E drejta islame, me të gjitha dispozitat e saj, është duke u zbatuar qysh prej 14 shekujsh dhe këtë nuk e ka arritur asnjë legjislacion në botë. Legjislacioni perëndimor ka një moshë, përafërsisht, dyqind vjeçar.



E drejta islame i ka udhëhequr popujt muslimanë gjatë gjithë kohës që nga shpallja e Islamit. Ajo është pranuar nga popujt e ndryshëm, që i përkisnin civilizimeve të lashta, apo kishin zhvillim të ulët ose të mesëm. Dijetarët muslimanë, duke u bazuar në burimet dhe parimet e saj, nën frymën e saj kanë ofruar zgjidhje përkatëse. Sepse është e pamundshme që, tekstet dhe parimet e këtij legjislacioni universal dhe të amshueshëm, të jenë të pamjaftueshëm apo të kufizuar për të ofruar dispozita për çfarëdo sjellje ose veprim. [24]

E drejta islame, me të gjitha dispozitat e saj, është duke u zbatuar qysh prej 14 shekujsh dhe këtë nuk e ka arritur asnjë legjislacion në botë. Legjislacioni perëndimor ka një moshë, përafërsisht, dyqind vjeçar.

Horizonti i ligjit islam nuk është i ngushtë, që të gjejë zgjidhje për të gjitha çështjet dhe problemet që paraqiten në kohëra të ndryshme. Legjislatura islame, përmes dispozitave të saj, nuk e sheh individin jashtë familjes, ose familjen jashtë shoqërisë dhe as shoqërinë jashtë shoqërisë mbarënjerëzore.

Ligji Islam, kundruall ligjit evropian- duke përjashtuar të drejtën kishtare- që nga fillimi dallohet në atë se:

“Ligji Islam veten e konsideron ligj të shpallur në kuptimin më të ngushtë të fjalës, gjegjësisht ligj autentik Hyjnor. Ai është përshkruar si ” shteg ” i shpëtimit i skicuar qartë, i cili duhet pasuar (Sheriat), apo si e drejtë speciale islame (fikh: fjalë për fjalë, të kuptuarit, futje, njohje).[25]

Të gjithë popujt e vjetër kanë pasur ligjet e veta të posaçme, mirëpo asnjë popull nuk ka pasur shkencë juridike me ligje apstrakte dhe të qarta, kode, nuk ka ekzistuat para Shafiut (150-204h./767-820 e.s.). Në veprën e tij me emrin “Risale” prej të cilave këtë shkencë e quan “Rrënjët e ligjit”, rrënjë prej të cilave zhvillohen degët e rregullave të sjelljeve, njerëzore. Ajo shkencë, më vonë e quajtur usuli Fikh, tek muslimanët njëkohësisht merret me filozofinë e drejtësisë, terminët dhe principet ligjdhënëse, interpretimin dhe aplikimin e teksteve juridike. Vetë ligjet janë degë të këtij “druri”.[26]Këta autorë për zgjedhjen e këtyre terminëve kanë qenë të inspiruar nga këto ajete kur’anore:

“A nuk e sheh se All-llahu sjell shembull fjalën e mirë sikur pemën e mirë, rrënja e së cilës është ngulitur fort, kurse degët i ka kah qielli. Me leje të Zotit të vet i jep frytet e veta në çdo kohë-dhe All-llahu u sjell shembuj njerëzve, ndoshta do të mendojnë.” (Ibrahim, 24-25)

Sheriati mund të kuptohet më së miri nëpërmjet përdorimit të simbolit të pemës së përmendur në këtë ajet kur’anor: Ligji i Zotit është i ngjashëm me pemën rrënjët e së cilës janë të mbjella fortë në truallin e Shpalljes, degët e së cilës përhapen në anë të ndryshme dhe degëzohen në shumë drejtime. Fortësia e rrënjëve nuk tregon se druri nuk është i gjallë. Përkundrazi, vetë fortësia dhe qëndrueshmëria e rrënjëve është ajo që siguron, të rrjedhurit e lëngut nëpër degët, dhe jetën e pemës së papërkulur.

Esencialisht, e drejta Islame, dallohet nga e drejta evropiane, në aspekt të burimeve të veta ligjore dhe të materies të cilën e rregullon në një sferë më të gjerë, sikurse kemi theksuar më lartë.

E drejta islame, në esencë, është me karakter fetar, ndërsa e drejta evropiane me karakter laik.

Me të drejtën evropiane, nënkuptohet e drejta e Evropës kontinentale, e bazuar në traditat romake. E drejta romake, e cila qëndron në bazat e së drejtës së Evropës kontinentale, ka fituar artikulimin e saj më autoritativ në kohën e imperatorit Justinian (527- 565), kur Perandoria Romake zyrtarisht ishte shtet i krishterë. Legjislacioni i Justinianit është themeluar në bazë të veprave të juristëve të epokës antoniane, kur paganizmi i vjetër e humbi ndikimin te njerëzit e arsimuar, e krishterizmi ende nuk e kishte marrë vendin e tij. Kështu që në esencë, sikurse përfundon edhe profesori J. N. D. Anderson, e drejta romake paraqet të drejtën e testamentuar nga njeriu njeriut. Kjo është e drejtë, e cila mund të ndryshohet, nëse këtë e kërkojnë rrethanat, në të njëjtën mënyrë sikur që edhe është formuluar. [27]

Meqë libri krishter Bibla, nuk ka karakter ligjdhënës, në kulturat perëndimore vetë njerëzit janë ata, të cilët formulojnë ligje për njerëzit.

Mirëpo ligjet e formuluara nga njerëzit mund të pësojnë ndryshime dhe janë të bazuara në teori. Prandaj, sa herë që një trup i ri ligjvënësish, merr kompetenca autoriteti ose paraqitet një teori e re e pëlqyer tek ata, atëherë ligjet mund të ndërrohen.[28]



Dimensioni tej kohor dhe tej vendor i Sheriatit

E drejta Islame filloi si një ligj i një shteti, një bashkësie sunduese që nuk mbetej pa iu përgjigjur nevojave të bashkësisë, gjersa ajo sundonte prej Atlantikut gjer në Pacifik. Kjo e drejtë posedon mundësi të zhvillimit dhe u përshtatet nevojave të të gjitha kohërave dhe vendeve. Ajo nuk ka humbur dinamikën e vet as sot, dhe kthimi gjithnjë e më tepër merret si ndërrim kah e mira për shtetet muslimane, të cilat para ca kohe ishin nën dominimin politik dhe juridik të shteteve të huaja.[29]

Sistemi islam i legjislaturës, u qaset problemeve nga një kënd i gjërë, duke u bazuar në njohjen e shpirtit të njeriut, në njohjen e ndjenjave dhe prirjeve të tij, në njohjen e jetës së njeriut, duke i marrë parasysh nevojat dhe ndryshimet e tij, duke krijuar lidhje organike mes vlerave fetare dhe morale.[30]

Legjislacioni hyjnor islam, në anën tjetër, është i pandryshueshëm dhe i gjithmonshëm, sepse Ai, që e dhuroi atë, është i Pavdekshëm dhe i Përjetshëm. Ai është Krijuesi, që krijoi njerëzit dhe caktoi për ata atë, që do t’u përgjigjej nevojave të tyre deri në fund të kohës.[31]

” A nuk di Ai që ka krijuar dhe që njeh çdo send në hollësi ” (el Mulk, 14)

Ligji Hyjnor është i pastër nga mangësitë dhe teprimet, nga të anuarit dhe pandehma të njerëzve. Islami është jo vetëm ligj hyjnor, por edhe ideal dhe teori, një sistem i të menduarit dhe i jetës, i jetuar dhe i praktikuar nga miliona njerëz qysh prej 14 shekujsh dhe kështu do të vazhdoj edhe në të ardhmen, deri sa të jetë jeta.

Ligji islam është i dhënë nga Zoti i Gjithëmëshirshëm, që dëshiron të ofrojë lehtësim për robërit e vet e jo vështirësim. Si të mos veprojë kështu kur i Gjithëmëshirshmi është më i mëshirshëm se sa nëna ndaj fëmijës së vet? Ai s’ka nevojë për ndihmën e robërve të vet, nuk anon nga ndonjë sekt, gjini apo gjeneratë dhe nuk ia lejon ndokujt atë që ua ndalon të tjerëve. Si të veprojë kështu, kur Ai është Zoti i të gjitha botërave?[32]

Sheriati nuk është vetëm ligj pozitiv konkret, por ai është edhe shumë e vlerave dhe kornizë për jetën religjioze të muslimanëve[33]. Librat nga shkenca juridike (fikh) përmbajnë ligje të veçanta të Sheriatit, por vetë Sheriati përfshin mësimet etike dhe shpirtërore, të cilat, thënë rigorozisht, nuk janë të karakterit juridik, ndonëse e drejta islame nuk është ndarë asnjëherë nga morali.[34]

E drejta islame, në çdo vepër njerëzore, shikon kualitetin etik (husën dhe kubh). Ky kualitet etik, nuk mund të njihet përmes mendjes njerëzore, ai plotësisht varet nga Shpallja, sikurse predikojnë shkollat autoritative të mendimit islam. Ndërkaq, në fushën e çështjeve indiferente juridike i është lënë hapësirë normimit njerëzor.[35]

Islami, pra, nuk bënë ndarjen e së drejtës nga morali.

Fakti se teologjia dhe jurispudenca janë të harmonizuara, d.m.th. se: Islami si besim dhe civilizim, fe dhe kulturë, nuk mund të kuptohet pa të kuptuarit e së drejtës islame. [36]



Sheriati nuk është teokraci

Është fakt se, vetëm Kur’ani i shenjtë dhe Sunneti e përcakton aspektin juridik të Islamit dhe e pasqyron kuptimin e tij të vërtetë. Duke përjashtuar çdo autoritet jashtë këtyre të dyjave, përmbajtja dhe praktikimi i së drejtës islame lirohet nga trashëgimia e shtresuar e ndikimeve të ndryshme njerëzore. Sipas legjislacionit islam, pushteti i kreut të shtetit është i kufizuar dhe pushteti i tij buron nga ‘mubajja’-miratimi i popullit, i cili në kushtet e sotme do të mund të realizohej me plot sukses përmes referendumit, e jo nga pohimi se ai është trashëgimtar i Zotit në Tokë.