TË RUAJM GJUHËN SHQIPE TË FOLUR E TË SHKRUAR
Çdo ditë nëpër shtypin e sotëm shqiptar vihet re një mospërfillje për të shkruar drejtë gjuhën shqipe. Mendoj se është një mëkat i madh ta bastarllojmë e shpërfytyrojmë jo nga dëshira, po nga mosdija. Gazetarët mjaftohen me publikimin e lajmit, po harrojnë se ai ka disa rregulla drejtshkrimore, logjike e kuptimore që, po s’u shkruan si duhet, u humbet kuptimi.
Për këtë unë po publikoj, mes shumë rasteve të konstatuara, këtë:
Në gazetën e përditshme “ SHQIP”,mes shumë gabimeve të konstatuara (jo vetëm në këtë gazetë), por shumica, mos të themi të gjitha, mora në analizë titullin e mëposhtëm:
Pse hesht politika shqiptare kur mëkëmbet identiteti ynë? (e martë, 09.08.2011)
Ky titull qysh në fillim është shkruar me gabim, sepse pas titullit, kurrë nuk vemë shenjë pikësimi. Këtu është vënë (?) (pikëpyetje)!
Unë do të merrem me fjalën “mëkëmbet” që gazetari a redaktori ,duke e përdorur në titullin e mësipërm, fjalisë i kanë dhënë kuptimin e kundërt nga ai që kanë dashur të shprehin, sepse:
Duke u mbështetur në “FJALORIN E GJUHËS SË SOTME SHQIPE” botim i vitit 1980, kemi:
“MËKËMBEM”vetv. Fig. “Bëhem siç kam qenë më parë a edhe më mirë, arrijë në një gjendje më të mirë ekonomike, ngrihem, rimëkëmbem…”, “Fjalori…” , fq. 1124.
Gazetari, për t’i dhënë kuptimin e duhur fjalisë së mësipërme të përdorur si titull, është dashur të shkruaj: “ Pse hesht politika shqiptare kur nëpërkëmbet identiteti ynë”, sepse:
“ NËPËRKËMBË”,kal.~ A, ~ UR. Marr nëpër këmbë, sillem keq e mospërfillje me dike, duke i shkelur të drejtat a interesat … i nëpërkëmbim të drejtat e popullit. “FJALORI… “, fq. 1237.
Ju ftoj të publikoni përmes kësaj teme të hapur raste të konstatuara nga ju për shkrimet gabim në gjuhën shqipe me qellimin e mirë që ta ruajm të pastër e ta shkruajm e shprehemi drejt në shqip e të mos presim t’na e “qortojnë” të huajt. Faleminderit.
Krijoni Kontakt