Shqiptarët në Maqedoni kërkojnë që Tirana zyrtare të mundësojë përfitimin e nënshtetësisë shqiptare nga gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve të shtetit shqiptar. Një plan i tillë tashmë është zbatuar nga shtetet fqinje si Maqedonia, Bullgaria, Serbia dhe nga vendet tjera ish-jugosllave.
Mirëpo, partitë politike shqiptare në Maqedoni ende nuk dëshirojnë të diskutojnë mbi këtë çështje, edhe pse theksojnë se vetë shteti shqiptar duhet të vlerësojë nëse duhet apo jo të krijohet kjo mundësi nëpërmjet rrugëve kushtetuese, ashtu që të gjithë shqiptarët - kudo që jetojnë - të mund të pajisen me nënshtetësi shqiptare, pavarësisht asaj nëse jetojnë në dy apo më shumë shtete.
Pajisja me nënshtetësi shqiptare në këtë rast do të bëhej sipas modelit të nënshtetësisë së dyfishtë, e cila lejohet nga shumë shtete, shkruan Ina
Juristë dhe avokatë shqiptarë nuk e përjashtojnë mundësinë që kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, me dekretin e presidentit Topi të përmbush fjalët e tij të viteve të 90’ta, kur kishte pohuar se çdo shqiptar në botë është shtetas i Shqipërisë.
“Kjo duhet të realizohet, sepse ne kemi këtu rastin konkret të maqedonasve, të cilët pavarësisht asaj se ku jetojnë posedojnë edhe nënshtetësinë e Maqedonisë. Një mundësi e tillë po shfrytëzohet edhe nga shqiptarët që jetojnë në kufi me Maqedoninë, e të cilët deklarohen se kanë origjinë maqedone”, ka theksuar juristi Numan Limani.
Kohë më parë, burime të afërta me Qeverinë në Tiranë nuk e kanë përjashtuar mundësinë që Qeveria Shqiptare të shqyrtojë planin për dhënien e nënshtetësisë edhe për gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve të shtetit shqiptar.
Ligji për dhënien e nënshtetësisë është një e drejtë që dekretohet nga presidenti i Shqipërisë, dhe të drejtën e përfitimit të saj e ka secili shtetas i huaj që ka mbushur 5 vjet të qëndrimit të rregullt brenda territorit të shtetit shqiptar.
Në asnjë nen të ligjit, të ndryshuar në vitin 1998, nuk parashihet përfitimi përmes përkatësisë etnike, gjë që mundëson që çdo shqiptar të ketë të drejtën e posedimit të nënshtetësisë shqiptare. Mirëpo, në rast të ndryshimeve të paralajmëruara, të drejtën e pajisjes me nënshtetësi shqiptare do ta kenë edhe mbi 5 milionë shqiptarë që jetojnë në rajonin e Ballkanit. /Telegrafi/
Krijoni Kontakt