-
i/e regjistruar
Qeveria pritet të përballet me gjyqet ndërkombëtare. Penalizimet, mbi 1 miliard USD
ARD KOLA
Pas TEC-it të Vlorës me italianët që duan 65 milionë euro, çekët e CEZ-it pretendojnë të marrin 60 milionë euro të tjera dhe qeveria shqiptare pritet të përballet me të tjera gjyqe ndërkombëtare. Të huajt i çojnë çështjet në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit, aty ku shteti shqiptar ka dalë kryesisht i humbur dhe pikërisht këtu, tri çështjet e tjera, do të diskutohen në të ardhmen. Kësaj here është sektori i naftës dhe gazit, nga ku pritet një ndëshkim prej më shumë se 800 milionë eurosh.
Shkak i këtyre gjyqeve është bërë prishja e kontratës nga ana e shtetit shqiptar me investitorët e huaj. Disa vendime të qeverisë, të marra së fundmi, kërkohet të gjenden me procedurë të përshpejtuar nga zyra avokatore për të mbrojtur shtetin shqiptar.
Situata paralajmërohet alarmante dhe po shqetëson autoritetet shqiptare, të cilat janë kujtuar vonë, pasi padia është bërë shumë kohë më parë.
Çështja më e rëndësishme konsiderohet ajo e kompanisë së naftës, “Sky Petroleum”, e cila kishte nënshkruar marrëveshje me Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN, institucioni në varësi të Ministrisë së Ekonomisë). Kompania amerikane “Sky Petroleum” kërkon 1 miliard dollarë dëmshpërblim nga qeveria shqiptare për heqjen e licencës së shfrytëzimit të naftës së blloqeve 4, 5 dhe zonës së Dumresë, të njohura për pasuri të konsiderueshme të naftës dhe gazit.
Sipas portalit “energjia.al”, një tjetër vendim i qeverisë, i marrë po në datë 2 nëntor 2012, lidhet me gjyqin e radhës, tashmë ndaj kompanisë greke “Mamidoil Jetoil Greek Petroleum Products Societe Anonyme S.A”, në sektorin e naftës. Edhe ndaj kësaj kompanie, qeveria shqiptare ka prishur kontratën, ndërsa tashmë po hedh nga buxheti i shtetit 70 mijë euro, shpenzim këto vetëm për avokatët. E njëjta situatë edhe me kompaninë tjetër, në fushën e gazit, italo-shqiptaren “Burimi s.r.l. & Eagle Games”. Në fillim të këtij viti, qeveria i dha Ministrisë së Drejtësisë 70 mijë euro për pagesat e avokatit për gjyqet, ndërsa tani në nëntor po paguan edhe 70 mijë euro të tjera. Këto janë vetëm shpenzime administrative, pasi nga vendimi i gjyqit varet edhe dëmi që do të paguajmë, gjithnjë në rast se humbasim çështjen.
Ky nuk është rasti i parë që shteti shqiptar humb gjyqin në arbitrazh, ku jo vetëm dërrmon financat modeste të shtetit, por politikisht dhe në imazh ndaj të huajve krijon përshtypje të një klime jo efikase për të bërë biznes. Rasti i famshëm është ai i para 7 viteve, kur sa erdhën në pushtet, demokratët anuluan kontratën me “General Electric” për ndërtimin e linjës hekurudhore Tiranë-Rinas (aeroporti)-Durrës, me vlerë 60 milionë euro. Kontrata u anulua dhe amerikanët fituan gjyqin duke na marrë 15 milionë euro, edhe pse nuk kryen asnjë punim, por vetëm për prishje të njëanshme të kontratës. Çështje ka pasur edhe për Portin e Durrësit me danezët, ku u detyruam të paguanim 2.5 milionë euro, sërish për çështje të mosrespektimit të kontratës nga pala shqiptare.
Ministra: Ligji “Për energjinë” dërrmoi industrinë vendase
Në relacionin e projektbuxhetit të vitit 2013, Ministria e Financave pranon se ligji i ri “Për energjinë”, i cili synonte liberalizimin e tregut, i shkaktoi jo pak pasojë sektorit të industrisë së naftës. “Kushtet klimatike, veçanërisht të këqija në tremujorin e parë 2012, krijuan vështirësi operacionale, të cilat frenuan ofertën e disa sektorëve, sidomos në industrinë nxjerrëse, në tregti dhe transport”, thotë ministria.
Në të njëjtën kohë, shton dikasteri i Bodes, pamundësia e disa industrive përpunuese për t’u adaptuar me disa ndryshime të kuadrit rregullativ në tregun e energjisë elektrike gjatë muajve të parë të 2012-s, shkaktoi një pezullim të përkohshëm të prodhimit (sidomos me industritë përpunuese të hekurit dhe çimentos). “Një rënie e theksuar në prodhimin e energjisë elektrike prej rreth 50 për qind në tremujorin e parë 2012 kundrejt tremujorit të parë 2011, i shkaktuar si pasojë e përkeqësimit të situatës hidrike deri në mesin e muajit prill 2012, ishte një tjetër faktor i rëndësishëm që kontribuoi në rritjen negative të ekonomisë gjatë tremujorit të parë”, analizon ministria, duke pranuar se hartimi i ligjit, në mënyrë të pastudiuar mirë shkaktoi pasoja për industrinë, madje dhe vetë KESH-i humbi afro 20 milionë euro dhe sot është në gjendje falimenti.
A.K.
Situata
Problemet me çekët për CEZ-in dhe gjermanët për linjën me Kosovën, shenja jo pozitive
Mosrespektimi i kontratave, komplikon “statusin”
Shprehja e famshme “është thjesht çështje biznesi, asgjë personale”, mund t’i shërbejë mjaft mirë qeverisë shqiptare. Ishte kontrata me çekët për privatizimin e OSSH-së rreth katër vjet më parë për 102 milionë euro që solli aplikimin te ky shtet, i cili kishte presidencën e radhës për të marrë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian. Pikërisht Çekia, e cila pranoi që vendi ynë të aplikonte, mund të jetë në muajin dhjetor pengesa e madhe. Vota e saj nuk është decizive, por natyrisht ndikuese.
Holanda është shprehur kundër dhe priten qëndrime edhe nga shtete të tjera. Por qeveria shqiptare ka dhe plot probleme të tjera, të cilat nuk janë vetëm politike, por burojnë nga situata ekonomike dhe respektimi i kontratave me investitorë apo partnerë të huaj.
Rasti i linjës me Kosovën, hartuar dhe financuar si projekt nga banka gjermane (e shtetit gjerman) KfW, me vlerë 75 milionë euro, dhe që qeveria shqiptare kërkon ta anulojë, mund të përbëjë një rast të rrezikshëm për ecjen përpara drejt anëtarësimit në BE.
Qeveria shqiptare ka ditur t’i shfrytëzojë rastet për krijimin e imazhit të mirë me vendet partnere të BE-së, për t’u anëtarësuar në NATO apo në organizma të tjerë. Kështu, me amerikanët ishte në rregull, për aq kohë sa firma “Bechtel” merrte çdo muaj nga arka e shtetit 25 milionë euro për punimet në rrugën Rrëshen-Kalimash dhe ku vetëm firmoseshin fatura pa hesap. Në atë kohë erdhi edhe Presidenti Bush. Me francezët, një shtrëngim duarsh me Presidentin Sarkozi na kushtoi 85 milionë euro, pasi qeveria jonë pranoi të blinte me anë të një tenderi të dyshimtë 5 helikopterë të një shoqërie franceze (në bashkëpunim me gjermanët). Raste ka plot.
Situata sot paraqitet ndryshe. Probleme ka edhe me kompani italiane, kryesisht në sektorin energjetik, por më konkretet dhe aktualet paraqiten rastet me Gjermaninë dhe Çekinë, dy shtete jo pak me ndikim në BE. Raportet me to ndodhen në situatë delikate, pikërisht të situatës me CEZ-in, ku qeveria kërkon ta largojë, edhe pse çekët premtuan se do të investonin 150 milionë euro, apo me anulimin e tenderit të KfW-së për linjën energjetike me Kosovën.
-
Regullat e Postimit
- Ju nuk mund të hapni tema të reja.
- Ju nuk mund të postoni në tema.
- Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
- Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
-
Rregullat e Forumit
Krijoni Kontakt