Me qëllim të ngritjes së shkëmbimeve tregtare në mes të Kosovës dhe Shqipërisë si dhe plotësimin e tregut të vendit tonë me produkte shqiptare, Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) dhe Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar (KASH) të premten nënshkruan memorandum mirëkuptimi për bashkëpunim tregtar.
Me këtë rast, kryetari i AKB-së, Agim Shahini, u zotua para biznesmenëve se të dyja organizatat, AKB dhe KASH, nga tash e tutje do të kenë një bashkëpunim bilateral sa i përket shkëmbimit tregtar. Ai njëherësh falënderoi shtetin shqiptar për plotësimin e tregut të Kosovës me produkte shqiptare.
Sipas tij, kjo dëshmon se produktet serbe mund të zëvendësohen me ato nga shteti shqiptar. Ai njëherësh bëri të ditur se marrëveshje të këtij lloji pritet të ketë edhe me shtete tjera të regjionit.
Nga ana tjetër, kryetari i Këshillit të Agrobiznesit, Enver Ferizaj duke përshëndetur vendimin e Qeverisë së Kosovës për masat reciproke ndaj Serbisë, premtoi se nuk do të ketë pengesa në lidhje me shkëmbimin tregtar ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Islam Lauka, ka përsëritur edhe një herë mbështetjen e Qeverisë shqiptare pro zbatimit të masave të reciprocitetit ndaj Serbisë dhe Bosnjës.
Ai vlerësoi se reciprociteti është një parim që çdo qeverie i jep të drejtë të vendosë brenda territorit të shtetit të vet kur e vlerëson se është i domosdoshme.
Për më tepër, Lauka ka porositur biznesmenët nga Kosova dhe Shqipëria, duke thënë se janë to që do të gjejnë format dhe mënyrat e shkëmbimit tregtar mes dy vendeve.
Krijoni Kontakt