Hallall, Hashim Thaçi!
Njësitet speciale të Policisë së Kosovës, me urdhër të kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë natës kanë marrë nën kontroll dy pikat kufitare në veri të Kosovës, portat 1 dhe 31. Paraprakisht kryeministri kishte marrë vendim për të shkarkuar nga detyra Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Reshat Maliqin
image
Postuar më, 26 korrik 2011 - Me urdhër të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, Njësitet Speciale të Policisë së Kosovës mbrëmë pak para mesnatës, kanë marrë nën kontroll pikat kufitare 1 dhe 31 në veri të Kosovës.
Para se të urdhërojë marrjen në kontroll të dy portave kufitare në veri, kryeministri i vendit kishte marrë vendim për shkarkimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Rashat Maliqi.
Vendimi për shkarkimin e Maliqit është publikuar të hënën në mbrëmje në faqen zyrtare të Kryeministrisë, por pa i bërë publike arsyet e shkarkimit të tij.
"Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në mbështetje të nenit 94 paragrafit (10) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenit 43.1 (a) të Ligjit Nr.03/L-035 për Policinë, ka marrë vendim që të shkarkojë Reshat Maliqin nga pozita e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës", thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Ndërsa, Maliqi ka deklaruar se nuk është në dijeni për shkarkimin e tij. "Unë sapo u njoftova nga Televizioni i Kosovës se jam shkarkuar nga detyra", është shprehur për televizionin publik.
Mirëpo, burime të gazetës kanë bërë të ditur se shkarkimi i Maliqit nga kreu i policisë është bërë, pasi ai kishte hezituar të urdhërojë dërgimin e njësiteve të policisë në veri për të vendosur autoritetin në këtë pjesë të vendit.
Ndërkohë, menjëherë pas shkarkimit të Maliqit, me urdhër të kryeministrit, Hashim Thaçi, Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës kanë filluar aksionin për marrjen nën kontroll të pikave 1 dhe 31 në veri të vendit.
Ky veprim vjen pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e masave të reciprocitetit me Serbinë, duke ndaluar hyrjen e mallrave serbe në Kosovë.
Derisa Njësia Speciale të Policisë së Kosovës është vendosur në pikën 31, burime nga terreni kanë bërë të ditur se Policia e EULEX-it dhe shumë serbë lokalë, kishin bllokuar rrugën në Rudare për të penguar Njësinë Speciale të Policisë së Kosovës që të shkojë drejt Zveçanit.
Këtë informacion e ka konfirmuar për media edhe vetë Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi, por ai ka thënë se Policia e Kosovës është e vendosur në realizimin e aksionit në marrjen në kontroll të pikës 1 dhe 31, duke përmbushur edhe obligimin kushtetues.
Ndërsa, pikat e kalimit kufitar 1 dhe 31 tash një kohë të gjatë kanë qenë jashtë kontrollit të autoriteteve kosovare, ndërsa autoritetet policore të EULEX-it nuk kishin ndërmarrë masat e duhura që në këto dy vendkalime kufitare të aplikoheshin procedurat e kontrollit kufitar dhe doganor nga autoritetet e republikës së Kosovës.
Këto dy pika janë vlerësuar si vendkalim kryesor i kontrabandës dhe krimit të organizuar. Kjo ka qenë brenga kryesore e autoriteteve kosovare, por edhe e gjithë spektrit politik në vend. Urdhrin e kryeministrit dhe aksionin e policisë për vendosjen e kontrollit në këto dy pika kufitare e ka përshëndetur eksperti i çështjeve të sigurisë, Naim Maloku. Ai ka apeluar që urdhri i kryeministrit të përkrahet nga i tërë spektri politik dhe qytetarët e Kosovës.
Për të përcjelle aksionin e Njësiteve Speciale të Policisë, në veri të vendit kishte shkuar edhe vete komandanti i KFOR-it, gjenerali Erhard Buhler. Ky është aksioni i parë serioz i autoriteteve kosovare për të shtrirë autoritetin në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Rreth masave të reciprocitetit patën reaguar ashpër autoritetet e Serbisë, por këtë veprim të Qeverisë së Republikës së Kosovës e pat arsyetuar ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Thomas Countryman.
Krijoni Kontakt