
Postuar më parë nga
REALIST
Deputetja e Partisë Socialiste, Rudina Seseri, e njohur në opinionin publik si deputetja part-time e Kuvendit të Shqipërisë, pasi e frekuenton atë një herë në 6 muaj, për vitin 2010 ka shtuar në pasurinë e saj rreth 300 mijë dollarë amerikanë, si dhe një shumë prej 25 mijë eurosh. Ndërkohë që bashkëshorti i saj, llogarit në deklaratën e tij të pasurisë plot 400 mijë dollarë amerikanë duke e çuar në total pasurinë e të dyve në plot 700 mijë dollarë. Kështu, pasuria e deputetes së majtë është edhe më e lartë po të llogaritet edhe deklarimi i pasurisë së bashkëshortit të saj, Adrian Ketri. Në deklaratën e tij dorëzuar pranë ILDKP-së, Ketri deklaron përfitime për vitin 2010, një shumë prej 114.938 dollarë amerikanë referencë të investimeve të menaxhuara nga "Fidelity Investments", si dhe një pagë vjetore prej 289.825 dollarë amerikanë. Ndërsa në llogarinë bankare bashkëshorti i deputetes Seseri deklaron shumën prej 21 263 dollarë amerikanë në "Bank of America". Edhe pse ky vit ka qenë një vit krize ekonomike botërore, pasuria e deputetes së PS-së vazhdon të rritet. Që në zgjedhjen e parë të saj si deputete e kësaj partie në vitin 2009, Seseri ka zotëruar një pasuri të majme, shifrat e të cilës shtohen nga viti në vit me qindra mijëra dollarë. Edhe pse rroga si deputete e Kuvendit të Shqipërisë nuk justifikon rritjen e pasurisë së saj me qindra mijëra dollarë amerikanë, në deklarimin e saj të pasurisë për këtë vit, deputetja e PS-së ka deklaruar 80.136 $ si vlerë aksionesh dhe 77.000 $ nga investime të menaxhuara. Gjithashtu, Seseri deklaron në deklaratën e saj vjetore të pasurisë edhe një vlerë prej 122 000 dollarë amerikanë në llogarinë e saj bankare. Ndërkohë që të ardhurat e saj nga paga si deputete kapin vlerën prej 1.528.125 lekësh. Seseri njihet nga opinioni publik edhe për gjestin e saj të shëmtuar në seancën e fundit plenare të sesionit IV, ku për të shpëtuar pagën e saj dhe mandatin e deputetit, pas 6 muajsh mungesë u paraqit për 5 minuta. Pavarësisht qëndrimit politik për të bojkotuar sallën e Kuvendit, Seseri e theu atë për të mbrojtur interesat personale dhe vetjake. Një gjest të tillë deputetja Seseri nuk e ka bërë asnjëherë kur Parlamenti shqiptar votonte ligje në interes të lëvizjes së lirë të shqiptarëve, ngritjes së rrogave dhe pensioneve për familjet shqiptare apo për ligje të rëndësishme që lehtësojnë barrën fisklale për biznesin. Mosmarrja e rrogës për shkak të mungesës në sallën e legjislativit që prej muajit janar të këtij viti, si dhe frika nga djegia e mandatit të deputetit, e detyruan deputeten e Partisë Socialiste, Rudina Seseri të thyejë urdhrin e kreut të kësaj partie, Edi Rama mbi bojkotin e Parlamentit. Sesesi u ul në vendin e saj, në krah të karrigeve bosh të kolegëve të opozitës, pak minuta përpara fillimit të votimit për 2 ministrat e rinj, si dhe paketën fiskale të propozuar nga Ministria e Financave. Në momentin kur nga drejtuesja e seancës është kërkuar verifikimi i numrit të të pranishmëve në sallë, Seseri ka shtypur butonin dhe nga ai moment është larguar.
Shtypi
Krijoni Kontakt