All-llahu i Lartësuar ka thënë: "All-llahu ka emrat më të mirë, andaj thirnie (luteni Atë) me ata." [E'araf: 180].



Pra, All-llahu i Lartësuar ka emra të bukur dhe cilësi të larta, të cilat përmbajnë domethënie të përsosura, të madhërishme dhe të plota, nuk ka në to asnjë lloj mangësie. E kjo nuk është për tjetër, pos për shkak të madhështisë dhe përsosshmërisë së të Emërtuarit me ata emra dhe të të Cilësuarit me ato cilësi. E kush është më madhështor se All-llahu!



Janë transmetuar shumë ajete kuranore dhe hadithe profetike që tregojnë vlerën e këtyre emrave dhe cilësive, që tregojnë mënyrën se si ta adhurojmë All-llahun me teuhidin e emrave dhe cilësive (teuhidul-esma ves-sifat) dhe që i përmendin këto emra dhe cilësi.



Prej besimit në këto emra dhe cilësi është besimi se të gjithë emrat e All-llahut janë të bukur dhe të mirë dhe se të gjitha cilësitë e All-llahut janë të larta dhe të përkryera, besimi në kuptimet dhe domethëniet e përkryeshmërisë absolute që i përmbajnë ato dhe veprimi i njeriut në bazë të gjurmëve dhe domethënieve të tyre.



Andaj, ai që e di se All-llahu është Mëshiruesi dhe Mëshirëbërësi, që i kupton domethëniet e mëshirës që i përmbajnë këta dy emra dhe që e kupton se All-llahu e do mëshirën, kjo gjë do ta shtyej atë të jetë i mëshirshëm me të voglin dhe të madhin, me kafshët dhe bimët, kështuqë do ta mbulojë mëshira e All-llahut kudo që të jetë.



Ngjashëm, ai që e di se All-llahu është Falës dhe e do faljen, e lut All-llahun që t'ia fal atij dhe vet ai ia fal dhe ia bën hallall atij që i ka bërë dëm, duke dëshiruar me këtë që edhe All-llahu t'ia falë mangësitë dhe rrëshqitjet e tija. E kjo gjë nuk është kompenzim, po është dhuratë nga All-llahu, i Cili e ka bërë shpërblimin sipas veprës.



Ajo që më nxiti të flasë për këtë temë është pyetja që ma bëri një motër, e cila tha: "Shkenca e teuhidit më duket shumë e ngurtë, e si ka mundësi ta kuptojë atë? Nga ana tjetër, e kam patjetër ta kuptojë sepse Islami im nuk është i saktë pa të!..."



E analizova atë fjalë që e tha dhe e kuptova me ndihmën e All-llahut se ku është defekti, e kjo për asgjë tjetër, pos asaj që vet e përjetova gjatë udhëtimit tim për te All-llahu dhe shtëpia e Ahiretit, me emrat e bukur dhe cilësitë e larta – që është shtylla e dytë nga tre shtyllat e teuhidit – mbi zogun e Ibën Kajjimit, koka e të cilit është dashuria ndaj All-llahut, ndërsa dy krahët e të cilit janë frika prej Tij dhe shpresa në Të. [1]



Gjatë analizimit që i bëja në udhëtimin tim, kuptimeve të këtyre emrave dhe cilësive, në fillim hasa në vështirësi. Defekti nuk është tek ato, sepse ato janë më të qarta se dielli i mesditës, por defekti është në realitetin e besimit tonë tek All-llahu – i cili është fjalë e gjuhës, besim i zemrës dhe vepër e gjymtyrëve – dhe në mënyrën e analizimit të këtyre emrave të bukur dhe cilësive të larta.



Ndërsa kuptimi i tyre është i patjetërsueshëm, sepse ato janë dyert tona drejt njohjes së All-llahut me një njohje të vërtetë. Sepse sa më shumë që rritet njohuria e robit për Zotin e tij, aq më shumë rritet adhurimi që i bën Atij dhe realizimi i teuhidul-uluhije – që është shtylla e tretë dhe esenciale e shtyllave të teuhidit – e ky është qëllimi për të cilin All-llahu i ka krijuar dy të rëndësishmit, siç ka thënë i Lartësuari: "Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër, pos që të më adhurojnë." [Dharijat: 56].



Kur fillova të veçohem me All-llahun, në thellësirat e netëve të qeta, duke kërkuar afrimin afër Tij, fillova ta vërejë se ndoshta dituria dhe kuptimi jonë i këtyre emrave dhe cilësive janë vetëm dituri dhe kuptim teorik, duke e injoruar dhe haruar faktin se qëllimi i vërtetë i diturisë dhe kuptimit të tyre është veprimi sipas domethënieve të tyre. Sepse dituria nuk konsiderohet dituri e vërtetë, derisa të veprohet sipas saj.



Robi në jetën e tij sillet rreth tre gjendjeve: Kur i jepet ndonjë e mirë falënderon, kur e godet ndonjë fatkeqësi duron dhe kur bën ndonjë mëkat kërkon falje, e në këtë gjendet lumturia e tij.



Mirëpo, çka e shtynë robin që t'i bëjë këto tri gjëra?



Përgjigja është e lehtë dhe gjendet në gjymtyrët e atij zogut: dashuria ndaj All-llahut, shpresimi i shpërblimit të Tij dhe frika nga dënimi i Tij.



All-llahu i ka lavdëruar krijesat më të zgjedhura të Tij – që janë pejgamberët – duke thënë: "Ata shpejtonin në punë të mira, na lutnin me shpresë dhe frikë dhe ishin respektues ndaj Nesh." [Enbija: 90].



Andaj robi, kur ta begaton atë Bujari [s.v.t] – e këto begati dhe furnizime janë prej veprave të All-llahut, të cilat hyjnë në shtyllën e parë të teuhidit, që është teuhidur-rububije – e di se Furnizuesi është Ai që e ka furnizuar. Ai e ka furnizuar për shkak të fisnikërisë, bujarisë dhe dhuntisë së Tij, sepse robi e di se nuk e meriton atë, duke qenë se është mëkatarë dhe i mangët në hakun e Zotit të tij, e megjithëkëtë All-llahu ia ka dhuruar këto nimete të vlefshme, për të cilat edhe sikur të ngelte në sexhde prej lindjes e deri në vdekje, nuk do ta shpaguante as edhe një nimet prej nimeteve të All-llahut, Bujarit dhe Fisnikut.



Siç ka thënë i Lartësuari: "Përkundrazi duart e Tija janë të shlira, Ai furnizon ashtu si të dojë." [Maide: 64].



Andaj ky rob me gjithë këto dhunti, e përkujton fjalën e All-llahut: "Nëse falënderoni, do t'ua shtojë të mirat." [Ibrahim: 7]. Kështuqë e falënderon Zotin e tij që është Mirënjohës, Dhuntidhënës dhe Bamirës dhe i mbushet zemra me iman dhe gjymtyrët e tija janë të zellshme në adhurim, e kjo si falënderim ndaj All-llahut, sepse ai e di se Ai që e ka furnizuar nga fisnikëria dhe bujaria e Tij është i vetmi që meriton të adhurohet, prej të cilit adhurim është edhe falënderimi i All-llahut, Bujarit dhe Furnizuesit.



Poashtu, kur robi kalon nëpër ndonjë fatkeqësi, bën durim gjatë saj, duke e shpresuar shpërblimin, duke e zbatuar urdhërin e All-llahut, duke e adhuruar All-llahun me sabrin e tij dhe duke e kërkuar fitimin e ndihmës së Tij, i Cili e ka urdhëruar me fjalën e Tij: "O ju që keni besuar, kërkoni ndihmë me durim dhe namaz, se vërtetë All-llahu është me durimtarët." [Bekare: 153].



Poashtu e lexon ajetin tjetër në të cilin All-llahu e përgëzon: "Po ti përgëzoj durimtarët. Të cilët kur i godet ndonjë fatkeqësi thonë: 'Inna lil-lahi ve inna ilejhi raxhiun' (Ne jemi të All-llahut dhe tek Ai do të kthehemi). Të tillët janë ata që te Zoti i tyre kanë bekime e mëshirë dhe të tillët janë ata të udhëzuarit në rrugën e drejtë." [Bekare: 155-157], andaj i shtohet sabri.



Si dhe e përkujton hadithin: "Kur All-llahu ta dojë një popull, i sprovon ata. E kush është i kënaqur me caktimin e All-llahut, atij i takon kënaqësia, ndërsa kush është i hidhëruar, atij i takon hidhërimi." Andaj, ai kënaqet me caktimin e All-llahut dhe e sheh këtë si adhurim ndaj Tij, për shkak se All-llahu e do këtë kënaqësi me caktimin e Tij.



Mirëpo, gjatë sabrit dhe kënaqësisë së tij, nuk e harron se ka një adhurim tjetër të cilin All-llahu e do, të cilin ia përkujton fjala e All-llahut: "Nëse All-llahu të godet me ndonjë të keqe, s'ka kush që ta largojë atë pos Tij." [En'am: 17]. Andaj, e di se nuk do t'ia largojë atë bela askush tjetër pos All-llahut, sepse Ai është i plotfuqishëm për çdo gjë.



Kështuqë transferohet në adhurimin e duasë, duke e lutur All-llahun që t'ia largojë atë bela, duke ia shoqëruar lutjes së tij këta emra të bukur: Er-Rahman, Er-Rahim, Er-Rauf, El-Latif, Es-Selam, Er-Refik, El-Berr, El-Muhsin, El-Vedud, Es-Samed… Gjuha e tij laget gjatë duasë, zemra e tij qanë dhe gjymtyrët edhe më shumë nënshtrohen, ngase është i bindur se Ai që përgjigjet do t'i përgjigjet duasë së Tij, se i Forti do t'ia largojë fatkeqësinë, ngase Ai është i Butë për robin e Tij. Nuk e godet atë ndonjë fatkeqësi, vetëmse All-llahu dëshiron hajr për të nëpërmjet saj, sepse Ai është i pastër nga padrejtësia për shkak të drejtësisë së Tij absolute.



Ndërsa, në rastin kur robi bën ndonjë mëkat apo vepër të ligë, frikësohet prej Fuqiplotit dhe Hakmarrësit dhe e di se Dëgjuesi, Shikuesi, Ai që i di hollësisht gjërat, i Gjithdituri dhe Gjithpërfshirësi, Atij nuk i fshihet asgjë. Andaj, frikësohet prej Mposhtësit, Të fuqishmit, Madhështorit, Të Lartësuarit dhe Krenarit, tmerrohet prej Mbretit, Atij që ngritë dhe që mposhtë, saqë krahu i frikës për pak sa nuk e shkatërron.



Mirëpo, ai fillon ta merrë veten dhe ta barazpeshojë me krahun e shpresës. Dashuria ndaj All-llahut ia përkujton mëshirën e Tij, andaj nuk i humbë shpresat dhe e përkujton fjalën e All-llahut: "Edhe ata të cilët kur bëjnë ndonjë mëkat ose i bëjnë zullum vetes së tyre, e përmendin All-llahun dhe kërkojnë falje për mëkatet e tyre – e kush i falë mëkatet përveç All-llahut? – dhe që duke e ditur, nuk vazhdojnë në atë që kanë punuar." [Ali Imran: 135].



Andaj, gjuha shpejton në istigfar, zemra shpejton në pendim dhe gjymtyrët shpejtojnë në kthim tek All-llahu.



Robi është i bindur se Falësi do t'ia falë atij, se Pendimpranuesi do t'ia pranojë pendimin, sepse i Buti është sjellur me butësi ndaj tij e nuk ia ka shpejtuar dënimin, e kjo është prej mëshirës së Mëshiruesit ndaj robërve të Vet dhe butësisë së të Butit me ta, andaj e bën që të ndjehet i sigurtë Ai që jep siguri dhe e bën të shpëtuar Ai që jep shpëtim, në momentin kur për pak sa nuk e shkatërruan mëkatet.



Robi nuk shpejton në pendim dhe kthim tek All-llahu për tjetër, pos për shkak se shikon në madhështinë e Atij ndaj të Cilit ka bërë mëkat, andaj e përkujton Të Madhin, i Cili është më i Madh se çdo gjë dhe e lutë Atë që ta mëshirojë, duke e mbrojtur nga rënia në ato mëkate përsëri. E lut Dhuntidhënësin, i Cili e ka begatuar me pendim prej mëkateve që ta begatojë me mbrojtje nga rënia në to për së dyti. Strehohet tek Ai, tek i Cili strehohen të gjitha krijesat dhe për të Cilin kanë nevojë, për nevojën e tij, që t'ia afrojë rrugët e udhëzimit dhe t'ia largojë rrugët e devijimit.



Ky është prezentim i aspektit praktik të teuhidit, sepse kuptim i vërtetë i emrave dhe cilësive të All-llahut d.t.th: që robi ta adhurojë Atë në bazë të tyre, të gdhijë dhe të ngrysë duke jetuar me dritën e tyre.



Duke i kërkuar All-llahut që t'ia kryejë nevojat e tij, ai e praktikon teuhidur-rububije, ndërsa duke iu drejtuar vetëm Atij e praktikon teuhidul-uluhije. E s'ka nderë më të madh për njeriun se sa të jetë rob i All-llahut.



Krijesa më e ndershme dhe më fisnike është pejgamberi jonë, Muhammedi [s.a.v.s], e kjo është për atë se ai më së miri e ka realizuar të qenurit rob i All-llahut.



Pas këtij prezentimi të një stacioni prej stacioneve të udhëtimit për te All-llahu, a thua fjala "Shkenca e teuhidit është e ngurtë" ende sillet nëpër mendje? Apo e ka fshirë atë kuptimi praktik i mënyrës së adhurimit të All-llahut me teuhid?



[1] Autorja e përshkruan jetën e kaluar në adhurim ndaj All-llahut si udhëtim mbi një zog, koka e të cilit është dashuria ndaj All-llahut, ndërsa dy krahët e të cilit janë frika prej Tij dhe shpresa në Të. Ky është zogu i Ibën Kajjimit, sepse ai e ka përshkruar adhurimin dhe shtyllat e tij në këtë formë. Adhurimi te Ehli-Sunneti i ka këto tre shtylla, e dijetarët kanë thënë: Kush e adhuron All-llahun vetëm me dashuri është sufi, kush e adhuron Atë vetëm me frikë është havarixh dhe kush e adhuron Atë vetëm me shpresë është murxhi. [sh.p.]





Shkroi: Ummu Jahja Jusuf Shqipëroi: Omer Zaimi Medinë, 16/9/1428 h