Radio Kosova e Lire, 13 gusht 2011

Grupi Ndërkombëtar i Krizave ka botuar një raport në lidhje me marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni, ku Qeveria e këtij vendi fajësohet për të gjitha trendet negative. Në raport theksohet se Maqedonia është më stabile pas arritjes së Marrëveshjes së Ohrit, por tensionet politike dhe etnike janë në rritje. Gjithashtu, raporti përshkruan rritjen e nacionalizmit maqedonas, mbizotërimin e kryeministrit dhe partisë së tij në të gjitha institucionet kryesore të shtetit, rënien e lirisë së medieve dhe gjyqësorit, rritjen e segregacionit nëpër shkolla dhe ngadalësimin e procesit të decentralizimit, gjë që ka shkaktuar minimin e shtetit multi-etnik qytetar. Në të jepet sugjerimi që udhëheqësit politik në Maqedoni duhet të arrijnë një politikë të përbashkët në frymën e Marrëveshjes së Ohrit, zbatimi i së cilës ka rëndësi jetike për qëndrueshmërinë shoqërore dhe harmoninë etnike. Analisti i GNK-së, Naim Rushiti ka vlerësuar se Qeveria në vend të harxhimit të parave për projektin grandioz nacionalist, duhet të ketë si përparësi arsimin, decentralizimin dhe zbatimin e ligjit për gjuhët. Analisti tjetër, Marko Prelec ka pohuar se kryeministri Nikolla Gruevski duhet të punojë me partnerin shqiptar të koalicionit dhe opozitën për të sjellë ligje që forcojnë demokracinë, sundimin e së drejtës dhe marrëdhëniet ndëretnike.