Publikuar: 18.08.2011 - 13:42“Feronikeli”, një uzinë e minierave dhe e shkrirjes në pronësi të dy magnatëve izraelite, është një prej ndërmarrjeve më të mëdha në mbarë Kosovën. Hekuri dhe nikeli që prodhon ai po nxit ekonominë e shtetit të varfër dhe promovon vende të reja pune. Por mbetja toksike në këtë uzinë është e tmerrshme për thithje të ajrit dhe ujin e pijes. Seria e shkrimit hulumtues e autorit Uri Blau, e botuar në “Kohën Ditore” ka zgjuar interesim ndër lexues dhe për hir të tyre po e botojmë këtu të plotë.

Rreth mesnatës së tetë qershorit të nxehtë, banorëve të qytezës së Drenasit në Kosovë iu ishte nxjerrë gjumi nga një shpërthim i madh.“Ne menduam se NATO-ja po bombardonte përsëri, ose se ishte një tërmet i madh”, ka thënë bekim Dobra, një gazetar lokal.

Pas kalimit të panikut fillestar, banorët e zbuluan se shtetin më të ri dhe më të varfër të Evropës nuk e kishte goditur asnjë fatkeqësi natyrore, as nuk ishte fjala për ndonjë luftë të re në Ballkan: Eksplodimi kishte ndodhur në minierën e afërt të nikelit të lokalizuar vetëm një kilometër larg qytetit. Sipas medieve lokale, njëri prej furrave të përdorura për prodhimin e metalit në uzinën e shkrirjes kishte shpërthyer, duke lënduar një numër punëtorësh dhe duke dëmtuar dhjetëra shtëpi.

Popullata lokale e di se i gjithë kompleksi, i njohur si “Feronikeli” – për fabrikimin e nikelit dhe hekurit – është në pronësi të entiteteve të huaja: nga “Cunico”, një kompani në pronësi të “Benny Steinmetz Group Resources Ltd.”(BSG) dhe “International Mineral Resources”(IMR), që është pronë e Alexander Mashkevich, një hebre kazak, që ka edhe shtetësinë izraelite.

Derisa miniera dhe impianti janë vetëm një pjesë e vogël e ndërmarrjeve biznesore globale të BSG-së dhe IMR-së, për banorët lokalë ato janë gjithçka: një shpresë e madhe – por edhe një rrezik i madh.

Në të vërtetë, ani pse “Feronikeli” është një “vend i madh ankorimi: ekonomik në zonën e tyre dhe një prej ndërmarrjeve më të mëdha në mbarë Kosovën, nejrëzit janë të shqetësuar se operacionet e tij janë duke shkaktuar një katastrofë ambientale.

Shpërthimi në “Feronikel” tani duket se ka qenë një ngjarje vendimtare, pas të cilës zemërimi dhe frika e rrezikut ka tejkaluar frikën e përplasjes me punëdhënësin më të madh në rajon. Shkatërrimi i dritareve dhe dëmi – së bashku me perceptimin se burimet natyrore kombëtare i janë shitur tajkunëve të huaj me një çmimi të ulët qesharak – kanë gjeneruar një protestë. Pas shpërthimit dhjetëra prej banorëve kanë demonstruar në rrugë dhe kanë marshuar deri te rrethojat e kompleksit. Mbyllën hyrjen, prishën aktivitetin e kompleksit për disa ditë, dhe ftuan shumë zyrtarë të lartë qeveritarë ta vizitonin zonën.

Megjithatë, shpërthimet si ai i qershorit nuk janë kërcënimi më i madh për banorët lokalë. Një kërcënim i njëjtë, nëse jo edhe më i madh, është ndotja e ambientit. Burime zyrtare kanë bërë të ditur se sipas licencës dhënë pronarëve të minierës, masa e ndotjeve që duhet të nxirret nga prodhimi duhet të futet nën dhe. Në të vërtetë, një hulumtim i kryer nga gazeta “Haaretz” ka treguar se mbetjet e ndotura po derdhen në zona të hapura me kamionë të mëdhenj, ku po krijohen grumbuj kodrinash përskaj lumit të afërt që rrjedh përreth shtëpive. Pluhuri përmban një material toksik, që sipas MInistrisë së Ambientit dhe të Planifikimit Ambiental të Kosovës, është duke ndotur ajrin dhe lumin.

“Nuk do të jetoja në Drenas edhe sikur të m’i jepnin paratë e krejt botës”, ka thënë Sylë Tahirsylaj, drejtor i Institutit Hidro-Meteorologjik të Kosovës, që është përgjegjës për nivelin e helmimit në tokë dhe ujë. Ai ka thënë se masë helmuese që emetohet në ajër dhe ajo që përzihet me ujë mund të shkaktojë shumë lloje kanceri, probleme fertiliteti, pengesa në frymëmarrje dhe sëmundje të tjera. Ky përfundim është mbështetur edhe gjatë kontakteve me zyrtarë të tjerë në Prishtinë, kryeqytetin e Kosovës. Këtë e thonë edhe raportet e Ministrisë së Ambientit dhe organizatat lokale dhe ndërkombëtare. Të gjithë thonë se ndotja ambientale po vije si pasojë e materialit të liruar nga operacioni i “Feronikelit”.



Pritjet e mëdha



3 maji i vitit 2006 ishte një datë e shënuar për ekonominë e lodhur të Kosovës. Atë ditë, zyrtarë të lartë të qeveris alkale iu ishin bashkuar zyrtarëve të Kombeve të Bashkuara dhe biznesmenëve vendorë dhe ndërkombëtarë në selinë e Misionit të Përkohshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) për të festuar përfundimin e suksesshëm të marrëveshjes më të madhe të nënshkruar të privatizimit që nga përfundimi i luftës me Serbinë: Në shkëmbim për një pagesë prej 33 milionë eurosh, pronësia e minierave të kompleksit në Drenas fillimisht i ishte dhënë IMR/Alferonit, një kompani në bashkëpronësi të biznesmenëve Alexander Mashkevichit, Patokh Chadievit dhe Alijan Ibragimovit. Sipas kushteve të marrëveshjes së shitjes, kompani ndërmori zotimin për investim të 20 milionë eurove në tri vitet e para dhe për të punësuar së paku një mijë punëtorë.

Kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Agim Çeku - sipas një raporti të postuar në uebfaqen e Nismës Ekonomike për Kosovën, një organizatë që mbështet zhvillimin ekonomik dhe investim e hua në Kosovë – kishte thënë se “qeveria mirëpret nënshkrimin e kësaj kontrate të re”. Ai kishte thënë se “ky është fillimi i ringjalljes jo vetëm të “Feronikelit”, por i gjithë ekonomisë së Kosovës. Është fillimi i një reduktim të madh të papunësisë. Pres që investitorët të arrijnë caqet e kësaj kontrate, dhe ata do ta kenë mbështetjen e Qeverisë”.

Kjo ceremoni kishte shënuar fundin e një sage njëvjetore të privatizimit. Në fillim, një tejtër kompani kishte fituar garën për minierën, firma amerikano-shqiptare “Adi Nikel”, që kishte ofruar rreth 50 milionë euro për kompleksin e Drenasit. Megjithatë trupi drejtues i AKP-së, riktheu vendimin e saj, duke thënë se kompania e zgjedhur fillimisht nuk kishte qëndrueshmëri financiare. Në fakt, oferta e bërë nga “Alferoni” ishte pranuar.

Ish-punëtorët e minierës kishin demonstruar kundër vendimit të ri, për të cilin thoshin se ishte marrë për motive politike; burime në “Adi Nikel” kishin hetuar korrupsion në procesin e vendimmarrjes. Organizata Eciks kishte cituar një memoar të zëdhënësit të “Adi Nikel”, Muhamet Jaku se ministri i atëhershëm i Industrisë i Kosovës, Bujar Dugolli, kishte kërkuar tre milionë euro si shkëmbim për ta fituar garën për “Feronikelin” – një milion euro për vetë Dugollin; një për kryeministrin e atëhershëm, Bajram Kosumin dhe një për partinë e tyre politike. “Kjo është vetëm një shpifje”, ishte kundërpërgjigjur Dugolli.

Në fund, kompleksi i minierës dhe shkrirjes së xehes iu dha “Cunicos”, që gjysmën e pronësisë e ka Mashkevichi dhe shokët e tij në IMR, ndërkaq gjysma tjetër është në pronësi të BSG Resoruces Ltd., që është në pronësi të plotë të BSG-së.

Ani pse BSG-ja bart emrin e tajfunit izraelit, Benny Stenmetz, ai nuk është në listë si pronar i saj. Ka kohë të gjatë që njerëzit e tij për komunikim me media kanë thënë se ai nuk është i përzier në vendimmarrje.

Në lidhje me këtë artikull, ka thënë se Steinmetz nuk është pronar i këtij grupi biznesor dhe se nuk kontrollon atë, kështu që ka kërkuar të mos përzihet me aferën në minierën e Kosovës. Madje, uebfaqja e BSG-së thekson se “aktivitetet biznesore menaxhohen nga një entitete në pronësi të ndryshme(direkt ose indirekt) nga Fondacionet Balda dhe Vessna, në të cilat Benny Steimetz dhe anëtarët e tjerë janë anëtarë të klasës së përfituesve”.

Në të vërtetë, gazetat financiare dhe bota e biznesit e trajtojnë këtë grup si një korporatë që është nën kontroll të Steinmetzit, dhe që është e bazuar në kapitalizimin e tregut. Ai konsiderohet si njëri prej njerëzve më të pasur në botë.

“Cunico”, një prej aseteve të korporatës, sipas uebfaqes së saj, është “një kompani ndërkombëtare e minierave dhe metaleve, e specializuar në eksplorim, miniera dhe fabrikim të hekurit dhe nikelit. Ne jemi fabrikuesit më të mëdhenj të hekurit dhe nikelit në Evropë dhe të katërtit në botë”. Selitë e kompanisë janë në Holandë; njësiti i saj i tregut operon në Dubai.

Kompleksi i Drenasit daton që nga viti 1984, kur Kosova ishte pjesë e Jugosllavisë komuniste. Kompleksi konsiston nga tri miniera të hapur atë nikelit dhe një fabrikë në të cilën metali përdoret për prodhim të baterive të ripërtërira dhe fabrikohet çeliku i pandryshkur. Në vitin 1998, gjatë luftës së Kosovës me Serbinë, kompleksi ndali prodhimin dhe një vit më vonë u dëmtua nga bombardimi i NATO-s. Nuk kishte rifilluar punën derisa u privatizua dhe u kryen punë rinovuese.

Statistikat tregojnë se “Cunico” bëri një pazar të mirë. Minierat e Kosovës besohet se kanë rezerva nikeli në vlerë prej më shumë se dy miliardë dollarë. Sipas “Cunicos”, gjatë vitit të kaluar janë nxjerrë gjashtë mijë tonelata nikel. Duke marrë për bazë çmimin e tanishëm të nikelit, kjo mund të përkthehet në të ardhura prej 140 milionë eurosh. Këtë viti pritet të shiten më shumë se nëntë mijë tonelata nikel, dhe qëllimi për tri vitet e ardhshme është 11 apo 12 mijë tonelata.

“Cunico” po ashtu ka në pronësi një minierë nikeli në Maqedoni. Atje, megjithatë, kompania ndërmori menaxhimin e minierës sipas rregullave ambientale të kërkuara nga ISO, organizata e standardeve ndërkombëtare dhe nga Bashkimi Evropian. Por zotime të ngjashme nuk janë bërë edhe për kompleksin e Kosovës.



“Çmim qesharak”



Kosova është një kënd i shkatërruar dhe i dëshpëruar i Evropës. Rrugës për Drenas, ndjenja që keni është ajo e të qenët në një vend të botës së tretë. Ka rrugë të pluhurosura dhe të paasfaltuara, rrethe të pambaruara trafiku, dhe nuk ka shenja se tregojnë qytetin, që është vetëm pak kilometra larg prej kryeqytetit. Zyrtarët e Qeverisë nuk kanë haber për dëshminë dhe vendi duket sikur një tokë e shkretë: ky është një vend ku njeriu nuk pret se ka mbikëqyrje të sertë dhe transparencë të plotë.

Në prag të nisjes tonë për Kosovë, takuam Ido Talmorin, një punonjës në sektorin për media në “Feronikel”, të cilit i kërkuam të na takonte me izraelitët që punonin në minierë dhe për ta vizituar vetë vendin. Talmori na ktheu negativisht përgjigjen, duke thënë se “zyrtarët përgjegjës nuk duan që ju të paraqitemi në ndonjë artikull që na lidh me ndërmarrjen në Kosovë”. Një ndjenjë sekreti dhe misterioze të përcjellë në këtë vend të ri, i cili është shpallur shtet në vitin 2008, dhe synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, por mentaliteti këtu nuk është një i demokracisë transparente. Madje edhe banorët lokalë me edukim perëndimorë preferojnë të qepin gojën kur pyetën për ndërmarrjen e Drenasit.

Megjithatë, në një pompë benzine jashtë qytezës, takojmë dikë që është një përjashtim prej rregullit të përgjithshëm: Bekim Dobra, një 27-vjeçar që është gazetar hulumtues që mbulon ngjarjet në këtë zonë për gazetën më të madhe në Kosovë, “Koha Ditore”. Është e diele, një ditë kur në Kosovë mbahen dasmat, ku rrugët janë të mbushura me kolona makinash që në dritaret ballore iu valëviten peshqirët, dhe ku vajzat janë kacavjerrë në dritare, derisa mbi makina valon flamuri i Kosovës dhe ai shqiptar.

Dobra është ftuar në një ndejë fejese, por kur e kuptoi se jemi të interesuar për “Feronikelin”, ndryshoi planet dhe na e kushtoi gjithë ditën neve. Ushqimi tradicional festiv ishte zëvendësuar në një restorant me një pite të nxehtë në një restorant lokal.

“Kam shkruar aq shumë për ‘Feronikelin’, qyshkur është shitur për një çmim qesharak derisa redaktorët e mi filluan të më pyesnin se a nuk ke për çfarë të shkruash”, ka shpjeguar Dobra.

Arrijmë me makinë në kompleks, që nga jashtë duket sikur një bazë ushtarake. Kalojmë një hekurudhë, ku kalon një vagon. Kullat e kompleksit, muret dhe telat gjemborë e bëjnë atë të duket tamam ashtu siç e quan edhe Dobra: “Guantanamo” sipas qendrës së famshme amerikane ushtarake të burgosjes. Ai ka thënë se i gjithë ky investim në tela dhe mure është bërë për shkak të sigurisë së kodeksit, duke krijuar kështu një panik të madhe që zor se do t’ia mbushte mendjen një investues të huaj të derdhte miliona euro në një vend jostabil.

Siguria në këtë impiant është përgjegjësi e disa izraelitëve që sapo kanë mbushur nga tridhjetë vjet, të cilët më parë kishin shërbyer në njësite elite izraelite ushtarake. Disa prej tyre kanë punuar jashtë Kosovës për SBG-në dhe kanë ardhur në këtu pas privatizimit të “Feronikelit”. Disa prej tyre, të cilët refuzojnë të flasin me gazetën, jetojnë në një apartament të quajtur “Kulla Pandora” në qendër të Prishtinës, rreth tridhjetë minuta udhëtim prej kompleksit të minierës. Kur ne iu kërkuam të hynim brenda, njëri prej gardianëve e thirri njërin prej izraelitëve: ai refuzoi të në linte brenda.

Prej portës s mbyllur të kompleksit, Dobra na dërgon në hyrje të minierës së vjetër, ku nuk po kryhen gërmime, por është krijuar një pishinë spektakolare nga grumbullimi i ujit. Një grup të rinjsh hahen se kush po zhytet më mirë, duke shfaqur shkathtësi të jashtëzakonshme. Një zheg i madh ta mbush mendjen të heqësh rrobat dhe të zhytesh, por era e acidit në ajër, pluhuri i madh dhe zhurma e madhe e buldozerëve përreth, ta ndërrojnë mendjen. Derisa ne pothuajse se jemi asfiksuar, njëri prej çunave që po lahet del dhe kërkon të flasë. Ai lutet që të mos i përmendet emri. Ai tregon se punon në “Feronikel”. Më shumë preferon të tregojë për kushtet e tij të punës, sesa për rreziqet e ujit të helmuar në të cilën po heq djersët.

“Të punosh aty është sikur se ta drejtosh një makinë 30-vjeçare me një shpejtësi njëqind kilometra në orë”, thumbon ai.

Ne arrijmë në portën e anës lindore dhe bëjnë një rrugë të gjatë përreth gjysmë kilometri, që na çon tek një kodrinë. Një shenjë e “Feronikelit” na pret neve me një sinjalizim të shkruar në të: “Rrezik”, dhe menjëherë më pas nis krijimi i dunave të zeza të cilat shtrihen deri tek lumi Drenica. Pak matanë, kamionë të mëdhenj të “Feronikelit” shkarkojnë sasi të mëdha të mbetjeve të xeheve, përpara se të kthehen në uzinë.

Kodrinat e zeza, që duken sikur të ishin të ndonjë planeti përtej botës tonë për shkak të ngjyrës së hirtë, janë krijuar nga mbetjet pas përpunimit të xehes së hekurit dhe nikelit. Këtu ka me miliona tonelata mbetjet helmuese. Ekspertë lokalë thonë se materiali është aq i lehtë, saqë mund të bartet nga ajri. Kjo substancë përmban mangan, nikel dhe krom.

Në këto anë shohim disa punëtorë lokalë, puna e të cilëve duket se është rrafshimi i dunave të mbetjeve. Disa thonë se janë nënkontraktorë të uzinës. Për të punuar këtu nën rrezen përcëlluese të diellit të verës, ata marrin një pagë që nuk e kalon shumën prej 200 eurosh, që është edhe sa një pagë mesatare në Kosovë. E pyesim njërin prej tyre nëse frikësohet që prek materialin e rrezikshëm.



Raporte negative



“Natyrisht se jam i frikësuar”, na e pret ai, “por nuk kam qare, sepse më duhet të punoj për të jetuar”. Ai ka thënë se sipas planit dunat e zeza duhet të bulohen me rërë, por për vite me radhë askush nuk çan kokën për to. Këtë na e konfirmojnë edhe zyrtarë të lartë.

Materiali i zi përmban fibra të holla. Kontakti i drejtpërdrejtë me të shkakton prerje të dorës; është e lehtë të thuash pas asnjë analizë kimike se këtu ka rrezik për të gjithë ata punëtorë. Por ka raporte se materiali i zi po ndikon negativisht edhe në ajër dhe ujin e pijes të zonës. Në vitet 2008-09, Instituti Kombëtar i Kosovës për Shëndetin Publik ka kryer një ekzaminim të cilësisë së ujit të Lumit Drenica, si pjesë e një projekti për studim të nisur nga Universiteti i Prishtinës. Studimi gjeti se niveli i nikelit në ujë ishte për njëzetë herë më i lartë se norma e lejuar sipas standardeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Studimi tregoi se “burimi i ujit shtrihet rreth zonës së shkritores së “Feronikelit”, për këtë shkak edhe është gjetur një nivel i lartë i nikelit në burimin e ujit”. Raporte më tej ka thënë se niveli i metaleve me gjasë ishte i lartë për shkak të faktorëve gjeologjikë dhe “ndotjes antropogjene”.

Është incident se si një prej hulumtueseve që kishte kryer studimin kishte pranuar të takohej me ne dhe shpjegoi të dhënat, por nuk u doli në takim dhe na tha nëpërmjet telefonit se kishte frikë të bashkëpunonte për këtë shkrim.

Një tjetër studim, i kryer në fund të vitit 2009 kryer nga një institut amerikan, Qendra për Politika dhe Advokim, dhe përfshirë në një raport të Departamentit amerikan të Shtetit, citon se zona e Drenasit është më e ndotura në Kosovë për shkak të ndotjes së shkaktuar nga “Feronikeli” dhe dunat e zeza afër qytetit, të cilat kanë një ndikim direkt në cilësinë e ajrit dhe të tokës. Duke shtuar edhe më shumë, raporti thotë se Drenasi vuan nga probleme të ujit të pijes (që është helmuar nga “Feronikeli”) Çfarë pasoja mund të ketë ky nivel i lartë helmimi? Sipas Agjencisë amerikane për Substanca Toksike dhe të Regjistrit të Sëmundjes, ekspozimi një mase të madhe të nikelit të përqendruar mund të shkaktojë probleme të frymëmarrjes, sëmundje të zgavrës së hundës dhe kancer të mushkërive.

Sipas profesorit Eilon Hadari, drejtor i Institutit Zuckerberg për Studime të Ujit në kampin Sde Boker të Universitetit Ben-Gurion në Negev, “çështja është nëse nikeli që shohim në ujë sot ka origjinë prej kompleksit. Sipas mendimit dhe vlerësimit tim, përgjigja është po, sepse nikeli në këtë masë të madhe nuk mund të burojë nga natyra”. Ai ka shtuar se është e rëndësishme për të parandaluar ujin që rrjedh me mbetje toksike. “Uji që rrjedh mund të shkojë në rrjedh të lumit. Mbetja duhet të mblidhet dhe të trajtohet si duhet, dhe ka një mënyrë sesi duhet bërë këtë”.

Në një lagje të afërt që shtrihet mbi kompleksin e “Feronikelit”, pak minuta me vozitje larg prej dunave të mbetjeve, Ismail Dibrani, 29 vjeç, një anëtar i asamblesë komunale të Drenasit, na ka pritur me durim. Është vonuar në dasmën e ftuar, pro mendon se është e rëndësishme të flasë me ne.

“Gjithkush është i frikësuar këtu”, ka thënë ai, derisa pranë vetes ka të bijën e tij të vogël. “Jo vetëm unë. Kjo është arsyeja se pse njerëzit kanë dalë në demonstratë. Në një vend normal, një fabrikë e tillë do të mbyllej”.



“Pyeteni Qeverinë”



A është vërtetë kjo një zgjidhje? Miniera ka punësuar më shumë se njëmijë banorë të zonës.

Dibrani thotë se ne “nuk kemi asgjë personale kundër kompanisë ose kundër menaxhmentit, dhe ta merr mendja se duam që njerëzit të kenë punë. Por po i kundërshtojmë ata sepse duam që kompania të punojë sipas standardeve evropiane të ambientit dhe të mos shkelë të drejtat tona të njeriut”.

Dibrani ka thënë se është marrë me minierë qyshkur është zgjedhur këshilltar lokal para katër vjetësh. “Ajo që për ne është më shqetësuese është mbetja, sepse pjesë e imëta të mbetjeve po shndërrohen në pluhur në erë, futet në sistemin tonë të frymëmmarrjes dhe po arrin në mushkëri”, ka thënë ai. “Sipas marrëveshjes së privatizimit, kompania është e detyruar të mbulojë mbetjen me 50 centimetra mbi tokë dhe të ketë vegjetacion në zonë”.

Ndotja nga stoqet e tymit është po ashti një temë shqetësimi, edhe pse është shënuar një progres në këtë çështje, tregon Dibrani.

“Ia kemi dalë ta reduktojmë masën e tymit që emetohet fal ngulmimit tonë që të instalohen filtra në tymtarë. Kompania nuk ia ka dalë t’i zbatojë datat e përcaktuara, por më në fund kjo ëhstë arritur. Problemi është se nuk i aktivizon për çdo ditë dhe natë filtrat(një akuzë e mohuar nga kompania).Të dhënat e Institutit Hidrometeorologjik se niveli i ndotjes gjatë natës është shumë më i lartë”.

Dibrani ka thënë po ashtu se një punë misterioze e rrethon “Feronikelin”. Ai thekson se pas shpërthimit të ditëve të fundit, kompleksi ia ka ndaluar gazetarëve të hyjnë brenda, dhe disa raporte të medieve kanë thënë se edhe policia po ka telashe në hetimin e rastit. I pyetur se pse është kaq vështirë të merresh me “Feronikelin”, Dibrani qeshet me zor: “Nuk mendoj se jam personi që duhet bërë këtë pyetje”.

“Pyeteni Qeverinë”, shton ai.



“Çuditet” Ministria e Ambientit



Në qendër të Prishtinës është njëri prej simboleve të saj: një strukturë e vjetër e tmerrshme e lënë prej kohës komuniste që është shndërruar në një qendër sportesh dhe dyqanesh. Far është një ndërtesë e re e lartë ku janë vendosur disa ministri të Qeverisë. Kemi arritur këtu si mysafirë të paftuar, pasi që zyrtarë të lartë të Ministrisë së Ambientit na e kanë refuzuar ftesën. Në një kat të lartë, takojmë Gazmend Avdiu, zëdhënës i Ministrisë së Ambientit – për të cilin na than se nuk është këtu. Ani pse nuk jemi të ftuar, Avdiu na flet dhe na siguron se këtë po e bën për të treguar bujarinë.

“E gjithë kjo situatë më është dukur e çuditshme”, thotë Avdiu, duke iu referuar vizitës që i ka bërë “Feronikelit” me ministrin Dardan Gashi pas ngjarjes së shpërthimit. “Ne ftuam mediat, por reporterët u ndaluan te porta. U thamë atyre se në rast se nuk do të lejoheshin gazetarët, nuk do të hyjë as ministri. Edhe unë kam pyetur veten se çfarë kanë aty për të fshehur”.

Avdiu ka thënë se testet e ndotjes së ajrit në Drenas ishin kryer ditëve të fundit nga “Feronikeli” dhe nga Ministria e Ambientit, nëpërmjet Institutit Hidrometeorologjik, në zyrat e të cilit në një skaj të Prishtinës, arrijmë pas pak.

Profesori Tahirsylaj, drejtor i institutit në 20 vjetët e fundit, na mirëpret në zyrën e mbushur përplot me harta, dhe një asistent që flet me zë të lartë në telefon.

Pasi na prezanton me krenari instrumentet më të sofistikuara të matjeve meteorologjike, Tahirsylaj na paraqet rezultatet e testeve të fundit. Faktori më i rëndësishëm është niveli i PM10, përqindjes së copëzave në ajër me një diametër më pak se 10 mikronë. Në 15 prej 17 ditëve testuese në prill, niveli i PM10 tejkalon nivelin e lejuar prej 50 copëzash në një metër kub dhe nganjëherë ka arritur një nivel tri herë më të lartë. Mesatarja e PM10 për një ditë gjatë kësaj kohe tejkaloi katërfish standardin e lejuar.

Tahirsylaj nuk ka fije dyshimi se burimi i ndotjes është kompleksi i “Feronikelit”.

“Ata po mbrojnë interesat e tyre”, ka thënë ai. “Ata duan ta zgjasin sa më shumë që munden dhe ta shfrytëzojnë maksimalisht minierën”.

Zëdhënësi i ministrit, i pyetur për opsionet e Ministrisë së Ambientit, përgjigjet: “Ministri mbase mund urdhërojë kompleksin të mbyllet – për shembull, derisa t’i aktivizojnë filtrat gjatë gjithë kohës. Ata i instaluan ata, por dikush duhet ta shtypë butonin që të punojnë”.



“S’është Maqedoni”



Ne i kemi parashtruar të dhëna për ndotjen e ajrit në Kosovë një ish-drejtuesi të një njësiti izraelit të cilësisë së ajrit në Ministrinë e Mbrojtjes së Ambientit të Izraelit, Dr. Michael Gerberit. Ai ka thënë se niveli i PM10 është shumë e lartë, por ka thënë se nuk e kupton se pse institutet e Kosovës nuk kanë studiuar edhe përbërjen e copëzave të ndotjes. (Instituti na ka thënë se nuk i ka kushtet për ta bërë një gjë të tillë.) Sipas Gerberit, pasi që mbetja ka nikel, krom dhe mangan, të cilat janë metale toksike, ka gjasë që këto substanca të ekzistojnë edhe në mikro-copëza. “Filtrat duhet të ndërrohen”, ka shpjeguar ai, “dhe sa më pak që i përdor ata, aq më pak është e nevojshme t’i ndërrosh ata”.

Avdiu ka drojë se ata që kanë kryer testin e ndotjes mund të jenë ndikuar.

“Nëse ekipi që kemi dërguar për të kontrolluar ndotjen merr para nga jashtë, duhet ta dimë këtë. Kjo është Kosova dhe stafi i njësitit tonë mobil janë krijesa njerëzore”, ka thënë ai.

“Feronikeli” nga ana e tij, ka thënë se rezultatet e ekzaminimeve të institutit janë shumë të mira dhe se në teste është gjetur se hulumtimet treguan shkalë më të ulët të ndotjes.

“’Feronikeli’ nuk i beson masave tona, sepse ata mendojnë se ‘kemi dalë’ me qëllim që t’i joshim të na japin para”, ka shpjeguar profesori Tahirsylaj. Për të gjetur një ujdi për t’i dhënë fund kësaj belaje, të dyja palët janë pajtuar ta angazhojnë një kompani të jashtme dhe të pavarur për të kryer analiza të nivelit të ndotjes.

Agron Veliu është njeriu që drejton sektorin e cilësisë së ambientit në “Feronikel” dhe është në kontakt me Qeverinë lidhur me këtë çështje. Në një bisedë telefonike e ka pranuar se rezultatet e matjeve varen “prej cilës anë i shikon ato”. I pyetur për tejkalimet e nivelit të PM10, ai gajaset dhe pyet: “A e di Instituti Hidrometeorologjik burimin (e ndotjes)? A është miniera? Makinat? Trafiku?” Ai po ashtu ka thënë se Ministria e Ambientit nuk i ka instrumentet e duhura për të ekzaminuar me saktësi nëse substancat e mbetjes janë të rrezikshme.

Megjithatë, mbetja duhej të mbulohej me dhe.

Veliu: “Një pjesë e saj është mbuluar”.

Kur do të mbulohet e gjithë sipërfaqja?

“Po e nivelojmë materialin, dhe kur i gjithë materiali të nivelohet, do ta mbulojmë të tërin. Në të njëjtën kohë, po përdorim atë zonë dhe kur të mbarojmë me mbushjen e saj, do ta mbulojmë”.

Ka vite me radhë që thuhet kështu. “Por ne po përdorim zonën. Nuk mund të mbulohet këtë kohë”.

Në Maqedoni, “Cunico” është zotuar të operojë sipas standardeve të Bashkimit Evropian. Pse nuk mund ta bëjë të njëjtën edhe në Kosovë?

“Kosova dhe Maqedonia janë dy shtete të ndryshme. Ne operojmë sipas ligjit të Kosovës. Ky është një vend i ri, nuk është si Maqedonia”.

Dr. Gerber nuk befasohet nga kjo përgjigje. “Magnatët e kanë shprehi të dalin jashtë Evrope, ku ka rregulla dhe mbikëqyrje të sertë”, thotë ai. “Pra në vend të kësaj, ata menjëherë dalin në periferi, ku nuk ka rregulla dhe mund të veprojnë qysh t’iu teket”.



A do çohet në këmbë pronari i vërtetë, ju lutem?



Në emër të Benny Steinmetzit, këshilltarja për media, Eli Davidovich ka ofruar përgjigjen pasuese: “Zoti Steinmetz nuk ka aksione në “NewCo Feronikeli” ose në ndonjë ndërmarrjeje të “Cunico Resources”. Zoti Steinmetz nuk ka asnjë pozitë në ndonjërën prej këtyre kompanive, dhe si pasojë e kësaj edhe nuk është i përzier në aktivitete të këtyre kompanive. Lidhur me këtë, unë do të shtoja se “BSG Resources” që ka rreth 50 për qind të aksioneve të “Cunicos”, nuk është nën kontroll të zotit Steinmetz dhe nuk është në pronësi të tij. Këto janë fakte të thjeshta që mund të dëshmohen me lehtësi. Për4kitazi me këtë, ju rekomandoj që ta shmangni emrin e zotit Steinmetz në lidhje me referencat tuaja për uzinën e “Feronikelit”.

Përgjigja nga zyra e Alexander Mashkevich ishte kjo: “Ai nuk është pronar i hiseve dhe nuk ka asnjë pozitë në kompaninë që keni përmendur ju. Sipas një ekzaminimi që kemi bërë ne, njëra prej kompanive në të cilën ne jemi partnerë ka një pjesa minore të aksioneve në mënyrë indirekte, çka natyrisht kjo nuk do të thotë se jemi të përfshirë ose se kemi ndonjë rol në vendimmarrjen e aktiviteteve të kompanisë. Prandaj besoj se është e qartë se nuk keni se pse ta ndërlidhni emrin tonë në temën që kemi përmendur”.

“NewCo Feronikeli”, në një përgjigje të shkruar në pyetjen e “Haaretzit”, ka refuzuar shumicën e akuzave kundër tij në lidhje me dëmin që është duke i shkaktuar ambientit, por nuk ka bërë referenca direkte ndaj raporteve të ndryshme që kanë shprehur shqetësime për nivelin e ndotjes, e të cilat tashmë i kemi përmendur. Sipas përgjigjes së kompanisë, ajo ka investuar më shumë se gjashtëdhjetë milionë euro në vitet e para të operimit të minierës, ku “së paku 20 euro kanë shkuar në investime lidhur me mbrojtjen e ambientit nga ndotja. Kompania në mënyrë të vazhdueshme investon shuma parash në përmirësimin e ambientit dhe të parametrave operuese. Kompania punon sipas kërkesave për mbrojtje të standardeve të ambientit. Kompania kohëve të fundit ka marrë certifikimin e standardit ISO 9001 dhe tani ka për qëllim aplikimin për një certifikim të standardit ISO 14001”.

Kompania nuk është lodhur shumë për shqetësimet e ngritura për materialin e zi ose për faktin se nuk po e mbulon mbetjen toksike.

“Mostrat e “pluhurit të zi” janë ekzaminuar dhe analizuar nga laboratorë në dy universitetet (në Republikën Çeke dhe në Greqi). Të dy kanë konfirmuar se pluhuri i zi nuk përbën rrezik për ambientin”, ka shkruar “NewCo Feronikeli”. “Materiali po deponohet sipas mbikëqyrjes dhe aprovimit të Ministrisë së Ambientit dhe Këshillit Ndërkombëtar të Minierave dhe Metaleve. Rajoni do të rehabilitohet sipas planeve të aprovuara”. Në të njëjtën kohë, kompania nuk i është referuar shkallës së lartë të copëzave në ajër.

Në lidhje me ujin e ndotur, kompania thotë se rregullisht merr mostra të ujit lokal për të siguruar se nuk është i ndotur. Duke shtuar këtu se uji i Drenasit “rrjedh nëpër mineralet ekzistuese natyrale dhe si pasojë e kësaj mund të ketë një përqindje më të madhe të nikelit”.

Në përgjigje ndaj akuzave të bëra nga një numër i madh njerëzish, për dështimin e uzinës për të aktivizuar filtrat e tymtarëve gjatë gjithë kohës, kompania ka shkruar: “Instalimi i filtrave është përfunduar në vitin 2009 dhe që nga atëherë, ata kanë operua pothuajse 99 për qind të kohës, 24/7”.

“NewCo Feronikeli” thotë se nuk po përpiqet të fshehë asgjë për shpërthimin në furrë. Në përgjigjen e saj të shkruar kompania ka thënë se bashkëpunoi me policinë, Ministrinë e Ambientit dhe me mediat, dhe se shkaku i shpërthimit është hetuar nga kompania, e cila ia ka dërguar një raport Qeverisë.

Kompania ka shtuar se me aq sa di, Benny Steinmetz dhe Alexander Mashkevich nuk e kanë vizituar kompleksin: “Asnjëri prej tyre nuk ka lidhje me kompaninë, dhe kompania nuk mund të përgjigjet në emër të tyre”.



Interesa të ndryshme



Në listën më të fundit të publikuar nga revista “Forbes”, Benny Steinmetz është në vendin e 168-të, me një pasuri personale që llogaritet se kap rreth 6 miliardë dollarë. Kjo e bën atë njeriun e dytë më të pasur izraelit, pas Sammy Oferit dhe familjes së tij.

Steinmetz, i cili e mban veten dhe biznesin e tij larg prej syve të botës, konsiderohet të jetë njeri i afërt me ish-kryeministrin izraelit, Ehud Olmert. Ai është 55-vjeçar dhe është i lindur në Netanya. Babai i tij, Reuven Steinmetz, ishte marrë me diamante – një tregtie që i ishte përvjelë edhe benny pasi kishte mbaruar shërbimin ushtarak, dhe ishte zhvendosur në Antverp. Ai ishte kthyer në Izrael në vitin 1996 dhe ndryshoi interesat e tij biznesore. Perandoria e tij tani përfshin kompani që merren me minerale, patundshmëri, burime energjetike dhe natyrore, dhe shtrihet prej Rusisë nëpër Evropën Lindore e deri në Afrikë. Para një viti e gjysmë, ai shiti rreth 1.5 milionë aksione të kompanisë celulare izraelite, “Cellcom”, të cilat i kishte mbajtur për vite me radhë, por përveç kësaj nuk dihet se ka investime të tjera në Izrael.

Alexander Mashkevich, i cili është një vit më i moshuar se Steinmetzi, është i lindur në Kirgistan dhe është zhvendosur në Kazakistan gjatë viteve nëntëdhjetë. Ai ka arritur në Izrael në vitin 1991 dhe ka marrë shtetësinë dhe pasaportën izraelite. Në vitet e fundit, ka kaluar kohën në Izrael, Kazakistan dhe Britani të Madhe. Ai është njëri prej pronarëve të gjigantit të minierave ENRC, e cila tregtoi në bursën e shkëmbimeve në Londër, dhe po ashtu në mesin e bizneseve të tij private përfshihet një bankë dhe një kompani sigurimesh në Kazakistan. Ai po ashtu kohëve të fundit ka njoftuar themelimin e një rrjeti ndërkombëtar të lajmeve që ka për qëllim ta rivalizojë “Al-Jazeeran” dhe CNN-në. Sipas “Forbes”, ai ka pasuri në vlerë prej 3.7 miliardë dollarësh, duke e bërë kështu izraelitin e gjashtë më të pasur. I konsideruar një besnik i partisë së punës MK dhe i ish-ministrit të kabinetit, Benjamin Ben-Eliezer, Mashkevich themeloi Kongresin hebraik euro-aziatik dhe deri para pak kohës ishte president i tij.

Mashkevich dhe Steinmetz e njohin njëri-tjetrin për më shumë se 10 vjet. Në një intervistë të vitit të kaluar me Amiram Barkatin në gazetën financiare izraelite, “Globes”, Mashkevich është cituar të ketë thënë se “Benny është njëri prej miqve të mi më të ngushtë. Ishim partnerë në shumë projekte dhe ai është njëri prej biznesmenëve më profesionistë që ndonjëherë kam njohur. Është shumë i sinqertë, shumë inteligjent. I çmendur pas punës”. Ai po ashtu i ka deklaruar gazetës se “ende jemi partnerë në minierat në Ballkan, por jo në Afrikë”.

Dhjetorin e kaluar, “Haaretz’s TheMarker” zbuloi se Mashkevich kishte blerë një apartament nën çati në projektin “Sea One” në Tel-Aviv për 110 milionë euro; apartamenti përfshin gjithë hapësirën e katit të njëzetenjëtë dhe ka një hapësirë prej një mijë metrash katrorë.

http://www.koha.net/?page=1,9,66494