UNESCO, ultimatum për Gjirokastrën dhe Beratin
Nuk ka plane menaxhimi, programe për parandalimin e ndërtimeve pa leje apo për ndërhyrjet restauruese… Nuk paska qenë e lehtë të jesh pjesë e listës së Trashëgimisë Botërore Kulturore.Nuk mjafton vetëm një copë kartë hyrëse. Ta mbash atë është edhe më e vështirë. Përballë këtyre vështirësive po gjendet Gjirokastra dhe Berati, të cilat janë vënë në shënjestrën e kritikave të Komitetit të Trashëgimisë Botërore pranë UNESCO-s. Në mbledhjen e radhës së këtij komiteti u morën në shqyrtim një mori monumentesh apo qendrash monumentale anekënd globit, duke nxjerrë problematikat, hapat para dhe mbrapa të secilit. Nuk mund të mbetej pjesë e diskutimit edhe Shqipëria, e cila prezantohet në listën e gjatë të Trashëgimisë Botërore, nën mbrojtjen e UNESCO-s, me tre qendra të rëndësishme të trashëgimisë kulturore shqiptare: Parku i Butrintit, qyteti i Gjirokastrës dhe i Beratit. Por, kësaj here nën optikën e komisionerëve kanë qenë këto dy të fundit. Në përfundim të takimit të zhvilluar në Paris doli një raport prej 283 faqesh, ku zinte vend edhe Shqipëria. Ndonëse flitet vazhdimisht për fonde të dhëna nga UNESCO, për financime projektesh, për ndërhyrje, seminare…, duket se asgjë nga këto nuk paska qenë e mjaftueshme. Raporti më i fundit nuk ishte pozitiv për Shqipërinë. Duket se Shqipëria ka probleme të mëdha organizative. Mungojnë planet dhe strategjitë. Përfaqësuesit e UNESCO-s shprehnin keqardhjen për mungesën e planeve të menaxhimit të pasurive të trashëgimisë kulturore dhe të kontrollit ndaj ndërtimeve pa leje. Ata vënë në dukje se nuk ka asnjë lloj përpjekjeje për përmirësimin e gjendjes, më së shumti në Gjirokastër, ku nuk ka as plan zhvillimi për turizmin, ndryshe nga Berati, ku duket se ka një përpjekje për t’iu përgjigjur kërkesave të komunitetit vendës. Ata japin këshillat përkatëse dhe bëjnë një listë kërkesash të cilat duhen plotësuar nga “shteti palë”. Ata i rekomandojnë Shqipërisë që të ftojë grupe monitorimi për të vlerësuar gjendjen e monumenteve në terren dhe mbi të gjitha të përgatisin një raport progresi, që do të vlerësohet në 1 shkurt 2013. Do të jetë ky vlerësim që do të vendosë nëse këto dy qendra të trashëgimisë kulturore do të qëndrojnë jashtë apo do të bëhen pjesë e “listës së zezë” të pasurisë botërore në rrezik. Do të ishte humbje e një shansi të madh për Gjirokastrën të dilte nga lista e trashëgimisë botërore, vetëm 5 vjet pasi është bërë pjesë e saj. U desh një punë jo e vogël që qyteti i gurtë të hynte nën ombrellën e UNESCO-s dhe tani për shkak të papërgjegjshmërisë të të gjitha institucioneve, qofshin këto qendrore apo lokale, që kanë për detyrë të mbikëqyrin dhe të kujdesen për këtë qytet, e gjithë kjo përpjekje rrezikon të shkojë kot. UNESCO ka vënë vetëm një vit e gjysmë kohë për të përmirësuar ngjyrën e këtij raporti.
Raporti i unesco-s per Gjirokastren dhe Beratin
Qendrat historike të Beratit dhe Gjirokastrës (Shqipëri)
Vendimi: 35 COM 7B.82
Komiteti i Trashëgimisë Botërore,
1. Duke shqyrtuar WHC-11/35.COM/7B Document,
2. Duke kujtuar 33 VKM nr 7B.87, miratuar në seancën e tij të 33 (Sevilje, 2009),
3. Shpreh shqetësimin e tij të madh në lidhje me mungesën e kontrollit të ndërtimeve pa leje dhe me keqardhje vë në dukje se nuk është krijuar një plan afatgjatë për të korrigjuar shkeljet që kanë ndodhur tashmë, në mënyrë që të rritet vlera dhe integriteti i pronës;
4. Gjithashtu, shpreh shqetësimin e tij se nuk po bëhen përparime për të prezantuar një program për ndërhyrjet arkeologjike në rast të zbatimit të restaurimeve të mëdha, si dhe për mungesën e një plani të përgjithshëm kundër zjarrit.
5. Njeh përpjekjet e bëra për të zhvilluar një plan turizmi në Berat, i cili synon të mbështesë nevojat e komunitetit lokal në kuadër të planit të menaxhimit dhe gjithashtu shpreh shqetësimin e tij të madh që një plan i tillë nuk është zhvilluar për Gjirokastrën;
6. Përsërit kërkesën e tij që shteti palë, urgjentisht të vërë në jetë një plan veprimi duke rënë dakord për afatet për zgjidhjen e problemeve aktuale dhe për të parandaluar çdo shkelje të mëtejshme;
7. Gjithashtu, përsërit kërkesën e tij ndaj shtetit palë për të zhvilluar dhe zbatuar tregues të detajuar dhe të përshtatshëm të monitorimit në lidhje me atributet, të cilat bartin vlera të jashtëzakonshme universale të pronës në bazë të inventarit të detajuar;
8. Të bëhen të qarta qëllimet e shtetit palë për të kryer një projekt të madh restaurimi në Kalanë e Beratit dhe kërkon që pala shtetërore të paraqesë të gjitha detajet në Qendrën e Trashëgimisë Botërore, për vlerësim nga organet këshilluese, para fillimit të çdo pune;
9. Gjithashtu, kërkon që shteti palë të ftojë një grup monitorimi nga Qendra e Trashëgimisë/ICOMOS për të vlerësuar gjendjen e përgjithshme të konservimit të pasurisë, përparimin në menaxhimin e saj dhe nëse kriteret për përfshirjen e mundshme të pasurisë në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik janë plotësuar;
10. Kërkesë e mëtejshme ndaj shtetit palë është të paraqesë në Qendrën e Trashëgimisë Botërore, nga 1 shkurt 2013, një raport progresi për zbatimin e sa më sipër, për shqyrtim nga Komiteti i Trashëgimisë Botërore në sesionin e tij të 37-të në 2013-n.
Alma Mile - Panorama
Krijoni Kontakt