Close
Faqja 0 prej 26 FillimFillim 1210 ... FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 254
  1. #1

    Shqiptar i besimit ortodoks në Maqedoni kërkon rikthim të vetëdijes kombëtare!

    Josif Bageri, dëshmitari i përjetshëm i shqiptarëve ortodoksë të Rekës

    26-08-2011 / Nga Branko Manolovski

    Ju, studiues të nderuar të këtij simpoziumi, kushtuar Jetës dhe Veprës se Josif Bagerit, mbase mund të shfaqni habinë përse pikërisht unë jam i detyruar të paraqes me shkrim kumtesën në gjuhën maqedonase, edhe pse jam bashkëvendës i Josif Bagerit dhe i përkas të njëjtit komunitet etnik. Ndodh kjo sepse unë di të flas në gjuhën shqipe, dialektin që ma kanë mësuar prindërit e mi shqiptarë, Nëna Zafirkë dhe Babai Manojl, por, fatkeqësisht, nuk di të shkruaj e as të lexoj në gjuhën shqipe. Ndaj, me këtë rast dëshiroj të them disa gjëra më përmbajtësore, që mund t’i them vetëm duke i shkruar dhe paraqitur në gjuhën maqedonase apo angleze. Ju lutem, me mirëkuptoni që kumtesën time në gjuhën shqipe do ta lexojë dikush tjetër.
    Tani mbase është vendi të shtrojmë pyetjen, në dukje paksa vulgare: Mos ndoshta Josif Bageri ishte humbës në angazhimin e tij për arsimimin dhe çlirimin e popullit tonë!? Në makroplan, nëse mund të shprehem kështu, mendoj se Josifi doli goxha i fituar, pasi ai tani po i rikthehet Shkupit si Përmendore, aty ku në vitin 1908 pati mbajtur fjalim para rreth 3.500 shqiptarëve, duke ua kushtuar edhe një poezi. Kurse fitoret e popullit të tij, për të cilin u angazhua me tërë qenien mendore dhe fizike, gjithashtu janë të mëdha, nga se edhe Kosova u çlirua nga pushtimi serb, kurse populli shqiptar në Maqedoni po përparon drejtë barazisë nacionale me popullin maqedonas. Ju studiues të nderuar sigurisht do të jepni përgjigje të shumta në këtë pyetje, por nuk ma merr mendja se do të jepni përgjigjen që dëshiroj të jap unë, e cila mund të keqkuptohet si përgjigje subjektive. Që tani më duhet të shfaq mendimin, se në mikroplan, fatkeqësisht, Josifi doli i humbur, sepse kësaj hapësire i janë tjetërsuar pothuajse të gjithë pjesëtarët e komunitetit të tij më të ngushtë - shqiptarët e besimit ortodoks. Ata tashmë, pothuajse tërësisht, po prezantohen si maqedonas, por nuk e di nëse po prezantohen si maqedonas sllavë, apo maqedonas me prejardhje nga maqedonasit antikë ilirë, meqë edhe ky ridefinim etnik tashmë është një proces tepër i debatueshëm dhe me përplasje brenda popullit maqedonas. Josif Bageri ishte një shqiptar i devotshëm, i lindur në vitin 1870 në Fshatin Nistrovë të Rekës se Epërme. Në atë kohë Reka e Epërme banohej pothuajse tërësisht me shqiptarë, që u përkisnin dy besimeve fetare: ortodokse dhe myslimane. Nuk i di statistikat e kohës, por e kam me të dëgjuar nga pleqtë tanë se në Rekë të Epërme jetonin më shumë shqiptarë me besim fetar ortodoks se sa me besim mysliman. Shqiptarë ortodoks nuk kishte vetëm në Rekën e Epërme, por pothuajse në gjithë hapësirën e tanishëm të Republikës së Maqedonisë...
    Atëherë Krahina jonë ishte e pushtuar nga Perandoria turke. Varfëria e rëndë e detyroi Josifin të emigrojë në moshën 17-vjeçare, siç e ka detyruar edhe stërgjyshin tim, Manojl Tanashin dhe shumë bashkëvendës të tjerë. Ai emigroi si analfabet, sepse në atë kohë, jo që nuk kishim shkollë shqipe, por nuk kishim as edhe alfabet. Nuk e di mendimin e studiuesve, por mua me ka habitur fakti se përse shumë popuj nën Perandorinë Otomane kishin autonomi fetare, kulturore e arsimore, pos popullit shqiptar? Në Sofje Josifi bie në kontakt me emigrantë të tjerë shqiptarë, nga të cilët mësoi shkrim e lexim në gjuhën shqipe. Qysh atëherë ai u angazhua me përkushtim për arsim e çlirim të popullit tonë. Më mirë se sa unë, biografinë e tij duhet ta dini ju studiues të nderuar, kurse unë këtu po paraqes këto pak të dhëna, sepse do t’më duhen për të argumentuar mendimin tim, përse Josif Bageri rezulton humbës në mikroplan. Pasi popujt e Gadishullit të Ballkanit, ku të bashkë-organizuar, ku veç e veç, përfundimisht u çliruan nga pushtimi shumëshekullor turk, hapësirat tona në vitin 1913 menjëherë u pushtuan nga Mbretëria Serbe. Josifi u kthye nga emigracioni dhe vendosi të japë kontributin e tij, me mendim se nuk do të përndiqej si përpara. Ai shpalli kandidimin për parlamentar në Krahinë të Dibrës. Por pushtuesit serb që ishin më brutal se sa pushtuesit turq, e përndoqën. Që atëherë Josifi u arratis në Shqipëri, për t’u angazhuar në Qeverinë e Ismail Qemalit dhe nuk ka të dhëna të jetë kthyer më në vendlindje.
    Në qershor të vitit 1915, pas konsultimeve që pati me Fan Nolin, Faik Konicën e personalitete të tjerë, se çfarë qëndrimi duhet të mbanin ndaj Princ Vidit, Josifi udhëtoi nga Durrësi në Prishtinë për të akorduar qëndrimet edhe me Hasan Prishtinën. Në rrethana ende të panjohura, në moshën 45-vjeçare, ai vdes në Prishtinë dhe, fatkeqësisht, as varrin ende nuk ia dimë, për ta rivarrosur pranë prindërve të tij, në Nistrovë, siç na e ka lënë amanet...
    Për të shpjeguar se çfarë ndodhi në Krahinën tonë pas vitit 1913, më lejoni të jap ca informata telegrafike për paraardhësit e mi, që janë përafërsisht të ngjashme me secilën familje ortodokse shqiptare të Krahinës sonë, pra edhe me pasardhësit e Josif Bagerit. Katragjyshi im, Manojli, i cili jetoi në vitin 1830 - 1903, ishte i emigruar në Stamboll, siç ishte i emigruar edhe vëllai i Josifit, Mihali dhe shumë shqiptarë tjerë të këtyre anëve. Manojli dhe vëllai i tij, Lazari, në vitin 1882 ia dolën të ndërtonin atje një hotel, të cilin e emërtuan "Arnaut an", një emërtim që tregon për karakterin e tyre patriotik. Atëherë ata e kishin mbiemrin Tanashi. Edhe djali i Manojlit, Dhimitri që jetoi gjatë viteve 1865-1932, e kishte mbiemrin Tanashi. Pas pushtimit serb, Familjes sonë iu imponua mbiemri Tanasheviq, kurse familjes se katër vëllezërve të Josif Bagerit, - Simonit, Todorit, Mihailit dhe Manailit, - që jetonin po në këto hapësira, iu imponua mbiemri Jovanoviq, meqë Babai i Josifit dhe i vëllezërve të tij quhej Jovan, i biri i Nikollës. Mbiemrin Tanasheviq u detyrua ta mbaj edhe djali i Dhimitrit, gjegjësisht Babai im, Manojli, i cili lindi në vitin 1903 dhe rrojti deri në vitin 1983. Mbretëria serbe, nga viti 1913 deri në vitin 1941 ushtroi politikë tepër barbare ndaj popullsisë shqiptare, të besim fetar mysliman, ortodoks dhe katolik, por edhe ndaj popullit maqedon. Por ama përqendrimin fillestar asimilues pushtuesi serb e koncentroi ndaj popullatës shqiptare me besim ortodoks, duke e shpërdoruar për këtë politikë asimiluese edhe kishën nacionaliste serbe.
    Pas formimit të Republikës se Maqedonisë në vitin 1944 Familjes sonë iu ndryshua mbiemri nga Tanasheviq në Manojlovski, kurse Familjes Bageri nga Jovanoviq në Jovanovski... Në vitin 1941 në Fshatin Kiçinicë të Rekës se Epërme kam lindur unë. Babai e kishte emrin Manojl, kurse Nëna Zafirkë. Në familjen tonë dhe në familjet e të gjithë kushërinjve, fqinjëve dhe në gjithë Rekën e Epërme flitej vetëm gjuha shqipe. E kam të freskët një kujtesë të hidhur nga viti 1948, kur isha 7-vjeçar. Me dhimbje e mbaj mend, sepse ishte fillesa e goditjes se rëndë të identitetin tim shqiptar. Në atë vit motra ime, Jelica, që ishte më e madhe se unë 5 vite, me shoqëroi për në shkollën fillore në Fshatin Belqicë, meqë Babain e kisha të emigruar në Stamboll. Kur hymë në klasë asnjëri nga fëmijët e fshatit tim dhe të fshatrave fqinjë nuk dinim pothuajse asnjë fjalë në gjuhën serbishte ose maqedonishte. Mësuesi me rrahu me vizore vetëm për faktin se nuk dita si i thonë kushëririt në gjuhë maqedonishte... Njerëz të mirë, shpresoj të më mirëkuptoni, nuk dëshiroj të rrëfej se sa rëndë e kam përjetuar atë të rrahur nga mësuesi im i parë vetëm për "fajin" se nuk dija si i thonë kushëririt në gjuhën maqedonishte. Siç e thashë, në vitet e para të Republikës të sapoformuar të Maqedonisë, e tërë popullsia shqiptare e Rekës se Epërme, ortodokse dhe myslimane, gjuhë komunikimi në shtëpi e ka pasur vetëm gjuhën shqipe. Nëna ime nuk dinte asnjë llaf në gjuhën maqedonishte ose në ndonjë gjuhë tjetër. Por ama tani, me fëmijët dhe nipërit e mi në Amerikë komunikoj kryesisht në gjuhë angleze, me nipat e mbesat e mia këtu, të lindur pas viteve të 60-ta, më duhet të flas pothuajse vetëm në gjuhën maqedonishte. Dhe këta tani po shfaqin habinë e tyre, se përse unë nuk e kam harruar shqipen e prindërve të mi?
    Për të sqaruar dukurinë e asimilimit tonë, meqë jam goxha i moshuar, po sjell tre emra konkret të personaliteteve tanë. Fillimisht do të përmend emrin e një personaliteti, prindërit e të cilit kanë qenë shqiptarë. Ai është djali i Hallës sime, Velikës, Video Smilevski – Bato, i shpallur Heroi i Popullit në Republikën e Maqedonisë. Videon edhe mund ta quajnë maqedonas, meqë sa ishte gjallë nuk është deklaruar ndonjëherë publikisht se prindërit e tij ishin shqiptarë. Por ama Hallës sime, Velikës dhe Burrit të saj Uroshit, prindër të Videos, me ç’të drejtë mund t’u tjetërsohet identiteti i tyre shqiptar!? Sa herë që Video Smilevski vinte te dajallarët në Kiçinicë, e vinte shpesh, flisnim vetëm shqip, në gjuhën tonë amtare. Ndonjë bisedë të asaj kohe e kam mbajt mend edhe unë, por nuk është vendi këtu që t’i rikujtoj... Personaliteti tjetër është ish-Kryetari i Akademisë se Shkencave të Maqedonisë, Mateja Matevski. Babai i tij ka qenë mik me Babain tim në Stamboll. Kur ai u kthye nga Stambolli gjuhë amtare e kishte shqipen. Akademiku i shquari Matevski vazhdon të heshtë se prindërit e tij ishin shqiptarë. Do të bënte gjynah nëse do të thoshte se ata ishin tjetër soj... Kisha një shok timin të ngushtë në shkollën 8-vjeçare në Gostivar. Me te flija në të njëjtën dhomë në konvikt. Emrin e ka Gligor Jovanovski, i cili tani është anëtar i Akademisë se Shkencave të RM-së. I njihja prindërit e tij – që të dy shqiptarë. Dhe vetëm para 6 vitesh mësova se ky shoku im është stërnip i Josif Bagerit, pra, djali i Isaisë ishte djal i Manojlit, e ai ishte vëllai i Josifit. Nuk e dija përpara dhe nuk ia fal pse nuk më ka treguar, nga se unë kisha dëgjuar shumë për Josifin nga Babai im, i cili me pat mësuar ca vjersha të tij... Di edhe shumë emra të tjerë, - e si mos t’i di emrat e vëllait tim dhe kushërinjve të parë, që janë personalitete në Shkup, por nuk po i përmend, sepse do u marr kohë. Me ketë rast u kërkoj falje që përmenda emrat e këtyre personaliteteve, sepse këta kanë bërë karrierë të shquar këtu dhe mbase nuk dëshirojnë të bëhet publike se prindërit i kishin shqiptarë. Por ama, nuk kam mirëkuptim për asnjërin, sepse edhe në këto rrethana të reja lirie përmbahen për të shfaqur përkatësinë ose prejardhjen e tyre shqiptare. Nuk e di nëse njeriu ka të drejtë të ndërrojë identitetin e vet etnik, por kurrsesi nuk ka të drejtë t’ua falsifikojë prindërve, sidomos kur ata janë në Botën tjetër të amshimit dhe nuk mund të kundërshtojnë më në këtë botë... Unë për veten time qe disa vite po i bëjë shërbim kullës se paraardhësve, të ndërtuar para 105 vitesh, për të cilën jam krenar se është kulla ndër më të mëdhatë në rajon. Kulla jonë dhe kullat e kushërinjve në Kiçinicë janë të traditës arkitektonike shqiptare. Organet përkatëse shtetërore i kanë shpallur si objekte monumentale, por nuk po përkujdesën t’i mirëmbajnë. Arsyet konkrete mund t’i dinë ata, ama unë kam dyshimin se janë penduar që i kanë shpallur monumente kulturore, sepse kam thënë se ato i përkasin traditës shqiptare dhe kushdo që do të provojë ta falsifikojë "identitetin" e kullës sime, do ta padis...
    Me falni që po e zgjas, por për veten time jam duke e bërë një si katarsis ("pastrim shpirtëror"), duke rifreskuar gjuhën që ma ka mësuar Nëna ime, ndjesë pastë, sepse kur do të vdes, dëshiroj që shpirtrat tanë të komunikojnë si dikur që komunikonim si Nënë e djalë – në gjuhën tonë amtare shqipe... Si mendoni, nuk bëmë gjynah të madh ne bashkëvendësit dhe bashkëkombësit e Josif Bagerit, të besimit fetar ortodoks, por edhe shumë bashkëvendës e bashkëkombës myslimanë, që shndërruam gjatë gjashtë dekadave të fundit gjuhën tonë amtare shqipe në gjuhë serbishte, maqedonishte dhe turqishte?! Dhe meqë ky tjetërsim etnik ka përmasa të mëdha, a nuk mund të vlerësohet si një humbje edhe e Josif Bagerit, i cili pati hapur shkollën e parë laike në gjuhën shqipe në vitin 1908 në Nistrovë të Rekës se Epërme, për të cilën vetëm pak veta dinë? Dhe bashkë me gjuhën ne ndërruam edhe identitetin etnik, nga shqiptarë në serbë, maqedonas dhe turq. Ky asimilim, i përballuar gjatë 520 viteve të sundimit otoman e turk, ndodhi vetëm nga viti 1913 e ketej, kur na pushtoi e sundoi Serbia dhe vazhdoi gjatë sundimit komunist nga viti 1945 e këtej...
    E meqë përmenda atë shkollë të parë shqipe në Maqedoni, më habit fakti se përse tani organet shtetërore nuk pranojnë që shkollën fillore në Nistrovë ta emërtojnë me emrin e Josif Bagerit, siç po kërkojnë banorët e Fshatit dhe mësuesit e kësaj shkolle?! Ju lutem, me duroni edhe ca, sepse po ndjehem i detyruar t’ua rrëfej ca përjetime të hidhura gjatë viteve të fundit. Pasi mbarova studimet në Zagreb , në vitin 1967, emigrova në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nuk do t’ua them arsyet për këtë emigrim, sepse nuk dua t’u marr kohën e çmuar për të paraqitur Ju kumtesat Tuaja. Që kur kam dalur në pension, nuk mund të përmbahem pa ardhur vit për viti në vendlindjen time, në kullën tonë në Kiçinicë, ku po qëndroj rreth 5 deri në 7 muaj në vit. Shpesh po më duket vetja si UFO, kur kushërinjve të mi po ju them se jam shqiptar! Po më duket vetja UFO edhe kur ndonjë bashkëkombësi shqiptar, me besim mysliman, po u prezantohem me emrin Branko dhe po flas me ta shqip. Ata po shfaqin habi se si është e mundur në Maqedoni të kesh emrin Branko, të thuash se je ortodoks, të flasish shqip dhe njëkohësisht të thuash se je shqiptar. Fatkeqësisht kjo po më ngjan sot e këtu, edhe pse pretendojmë të jetojmë në shoqëri të lirë, demokratike dhe multietnike...
    Rrëfeva disa fragmente jetësore të Familjes sime për të shpjeguar jetën e të gjitha familjeve të shqiptarëve ortodoksë në këto hapësira, sepse ngjashmëria është tepër identike, sa i përket tjetërsimit etnik. Uroj Zoti të na i falë gjynahet, sidomos kur themi se prindërit i kishim serbë, maqedonas, turqë. Mbase është koha, në kuadër të debateve të mëdha për ridefinimin etnik të maqedonasve, të rilindin edhe shqiptarët ortodoksë në Republikën e Maqedonisë. Këtë ua kemi për borxh shpirtrave të prindërve tanë, ia kemi për borxh shpirtit të Josif Bagerit, i cili sakrifikoi aq shumë për të ardhmen tonë...
    E kuptoj, e teprova paksa, prandaj simpoziumit po i dëshiroj punë të mbarë!
    Uroj që Shoqata Josif Bageri të realizoj planet e saj për të ndërtuar Shtëpinë "Josif Bageri" dhe Campingun "Krist Josif Bageri" në Nistrovë. Unë nga ana ime do të ndihmoj financiarisht dhe do të angazhohem të bind miq, që të ndihmojnë për t’u realizuar këto dhe të tjera plane të Shoqatës, sepse jam i bindur se kështu do të afirmojnë personalitetet e shquara, Josif Bagerin dhe Djalin e tij, Kristin, do të përafrojnë njerëzit e etnive dhe feve të ndryshme në këtë hapësirë tonën të përbashkët.
    Falënderoj pushtetin e Republikës se Maqedonisë që po i ndërton Përmendore Josif Bagerit në Shkup. - I përjetshëm qoftë kujtimi dhe respekti për Kristin dhe Josif Bagerin!

    Fjala përshëndetëse e mbajtur në simpoziumin kushtuar Josif Bagerit, me 25-26 qershor 2011 në Tetovë

    Gazeta 55
    Ndryshuar për herë të fundit nga DYDRINAS : 27-08-2011 më 07:08

  2. 2 antarët më poshtë falenderuan DYDRINAS për mendimin e shprehur në këtë postim:

    bili99 (22-09-2014),Korcar-L1 (26-09-2014)

  3. #2
    Kush janë personalitetet e sotme në Maqedoni që janë shqiptarë?

    http://www.pmf.ukim.edu.mk/PMF/Chemistry/members/jovag.htm


    http://en.wikipedia.org/wiki/Mateja_Matevski
    Ndryshuar për herë të fundit nga DYDRINAS : 27-08-2011 më 06:59

  4. #3
    Respekt kombëtar për Branko Manolovski

    Nga Shaban Murati

    thumbnail.php (360×259)Nuk e njoh personalisht Branko Manolovskin. Më vjen keq që gjatë mandatit tim si ambasador i parë i Shqipërisë në Maqedoni, fati dhe rasti nuk e krijuan një takim. Por mora të shkruaj për të nga befasia dhe emocionet e veçanta, që më shkaktoi fjala e tij përshëndetëse në simpoziumin kushtuar patriotit të madh dhe poetit të vyer të Rilindjes Kombëtare, Josif Bageri, mbajtur në Tetovë, më 25-26 qershor 2011, fjalë e cila është hedhur këto ditë në internet. Është një fjalim, që mund të regjistrohet pa mëdyshje si një nga ngjarjet e shënuara të historisë së çështjes shqiptare në Maqedoni dhe të çështjes shqiptare në përgjithësi.

    Shqiptari ortodoks nga Maqedonia, Branko Manolovski, shpalli publikisht se është shqiptar. Është i pari ortodoks në Maqedoni, që afishon publikisht përkatësinë e tij etnike shqiptare dhe se ndjehet krenar për origjinën, gjuhën dhe historinë e komunitetit shqiptar ortodoks në Maqedoni. Ai është i pari ortodoks në Maqedoni, që ndez ekranin e një realiteti të mbyllur dhe të harruar qëllimisht, të ekzistencës së popullsisë ortodokse shqiptare. Branko Manolovski i shpalos opinionit publik të vërtetën tronditëse, se deri në vitin 1948 asnjeri nga fëmijët e fshatit tim dhe të fshatrave fqinje nuk dinim pothuajse asnjë fjalë në gjuhën serbe ose në atë maqedonase, se e tërë popullsia shqiptare e Rekës së Epërme, ortodokse dhe myslimane, gjuhë komunikimi në shtëpi kanë pasur vetëm gjuhën shqipe, se shqiptarë ortodoksë ka pasur pothuajse në të gjithë hapësirën e tanishme të Republikës së Maqedonisë.

    Mund të thuhet se akti i tij, vërtet heroik, hap një kapitull të ri të rëndësishëm të ecurisë së çështjes shqiptare në Maqedoni, çështjen e komunitetit, asnjëherë të pranuar zyrtarisht, të shqiptarëve ortodoksë të krahinës së Rekës së Epërme. Shqiptarët ortodoksë të Maqedonisë janë një pjesë e popullit shqiptar, e cila pati fatin tragjik të ndodhet në territoret shqiptare, që iu dhanë Serbisë nga Konferenca e Ambasadorëve të fuqive të mëdha, në fillim të shekullit të kaluar. Më 2 janar të vitit 1913, përfaqësuesit e 25 fshatrave ortodokse shqiptare të Rekës së Epërme i drejtuan një letër ministrit të Jashtëm britanik, Eduard Grej, që kryesonte Konferencën e Ambasadorëve, ku i konfirmonin përkatësinë e tyre shqiptare dhe denonconin shtypjen e egër nga autoritetet serbe. Rrethana tragjike ishte se feja u shfrytëzua si mekanizëm i transformimit të tyre etnik, në fillim në serbë, dhe më vonë në maqedonas, kur Tito krijoi Republikën e Maqedonisë.

    Asimilimi nga regjimet serbe dhe maqedonase u shoqërua me harrimin dhe heshtjen nga qeveritë shqiptare, që nga 1945 e deri në ditët tona. As gjatë regjimit komunist në Tiranë dhe as gjatë regjimit demokratik, asnjë udhëheqës apo zyrtar i lartë i Shqipërisë nuk i përmendi kurrë shqiptarët ortodoksë të Maqedonisë, të cilët kombi shqiptar i humbi në një aksident historik. Në librin tim "Çështja shqiptare pas pavarësisë së Kosovës", (Tiranë, 2009), duke analizuar kategoritë e shqiptarëve ortodoksë të maqedonizuar dhe të shqiptarëve myslimanë po ashtu të maqedonizuar, kam shkruar: "Në një zhvillim vërtet demokratik të shtetit dhe në një realizim të standardeve europiane nga Maqedonia, duhet pritur që këto kategori t'i kthehen deklarimit të përkatësisë së tyre reale të gjakut dhe të racës". Fjalimi tronditës i Branko Manolovskit sjell një kambanë alarmi mbarëkombëtar për fatet e një pjese të popullit shqiptar, që ka mbetur si prushi i shuar nën hi. Dëshiroj të besoj se kushtrimin e Branko Manolovskit do ta lexojnë krerët e shtetit të Shqipërisë, Presidenti, Kryeministri, kryetarja e Parlamentit dhe ministri i Jashtëm. Jo vetëm që të mësojnë të vërtetën e fshehur dhe të harruar të shqiptarëve ortodoksë të Maqedonisë, por edhe për ta përfshirë çështjen e njohjes së identitetit dhe të ekzistencës së tyre në axhendat shtetërore dhe diplomatike të takimeve me zyrtarët e lartë të Maqedonisë.

    Dëshiroj të besoj se kushtrimin e Branko Manolovskit do ta lexojnë Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe institucionet e specializuara shkencore të albanologjisë, për të përfshirë në studimet dhe ekspeditat e tyre kërkimore komunitetin ortodoks të Rekës së Epërme dhe zonave të tjera në Maqedoni. Sepse është mirë që shkohet deri në Ukrainë apo në Kaukaz për të qëmtuar ngulimet etnike arbëreshe, që kanë mbijetuar në oqeanin sllav, por është e pafalshme që tani, 20 vjet pas shembjes së komunizmit, të vazhdohet me mungesën e një sensibiliteti shkencor dhe akademik për një popullsi shqiptare, që e kemi tek buzët.

    Dëshiroj të besoj se fjalimin e Branko Manolovskit do ta lexojnë edhe kisha Autoqefale Ortodokse Shqiptare. Sepse ishte feja, të cilën autoritetet serbe dhe maqedonase e përdorën si shkopin magjik të transformimit etnik të ortodoksëve shqiptarë në Maqedoni. Dhe ka një rol për kishën Ortodokse të Shqipërisë për të kërkuar që t'i kthejë grigjës së saj komunitetin ortodoks shqiptar në Maqedoni.

    Dëshiroj të besoj se partitë politike shqiptare në Maqedoni, qofshin në qeveri apo jashtë saj, do të nxiten të përfshijnë në programet e tyre politike apo të marrëveshjeve me qeveritë maqedonase, edhe çështjen e shqiptarëve ortodoksë. Është pozitive, që do të ngrihet në Shkup një përmendore e përfaqësuesit më të shquar të shqiptarëve ortodoksë të Maqedonisë, Josif Bageri, i cili hapi shkollën e parë shqipe në vitin 1908, në fshatin e tij të lindjes në Nistrovë të Rekës. Por, është e pakuptueshme që disa organe zyrtare në Shkup, refuzojnë kërkesën e banorëve të këtij fshati për t'i dhënë shkollës fillore emrin e Josif Bagerit

    Branko Manolovski shtron një problem të madh, jo vetëm në plan historik, por në radhë të parë aktual. Problemi ka të bëjë me njohjen, identifikimin dhe identitetin e shqiptarëve ortodoksë në Maqedoni. Ka të bëjë me detyrimin për të mbrojtur identitetin kombëtar, që kërcënohet edhe në ditët tona demokratike. Ai është aq aktual në kohën kur në Shqipëri është paralajmëruar se do të organizohet regjistrimi i popullsisë dhe kur mbi shtresa dhe grupe shoqërore, krahinore apo fetare, po ushtrohet një trysni e jashtëzakonshme, e mbidheshme dhe e nëndheshme, për të transformuar përkatësinë etnike.

    Dhe sa të mjerë duken ata zyrtarë të lartë të shtetit, të cilët këshillojnë qytetarët e Shqipërisë që "të deklarohen siç ndjehen e jo siç janë", kur i krahason me racionalizmin dhe shpirtin e pamposhtur të Branko Manolovskit, i cili thotë "nuk e di nëse njeriu ka të drejtë të ndërrojë identitetin e vet etnik, por kurrsesi nuk ka të drejtë tani të falsifikojë atë të prindërve". Institucionet shtetërore dhe zyrtare në Shqipëri dhe në Kosovë nuk duhet t'i kundrojnë shqiptarët ortodoksë të Maqedonisë si relike apo si artifakt arkeologjik, por si pjesë e trungut dhe e trashëgimisë fizike, kulturore, historike dhe shpirtërore të popullit shqiptar në trojet e veta në gadishullin e Ballkanit.

    Kjo quhet detyra e ringjalljes kombëtare. Sepse çështja e shqiptarëve ortodoksë të Rekës apo të brigjeve te liqenit të Ohrit, nuk mund të ndahet nga populli shqiptar në Maqedoni. Për fat të keq, përkatësia fetare është interpretuar shpesh si një kufi ndarës etnik, gjë që nuk mund të tolerohet më, dhe komuniteti ortodoks shqiptar duhet të marrë vendin si pjesë e çështjes, e kërkesave dhe e të drejtave të popullit shqiptar në Maqedoni. Regjistrimet e popullsisë në Maqedoni që nga 1994, nuk i kanë emërtuar kurrë shqiptarët ortodoksë si shqiptarë, por si maqedonas. Gjërat nuk mund të lëvizin, nëse nuk sensibilizohen partitë politike shqiptare, institucionet dhe OJQ-të e shumta në Maqedoni, për të ndihmuar shqiptarët ortodoksë të fitojnë lirinë e shprehjes së përkatësisë së humbur etnike. Branko Manolovski hedh kushtrimin e madh: "Është koha të rilindin edhe shqiptarët ortodoksë në Republikën e Maqedonisë. Këtë ua kemi borxh shpirtrave të prindërve tanë, ia kemi borxh shpirtit të Josif Bagerit".

    Shqiptarët ortodoksë në Maqedoni janë pjesë e pandarë e çështjes shqiptare në atë shtet. Pas pavarësisë së Kosovës, çështja e statusit dhe e të drejtave të popullit shqiptar në Maqedoni përfaqëson përbërësin kryesor të çështjes së pazgjidhur shqiptare në Ballkan. Kjo nuk ka të bëjë as me ëndrrat folklorike dhe as me rapsoditë e "bashkimeve kombëtare duke prishur shtete të tjera", me të cilat më shumë provokohen nënqeshje nëpër tavolinat diplomatike për shqiptarët, të cilët "nuk janë në gjendje të bëjnë as bashkimin kombëtar të patateve".

    Shqiptari i nderuar ortodoks nga Maqedonia, Branko Manolovski foli fjalë profetike dhe dha një mesazh nga më të rrallat dhe më të çmuarit në hapësirat mbarëshqiptare. Ai e meriton një respekt mbarëkombëtar për guximin dhe rrugën e re. Ai e meriton dhe një nderim në formën e dekorimit nga shteti i Shqipërisë, sepse ka kryer një vepër, e cila, për nga vlerat kombëtare, le prapa shumë nga ata të listës së të dekoruarve të shtetit shqiptar. Faleminderit, Branko!

    http://www.24-ore.com/index.php/krye...anolovski.html

  5. #4

  6. Anetarët më poshtë kanë falenderuar DYDRINAS për postimin:

    bili99 (22-09-2014)

  7. #5

  8. #6
    R[love]ution Maska e Hyllien
    Anëtarësuar
    28-11-2003
    Vendndodhja
    Mobil Ave.
    Postime
    7,708
    Asimilimi i kësaj pjese, sic e kam cekur dhe më parë ka ardhur nga islamizimi i popullatës Shqiptare. E njëjta gjë ky fraksion ekstrem po mundohet të bëj sot me Orthodoksët në Jug, duke i quajtur Grekë vetë sot e qysh nga koha e Ali Pashait, dhe habitet përse Greqia ka aq shumë ndikim atje. Kjo lojë e shëmtuar bëhet vec me një qëllim, zhdukjen e krishtërimit nga Shqipëria dhe vendosjes së një republike aziatike islamike. Përfundimin e komunës së Rekës do kenë të gjithë shqiptarët joislamikë nëse vazhdohet me këtë trend.
    "The true history of mankind will be written only when Albanians participate in it's writing." -ML

  9. #7
    Perjashtuar
    Anëtarësuar
    07-09-2010
    Vendndodhja
    www.arberiaonline.com
    Postime
    1,187
    Citim Postuar më parë nga Hyllien Lexo Postimin
    Asimilimi i kësaj pjese, sic e kam cekur dhe më parë ka ardhur nga islamizimi i popullatës Shqiptare. E njëjta gjë ky fraksion ekstrem po mundohet të bëj sot me Orthodoksët në Jug, duke i quajtur Grekë vetë sot e qysh nga koha e Ali Pashait, dhe habitet përse Greqia ka aq shumë ndikim atje. Kjo lojë e shëmtuar bëhet vec me një qëllim, zhdukjen e krishtërimit nga Shqipëria dhe vendosjes së një republike aziatike islamike. Përfundimin e komunës së Rekës do kenë të gjithë shqiptarët joislamikë nëse vazhdohet me këtë trend.
    Ksaj radhe nuk pajtohem me ty Hyllien , edhe pse kam respektin te ti .
    Nuk eshte vetem Reka e Madhe qe u asimiluan Ortodokset , jane viset tjera , eshte Nishi , Mali i Zi (fiset Kuqi , Daci etj )jane Arvanitet , dmth ku ishte kjo Fe prezente u be asimilimi i Shqiptareve , kurse te Katoliket e Muslimanet nuk ndodhi e njejta , pse vetem te Ortodokset ?

  10. #8
    Perjashtuar
    Anëtarësuar
    07-09-2010
    Vendndodhja
    www.arberiaonline.com
    Postime
    1,187
    Ku jane keta Ortodoks Shqiptar sot neper Kishat e Deqanit e Pejes qe ishin :

    http://www.kosovo.net/od1.jpg
    http://www.kosovo.net/od3.jpg
    http://www.kosovo.net/od3.jpg


    Une e di ku jane , jane SERB sot

  11. #9
    R[love]ution Maska e Hyllien
    Anëtarësuar
    28-11-2003
    Vendndodhja
    Mobil Ave.
    Postime
    7,708
    Citim Postuar më parë nga Genti.. Lexo Postimin
    Ksaj radhe nuk pajtohem me ty Hyllien , edhe pse kam respektin te ti .
    Nuk eshte vetem Reka e Madhe qe u asimiluan Ortodokset , jane viset tjera , eshte Nishi , jane Arvanitet , dmth ku ishte kjo Fe prezente u be asimilimi i Shqiptareve , kurse te Katoliket e Muslimanet nuk ndodhi e njejta , pse vetem te Ortodokset ?
    E keqja e këtij debati, është që kulturalisht muslimanët janë asimiluar në një fe tjetër. Vec se bërthama e shtetit shqiptar(Shtetit të Fundit që Doli i Pavarur dhe me 1/6 e sipërfaqes së tij) ishte muslimane kjo nuk do të thotë se ajo pjesë i shpëtoi asimilimit. Lufta Greke për pavarsi sic e kam cekur dhe më parë qe një luftë civile mes Shqiptarëve që ishin koshient se ishin të tillë, dhe ata që luftonin për portën e madhe për interesa vetiake, politike etj(psh Vrionasit me shokë, latifondistë të mëdhenj të perandorisë).

    Kjo cështja e islamizimit shqiptar prek cdo gjë që po ndodh sot, nga shitja e detit tek Greqia nga një Islamik(Familja e Berishës është ndër më të devotshmet ndaj Islamit, madje që e rrespekton cdo ligj të saj), tek futja në nje konferencë që kulturalisht, gjeografikisht etj nuk i përkasim, e deri tek nënshkrimet për shkolla greke e ndryshime historishë me Turqit, si dhe kollitja që kemi ndaj Serbit dhe Rusit. Fundia ne kemi humbur 5/6 e territorit origjinal, c'rëndësi ka se humbëm dhe një copë deti.
    "The true history of mankind will be written only when Albanians participate in it's writing." -ML

  12. #10
    Skandinavien Maska e TetovaMas
    Anëtarësuar
    20-03-2008
    Vendndodhja
    Te vendi i xhenetit
    Postime
    2,664
    Citim Postuar më parë nga Hyllien Lexo Postimin
    Asimilimi i kësaj pjese, sic e kam cekur dhe më parë ka ardhur nga islamizimi i popullatës Shqiptare. E njëjta gjë ky fraksion ekstrem po mundohet të bëj sot me Orthodoksët në Jug, duke i quajtur Grekë vetë sot e qysh nga koha e Ali Pashait, dhe habitet përse Greqia ka aq shumë ndikim atje. Kjo lojë e shëmtuar bëhet vec me një qëllim, zhdukjen e krishtërimit nga Shqipëria dhe vendosjes së një republike aziatike islamike. Përfundimin e komunës së Rekës do kenë të gjithë shqiptarët joislamikë nëse vazhdohet me këtë trend.

    Nuk ka te beje aspak islamizimi ketu . Udheheqesit shqipetare ,politikane shqipetare ne Maqedoni duhet ta studijojne kete pune dhe te ju kthehet identiteti ketyre njeresve te asimiluare duke i ndihmuare ata me ndertimin e kishes ortodokse shqipetare ne Maqedoni .

    Dihet e gjithe procedura e tyre se si jane asimiluare , pore koha eshte qe ne shqipetaret te reagojme menjehre dhe gjithe ate popullate shqipetare ortodokse ta kthejme ne identitetin tone shqipetare.

Faqja 0 prej 26 FillimFillim 1210 ... FunditFundit

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •