Filloristat po fillojnë mësimin, ku janë abetaret?

Presheva.com, 25 gusht 2011

Kryetari i Këshillit Nacional të shqiptarëve Galip Beqiri ka deklaruar për JugPress se ende nuk janë gati tekstet mësimore në gjuhën shqipe për nxënësit shqiptar.

"Këshilli Nacional ka dorzuar propozimin e teksteve në gjuhën shqipe me kohë, mirëpo ende nuk kemi marrë përgjigje se a do të miratohen të gjitha. Abetarja për filloristët pret në miratim më shumë se një vit, dhe shembulli më i ri ëshë teksti nga matematika, autori i cili është nga Presheva, dhe ende nuk ka marrë miratimin" ka thënë Beqiri.

Ai ka shtuar se Këshilli Nacional nuk është i kënaqur me procedurën e deri tanishme me miratimin e teksteve në gjuhën shqipe.

"Ne kemi rënë dakord që të kemi librat nga klasa e parë deri në të katërtën për shkollat fillore që nga fillimi i vitit shkollor. Puna është kryer pjesërisht pasi disa libra janë përkthyer, mirëpo atë që ne kemi ofruar si tekstet me autorë nga jugu i Serbisë ende nuk ka përfunduar" ka thënë Beqiri. /presheva.com/