-
Vlera e dhjetë netëve të fundit të Ramazanit
Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!
1. Ne e zbritëm atë (Kur'anin) në Natën e Kadrit.
2. E ç'të bëri ty të dish se ç'është Nata e Kadrit?
3. Nata e Kadrit është më e rëndësishme se një mijë muaj!
4. Me lejen e Zotit të tyre në (atë natë) të zbresin engjëjt dhe shpirti (Xhibrili) për secilën çështje.
5. Ajo (që përcakton Zoti) është paqe deri në agim të mëngjesit.
Vëlla musliman!
Medito në momentet të cilat i ke para vetës. Shiko në ikjen e tyre. Nuk ndalen dhe nuk pushojnë së ikuri, por vazhdojnë në rrëmbimin e kohës tënde. Pavarësish se a ndodhesh i fjetur apo i zgjuar, çastet ikin duke qenë i angazhuar apo pasiv. Çdo moment kalon, dhe kështu çdo kalim i momenteve të grabitë një pjesë të jetës sate, e ajo është e regjistruar në regjistrin e veprave tua, qofshin të mira apo të këqija. Frikësoju Allahut xh.sh. për vetveten tënde. Kujdesu të angazhohesh me atë e cila të afron te Zoti yt, që të jetë kjo shkak për lumturinë tëmde në këtë botë dhe në botën e ardhme.
Nëse ka kaluar pjesa më e madhe e këtij muaji, ka mbetur fundi i tij, dhjetë netëshi i fundit, i cili është fryti dhe shpërblimi i tij.
Pejgamberi a.s. angazhohej gjatë këtyre dhjetë netëve më shumë se çdo herë tjetër. Gjatë kësaj kohe ai hynte në Itikaf dhe e kalonte natën e Kadrit. Në hadithin të cilin e transmeton Aishja r.a. thuhet: "Kur hynte dhjetë netëshi i fundit të Ramazanit, Pejgamberi a.s. e zgjonte familjen e tij, e paloste shtratin dhe e shtrëngonte brezin e tij" Transmeton Muslimi.
Vëllai im dhe motra ime muslimane!
Allahu i Lartësuar të thërret: "A nuk është koha që zemrat e atyre që besuan të zbuten me këshillat e Allahut dhe me atë të vërtetën që zbriti (me Kur'an), e të mos bëhen si ata, të cilëve u është dhënë libri më parë e zgjati koha dhe zemrat e tyre u shtangën e shumë prej tyre janë jashtë rrugës" El-Hadid: 16.
Pastaj prapë për herë të dytë të thërret: "Ngrihu për falje natën, përveç një pjese të vogël të saj" Muzemil: 2.
A do t'i përgjigjesh kësaj thirrjeje o vëlla!? A nuk ka ardhur koha që të ndalesh para Zotit tënd, të lutesh dhe të kërkosh nga Ai, t'i lutemi Atij së bashku për falje, udhëzim dhe fitore!
A nuk ka ardhur koha që gjuhët dhe zemrat tona të bashkohen me kërkim falje në mesnatë, duke e lutur Zotin e qiejve dhe tokës, çka në to dhe mes tyre, të frikësuara dhe të nënshtruara! A nuk është koha që ne të regjistrohemi në shkollën edukative të natës?!
"E s'ka dyshim se aktiviteti i natës është fuqizues dhe fjalë më e qartë" Muzemil: 6.
Ngrite veten në vendin e lavdëruar të cilin na premtoi Allahu i Lartmadhëruar të cilin na premtoi Allahu i Lartësuar: "Dhe në një pjesë të natës zgjohu me të (me Kur'anin - namazin), është e sigurt se Zoti yt do të ngrejë ty në një vend të lavdishëm" Isra: 79.
Citatet e cituara më lartë tregojnë për vlerën e dhjetë netëve të fundit të Ramazanit, dhe kujdesin e madh të Pejgamberit a.s. për shfrytëzimin e tyre. Nga ti vëlla dhe motër muslimane kërkohet që vetveten në këto ditë ta vendosësh në shfrytëzimin e të mirave të tyre, dhe të ndalosh nga preokupimet e përditshmërisë së dynjallëkut.
Angazhohu me të gjitha llojet e ibadeteve: Me namaz, lexim Kurani, përkujtim të Allahut xh.sh. lëmoshë, vizita familjare, bamirësi ndaj njerëzve dhe shumë gjëra tjera. Për Zotin, këto janë net dhe ditë të caktuara, kalojnë shumë shpejt, faqet e tyre mbyllen, puna jote vuloset, nuk je i sigurt se a do t'i takosh këtë dhjetë net ndonjë herë tjetër, ndoshta mes teje dhe mes tyre ndodhet vdekja, madje nuk e dinë se a do të kesh mundësi që t'i përfundosh këto dhjetë net.
Nga veçoritë e këtyre netëve është e në to është i preferuar edhe Itikafi, që do të thotë qëndrimi në Xhami duke i lënë të gjitha punët e kësaj bote, dhe përkushtim ndaj botës tjetër, nënshtrim ndaj Allahut xh.sh. Kjo është nga suneti i Pejgamberit a.s. Në Hadithet e vërteta transmetohet se Pejgamberi a.s. ka qëndruar në Itikaf në dhjetë netët e fundit të Ramazanit në xhami deri në momentet e kalimit nga kjo botë në botën e ardhshme. Transmetohet nga Aishja r.a. se: "Pejgamberi a.s. ka qëndruar në Itikaf për çdo vit në dhjetë netët e fundit të Ramazanit, ndërsa vitin e vdekjes ka qëndruar njëzet net".
Andaj vëllai im, kujdesu për vetën dhe familjen tënde, nxiti ata që t'i shfrytëzojnë këto net të begatshme, shoqëro vëllezërit e tu musliman në ibadet. Ne në të dërguarin tonë Muhamedin a.s. kemi shembullin më të mirë, ai në këto net me tërë familjen e tij angazhohej në falënderim ndaj Zotit. Si mos të jetë kështu kur në këto net ndodhet nata me vlerë më të madhe se njëmijë muaj.
NATA E KADRIT
"Nata e Kadrit është më e rëndësishme se një mijë muaj!" El-Kader: 3.
Pjesa e mbetur e agjërimit është më e rëndësishme se ajo që ka kaluar, pasi në dhjetë netët e fundit të këtij muaji Pejgamberi a.s. e zgjonte edhe familjen e tij nga gjumi dhe i nxiste ata për namaz më tepër se sa në netët e kaluara. Në këto dhjetë net është edhe Nata e Kadrit, e cila është më e vlefshme se njëmijë muaj. Vlera e kësaj nate është e madhe për të gjithë ata që e gjallërojnë atë, e gjallërimi i saj është me namaz, lexim Kurani, përkujtim, meditim, kërkim falje, lutje dhe në të gjitha format e mundshme të ibadetit. Vlera e saj një mijë muaj do të thotë tetëdhjetë e tre vite e katër muaj. Një natë më me vlerë se sa një jetë njeriu!
Kjo është nata në të cilën zbresin Melaiket e Allahut xh.sh. me mëshirën, mirësinë dhe begatitë e Tij.
"Ajo (që përcakton Zoti) është paqe deri në agim të mëngjesit" El-Kader: 5.
Allahu xh.sh. e emëroi këtë natë "Nata e Kadrit" jo për diç tjetër, por vetëm se për vlerën që e ka kjo natë tek Allahu i Lartësuar. Ajo është nata e faljes, ashtu siç ka transmetuar Ebu Hurejre r.a. nga Pejgamberi a.s. se ka thënë: "Ai i cili në Natën e Kadrit ngritët (me namaz dhe lutje) me besim dhe vetëllogaritje do t'i falen të gjitha mëkatet e tij nga e kaluara".
KUR ËSHTË NATA E KADRIT?
Dijetari i nderuar Sejjid Sabik, Allahu e mëshiroftë, thotë: "Dijetarët kanë mendime të ndryshme për ndodhjen e kësaj nate. Disa prej tyre mendojnë se ajo është nata e njëzetenjë, dikush mendon se ajo është në natën njëzetetretë, të tjerët mendojnë për natën e njëzetepesë, dikush mendon për të njëzeteshtatën, ndërsa një grup mendon në natën e fundit të këtij muaji.
Shumica e tyre mendojnë se Nata e Kadrit është në natën e njëzeteshtatë, duke u mbështetur për këtë në hadithe të cilat flasin rreth kësaj nate. Por, një gjë është mase e sigurt: Nata e Kadrit ndodhet në dhjetë netët e fundit të Ramazanit.
LUTJA E PREFERUAR PËR TU LEXUAR NATËN E KADRIT
Aishja r.a. thotë: E kam pyetur të dërguarin e Allahut se çfarë të them në natën e Kadrit? E ai më tha: "Thuaj: O Allah! Ti je Falës, e do faljen, më falë mua" Termidhiu.
Vëlla Musliman! Motër Muslimane!
Ditët i ke para vetës. Mëshira e Allahut të pret. Allahu ty të do. Krejt ajo e cila kërkohet është që ti të angazhohesh dhe t'i drejtohesh Zotit tënd, i Cili të krijoi. Mos mendo dhe mos thuaj se nuk mundem. Nëse je nga përtacët dhe pasuesit e epsheve, tani para vetës e ke rastin që të ndryshosh. Dritën e ke para. Mos lejo të të ikë ky moment të cilin Allahu xh.sh. e bëri urë lidhëse me Zotin tënd. Duro në këto net. Jeta jote do të ndryshohet.
Allahu i Madhërishëm të thërret: "O ju besimtarë, bëni durim, bëhuni të qëndrueshëm kundër armikut, rrini të përgatitur dhe, që të shpëtoni, ruajuni dënimit të Allahut" Ali Imran: 200
Allahu xh.sh. me fjalën më të bukur të thërret në shpëtimin e vërtetë andaj mos e humbë këtë rast.
Qëndro para derës së Allahut xh.sh. e dyert e Tij tani janë të hapura. Trokit i penduar se Ai të të përgjigjet.
Allahu xh.sh. na mundësoftë ta arrijmë Natën e Kadrit ashtu siç Ai është i kënaqur prej nesh!
LUTJE TË ZGJEDHURA
O Zoti ynë, të lutemi të na mundësosh kryerjen e veprave të mira, shmangien nga mëkatet dhe përfundim të mirë!
O Zoti ynë, bëji ditët e fundit të jetës sonë ditët më të mira dhe bëji ditët më të dobishme për ne ditët që do të takohemi me ty!
O Zoti ynë, na bë të jetojmë si muslimanë e të vdesim besimtarë, na bashko në radhët e më të mirëve dhe largo nga ne sëmundjet, luftërat dhe gjithë fatkeqësitë!
O Zoti ynë, ashtu si bënë që shiu ta ringjallë tokën, bëj që edhe zemrat tona të ringjallen nga përkujtimi Yt!
O Zoti ynë, zgjoi zemrat tona me Kuranin Famëlartë dhe bëje atë shërues dhe ilaç për ne!
O Zoti ynë të lutemi të na dhurosh sinqeritet, bindje të plotë ndaj Teje, ndershmëri e modesti me njerëzit, devotshmëri në zemra dhe që të kapemi fort për litarin (Kuranin) Tënd!
O Zoti ynë, na stabilizo besimin tonë dhe na shto atë!
-
Regullat e Postimit
- Ju nuk mund të hapni tema të reja.
- Ju nuk mund të postoni në tema.
- Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
- Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
-
Rregullat e Forumit
Krijoni Kontakt