-Ndërsa Adi u shkatërrua nga një erë e fortë dhe e vrullshme.
Të cilën Ai e dërgoi mbi ta për shtatë net e tetë ditë pa ndalur, saqë mund t'i shihje njerëzit të flakur sikur të ishin trungje hurmash të hedhur! A mund të gjesh ndonjë prej tyre të mbetur? (El-Hakkah: 6 - 8)
Një tjetër popull i zhdukur që përmendet në sure të ndryshme të Kuranit është Adi, i cili përmendet pas popullit të Nuhut. Allahu dërgoi te ky popull profetin Hud, i cili e ftoi popullin e tij, ashtu siç kishin bërë edhe profetët e tjerë, që të besonin dhe të adhuronin vetëm Allahun pa i bërë shokë. Njerëzit reaguan armiqësisht kundrejt Hudit. Ata e akuzuan se ishte i nxituar, i padrejtë dhe se përpiqej të ndryshonte sistemin që kishin vendosur stërgjyshërit e tyre. Në suren Hud tregohet me hollësi gjithçka që ndodhi midis Hudit dhe popullit të tij.
Popullit të Adit i dërguam vëllain e tyre, Hudin. Ai u tha: "O populli im, adhuroni Allahun! Nuk ka të adhuruar të vërtetë përveç Tij. Ju në të vërtetë nuk bëni gjë tjetër veçse shpifni!
O populli im, unë nuk ju kërkoj asnjë shpërblim për mesazhin që ju transmetoj. Shpërblimin e kërkoj vetëm prej Atij që më krijoi mua. A nuk kuptoni?
O populli im, kërkoni falje prej Zotit tuaj dhe pendohuni, në mënyrë që Ai t'ju dërgojë shi të bollshëm dhe t'ua shtojë më tepër fuqinë tuaj. Ndaj mos e ktheni shpinën dhe mos u bëni mohues."
Ata i thanë: "O Hud, Ti nuk na solle asnjë provë bindëse, ndaj dhe ne nuk do t'i lëmë zotat tanë për shkak të thënies tënde dhe nuk do të të besojmë.
Ne mendojmë se disa nga zotat tanë të kanë sjellë këtë të keqe (çmendurinë)." Ai u tha: "Unë kam Allahun si dëshmitar; dëshmoni dhe ju se unë nuk kam asnjë lidhje me ata (idhuj) që ju adhuroni në vend të Allahut. Ndaj thurni komplote kundër meje dhe mos më jepni afat.
Unë mbështetem tek Allahu, Zoti im dhe Zoti juaj! Çdo gjë e gjallë i nënshtrohet plotësisht sundimit të tij. Nuk ka dyshim që Zoti im është i drejtë.
Edhe nëse ktheni shpinën, unë e kam shpallur mesazhin me të cilin jam dërguar te ju. Zoti im do të bëjë që një popull tjetër t'ju trashëgojë dhe ju nuk mund t'i bëni asnjë dëm. Me të vërtetë që Zoti im ruan gjithçka.
Kur erdhi vendimi Ynë, Ne me mëshirën Tonë e shpëtuam Hudin bashkë me besimtarët dhe i ruajtëm nga një dënim i rreptë.
Kështu ishte Adi, i cili hodhi poshtë provat e Zotit të tij dhe nuk iu bind të dërguarve, por ndoqi urdhrat e njerëzve kryelartë e kokëfortë.
Ata u përcollën me mallkim si në këtë botë ashtu dhe në Ditën e Kijametit. Populli i Adit e mohoi Zotin e tij. I mallkuar dhe i shkatërruar qoftë Adi, populli i Hudit. (Hud: 50 - 60)
Një sure tjetër ku përmendet populli i Adit është sureja Esh-Shuara. Në këtë sure janë theksuar disa nga karakteristikat e Adit. Në të thuhet se njerëzit e Adit zotëronin mjeshtërinë e ndërtimit të ndërtesave të larta, të cilat i ndërtonin në kodra dhe male, duke shpresuar se do të jetonin atje përgjithmonë.
Përveç kësaj ata bënin vepra të këqija dhe ishin arrogantë e brutalë. Kur Hudi u tërhoqi vëmendjen, ata i thanë se fjalët e tij ishin "përralla dhe legjenda të kota të të parëve". Ata ishin shumë të sigurtë se asgjë nuk do t'u ndodhte:
Edhe populli i Adit i përgënjeshtroi të dërguarit.
Kur vëllai i tyre, Hudi, u tha: "Përse nuk i frikësoheni Allahut?
Unë jam një i dërguar i besueshëm për ju.
Kini pra, frikë Allahun dhe dëgjojini fjalët e mia.
Unë nuk ju kërkoj asnjë shpërblim për mesazhin që po ju transmetoj. Shpërblimin e kërkoj vetëm prej Atij që më krijoi mua.
Përse ndërtoni ndërtesa madhështore në çdo vend të lartë, pa pasur nevojë?
Përse ndërtoni për vete pallate madhështore, a thua se do të jetoni në to përgjithmonë?
Përse kur merrni diçka, përdorni forcën dhe bëheni tiranë?
Kini pra, frikë Allahun dhe dëgjojini fjalët e mia.
Kini frikë Allahun, i Cili ju ka dhënë të gjitha të mirat që ju i dini.
Ai ju ka dhënë begati e fëmijë, kopshte e burime.
Unë kam frikë për ju ndëshkimin e një dite të madhe."
Ata i thanë: "Pak rëndësi ka për ne nëse na këshillon apo jo.
Kjo këshillë nuk është gjë tjetër veçse përrallë e shpikur nga të parët.
Ne kurrë nuk do të ndëshkohemi."
Kështu, ata e përgënjeshtruan atë, ndaj dhe Ne i shkatërruam. Me të vërtetë kjo është një provë e qartë, megjithatë shumica e tyre nuk janë besimtarë.
Zoti yt është me të vërtetë i plotfuqishëm dhe mëshirëplotë! (Esh-Shuara: 123 - 140)
Populli që shprehu armiqësi ndaj Hudit dhe u rebelua ndaj Allahut u shkatërrua. Një furtunë rëre e tmerrshme e zhduku Adin, sikur të mos kish ekzistuar kurrë.
Vazhdon... >>>
Krijoni Kontakt