PDIU mbështet ish-komandantët e UÇK-së, Fatmir Limaj dhe Ramush Haradinaj
Radio Kosova e lire, 26 gusht 2011
Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka shprehur qëndrimin e saj në mbrojtje të ish-komandantëve të UÇK-së, ndaj të cilëve janë ngritur akuza shpifëse të fabrikuara nga Serbia. Sekretari politik i kësaj partie, Ardian Tana ka theksuar se gjyqi ndaj Komandant Çelikut dhe Ramush Haradinajt, sikurse edhe vetë publikimi i të ashtuquajturit raport i Dick Martit, janë pasojë e një ofensive deri diku të suksesshme të Serbisë së vjetër. "Duke i ofruar solidaritetin dhe mbështetjen tonë njerëzore dhe politike, komandantëve të Luftës Limaj dhe Haradinaj, të cilët kanë vuajtur shumë humbje njerëzore nga Lufta, të cilët kanë vuajtur dhe izolimin e drejtësisë ndërkombëtare, ne i kërkojmë kësaj drejtësie të respektojë shenjtërinë e luftës së popullit shqiptar që rrezikonte asgjësimin nga ana e makinerisë ushtarake serbe. Ne i kërkojmë qeverisë së Kosovës, organizmave joqeveritarë faktmbledhës të gjallërohen për të vazhduar procesin e vënies para drejtësisë së kriminelëve serbë, të cilët veprojnë dhe sot, madje dhe në Veri të Kosovës, siç u tregua gjatë ngjarjeve të fundit", theksoi në fund sekretari politik i PDIU-së, Ardian Tana.
Krijoni Kontakt