Deklaratat zyrtare të pasurisë, Shkëlzen Berisha bën dhjetëra mijëra euro si sekser
Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, ai që të gjithë e njihnin si njeriun që jetonte në një apartament të vjetër të periudhës komuniste e që kishte mbi shpirt vetëm pagën e tij dhe të bashkëshortes, sërish gjatë gjithë vitit të kaluar ka deklaruar si pasuri shtesë të tij vetëm pagën e tij dhe të së shoqes. Në deklaratën e depozituar pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë ai ka shpjeguar në mënyrë të detajuar se si ka lëvizur çdo qindarkë në llogaritë e tij bankare. E duhet thënë patjetër që lëvizjet kanë qenë kryesisht në qindarka.
Por nuk ndodh kështu me të birin, Shkëlzenin, e me të bijën, Argitën. Këta të fundit brenda një viti, të paktën zyrtarisht, e kur flitet për zyrtarisht të gjithë e dinë sa shumë mund të mësojmë për ta, deklarojnë lëvizje të mëdha në pasuritë e tyre.
Kryeministri, Sali Berisha
Në deklaratat e pasurisë për vitin që lamë pas, dorëzuar pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, shënohen vetëm ndryshimet që ka pësuar pasuria e zyrtarëve gjatë vitit që kaloi, pa shënuar pasuritë e tyre të patundshme.
Kështu, për një vit, d.m.th., për vitin 2008, kryeministri, Sali Berisha, ka pasur si të ardhura vetëm rrogën e tij, saktësisht 2.149.592 lekë të reja dhe atë të bashkëshortes, e cila punon pranë qendrës shëndetësore nr. 4. Ajo ka marrë për një vit 576.947 lekë të reja. Ndërkohë, kryeministri ka marrë dhe një shpërblim, modest duhet thënë, prej punës në Kryeministri. Besohet se bëhet fjalë për fundvitin. Kryeministri i ka dhënë vetes vetëm 9 mijë lekë të reja.
Shtesa më e madhe që ka bërë Berisha në llogaritë e tij ka qenë ajo në llogarinë pranë Raiffeisen Bank, ku ka shtuar 122.796 lekë të reja. Ndërsa e shoqja ka shtuar më së shumti në llogarinë e saj në Bankën Credins, pronë e kushërirës së saj. Liri Berisha ka depozituar aty si shtesë në llogari 406.735 lekë të reja.
Ndërsa kryeministri ka dy llogari, në bankën Raiffeisen dhe në atë SanPaolo, këtë të fundit së bashku me Lirinë. Ai nuk mund të linte pa i bërë xhiro edhe Bankës Credins, me gjithë shumën modeste prej vetëm 5.824 lekësh të reja.
Shkëlzen Berisha
Sivjet në deklaratat e pasurive të zyrtarëve të shtetit janë shtuar dhe fëmijët e të afërmit që mund të ndikojnë në pasurinë e tyre. Por fëmijët e kryeministrit, Sali Berisha, kanë bërë dhe deklarime të mëparshme, kështu që kësaj here dhe ai ka deklaruar se ç’ka shtuar në pasurinë e tij brenda një viti.
Shkëlzen Berisha ka deklaruar se ka një llogari rrjedhëse në bankën Intesa SanPaolo, ku janë në gjendje aktuale 84.659 euro. Vetëm vitin që shkoi, Shkëlzeni ka shtuar në këtë llogari 82.882 euro. Më vonë ka tërhequr prej saj 7.750 euro.
Ai ka deklaruar gjithashtu se ka një llogari në bankën e familjes së tij, Credins, me gjendje 460.497 lekë, të cilat deklaron se i ka akumuluar, kur punonte si drejtor juridik pranë Eagle Mobile.
Shkëlzen Berisha deklaron se ka gjithashtu një tjetër llogari rrjedhëse me 6.000 euro në total, ku janë shtuar në vitin 2008 5.000 euro, e janë pakësuar 1.000 të tilla.
Djali i kryeministrit deklaron se ka një fitim neto nga puna e tij prej 6.930 eurosh.
Megjithatë, pavarësisht se ka një rrogë të tillë, djali i kryeministrit ka deklaruar se shumat e mëdha që ka në llogaritë e tij i ka fituar falë ndërmjetësimeve.
Në vitin 2008, duke punuar si sekser, ai thotë se ka fituar 82.882 euro. Ai deklaron se ka bërë ndërmjetësim në shitblerje. Gjithashtu, duke bërë të tilla ndërmjetësime, ai ka fituar edhe 6.930 euro, që i bie të jetë sa paga e tij si konsulent.
Djali i Berishës është akuzuar e për të janë botuar të dhëna të forta që e lidhin me ndërmjetësimin për kontratën e Gërdecit, por dhe me të tjera ndërmjetësime, kryesisht në shitblerje pasurish të patundshme. Berisha i vogël është një nga njerëzit më me influencë në agjencitë që janë marrë me kthimin e kompensimin e pronave.
Argita Malltezi
E bija e kryeministrit prej kohësh ka deklaruar një pasuri të madhe, të cilën pretendon se e ka bërë gjatë periudhës kur punonte për ndërkombëtarët në Kosovë. Është e dukshme se edhe gjatë vitit që shkoi, ajo të ketë vjelë fryte nga pasuria që ka ngritur dhe që pjell pará.
Argita Malltezi përfiton kështu nga puna që bën si avokate 5.264.363 lekë të reja në vit, nga puna që bën pranë Fakultetit të Drejtësisë merr 821.500 lekë të reja, ndërsa nga puna tjetër, po si pedagoge, po kësaj radhe në Prishtinë, ajo merr 3 mijë euro në muaj për gjashtë muaj pune, d.m.th., 1800 euro.
Puna që ka bërë pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara, vazhdon të gjenerojë para për të. Vitin që shkoi ajo ka marrë 9.069 euro. Nga dhënia e dy apartamenteve me qira, ajo përfiton për të dy nga 900 euro e 1170 euro në muaj.
Por, ajo që bie në sy është se gjatë vitit që shkoi, Argita ka shlyer një shumë të jashtëzakonshme që e kishte si detyrim kredie ndaj bankës Emporiki. Brenda një viti ajo ka shlyer 138.019 euro, duke mos pasur më detyrime ndaj kësaj banke.
Krijoni Kontakt