Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 1
  1. #1
    i/e larguar Maska e Traboini
    Anëtarësuar
    09-12-2003
    Vendndodhja
    East of Las Vegas-West of Atlantic City
    Postime
    389

    Si polemizonte At Gjergj Fishta me ateistat ant-katolik

    Pas shpalljes se pamvaresise, per te cilen kleri katolik shqiptar kishte investue me shekuj gjithcka, ne vend se te falemnderohen per kete, fryma ateisto-komuniste vec kishte fillue te zene vend mes intelegjences shqiptare te kohes dhe kishte vu ne shenjester klerin katolik. Kleri katolik i Shkodres ishte elita intelektuale e shtetit te ri, e drejtuar nga Pater Gjergj Fishta, Don Ndre Mjeda, Gjon Shllaku )doktor shkencash me diplome nga Sorbona), Don Ndoc Nikaj, At Anton Harapi etj. Permes "Hylli i Drites" qe ishte botimi me i lexuar i kohes dhe shtypi ma me influence ne Shqiperi Pater Gjergji u pergjigjet sulmeve...Lexoni poshte...[QUOTE][Tradita/Kisha Katolike ká trajtue kulturen okcidentale

    1. Shakllabanat afetarë të Shqipnís
    Do kulima, ngrehaluca të kqi - djè dalë prej shpergâjsh; do pseudo-profesora e pseudo-doktora, analfabeta e semi-analfabeta, ngallitë neper “kursa të shpejtë” si kpurdhat në shí; do ftyrë-fodulla vagabondash, sallahanash e derbedera muhaxhirësh, nenshtetas adoptiv të Shqipnís - pak e aspak Shqiptarë - e llaca të zdraluem logjash masonike; kshû edhè njadisa nder atà teneqexhít, kallajxhít, hallvaxhít, nallbanat, kasapët, matrapazat, që sod me sod, me gjith ktà që po ká qesát punet, atà po kan fatin e bardhë me rrue petulla e pogaçë, na janë ngrefë per okcidentala të lmuem e të pipiriquem, e pa pasë kurrnji vehtí okcidentalizmit m’vedi, posë nji kravatet - si bisht micet të percullueme - që u vjen per rreth fytit, në vend t’atij konopit të karmanjolles, prej të cilit s’dihet si e shumta e tyne ká mûjtë me pshtue... na pshtyejn n’e djathten e t’errmakten fjalë të mdhaja kulturet e perparimit, thue se vertè ktà kan prekë qiellen me dorë per kah msimi e dija. Ardhë prej shkretívet të zharrituna t’Azís, na fla¬sin mbí lirí; dalë prej bordeleve mâ të poshterm t’Europës, na predikojnë moralin; kan çue per treg disa arka vojgurit ngarkue me voë në Bari, Trani, Brindizi, Ostuni etj, ose kan bartë ndo¬nji strajcë korona serm kontrabandë, e na mbahen se dinë Ekonomí Politike; dér djè kan shitë bozë, e guksojnë Filozofí; ndoshta vjetin 1914 me pare të huej paten rrenue Shqipnín, e sod na shi¬ten per atdhetarë të flaktë e nacjonalista të perculluem prej va¬pet të dashtënis kombtare, sa mos me dashtë me poltisë as kapita¬let e hueja, per me nisë ndoj punë në vend. Me “hallvë nder veshë” e me nji shqipe ibride, ekzotike, barbare makerono-kalime¬ro-devetikozhe kan mâ teper, guximin të na perplasin perpara aforiz¬me e paradigme gjûhsijet, po si të kishin kullotë të gjith shtrajcen e Filologjís s’Berlinit e të Vjenës, jo mâ se të gjith kultura e tyne e studjimet, që kan bâ mbí leteraturën e gjûhë, permblidhen m’dy a trí tabela të thyeme e m’ndonji divid të kputun në ndonji ruzhdije a në ndonji shkollë fillore të shkatrrueme, prej të cilavet, ndoshta, edhè kan kenë perzanun para kohet, si mo’, Zot, mâ keq per të mjeren moj Shqipní, që dok¬rrat e pallavrat e tyne mâ të shumten e herës do t’i peshojnë me ár - me ár të kulluet! Por ká pasë thanë i moçmi: në dhé të verbtë kullosin kualt e shkeptë...

    Sa per vedi, na kurrkund s’e kemi pasë nder mend me u vû shêj kopallave të ktyne shakllabanavet të Shtetit shqiptár, pse e dimë mirë sa pare u bán gjaku, e se ç’brumit e ç’kallepit janë. Veç se, tue vû n’oroe që nder sa shtâzësi, që qet goja e tyne e lashtë, âsht edhè kjo: “Feja pengon perparimin”, as né s’po na bâhet me ndêjë sod pa zâ, pse mbahemi e jemi - si kemi kenë gjithmonë, pionjerët e fés e të s’vertetës. E vertetë që fjala “fé” në gojë të tyne, si azjatiko-ballkanikë, që janë msue gjithmonë me luejt me kuptim të fjalvet - mundet me shenjûe “peparim”, “kulturë”, e fjala “perparim” mundet me shenjûe “fé”, “besim”: kshtû që thanja “Feja pengon perparimin e popujve”, mundet me u kuptue edhè se kultura pengon besimin; me gjith kta, tue kenë se shumica e madhe e popullit at thanje e merr mbas kuptimit lite¬ral, edhè tue kenë se në Shqipní po ká nji fé që quhet e krishtenë e që dishmohet prej nji pjeset të madhe të kombit shqiptár, na ktû po himë me u diftue shakllabanave tonë se Feja e kshtenë, mos tjeter, nuk pengon perparimin e popujvet pse shi Kisha Katolike kjè njajo që ká trajtue kulturen okcidentale. E mbasì ktyne shakllabanave semi-analfabe¬ta të Shtetit shqiptár nuk mund t’u gdhendet rrashta me argumenta Filozofijet, pse nuk janë të zott me kuptue as terminologjin e saj, na ktû do t’u bimç krés me maj të Historís e të kriterit t’autoritetit, që mâ kurr mos të guxojnë me thanë n’emen të dijes, se Feja e kshtenë pengon perparimin e popujvet. Flasim ktû vetëm per Kishen Katolike, pse në kensí të permbren¬dshme e në Historí të besimevet tjera na mungon kompetenca.
    Por, para se të nisim me rrahë ket çashtje, duem ta tërhjekim vremen e lexuesvet zemer-bardhë tonë mbí nji punë randsijet të madhe fort - Populli i vogel, sidomos në Shqipní, mâ të shumten e herës mendon, se atà, që flasin kundra Fés, janë njerz të diejshem e të nderuem nder të mdhaj të ksaj bote. Por gabohen keqas. N’ Enciklopedi Franceze kndohen kto fjalë: L’arreur des athées vient nécessairment de ces sources: 1) de l’ignorance et de la stupiditè... de la debauche et de la corruption des meurs, që shqip duen me thanë kta: atà që flasin kundra Zotit e kundra Fés janë karabullakë të shtypun kah mendja, e njerz faqezes e të poshterm. Âsht mirë, po, që populli shqiptár t’u veje shêj ktyne fjalve t’Enciklopedís Franceze, e ci¬la, si dihet, nuk âsht nji liber uratesh, shkrue prej Meshtarve katolikë...
    2. Historija e perdhosne prej njerzve të patenzonë
    Thamë sypri, se shakllabanave semi-analfabeta të Shtetit shqiptár do t’u bimë krés m’maj të Historís, pse kurrgjâ mâ teper se Historija nuk i kalamend kundershtarët e Fés e të Kishës Katolike. Veç shka se do diejt, që në ket pikpamje si edhè nder shum do çashtje tjera, sidomos ç’me kohë të Voltaire e tektej, Historija ká kenë perdhosë teper prej të patenzonve. I permenduni politikan, letrár e deputet francez Cleret de Tocqueville pat thanë nji herë: Ngrehnje m’vend të vet dijen historike,e keni me qitë n’shesh madhnín e Kishës Katolike. Ktij mendimit kjè edhè vetë Bismarck-u, i cili, mbas 17 vjetsh luftet të rreptë që i bani Kishës Katolike me “Kulturkampf”, e njofti gabimin e vet edhè me 9 Maj 1884 deklaroj në parlament të Berlinit, se ká njiqind vjet e mâ se shkrimtarët liberala kan ndêjë tue ja perhapë botës ndodhí të rrêjshme historijet. Prandej aj paçarizi liberal âsht fort mâ i rrezikshem se socjal-demokratët. Me Bismarck-un pelqen nder mendime edhè i permenduni histo¬rjograf protestant V.Meuzel, i cili shkruen: “Të shtrembnuemt e të perdhosunt e Historís né na ká bâ nji dam të madh, edhè krejt na ká koritë; madjè mâ teper, as dihet se kúr kto rrena kan me sosë nji herë. Edhe s’âsht per t’u çuditë, pse si me shum arsy shkruen H. Hettner në veper të vet “Historija e të 18 qindvjetë”: “Âsht koha, thotë, që ta njofim e të rrfejmë, se të gjitha shkrimet tona mbí Historí fillin e vet e kan drejt per s’drejti prej Voltaire”.
    Tash të dihet mirfillit, se kush ká kenë Voltairë. Ky në të rít të vet, tue u gjetë në London, bani nji bé të madhe fort, se të gjith jeten e vet do ta shkrête, per me rrenue Kishen Katolike, edhè ben e mbajti tue botue qinda librash e broshurash kundra ksaj Kishe. E se me ç’frymë e shpírt drejtsijet e të vertetet i ká botue kto vepra, merret vesht prej ktij parimit, që i ká pasë vû vedit e miqve të vet: “Mentez, mentez, mes amis, mentez pour la bonne cause”. Rreni, rreni, miq të mi, rreni per t’i dalë qellimit të mirë në krye. E “qellimi i mirë” per tê ká kenë: rrenimi i Kishës Katolike. Edhè kaq fort Voltaire ká rrêjtë, sa që Faguet thotë: “Voltaire rrenë, ashtû si rrjedhë uji pa da”. Montesquieu prap shkruen: “Ká gjasë se Voltaire âsht njaj nieri, që në nji kohë mâ të shkurten din me thá rrena mâ shum se kurrkush tjeter”. Shifet, pra, kjartas se mbí çfarë themelesh kan ndertue vepren e vet kundershtarët e Kishës Katolike. Na lozim me kusht, se kurrkush nder ktà shakllabana analfabeta e semi-analfabeta të Shtetit shqiptár s’ká kndue me thanë nji liber Historijet mbí çashtje të Fés e të Kishës, e se, shum me thanë, aforizmet e veta antifetare e antikishtare i pshtesin mbí ndonji feuilleton a mbí ndonji trafiletto të lashtë e krejt palaví të njanës a të tjetres fletore të poshterme socjalistash, anarkístash, nihilistash e tjerash ksì brumit të sokaqevet e të latifondevet mâ të ndyeta të qytetevet t’Europës. Prandej fjalët e tyne nuk janë të themelueme kurrsesí mbí dije: janë kryekput kopalla kopukësh e sallahanash mendje-shtypun e të shnjerzuem.

    3. Dishmitë e kundershtarvet
    Por e marrim me mend, po, se sallahanat e shakllabanat analfabeta e semi-analfabeta tonë - majmuna megallomana okcidentalizmit - kan me shtrembnue buzen, kúr kan me ndîe kto fjalë tonat, e kan me thanë, se“Hylli i Dritës” nuk mundet me folë ndryshe, tue kenë se âsht i mbajtun prej Meshtárësh katolikë, e se prandej âsht nji organ fanatizmit fetar. Anì kush do me ja njitë njollen e fanatizmit “Hyllit të Dritës”!... Por po e lamë ket fjalë per nji tjeter herë, mbasì edhè fjala ,,fanatizm” në gojë të lashtë të tyne mundet me pasë edhè ndonji tjeter kuptim, posë atij që ja jep fjalori i pergjithtë. - Na ktû nuk diskutojmë n’emen të dogmevet fetare, por n’emen të dijes e të Historís: prandej âsht kot me u strukë mbas so¬fizmesh e bizantizmesh e mbas fjalësh dykuptimçe. Çashtja âsht kjo: a âsht e vertetë, a po a jo, se Kisha Katolike ká krijue kulturen okcidentale, e se prandej Feja nuk pengon perparimin e popujvet? Ktû të na pergjegjen sallahanat e shakllabanat tonë, e të shporren “fanatizmit” pse edhè e diejm se sa peshen mund ta çojë në kandár të dijes fjala “fanatizm”, në gojë të tyne. Na thomë, prá, se vertè Kisha Katolike ká krijue kulturen okcidentale, edhè ket fjalë, per me davaritë prej nesh çdo hije fanatizmit e idésh të paraperftueme, para se të himë me shkoqitë entitetin e çashtjes, duem me ja u vertetue lexuesve tonë shi me atò dishmitë e kundershtarvet të Kishës Katolike. Pozitivisti francez Hipolite Taine, të cilin perfaqsuest e kritikës s’ksokohshme e mbajnë per “Aristotel të rí”, mâ se nji herë ká deklarue, se popujt e Europës qytetnín e kulturen e vet do t’ja dijnë per ndér katolicizmit, edhè ká folë me shum entu¬zjazm per Klér e per vepren e madhnueshme kulturale të Kishës Ka¬tolike, aq sa që kjo paansí e burrní e tija i pat shtî shum kujdès liberalizmit antifetar. “Kurrnji fuqí tjeter kulturale, thotë nder sa tjera, s’mund të matet me kristjanizm. Nuk mund të çmohen si duhet e sa duhet të mirat kulturale të Fés s’krishtene, e cila ká reshë në shoqní të njerzimit butsin e zemrës, urtín e jetës e njerzín, e që mban gjallë në tê nderen, erzin, besen e drejtsín. Në ket kuptim flet edhè nder shum vende tjera të vepravet të veta historike , tue thanë se vetëm Kisha Katolike, me fuqí të veta kulturale, mundet me i bâ popujt per njimend të lum. E pran¬dej ven oroë se popujt e krishtenë janë mâ zemergzueshem se tje¬rët, e se per ket arsy Shtetet e sodshem munden me punue per dobí të popujvet vetëm me ndihmë të kristjanizmit e të Kishës Katolike. Kshtû e mendon punën edhè aj bajraktari i konstitucjonalizmit të ksokohshem, Montesquieu, i cili ká lanë të shkrueme kto fjalë në shêj: “Chose admirable! la religion chrétienne, qui ne semble avoir d’objet que la felicité de l’autre vie, fait encore notre bonheur dans celle-ci”. Çudi! Feja e krishtenë, per të cilen kishte me u thanë se ká per qellim lumnín e asaj jetës tjeter, na bán të lum edhè në ket jetë. E me gjith ktà do semi-analfabeta ftyrë-qerepa të Shqipnís guxojnë me thanë, se Feja pengon perparimin e popujvet! Por edhè Byron ká pasë shkrue: “Dishiroj që ime-bí të bâhet katolike”; si edhè Rousseau në Emile thotë, - mbasì ká njehë nja¬disá nder msime të para e themelore të Fés e të moralit të krishten: “Ces dogmes... sont ceux qu’ il importe d’enseigner à la jeunesse et de persuader à touts les citoyens. Quiconque - ndîeni, shakllabana të Shqipnís! - quiconque les combat, mérite châtiment sans doute: il est le perturbateur, de l’ordre et l’ennemi de la societé”. Mbas mendimit të Rousseau, pra, të gjith njatà që edukaten e të rívet nuk e pshtesin mbí parime e dogme të moralit besimtár, janë turbulluesa të qetsís e anmiq të kombit: “il est le perturbateur de l’ordre e et l’ennemi de la societè”. - Kish ta diej se shka do të thonë per kto fjalë do vetëthanun pedagogë tonë, kopjatorë programesh shkollore, me moral të themeluem mbí rrypa letrash, thupra shpor¬tash, llastra teneqet, thue se pernjimend të gjith Shqiptarët do të bâhen kafexhí e bozaxhí, që me pasë domosdo nevojë per shporta filxhanash e ibrikë bozet... Ktû po na bjen nder mend njajo vallja popullore, që thotë: Krushka-madhi i hollë e i gjatë, - Rrí n’zanát që t’la yt-atë... Edhe vetë, po, shkrimtarët protestant, në nám e në zâ per dije e leteraturë, dishmojnë se Kisha Katolike ká trajtue kulturen ok¬cidentale. Na ktû, mbasì shtìlli i s’Perkoshmes nuk na len me u zgjatue per s’tepermit, po bimë emnat e fjalët e njanit a të tjetrit shkrimtár protestant, që të jenë mâ të permendun e mâ modern. Nuk ká shum vjet që neper shtyp t’Europës bani bujë të madhe deklarata e profesorit universitar, doktorit Karl Schell. Ky burrë i permendun botoj në perkohshme fort të hapne ”Preussiche Jahrbücher” nji artikull, i cili tur¬bulloj per s’tepermit atà protestant, që nuk i gjykojnë punët objek¬tivisht e me të drejtë, si Karl Schell.
    Mâ së parit flet mbí veprim kultural të Kishës Katolike në mjes të kombevet të reja t’Europës ç’m’fillim të kohës s’mesme, e si Harnacku, rrfen edhè ky se aj veprim reshi shum të mira e suell mbarë jeten e popujvet. Kisha u bâ, thotë, pernjimend “nanë e kombevet” edhè në mjes të fisvet t’Europës “vepra e saj kulturale u kap kaq nalt sa s’e mban në mend Historija per veper të ndonji institucjonit shoqnor tjeter”; pse Kisha “kje njajo që ia vû themelet kultures europjane, e pse shi kjo Kishë kjè edhè që dér protestanizmit i dha jo vetëm dogmet e organizimin kishtar, por edhè mentalitetin e moralin. Kah mbarimi shkruen kto fjalë nji randsijet të madhe fort: ”Kisha Katolike sidomos e ká me perlim me edukue popujt e me rregullue njerzimin. Ajo ká lé, të thuesh, me kenë pedagogia e msuesja e botës”. Të vîjnë tash semi-analfabetat tonë e të na thonë, se “Feja pengon perparimin”, se kshtû “fanatizma”(!), se ashtû “humanitarizma”(!), jo “shkolla afetare”, jo “morali mbí kombsí” e tjera kso kopallash të stereotipueme e të qituna në harresë prej intelektualve, që janë pernjimend intelektual, si ky protestanti Karl Schell, pro¬fesor universitetit, e si aj tjetri protestant e historjograf i permendun i Francës, Fr. P. Guizot, i cili shkruete: “Âsht nji fakt i patundshem, që të gjith zhdrivillimi intelektual e moral i Europës themelohet mbí Teologjí katolike”. Nji mendimit me autorë sypripermendun âsht edhè literati nervogjez, protestanti Sater, i cili ká botue në perkohshmen norvegeze protestante “Varden” (15 Dhetuer 1907), nji studim historík fort të thellë e t’interesantshem. Nder sa fjalë tjera thotë edhè kto: ”Për në daçim me thanë të verteten, do të thomë, se Kishës, Kishës Katolike do t’ja dijmë per ndér at themelin e fortë të kulturës, mbí të cilin na sod mundemi me ndertue... A nuk âsht mâ e drejtë që ta rrfejmë ket punë, se sa me u shtî se nuk e dijmë?”. Qe si flasin njerzt pernjimend të dijshem e të drejtë. Mbasí, pra, ktû nji herë e vertetuem tezin tonë me dishmi të kundershtarvet, tash po himë n’entitet të çashtjes, edhè me Historí në dorë po u diftojmë “bihudeve” të Shqipnís se vertè Ki¬sha Katolike ká trajtue kulturen okcidentale, e se prandej nuk âsht e vertetë, se Feja pengon perparimin. Merret vesht prej vedit, se, kúr thomë: bihudet e Shqipnís, shakllabanat e Shqipnís, kuptojmë vetëm njatà mistreca Shqiptarë fatzez, që, pa nji edukatë të mbarë e pa kurrnji msim e dije, kan guximin me qitë poshtë me fjalë Kishen e parimet e kulturës s’kshtenë; por nuk flasim, jo, per Shqiptarë shkollet, që kan nji kulturë mjaft të hijshme e janë të zott me trajtue nji opinjon të vetin, sado që ktà mos të jenë nji mendimit me né nder të gjitha çashtjet fetare e kulturale. Ktà na, jo veç se nuk i poshtnojmë, por, mâ teper, i çmojmë, e e mbâjm per nderë me diskutue me ta mbí kso çashtjesh të kunderta; pse mendojmë që atà kundershtimet i bâjnë me të mbushun të mendjes, e jo per modë, si atà bihudet e Shqipnís, pseudo-profesora e pseudo-doktora mejhanesh e sokaqesh; si e difton fakti, që njani nder ta - sigurisht nder mâ të zott, por edhè mâ i largti, ndoshta, me mendime prej nesh - i ká dalë zot në parla¬ment tonë Klerit katolik, tue kenë se âsht i zoti, prej kulturet që ká, me dishmue të drejten, kudo që ta shofë. Prandej “Hylli i Dritës” numer per numer ven në dispozicjon t’intelektualvet të vertetë të Shtetit shqiptár 10 faqe të shtìllit të vet, që edhè kta, të bazuem gjithmonë mbí parime shkencjake, mund të shfaqin mendimet e veta mbí kso çashtjesh religjoze e kulturale, pro a contra nesh që të jenë. - Mâ teper deklarojmë edhè se na nuk i mbâjm per muhaxhirë atà Shqiptarë të ngratë, që kan pasë fatin e zí me u rá vendi nen sundim të huej, e që prandej kan dalë vendit të vet, tue luftue si burrat: ktà na i mbâjmë per veteran të lirís kombtare. Ma teper, na merr mendja se ndokush - ndoshta edhè prej radh¬ve tona - ká me u çuditë ndopak per ashprim të stilit, që perko¬shmja e jonë ká perdorue ksaj herë ndaj kundershtarët e parime¬vet besimtare e kulturale të kshtena. Por do të davaritet çdo çudi e tyne, kúr t’u thomë, se shemblla ksì stili t’ashper gêjmë, jo veç nder autorë profâj, por edhè në Shkrim Shêjt e nder vepra t’Etenvet Shêjten e Dijetarë të Kishës. Kshtû, b. f., i lumi Jezu Krisht Herodin e pat quejt dhelpen - dicite, vulpi illi; per Farizej pat thanë se janë genimina viperarum - zogj bollash; kúr Sh’Pjetri muer me e kshillue, që mos të diste m’kryq per njerz, i thotë: Vade retro, Satana; quia scandalo mihi es. - M’u hiq, eh! djáll; mos m’shtje në të keq. Sh’Pali, mandej citon kundra Kretezvet vjershen e nji poetit të tyne, që thotë: Cres semper mendax; mala bestia, venter piger. - Kretezi rrenc gjithmonë; shtâzë e keqe, planc i papunë. E kúr Marcjoni i patenzonë pveti në qestí Sh’Ignacin Martir: “A m’njef?” “Po si”, i pergjegji Shêjti; “e njof të birin e dreqit” - Cognosco primogenitum diaboli. Por edhè Sh’Hjeronimi quen qena kundershtarët jo aq të fés, sa të vepravet të tij letrare - Canes mei. Mâ teper, i lumi Jezu Krisht, tue pá se tempulli i Jeruzalemit ishte bâ pazár prej njerzve të kqi, aj, që ishte zemer-butë e i pervûjtë - mitis et humilis corde - e që kishte msue me dashtë edhè anmikun - Diligite inimicos vestros - s’u tha, jo, atyne njerzve të kqi: Venite, benedicti Patris mei; por muer nji kamxhik në dorë e pa i pvetë se kû u dhimbte a kû u digjte, filloj me t’i rrahë pa kurrfarë mshiret, per arsye që ktà kishin poshtnue kishen e Tenzot. Kurrkush, pra, n’dashtë mik, n’dashtë kundershtar i jonë të jét, nuk do të çuditet pse edhè na, tue pá ke, vendetes oves et boves - kasapë, matrapaza, planca të papunë duen me na hî nder punë të fés e të kulturës, rrokem në dorë kamxhikun e fjalës e të sarkazmit e ja u njeshem qafës e veshve, që sod e kurr mâ mos t’u bjerë nder mend karabullakve mendje shtypun me thanë n’emen të dijes: Non est Deuss, s’ ká Zot - e se Feja pengon perparimin. Se atà që prej nesh kan ndîe se ká Shqipní, se Shqipnín Zoti e ká falë per Shqiptarë, të ngrifen sod e të na flasin fjalë të mdhaja nacjonalizmit e atdhetarizmit, ktà baret e s’baret, por që do vozga mastiket e kompjona “zaresh” të kenë guximin me na folë mbí fé, mbí moral, mbí parime kulturale, e ktà me nji krení të ndyet e të neveritshme, per tamam që na, që per fé e atdhé kemi derdhë edhè gjak, nuk mund ta barim pa zâ e me sy perdhé, si, ndoshta, mund ta mendojë ndokush. Jo që n’e mbramët na kurrgjâ mâ teper nuk kemi thanë në ket artikull per do fatosa llafazana mejhanesh e llomshtí sokaqesh, se âsht thanë në parlament të Shqipnís per Klerin, per të cilin Lamartine thotë: ”Le sacerdoce est une presumption legitime de vertu (Vie de Bossuet). Jo, po; në parlament tonë, si mundet me u vertetue prej procesverbalevet, Kleri âsht quejt tradhtár, gopçar, fanatik, intrigant e s’diem shka tjeter; pse, prá, tash na do të flasim në dorsa të bardha e m’maje të pirunit, si thonë, per sallahana, shakllabana, vagabonda, pseudo-profesora e pseudo-doktora të Shqipnís, sado që na as per s’largut nuk bâjm aluzjone njerzish a personash mo¬rale?... A mos të kenë privilegje të posaçme, ndoshta, vagabondat e shakllabanat antifetarë në Shqipní? N’paçin, të na i qesin në shesh. Duem, po, që ta hjekin masken e të njifet per shka janë, e mâ teper, të na thonë se shka duen. Sa per vedi, na po u dekla¬rojmë, se kurrkund nuk e kemi në mend me u bâ shkambi as mâsha e kujë: duem me kenë krahu i djathtë i Shtetit shqiptár, sidomos në të perhapun të kulturës në Shqipní, per të cilen punë kurrkush s’mund të na mohojë kompetencen e vullnesën e mirë. Per shka i perket stilit të ktij artikulli, mandej, na po ja u shtiem nder mend lexuesve zemer-bardhë tonë at fjalen e poetit latin: Fecit indignatio versum - Duel prej pezmit vjersha. - Idhnohet katrovaxhijanë m’nji copë botë, pse s’i njeshet si duhet anës që ká per doret ; idhnohet samarxhja m’nji dujë byk, pse s’i shtrohet mirë samarit: secili n’ushtrim t’atij zanátit të vet. Idhnohemi na m’çarlatanizem antifetár e m’vagabondazh anitikombtár, pse fén e atdhén i kemi zanát. S’âsht, pra, per t’u çuditë per ashprim të stilit të ktij artikulli. Stili ulet a ço¬het mbas objektit, që shkruesi do me tregue. Tash, tue pasë vû na m’krye të ktij artikulli paragrafin Shakllabanat afetarë të Shqipnís, a pernjimend i ve mendja kujë, se do të na ishte dashtë me fillue me nji Arma virumque cano të Virgilit, ose si Danti: Nel mezzo del camin di nostra vita, a po me atê të Faustit: Ihr naht euch wieder schwankende Gestalten...

    4. Burimet e para të kulturës europjane
    Po të vem n’oroe ligjët, po të shqyrtojmë monumentat e leteraturës, po të kundrojmë tempujt, amfiteatrat, termet, shtyllat, rruget e gjithshkà që perb]âte at peshen e randë e të perfrigueshme të pushtetsís romake, shofim se jo veç Roma kjè qendra e të gjith livizjes s’jetes shoqnore t’asaj kohe, por kjè, si me thanë edhè epilogu i të gjith kultures e i qytetnís s’perparshme, tue fil¬lue m’atê të Grekvet e me dalë m’ato t’Egjyptjanvet, t’Asyrvet, të Kaldejvet, të Babilonasvet e dér në mâ të largtat mote prehistorjake, të cilat edhè kto, mbas vendit e aftsís së popujvet, kishin pasë kulturë e qytetní të perparueme, si dishmojnë pomendoret nder kohë tona, aty-ktû, të zblueme. - Fjala, po zamë, e nji urd¬hni, ajo ishte në gojë të Ciceronit, sa me bâ me u eshtë boten e atëhershme, e njiherit ishte edhè nji shembull tipik bukurijet letrare, perpara të cilit edhè mbarë bota e sodshme bindet. Por Fori u bâ rrah, Kapitoli mbet nji muranë gursh, u shemb Se¬nati, eshten Konsuj e Bruta, e Katonë, e Cezare, perpara të cilve ishte dikúr njerzimi, u zhdukën, e me ta u zhduk edhè Roma, e pushtetsija rromake shuejti - shuejti pergjithmonë nen curra e zhavella të nji Koloseut të shkatrruem e nen kufomë të kalbtë t’asaj madhnís s’vet të perfrigueshme. Po kultura romake - fryti, djersa e qinda e mâ kavaljetash, ndoshta - ajo, edhè, thue, pergjithmonë do të shuete nder errë¬sina të shpeshta të nji harrimi, që dhimbë e mshrirë nuk njef? Jo, prá, jo! Nen krisme e rropame të kolosit romak që po zhdukej, dishkà atjè nder angra të Dheut - nder katakombe t’elmashkta të qytetit të Romës po lvitet, po perpiqet e me shpërthye po do perjashta mbí ftyrë të tokës s’mjerueme e në zí të mberthyeme: âsht Kisha Katolika, që, si ajo lulja prej voëset jetdhanese të nji aj¬rit të rimë, prej gjakut të vet po ngallitë e madhnueshme mbí rrenime të pushtetsís romake, e që, me nji zâ të fuqishem që u ndîe kah lén e perendon, u thotë të gjith bijvet të nierit: “Estote perfecti, sicut Pater vester caelestis perfectus est - Të jeni të per¬kryem (perfecti) pse “aj Ati qielluer i juej âsht i perkryem[8] - edhè me dorë kujdestare të veten - si ajo bleta lule m’lule - nisë me herrë e me bashkue prej rrenojave të dolmevet, të termevet, t’amfiteatravet e prej rrasavet të dyllta e papiravet të gerzhatun at harmonín e vizavet, at njomsín e thanjevet, at thellsín e dijes e bukurín e artevet romake, neper të cilat Ro¬ma, edhè m’atëherë si sod, ishte Caput mundi - kryet e Rruzullimit. Edhè m’atëherë ndrroj ftyrë bota. Geni i Helades e i Romes u ngjallë në nji jetë të ré, e zêja e nji Demostenit e e Ciceronit u shfaq edhè nji herë e shkelqyeme m’Krisostomin e m’Augu¬stinin. “E kshtû, me nji të kuqlimtë të madhnueshem të nji prendi¬mit të diellit, sosi dita e kombit grek”.

    Nder rreze të gjenívet ksì perpjestimi, qe se po nisin me u endë - si hana ravës kjumshtore të qiellve - atà hyjt e shkelqyeshem të cilëve u thonë: Athanasius, Basilius, Ephrem, Gregorius Nazianzenus, Gregorius Nyssenus, Hieronymus, Hyllarius, Ambrosius, Boëtius, Paulinus Nolanus, Juvencus, Cassiodorus, Prudentius - e po kush mund t’i njehë tash ktû emen per emen? - të gjith kolosa dijet e Atlanta të rí, të zott me bartë mbí supa të krahvet të vet - si atà gurt granitik të nji pellazit të madhnueshem - peshen e asaj kulture, që dikúr do të quhej ”okcidentale”. Nder mija e mija monasteresh e kuvendesh rregul¬ltarësh - vetëm Benediktin, prej VI qindvjetë e mbrapa, kan mbrrîjtë me pasë n’Europë 30.000 monastere - nisen me pershkrue tekstat e filozofvet e të klasikvet të hershem, edhè mbí landë të kulturës pagane me shartue - si filizin e butë m’trup të nji lan¬de t’eger - idealin e krishtenë të madhnueshem, prej të cilit do të bulojshin lulet e erandshme e do tú piqshin pemët e ambla të kulturës e të qytenís s’krishtenë a okcidentale, si të dueni m’e thanë. - E pra, shka nuk thonë kundra rregulltarve katolikë pseudo-profesorat tonë, merret vesht, n’emen të dijes e të historís! E qe se në rrymë të gjith ksaj rrezje e të gjith ksaj drite të ktij diellit të rí të kulturës okcidentale ktû po mbin Homeri i krishtenë, Dante Allighieri; atjè po ngallitë So¬fokli i motevet të reja, Wiliam Shakspeare; m’an¬dej, ndermjet ferravet e morrizave t’ironís e të satirës - si pir¬gu gotik i mjeskohshem ndermjet hîthave e madergonës - po nçohet madhnueshim Servantes; e po shkelqanë nji Michelangelo Bonarrotti, nji Rafael Sanzio, nji Morillo, nji Leonardo da Vinci, Bruneleschi, Bramante, Palestrina e sa tjerë emna të pa¬dekshe e gjení të hyueshe, si atà Plantona e Aristotela e kristjanizmit Alberti i Madh, Akvinat Bonaventura, Skoti etj, mendja e kthjellt e të cilvet depertoj thellsít mâ të msheftat e Filozofís e të Teologjís. Báll perbáll të Koloseut të Flavít po ngrifet në Vatikan njaj mal arit e mermerit, që âsht kisha e Shën Pjetrit, me at kupolë të madhnueshme, me atò shtylla të shkathta, me atò lemâje, si ylberi i qiellve; po ndertohet ki¬shta e Shen Palit bukurí, thue, se âsht nji hajat Parrîzit; po lshohen kah qiella katedralet e hjedhta të Reims, të Notre Dame të Parisit, të Westminster (Westminster Abbaye) të Londrës, të Kölnit, edhè kryhet ajo e tetta mrekullí e botës, që âsht il Duomo di Milano, prej kulmit të cilit statua e Virgjines s’hyjnueshme ambel zotnon mbí fusha të gjana e të plleshme të Lombardís. Jo, po, as dielli pá nuk ká, as hana s’ká soditë, historija edhè nuk mban në mend nji veper kulturale mâ të madhnueshme se ajo, që Kisha Katolike ishte tue ndertue n’Europë. Nxirr, po, prej muzéjve mâ të mdhej e mâ të permendun t’Europës shka dalta gdhendi e peneli ravizoj mbas atij i¬dealit të Kishës, e ty s’ká me të mbetë tjeter veç muret e thata e do statue të cungueme t’Akropolit a të Forit Romak. E pá edhè ndjeu dér m’shpírt madhnín e ksaj vepre kulturale të Kishës Katolike historjografi liberal ingliz, Macalay, edhè me entuzjazëm shkroj kto fjalë, per njimend të dêja me u vû në shêj: “As s’âsht mbí tokë e as kurr s’ká kenë nji veper politiket njerzore, që të jetë e dêjë per studijm, sa Kisha romano-katolike, historija e së cilës lidh dy moshë të mdhá qytetnímit: moshen jetike e boten e ksokohshme . Nuk ká n’Europë nji institucjon tjeter, që të kapet dér m’ato mote, kúr tymi i flívet nçohej prej Pantheonit e tigrat e gjirafat u hidhshin neper ranë t’Amfiteatrit të Flavit. Gjenealogjít mâ krenare të mo¬narkvet perballë t’asaj radhës s’gjatë të Papvet të Romës, janë, si me thanë, të djehes... Kisha Katolike ká pá fillesen e të gjith mbretnivet e të gjith institucjonevet religjioze, që gjinden sod mbí tokë, e ndoshta ajo ká me pá mbarimin e të gjithavet. Ajo kjè e madhe e e pushtetshme para se Saksoni të kishte vû kambë n’Britanje, para se Frangu të kishte kalue Renin, e e¬lokvenca greke nuk ishte shue shqimi n’Antioki. Pa u veshkë kurr, mundet me u thanë se ajo ká me kenë gjallë edhè atëherë, kúr shtegtari i Neuseeland të ndalet kund në nji shkretí të haptë brî ndonji kambet uret të rrenueme të Londrës, per me ravizue rrenojet e kishës s’Shën Palit. Kúr mendoj tallazat e perfrigue¬shem, neper të cilt u pershkue e pshtoj gjallë Kisha Katolike, kurrkund nuk e shof mnyren, neper të cilen kjo mund do të rre¬nohej. Kjo kishë âsht pernjimend kryevepra e dijes dhe e urtís njerzore. Por edhè anmiku i rreptë i Kishës Katolike, Ad. Harnack, âsht i ngushtuem me rrfye, se “Kisha Katolike âsht ajo që ká edukue popujt. Ajo u ká dhanë popujve të rí kulturen e kshtenë, e jo dhanë per do kohë vetëm, e që të rrite gjithmonë m’nji kambë shkalle, por u ká dhanë popujve nji kulturë, e cila mundet gjithmonë me perparue e Kisha vetëm i ká prî ksaj kulture”. As vetë i ati i pozitivizmit modern, August Comte, nuk mûjt me mohue, se Kisha Katolike âsht ajo, që ká trajtue kulturen okci¬dentale, pse shkruen në nji vend edhè aj vetë: “Të gjith zhdri¬villimi intelektual filozofik, shkencjak, estetik e industrial rrjedh prej zemret të katolicizmit. Kshtû, prá, zû fíll kultura okcidentale edhè mbas mendimit të filozofvet modern e kundershtarë të Kishës Katolike, e analfabetat e semi-analfabetat tonë na ngrifen e thonë, se Feja pengon perparimin!...

    5. Çka ká veprue Kisha Katolike në lamë të shkencës
    Thamë sypri, se vetë Harnack-u rrfen, që Kisha vetëm i ká prî kulturës per mâ se nji mij vjet, aq sa aj tjetri dijetár në zâ protestant, G. Herder, mbrrini me thanë, se Papa mund t’u thotë me të gjith arsyen popujve t’Europës, që “Po mos t’ishe kenë un, ju nuk do t’ishi sod shka jeni”. Të shofim tash, se shka ká veprue Kisha në lamë të shkences. Mâ parë, mâ dalë edhè kundershtarët tonë do ta rrfejnë, se shpirti, si me thanë, i të gjith perparimit ká kenë Filozofija. Idét e verteta, njoftimet e drejta janë themeli i çdo dijes - si Sokrati e Platoni sa e sa herë e paten thanë. Prej njoftimeve të drejta burojn parimet e verteta, mbí të cilat zhdrivillohet çdo dije, spekulative a praktike që të jét. Prandej Aristoteli thotë: ”Ma teper zhdrivillon mendjen e nierit nji parim i vertetë se njoftimet e s’ di sa sendeve materjale”. Prej parimesh na mbrrîjmë me njoftë sendet shi m’ato shkaset e veta mâ të permbrendshmet, shka do me thanë me diejt. Dija, pra, themelohet mbí parime të verteta, e parimet mbí idét e njo¬ftimet e drejta. Por dihet, se msuesja e parimevet të verteta e t’idevet e të njoftimevet të drejta âsht Filozofija e cila prandej quhet “ama e të gjith shkencavet” - ”mater omnium scientiarum”: ”universitas scientiarum”. Prandej, po kjè që Kisha Katolike ká meritme ndaj at Filozofín e drejtë, duhet me thanë, se ajo ká meritime edhè ndaj perparimin e të gjitha shkencavet. Tash: kush ká meritue ndaj Filozofín e drejtë mâ teper se Ki¬sha Katolike? Protestanti në nám e në zâ Adolf Trendelenburg-u, tue pá gabimet e medhá të perhapuna prej hege¬ljanve, thotë:“Duhet me u shporrë mahínave të Gjermanve, që per Filozofí të ré do të gjindet nji tjeter parim i rí. Ky parim ká kenë gjetë e âsht njaj sistem organik, që kjè hartue prej Platonit e Aristotelit e që motet e pastajshme e zhdrivilluen, i cili edhè tash e mbrapa do të zhdrivillohet sa mâ teper”. Mbas mendi¬mit të ktij dijetarit protestant, prá, parimi i vertetë i Filozofís âsht aj i Platonit e i peripatetikvet . Por kurrkush mâ teper se Kisha Katolike nuk i ká ndêjë ktij parimit, e cila tash dy mij vjet e bani të vetin, edhè e zhdrivilloj, dér kû mundej me u zhdrivillue, si dishmojnë veprat kolosale të nji Augustinit, të nji Akvinatit e të njiqind të tjerve Dijetarë të Kishës. Qe prá meritimet që Kisha Katolike ká ndaj Filozofín, mjésa per atà kundershtarët tonë, që thonë se Feja pengon perparimin, Fr. Paulsen, mâ i madhi filozof protestant i ktyne kohve, thotë, se nder radhë të tyne mbretnon anarkija e aj Adolfi Stendel, të cilin Schneidewin e perkrahë me Ed. von Hartmann e e mban si mâ të madhin filozof modern, shkruen, se filozoft e sodshëm genjehen edhè nder sende mâ elementare të nji arsyes së shndoshtë. E kshtû merret vesht prej vedit, se Kisha Katolike u ká dhanë zhdrivillim edhè shkencave tjera empirike. Mâ i madhi kimist i të 19 qindvjetë, J. von Liebig ká fjalë të bukura lavdít per rezultate të hetimevet empirike të moshës së mesme. Në nji studijm të botuem n’Augsburger allgemeine Zeitung” njéhë hollë e gjatë perparimin e moshës së mesme nder dituní eksperimentale. Në të 15 qindvjetë gêjmë se algjebra, trigonometrija, njehsija decimale kishin per¬parue fort. Gjêjm kah mbarimi i ksaj moshe, se metalurgjia, inxhinjerija, zêja e xhamit e e ndertesavet, si edhè ajo e shajakut dhe e lkurës kishin perparue, por se edhè kimija kishte shkue fort perpara, sidomos neper veper të palodhshme të rregulltarvet. Prandej Jo. Wislicenus, fort i permendun në kimi, thotë: “Dijen tonë na do t’ja u diejm per nderë harapve e rregulltarve”. Se shka, mandej, kan punue rregulltarët në lamë të dijes, na kallxon dijetari i njoftun J. Fuchs. “Në të 7 qindvjetë gêjmë rregulltarin Beda, i cili matematikës i çili rrugë e perpa¬rime të reja. Aso kohe Virgilius, Arqipeshkvi i Salzbur¬gut, mâ i pari ká thanë, se toka do të jetë e rrumbullaktë, e se ká antipoda më tjetren anë të botës. Guido d’Arezzo ká gjetë shkallen e rregullat muzikore, si edhè dijen mbí harmoní. Djakoni Gioja ká gjetë gjylpanen magnetike, që perdorojnë detarët. Alberti i Madh , grof Bollstädt, domenikan, ká gjetë zingun e arsenikun, Spina, edhè ky domenikan, ká gjetë syzat (gjyslyktë) në 14 qindvjetë. Mâ të parin sahat astro¬nomik e ká ndertue Rikardi Wallingfort vjetin 1326. Benediktini Basilius Valentinus mâ i pari ká perdorue kimín në mjeksi, e Luca di Borgo ká perdo¬rue algjebren. Jezuiti Caveliere ká diktue mâ i pari, se rrezja e diellit perbâhet prej njyresh të ndryshme. Jezuiti Regiomontanus ká xjerrë sistemin metrik. Kanoniku Kopernik e Kardinali Nicola de Cusa para Galileut kan thanë, se toka lvitet e jo dielli. Benediktini spanjoll Poncius ká gjetë metoden, se si mund të msohen shurdhat e pagojat, e jezuiti Lama mâ i pari ká msue të verbtët me lexue. Djakoni francez Rollet, para Franklinit, ká hetue, se thelimin e shkakton elektriciteti. Jezuiti Braun, me pak mjete por me shum dije, ká matë peshen e botës ... Kush ká gjetë sahatin e ujit? Rregulltari e historjografi kishtar Cassiodorus.. Kush gjeti barotin? Rregulltari Bertold Schvarz. Vjetin 1720, prá 60 vjet para vllazenve Montgolfier, të cilt bota i mban per mâ të parët ajrvozitsa, rregulltari Bartolomeo de Gusmao në Lizbonë ká bâ mâ të parin balon edhè m’tê âsht çue n’ajr para të gjith shpís mbretnore të Portugalit. Të paren rruféterhjekse - paratonnerre - nuk e ká Franklini, por rregulltari Prokop Diwis si kahditë ká kenë vertetue. Jezuiti Jos. Boškovic ká themelue në Milano vrojtarin astro¬nomik... Mâ i permenduni astronom i ktyne kohvet ká kenë, s’ká dyshim, jezuiti P. Angelo Secchi. Kshtû âsht e vertetë edhè, se, si thotë ”Historische Zeitschrift,” (blê Ll. f . 441) françeskani Rogerius Bacon ká gjetë në parim lokomotiven, avulloren, teleskopin etj.
    Po të dojshim e të mûjshim me shkue mâ gjatë, nuk do të mbaroj¬shim kushedi se kúr me ksì emnash rregulltarësh e kishtarësh lanë nám e zâ në lamë të shkencavet empirike. Por, të ngushtuem prej shtìllit të së perkohshmes, po e mbyllim ket listë të lumnueshme me fjalë t’Emil Dubois-Reymond e të bajraktarit të socjalizmit modern, Saint-Simon du Bois-Reymond-i, në ligjiratë të vet “Mbi historí të kul¬turës e të shkencës eksperimentale”, thotë: “Shkencat e reja ek¬sperimentale - sado që nji palve kjo fjalë do t’u duket nji paradoks - burimin e vet do t’ja dijnë per nderë fés s’krishtenë”. E prá Du Bois-Reymond-i që flet kso dore, gjithshkà tjeter mund do t’két kenë, klerikal por, jo. Prej anet të vet, mandej, Saint-Simoni shkruen: “Kleri kato¬lik âsht faktori, të cilit rodi i nierit do t’ja diej per ndeër perparimin e vet. E ky perparim kjè pernjimend kolosal, edhè naltësoj shpirtin e nierit m’ naltsína, të cilave as per së largut nuk ju u avit ajo kultura greke e romake”. Por jo vetëm në pikpamje të Filozofís e të shkencavet empirike Kisha Katolike ká mâ të madhin meritim në historí të njerzimit, veç edhè në pikpamje të msimit e të perhapunit të kulturës kjo Kishë i ká sjellë njerzimit sherbime të mdhá. Ata që s’dinë shka flasin - si atà bihudet e Shqipnís - thonë, se në kohë të mesme s’ká pasë shkolla per popull. Por fakti âsht krejt ndryshe. Dijetari protestant Tarsot thotë, se në të13 qindvjetë s’ké pasë kund nji kujrí (bashkí) katundesh, që mos të ketë pasë shkollen e vet. Kisha Katolike e ká mbajtë per detyrë me edukue popujt, edh e me gjith fuqí âsht mundue me krye ket perlim të vetin”. Ket fjalë e verteton edhè aj nieri kompetent që âsht françeskani Rogeri Bakon, “Doctor mirabilis” (1214-1292) , i cili dishmon, se në çdo fushë e në çdo katund ká pasë msues shkollet. E prá Valtaire, per shka i perket msimit populluer, më 19 qershor 1766 i shkruete mikut të vet Damilaville: “Populli do ngrefë per mbas vedit, e jo msue; pse nuk âsht i dêjë per msim”.
    Posë shkollash popullore, edhè universitet e Europës janë nji institucjon i Kishës Katolike. Kah mbarimi i të 15 qindavjetë Eu¬ropa njifte 66 universitete, e të tana, të thuesh, i ká ndertue Papa[19]. Kto universitete, mandej, kan kenë ndjekë fort mâ teper se të sodshmet, nji send që universiteti i Oxfordit ká mbrrîjt me pasë dér më 30.000 studenta, e aj i Parisit dér më 36.000 . Vjetin 1304 françeskani Duns Scotus ká pasë 30.000 ndigjuesa n’uni¬versitet të Parisit.
    Janë prralla, pra, e dokrra të thata atò që thonë analfabetat e semi-analfabetat tonë, se Feja pengon perparimin, pse shi Kisha Katolike kjè njajo, që ká trajtue kulturen e Europës.

    Marrë prej: Át Gjergj Fishta., Proza vellimi i dytë 1923-1940, Botime Françeskane Shkodër 2006, fq. 23-40.
    Nga Át Gjergj Fishta

    /QUOTE]

  2. Anetarët më poshtë kanë falenderuar Traboini për postimin:

    Diella1 (09-03-2015)

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •