për qeveritarët tanë dhe fëmijët e tyre.
Në një prej tyre, ambasada amerikane raporton se si Shkëlzen Berisha ka kërcënuar gjeneralin e Forcave të Armatosura, Luan Hoxha, për të mbyllur sytë për atë që po ndodhte në Gërdec. Më poshtë ësht kabllogrami i ambasadës amerikane për këtë rast:
Në një takim të kërkuar me ambasadorin, Hoxha tregoi historinë e tij që qëndronte pas shkarkimit që iu bë kohët e fundit duke e lidhur këtë me shpërthimin e Gërdecit. Në ndryshim nga ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i cili nëpërmjet deklaratave publike u vë fajin operativëve të ushtrisë për Gërdecin, Hoxha deklaroi që nga fillimi se ish-ministri Mediu ka bërë të gjitha vendimet, nga zgjedhja e Gërdecit si vend për shkatërrimin e municioneve, deri tek llojet e municionive që do të shkatërroheshin dhe planifikimi i kohës se kur do të bëhej shkatërrimi.
Hoxha pranoi se stafit të tij ishte thënë të transportonte municionin në atë vend dhe të ruante vendin, asgjë më tepër. Hoxha tha se kur ai vizitoi Gërdecin në mes të 2007-ës, ushtarët e tij po bënin këto dy detyra, dhe në sipërfaqe u duk se s’kishte asgjë të gabuar.
Ai akuzon se gjatë pjesës së dytë të projektit, nisur në dhjetor 2007, ishte urdhëruar nga Mediu, pavarësisht shqetësimit të tij drejtuar me një letër kryeministrit Berisha, zonjës Topalli dhe Mediut. Pas kësaj, presioni mbërriti përmes telefonit nga një ‘djalë i ri”, i cili më pas u konfirmua si Shkëlzen Berisha, djali i kryeministrit, që e urdhëroi të vijonte dërgimin e municionit të kalibrit të lartë në Gërdec, pa patur asnjë vonesë.
I pyetur nëse e kishte raportuar këtë informacion për Prokurorinë e Përgjithshme, Hoxha u përgjigj “po”, ai kishte dhënë të gjitha informatat dhe dokumentet për hetuesit, me përjashtim të informacionit lidhur me djalin e Berishës.
Mbi këtë ai tha se nuk ishte i sigurtë që të fliste. Ambasadori tha se nëse hetimet e prokurisë do të jenë të suksesshme ata që dinë të vërtetën duhet të flasin hapur. Hoxha ishte dakord se në interes të drejtësisë ai duhej të fliste hapur, por nuk e konfirmoi që ai do ta bënte këtë. ( shënim: Hoxha tha se ka plot të tjetë që e dinë këtë informacion)
Koment:
Ky është incidenti i dytë që një zyrtar shpreh një shqetësim të fortë, rrethuar me frikë, për sigurinë personale dhe profesionale, në fshehtësi të plotë me Ambasadorin. (I pari erdhi nga nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu). Disa jashtë mbështesin versionin e ngjarjeve të Hoxhës. Si shef i ushtrisë marrëdhëniet me ish-ministrin Mediu ishin gjithmonë të tendosura, sikurse në marrëdhëniet tona, ai duket se në mënyrë frekuente ishte jashtë loje duke patur mungesë autoriteti për të përmbushur detyrat në zyrën e tij. Sipas të dhënave publike, Prokurorja e Përgjithshme duket se e ka fokusuar investigimin e saj larg ushtrisë dhe ndaj Mediut, psi provat mbase e kanë çuar në atë drejtim deri më tani. Nëse versioni i Hoxhës përmban elementë të vërtëtë mund të ndihmojë në dhënien përgjigje të elementëve relevantë dhe pyetjes më të madhe: Përse PD ka avancuar me sulmet konstante ndaj institucioneve të pavaruara pikërisht në këtë kohë, duke alarmuar komunitetin ndërkombëtar dhe duke e drejtuar atë drejt pikëpyetjeve për kredencialet demokratike të Shqipërisë kur ndodhet përpara ratifikimit të marrëveshjes më NATO-n?
/Tema/
Krijoni Kontakt