Nëse dëshironi ta fitoni një argument, ja zgjidhja më e mirë për ju: "Proserb"! Vetëm quajeni debatuesin tjetër "proserb" dhe përfundon çdo gjë, u fitua debati! (për vetëm 9.99€)
Paramendoni nëse gjatë provimit në fakultet profesori e jep një notë që nuk ju pëlqen. Çka mund të bëni? Të ktheheni në shtëpi të dëshpëruar? JO. Quajeni "proserb" dhe rezultatet do të jenë të menjëhershme. Zgjidhja vjen me shtojcat tjera që janë gati njësoj të dobishme: "puçist" dhe "tradhëtar" (për vetëm 1.99€ më shumë).
Jo, seriozisht. Fitorja e debateve përmes "proserbi"-teteve është fitore e përkohshme. Është fitore fiktive, që nuk jep zgjidhje por vetëm iluzion të zgjidhjes. Duke i fituar të gjitha argumentet në këtë mënyrë të lehtë "proserbi" është kthyer në dhëmbëzor të një mekanizëm më të madh hegjemonik, që ka për qëllim të na mbajë nën kontroll mentalisht.
Sidoqoftë. Proserb si term do të duhej të denotonte dikë që dëshiron të kthehet në Serbi. Të tillë në mesin e shqiptarëve të Kosovës nuk ka (ose ka aq pak saqë nuk njihen). Por edhe nëse ka, në një shoqëri demokratike me liri të shpehjes nuk do të duhej të persekutoheshin (por kjo është temë tjetër). Dhe në mungesë të tyre (proserbëve të vërtetë) tash është gjetur mënyra e përdorimit të këtij termi për manipulim.
Definitivisht do të duhej të gjejmë mënyra më kreative se "proserb" (po e shënojmë me PS), "tradhëtar" (T) dhe "puçist" (P) për të kundër-argumentuar brenda një diskursi. Në fakt, PSTP është koka e aparaturës tabu-krijuese në Kosovë e cila më pas përmes derivateve të veta mbyll rrugën për diskutim të çfarëdo koncepti që është i ri ose që është kundër këtij aparatusi. Konceptet si barazia, bashkimi kombëtar, euroskepticizmi, homoseksualizmi, idealizmi, kritika ndaj UÇK-së, protestimi, majtizmi, komunizmi, kundërshtimi i privatizimit e madje edhe ateizmi hyjnë në listën e tabuve brenda diskursit tonë.
Sa më shumë tabu të kemi, aq më pak kemi liri të mendimit për zgjidhje të problemeve brenda gjuhës aktuale së cilës i takojmë.
PSTP-jat janë mekanizmi i vetëm më i rëndësishëm në shterjen e kreativitetit publik në Kosovë. Që duke na ndaluar "të gabojmë" (të mendojmë ndryshe!), na ndalon të bëjmë çkado në dëm të aparaturës dominuese. Është mjet cenzure që ngjizet brenda neve dhe na kthen në mish vegjetativ. Na kthen në masë.
Duke qenë të interpeluar në një ambient të tillë me koncept të pervertuar të demokracisë (të pervertuar me qëllim) dhe duke ndrydhur çfarëdo ideje që është jashta konjukturave të imponuara nga pushteti i sotëm, njerëzit janë të detyruar të ngushtojmë menynë e zgjidhjeve të tyre në vetëm një grusht sosh. Derisa një ditë të përfundojmë me braktisjen totale të të drejtave dhe lirive të njeriut për t'i ikur rrezikut nga PSTP-ja. E çka do të thotë të kesh mungesë të të drejtave dhe lirive të njeriut, mendoj se e keni të freskët nga periudha kur kemi qenë nën okupatorin serb. PSTP-ja e asaj kohe ka qenë PSTN (përdhunues, separatist, terrorist, nacionalist).
*Nëse ndjekim logjikën "kush është kundër Qeverisë, është proserb" atëherë 60% e votuesëve (plus njerëzit që nuk kanë dalur në votime—po themi arbitrarisht 20%) duhet të konsiderohen të tillë (minus vetë serbëve—të cilët janë patriotë—sepse janë brenda qeverisë)
Burimi këtu
Krijoni Kontakt