-
Mbajeni frymën e Ramazanit gjallë!
MBAJENI FRYMËN E RAMAZANIT GJALLË!
Sumeja Xhon
Pas hyrjes në muajin e Shevalit, nuk duhet t’i lëmë pas dore shumë vepra adhurimi, që i kemi kryer gjatë muajit të bekuar të Ramazanit. Ramazani për shumicën tonë është një kohë e ripërtëritjes dhe e ringritjes së përkushtimit tonë ndaj Allahut dhe fesë së Tij.
Agjëruam, dhamë në bamirësi, lexuam Kuran dhe falëm namazin e natës. Iu shmangëm përgojimeve, thashethemeve, shpifjeve dhe çdo të keqe, e cila do të zhvlerësonte agjërimin tonë. Por tani që mbaroi Ramazani shumica jonë për fat të keq do ta vënë Kuranin prapë në raftet e tyre, do ta ndërpresin agjërimin deri në vitin e ardhshëm dhe do ta braktisin namazin e natës.
Kjo nuk është rruga që duhet të ndjekim, sepse të gjitha veprimet e adhurimit kanë shpërblime dhe janë në dobinë tonë për gjatë gjithë vitit, veç faktit se nuk ka udhëzim hyjnor, që i kufizon këto vetëm në Ramazan.
Kurani
Është e dhimbshme, por e vërtetë, që shumë prej nesh kanë rënë në shprehinë e keqe e të lexuarit Kuran vetëm gjatë muajit të Ramazanit. Duke e bërë këtë ne e privojmë veten nga shpërblimet e shumta, të cilat vijnë nga leximi i fjalës së Allahut. Leximi i Kuranit është mënyra më e mirë për të kujtuar Allahun, është mbrojtje nga shejtani dhe aty është shërimi për atë që na shqetëson (sëmundjen). Për këtë Allahu thotë: "O ju njerëz! Juve ju erdhi nga Zoti juaj këshilla (Kurani) dhe shërimi i asaj që gjendet në kraharorët tuaj (në zemra), edhe udhëzim e mëshirë për besimtarët.” (Kuran; 10: 57)
I Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: "Kush lexon një harf – shkronjë nga Libri i Allahut (Kurani), do të ketë shpërblim, e shpërblimi do të dhjetëfishohet. Unë nuk them që `Elim Lam Mim` është një harf - shkronjë, por `Elif` një shkronjë, `Lam` është një shkronjë dhe `Mim` është një shkronjë." Tirmidhi
Kurani gjithashtu është mënyra më e mirë për robin për t’u afruar më afër Zotit të tij/saj. Habab Ibën Erati, -Allahu qoftë i kënaqur me të-, i tha një njeriu: "Afroju Allahut sa më shumë të mundesh, dhe mbaje mend se mund ta bësh këtë ashtu që në asnjë mënyrë nuk është më e kënaqshme tek Ai, se sa nga fjalët e Tij (d.m.th. me Kuranin)."
Namazi i Natës
Shumë prej nesh kanë kaluar net të muajit të Ramazanit, sidomos dhjetë netët e fundit, duke qëndruar me lutje para Allahut. Vetëm për shkak se Ramazani po përfundon, nuk do të thotë se Allahu nuk na sheh tashti nëse qëndrojmë në namaz nate. Allahu thotë: "Zoti yt e di se ti (O Muhamed) dhe një grup i atyre që janë me ty kaloni në adhurim më pak se dy të tretat e natës, ose gjysmën e saj, ose një të tretën e saj..." (Kuran; 73:20)
I Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem, thotë: "Namazi më i mirë, pas namazit të detyrueshëm është namazi i natës. " Muslimi
Namazi i natës mbart me vete shumë të mira. Për shembull, Hasani, -Allahu e mëshiroftë-, u pyet: "Si është e mundur që ata që qëndrojnë natën kanë fytyra më tërheqëse?" Ai, -Allahu qoftë i kënaqur me të-, u përgjigj: "Për shkak se ata janë në marrëdhënie të afërta me Mëshiruesin, dhe Ai i zbukuron ata me pjesë nga drita e Tij."
E për ata nga ne që mendojnë se qëndrimi në namazin e natës do të na bëjë të lodhur dhe të paaftë për të dalë për detyrat tona të përditshme në mëngjes, duhet të marrim në konsideratë fjalët e mëposhtme të të Dërguarit të Allahut. Ai, sal-lallahu alejhi ue selem, thotë: "Gjatë gjumit tuaj shejtani i lidh tre nyje prapa kokës së secilit prej jush, dhe i fryn duke thënë këto fjalë në secilën nyje: “Nata është e gjatë, vazhdo e fle”. E nëse zgjohet dhe e përmend Allahun, i zgjidhet një nyje, nëse merr abdes i zgjidhet një nyje tjetër, e nëse falet i zgjidhet edhe nyja e fundit, atëherë gdhin shpirtmirë dhe aktiv. Përndryshe shndërrohet në shpirtkeq dhe dembel." Buhariu
Agjërimi
Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, thotë: "Kush agjëron një ditë për hir të Allahut, Allahu do të vendosë në mes tij dhe Zjarrit një hendek sa largësia mes qiellit dhe Tokës." (Tirmidhi). Po kështu agjërimi fshin të këqijat që dalin nga pasuria e njeriut, familja ose fqinji. Hudhejfe ibën Jemani, Allahu qoftë i kënaqur me të, rrëfen se i Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: "Të këqijat që i janë shkaktuar një njeriut përmes familjes së tij, pasurisë dhe fqinjit shlyhen nga namazi, agjërimi dhe bamirësia." Buhari.
Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, na ka shpjeguar se agjërimi na mbron nga dëshirat tona të ndaluara, na mbron prej Zjarrit dhe na afron më afër Allahut dhe Xhenetit të Tij. Ai, sal-lallahu alejhi ue selem, gjithashtu na inkurajoi të agjërojmë të paktën tri ditë të çdo muaji. Ditët më të mira për agjërim vullnetar janë të hënat dhe të enjtet, ose e trembëdhjeta, katërmbëdhjeta dhe e pesëmbëdhjeta ditë e muajit hënor.
Bamirësia
Allahu e ka begatuar shumicën prej nesh, që të bëjmë një jetë relativisht komode. Por ekzistojnë muslimanë në të gjithë botën, të cilët hasin në vështirësi të mëdha për arritjen e nevojave elementare të jetesës. Gjatë Ramazanit shumica prej nesh bëjnë bamirësi, por ne harrojmë ta bëjmë këtë për pjesën tjetër të vitit. Dhënia e bamirësisë është begatia më e madhe e atij që e jep atë, sesa e atij që e merr atë. Ajo është një mjet pastrimi i pasurisë sonë, rritjes së besimit dhe arritjes së drejtësisë. Allahu thotë: "Nuk është tërë e mira (e kufizuar) të ktheni fytyrat tuaja kah lindja ose perëndimi, por mirësi e vërtetë është ajo e atij që i beson Allahut, ditës së gjykimit, engjëjve, librit, pejgamberëve dhe pasurinë që e do, ua jep të afërmve, bonjakëve, të varfërve, dhe udhëtarëve..." Kuran; 2: 177.
Dhënia e bamirësisë gjithashtu na lejon neve që të shprehim besimin tonë. Me të vërtetë na bën ta shijojmë ëmbëlsinë e imanit, sepse duhet të duam për vëllezërit dhe motrat tona atë që duam për vete. Për këtë Muhamedi, sal-lallahu alejhi ue selem, thotë: "Asnjë nga ju nuk ka besuar deri sa të dojë për vëllanë e tij (musliman) atë që do për vete." Buhariu.
Pra agjërimi, namazi i natës, leximi i Librit të Allahut dhe dhënia e lëmoshës nuk duhet të bëhen vetëm në Ramazan. Këto vepra të mira dhe të tjerat si qëndrimi larg thashethemeve dhe shpifjes janë të gjitha gjëra, që ne duhet t’i bëjmë gjatë gjithë kohës. Duke e mbajtur frymën e Ramazanit gjallë gjatë gjithë vitit, ne mund ta mbrojmë fenë tonë dhe do të jemi në gjendje të kapim shumë mundësi për të fituar mëshirën dhe bekimin e Allahut.
Nga anglishtja: Drita MALIQI
Marrë nga: http://www.albislam.com/
-
Regullat e Postimit
- Ju nuk mund të hapni tema të reja.
- Ju nuk mund të postoni në tema.
- Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
- Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
-
Rregullat e Forumit
Krijoni Kontakt