Një nga faktorët kryesorë që do ta përcaktojë të ardhmen e Bosnjës, ndonëse shumë kush mund ta kontestojë këtë, është ajo se çfarë do të ndodhë në Serbi dhe në Kosovë, kanë vlerësuar në një shkrim autorial në “National Interest” dy ekspertët për ballkanin, Morton Abramowitz dhe James Hooper.
Mbështetja serbe, sipas tyre, është thelbësore për të mbajtur të gjallë vullnetin e Republikës Serbe për t’u pavarësuar nga Bosnja. Nacionalistët në Serbi ndërkaq, i kanë kushtuar një vëmendje të posaçme bashkimit të Republikës Serbe me Serbinë, ndërkohë që lidhja me Kosovën dobësohet.
Sa për Kosovën – sipas Abramowitzit dhe Hooperit – agjenda territoriale e Beogradit është zvogëluar dhe përqendruar në përpjekjet për të marrë pronësinë edhe ligjore mbi veriun, gjë që shpreson ta bëjë në bisedimet aktuale me Kosovën. Kjo, theksojnë ata, nuk është e pranueshme për Kosovën, e deri më tash as për Brukselin dhe Uashingtonin.
Shkëputja e veriut të Kosovës, sipas tyre, do të hapë në mënyrë të mprehtë çështjen se kujt i takon Republika Serbe e Bosnjës. Në Bosnjë, vlerësojnë ata, gjërat nuk do të ndryshojnë, përderisa të mos zgjidhet edhe përfundimisht çështja e Kosovës.
“Në vend se të bëjë trysni mbi Tadiqin për Kosovën dhe Republikën Serbe në Bosnjë, Bashkimi Evropian duket se beson se mbështetja e fuqishme për një politikan që shikon më shumë kah Perëndimi, për fillimin e bisedimeve për hyrjen e Serbisë në BE dhe për negociatat e vazhdueshme Kosovë – Serbi, nuk do ta mundësojnë vetëm një pozicion të fuqishëm të Tadiqit në zgjedhjet e vitit të ardhshëm, por beson se të gjitha këto do të ndryshojnë edhe politikat e tij mbi Bosnjën e Kosovën”, theksohet ndër të tjera në shkrimin e Abramowitzit dhe Hooperit, të cilin e transmeton REL.
Në fakt, për shkak të ndasive të brendshme të BE-së për pavarësinë e Kosovës, sipas tyre, ky bllok ka nguruar t’i dërgojë një mesazh të qartë Beogradit se Serbia nuk mund të hyjë në BE pa i zgjidhur kundërshtimet që ka mbi sovranitetin e Kosovës.
Bashkimi Evropian, vlerësojnë ata, meriton shansin për të ndihmuar ta bëjë Bosnjën një shtet të vërtetë. “Por kjo do të varet më pak nga bindja dhe premtimet për anëtarësim, e më shumë nga fuqia e kontrollimit të tensioneve etnike në Bosnjë, menaxhimi i vendosur i procesit të anëtarësimit të Serbisë në bllokun evropian dhe shmangia nga minat tokësore në negociatat e vazhdueshme Kosovë – Serbi”.
Dhe ndërkohë që Bosnja zhytet dukshëm në një status të konfliktit të ngrirë, nuk duhet pasur shumë optimizëm se diplomacia e Bashkimit Evropian do të dëshmohet të jetë e transformueshme, theksohet në fund të shkrimit. /Zëri/
http://www.zeri.info/artikulli/1/1/3...ut-te-kosoves/
Krijoni Kontakt