VV: Kuvendi për herë të parë goditi Planin Ahtisaari
Zeri, 24 gusht 2011
Kuvendi i Kosovës, për herë të parë goditi të martën Planin Ahtisaari, duke votuar kundër ligjit për qendrën historike të Prizrenit. Kështu thanë në një konferencë për media, përfaqësues të lëvizjes Vetëvendosje, të cilët vlerësuan se ky ligj ishte shumë i dëmshëm dhe i rrezikshëm për Kosovën.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, konsideron se Kuvendi i Kosovës, ka vepruar të martën si një kuvend i vërtetë, duke votuar kundër ligjit për Prizrenin, për të cilin qytetarët, organizata të ndryshme dhe shoqëria civile kanë ngritur zërin kundër tij.
Ai tha se deputetët e vendosën vetën në shërbim të qytetarëve karshi insistimit të qeverisë për miratimin e këtij ligji dhe karshi presioneve që kanë ardhur nga misionet ndërkombëtare në Kosovë.
Ndërkohë, deputeti, Liburn Aliu, tha se problemi themelor në këtë ligj, ishte etiketimi i trashëgimisë kulturore ortodokse serbe. Ai tha se kjo trashëgimi i përket Kosovës, prandaj nuk duhet të etiketohet dhe të izolohet si trashëgimi kulturore serbe.
Përfaqësuesit e Vetëvendosjes, thanë se me kthimin mbrapsht të këtij ligji, u dha një sinjal shumë i qartë edhe për bashkësinë ndërkombëtare, në mënyrë që historia dhe trashëgimia kulturore të mos shikohen dhe trajtohen në bazë të prizmit nacionalist. /rtk/
Krijoni Kontakt