Kreu i policisë greke në Shqipëri, nuk pranon të flasë për kthimin e çamëve në kufi
Shekulli, 29 gusht 2011
Kreu i policisë greke e ka shmangur çështjen e kthimit të çamëve në kufi edhe gjatë takimit me ministrin e Brendshëm, Bujar Nishani. Në njoftimin zyrtar të Ministrisë së Brendshme thuhet se gjatë takimit dypalësh, Nishani ngriti si shqetësim “dukurinë e vonesave që u krijohen qytetarëve shqiptarë në pikat greke të kalimit kufitar gjatë sezonit të pushimeve verore apo të festave dhe disa raste të evidentuara të qytetarëve shqiptarë, të cilëve u është ndaluar hyrja në Greqi dhe veç kësaj u janë dëmtuar dokumentet e udhëtimit”.
Por shqetësimi i formuluar butë nga Nishani ka marrë një përgjigje po të kësaj natyre. Në njoftim thuhet se “Ikonomu e cilësoi të papranueshme një sjellje të atillë siç është dëmtimi i pasaportave të udhëtimit, dhe kërkoi nga policia shqiptare të informojë Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Greqisë, e cila do të marrë masat e duhura për çdo rast të një sjelljeje të tillë nga ana e policëve grekë”.
Ndërsa në lidhje me problemin e vonesave në pikat e kalimit kufitar, Ikonomu ka premtuar ngritjen e një grupi të përbashkët pune për të marrë masat e nevojshme që të mos përsëritet më dukuria e vonesave të pajustifikuara për qytetarët shqiptarë në pikat greke të kalimit kufitar.
Ikonomu takon Burgajn
Bashkëpunimi mes forcave policore të dy vendeve ka qenë në qendër të takimit të drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, me homologun e tij grek, Elefterios Ikonomu.
Në një konferencë të përbashkët shtypi në përfundim të takimit, Ikonomu pranoi vonesat nga ana e doganës greke, të cila shkaktojë radhë të gjata emigrantësh në pikat e kalimit kufitar mes dy vendeve.
I pyetur nga gazetarët në lidhje me kthimin e çamëve në kufi, Ikonomu iu shmang përgjigjes me justifikimin se nuk ishte në Shqipëri për këtë çështje. “Mendoj se duhet të ngelim te programi që unë kisha, të theksojmë bashkëpunimin me njëri-tjetrin dhe jemi të kënaqur për këtë bashkëpunim”, tha ai.
Ndërsa Burgaj tha se i ka kërkuar palës greke më shumë bashkëpunim për përmirësimin e shërbimit në pikat e kalimit kufitar. “Besoj që kjo është një çështje që ka gjetur zgjidhjen e duhur. Ka pasur një përkushtim nga pala greke për të rritur nivelin e sigurisë së policisë greke në shërbim të qytetarëve. Kemi vënë pika kontakti për të rritur cilësinë e shërbimit”, u shpreh Burgaj.
Krijoni Kontakt