Bizneset kosovare pjesëmarrëse në AGRA 2011
16:25 / 19.08.2011
Një delegacion nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, i kryesuar nga ministri Blerand Stavileci, do të marrin pjesë në Panairin Ndërkombëtar të Bujqësisë “AGRA 2011” në Slloveni.
Gjatë kësaj vizite, Stavileci dhe ekipi i tij do të takohen edhe me Presidentin e Sllovenisë Danilo Türk, si dhe do të zhvillojnë takime bilaterale me ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ushqimit të Republikës së Sllovenisë Dejan Zidan, me të cilin do të diskutohet për pikat e marrëveshjes së bashkëpunimit, të nënshkruar ndërmjet Kosovës dhe Sllovenisë.
Ministri Stavileci do të takohet edhe me Marek Sawicki, ministër i Bujqësisë së Republikës Polake, i cili njëherësh është edhe kryesues i Këshillit të EU-së për Bujqësi dhe Peshkatari, si dhe me Kryetarin e Odës për Bujqësi dhe Pylltari në Republikën e Sllovenisë Ciril Smrkolj.
Në këtë panair, Republika e Kosovës për herë të parë prezantohet edhe me një “stendë” të veten, ku 20 agrobiznese kosovare do t’i promovojnë produktet e tyre, të cilat do të kenë mundësinë të krijojnë edhe kontakte të reja me agrobiznese të vendeve të ndryshme të rajonit dhe më gjerë.
Panairi do të mbahet nga 20-25 gusht në Gornja Radgona të Sllovenisë. /Telegrafi/
Krijoni Kontakt