-
Dëshmi se ka shumë dokumente për shqipen dhe shqiptarët të pazbuluara
Dr. Musa Ahmeti
Zbulohet një vepër e re e Pal Engjëllit , nipit të Kryeipeshkvit të Durrësit (1)
Kjo vepër është dëshmia më e mirë se intelektualët shqiptarë, kudo që kanë jetuar e vepruar, kanë lënë gjurmët e tyre në formë të shkruar, duke treguar përgatitje të lartë profesionale, pjekuri filozofiko-teologjike dhe mendjemprehtësi të lakmueshme. Autori, Pal Engjëlli junior, komunikon përmes fjalës së shkruar me bashkëkohanikët, duke na lënë dëshmi të forta për nivelin e lartë intelektual që kishte, njëkohësisht duke nga bërë që të ndjehemi krenarë kur shfletojmë libra të tillë antikuarë, të cilët në vetvete mbartin barrën e fatit të autorit, familjes së tij dhe vetë shqiptarëve për shekuj të tërë.
Pasurimi bibliografik me tituj të rinj dhe autorë që nuk kanë vendin e merituar në albanologji me zbulime të tilla si ky i ksomblës së Pal Engjëllit junior, është argument i fortë se ende shumë gjëra nga krijimtaria e mirëfilltë, filozofike, historike, astronomike, shkencore dhe teologjike si dhe fushave të tjera është e pazbuluar dhe e panjohur. Vetëm nga ky autor ne sjellim edhe pesë tituj të tjerë të veprave të tij, katër nga të cilat për herë të parë renditen në bibliografinë albanologjike të autorëve shqiptarë që krijuan dhe shkruan veprën e tyre në latinisht dhe italisht.
Si kontribut modest, ne do t’i dhurojmë Bibliotekës Kombëtare kopjet e njërës prej ksomblave të veprës së Pal Engjëllit, që studiuesit, historianët dhe albanologët shqiptarë të kenë mundësinë t’i studiojnë ato në Tiranë, duke kursyer kohën dhe financat e tyre. Jemi të bindur se sikur kjo vepër ka edhe shumë të tjera, jo vetëm të Engjëllorëve, por edhe të autorëve dhe krijuesve të tjerë shqiptarë të cilët nuk i njohim fare ose i njohim përciptazi.
Pasurimi i fondeve të albanologjisë me tituj të rinj të librit antikuar, ku autorë janë shqiptarët, përbën një risi, përkatësisht zbulimet e tilla janë me një rëndësi të dorës së parë për albanologët dhe historianët. Zbulime të tilla janë të pakta dhe shumë të rralla për shumë arsye. Më kryesorja, kërkohet një punë këmbëngulëse, e lodhshme dhe shumëvjeçare, por edhe një përgatitje e lartë profesionale, duke shtuar këtu edhe “fatin” si një faktor të rëndësishëm. Kërkime dhe hulumtime të mirëfillta, sistematike, të planifikuara dhe të organizuara nga institucione shqiptare deri më tani për mesjetën shqiptare nuk ka pasur. Kryesisht, për këtë periudhë “të errët të historisë dhe albanologjisë” kanë shkruar autorë të huaj, e ndër ta, janë të paktë ata që kishin qëllim kryesor botimin dhe publikim e studimeve të mirëfillta. Të huajt, më shumë rastësisht, pra pa ndonjë qëllim të caktuar, botuan dokumente, dorëshkrime dhe informacione me vlerë, të cilat edhe sot e kësaj dite, edhe pse jo të kompletuara, janë të patejkaluara në albanologji dhe historinë e popullit shqiptar.
Nëse më parë kishte arsye dhe alibi për studiuesit, hulumtuesit, historianët dhe albanologët shqiptarë, që nuk bënin studime dhe botime serioze me karakter të mirëfilltë shkencor, sot kjo alibi nuk ekziston më. Në fakt, tani vërehet hapur mospërgatitja profesionale dhe mungesa e specialistëve, të cilët me rezultatet e tyre të mirëorganizuara sistematikisht, të mbështetura nga shteti shqiptar dhe institucionet përkatëse, do të ishin të barabartë me kolegët e tyre perëndimorë.
Studiuesit e huaj, në botimet e tyre, të shumtën e rasteve, duke mos pasur qëllim parësor studimet albanologjike, botimet e tyre i kanë të mangëta, të pasakta, kundërthënëse dhe mjaft të gabuara. Megjithatë, ne shqiptarët, duke mos pasur mundësi tjetër, jemi shërbyer me këto botime. Është koha e fundit që institucionet përkatëse shqiptare, në mënyrë të planifikuar dhe sistematike të bëjnë kërkime dhe hulumtime për të gjitha fushat e albanologjisë dhe historisë, sepse për këtë gjë kemi shumë nevojë dhe jemi të bindur se rezultatet nuk do të mungojnë.
Gjatë kërkimeve tona nëpër arkiva e biblioteka kemi ndeshur në shumë dokumente, dorëshkrime, inkunabula, libra antikuarë dhe të tjerë, të cilët janë të panjohur ose fare pak të njohur. Në këtë kuadër, bëjmë publike librin antikuarë të Pal Engjëllit (nipit të kryeipeshkvit të Durrësit, Pal Engjëllit senior), i cili është botuar në Venedik, më 7 maj 1524, me titull: ““Epistola Pauli Angeli: ad Sanctissimum in Christo patrem et Dominum Nostrum Dominum [D.N.D] Clementem diuina Prouidentia Papam septimum...”
Kjo ksombël, edhe pse e botuar para 486 vjetësh, është e panjohur për albanologët dhe studiuesit shqiptarë, edhe pse ajo ruhet të paktën në nëntë kopje të botimit të parë nga viti 1524, të cilat i kemi konsultuar ne, dhe në një kopje të ribotimit të dytë nga viti 1525. Duke dashur që kolegëve studiues, historianë dhe albanologë, por edhe lexuesit të gjerë, t’ua bëjmë sa më të afërt këtë ksombël të rrallë, për mendimin tonë me vlera të veçanta historike, filozofike dhe teologjike, ne botojmë disa faksimile të saj, përshkrimin fizik sipas kritereve bashkëkohore shkencore dhe analizojmë përmbajtjen e saj në mënyrë përmbledhëse.
Ne nuk dëshirojmë për momentin të futemi në debate me autorë të cilët me shkrimet e tyre paragjykojnë familjen e Engjëllorëve, për shkak se pothuajse të gjithë ata përshkruajnë njëri-tjetrin ose kopjojnë ndonjë studiues të huaj që nuk i ka dashur të mirën albanologjisë dhe historisë shqiptare, duke mos pasur në dorë dokumentet e shumta, dorëshkrimet dhe botimet po ashtu të shumta, për të cilat ne, në asnjë mënyrë nuk dëshirojmë të marrim guximin e të pohojmë origjinalitetin dhe saktësinë e tyre pa bërë studime krahasuese dhe pa i ballafaquar ato, të paktën me disa burime të tjera të sigurta. Në të vërtetë, duke botuar dokumente e dorëshkrime, duke sjellë njoftime për tituj librash antikuarë dhe të dhëna të reja biografike dhe bibliografike, dëshirojmë që vlerat e vërteta të dalin në dritë ndërsa falsifikatet (nëse ka të tilla, të cilat duhet të dëshmohen me argumente e jo me pohime boshe dhe të paqëndrueshme) të hidhen në pluhurin e harresës, atje ku e kanë edhe vendin.
Përshkrimi fizik i ksomblës nga viti 1524
Të gjitha ksomblat e librit antikuar të Pal Engjëllit të botuara në vitin 1524, më 7 maj, janë të lidhur me kopertina të forta pergameni të bardhë. Në asnjërën prej 9 (nëntë) ksomblave që njohim ne, në kopertinë nuk ka shënime, dekorime apo ndonjë vizatim. Menjëherë pas kopertinës janë 2 fletë boshe dhe pastaj vjen frontespici, i cili është i shënuar në gjysmë faqeje. Nuk ka asnjë ndryshim, cilido qoftë ai, në asnjërën prej ksomblave që njohim ne, nga botimi i parë i vitit 1524. Të gjitha janë identike dhe kanë dimensione 21 x 14,5cm.
Për sa i përket botimit të dytë të librit antikuar të Pal Engjëllit, nga viti 1525, ne njohim vetëm një ksombël deri me tani, ndryshimi i vetëm është te dimensionet. Dimensionet e ksomblës janë më të vogla, përkatësisht 15 x 10cm. Po ashtu edhe madhësia e grafemave është më e vogël, ndërsa është ruajtur e njëjta renditje si edhe te botimi i parë, i rreshtave në faqe, i paginimit, titullit dhe gjithçka tjetër. Faqja e frontespicit është e papaginuar. Në pjesën sipër tekstit është stema e Papës Klementi i shtatë, e cila është e vendosur në kornizë katrore. Ksombla nuk ka një titull të shkurtër apo të veçantë, por fillon me një inicial, grafemën “E”, e cila është e shtrirë vertikalisht në tre reshta. Teksti i frontespicit përbëhet nga 14 rreshta. (vijon)
-
-
Autorësia shqiptare në shkrimet latinë
Dr. Musa Ahmeti
Zbulohet një vepër e re e Pal Engjëllit , nipit të Kryeipeshkvit të Durrësit (2)
Sikurse të gjitha botimet e kohës, edhe të nëntë ksomblat që kemi konsultuar, frontespicin e kanë të shoqëruar me një katërkëndësh të dyfishtë. Brenda katërkëndëshit ka dekorime floreale shumë të bukura, në të majtë, ndërsa lart ka figura nga mitologjia, kurse në anën e djathtë dekorimet janë me motive biblike shumë domethënëse. Poshtë, në fund të frontespicit ka dekorime floreale të shoqëruara me figura nga përditshmëria, ndërsa në mes është një stemë e cila mbahet fort nga duart e dy personave të cilët shikojnë në të majtë.
Në frontespic nuk është shënuar vendi i botimit, botuesi e as data, muaj apo viti i botimit të ksomblës, por këto shënime i gjejmë në faqen e fundit të ksomblës (f. 49v). Nuk është shënuar emri i botuesit, e as vendi i botimit. Mirëpo, për vendin e botimit pohojmë me siguri se është Venediku; pas kërkimeve tona të bëra atje dhe literaturës së konsultuar kemi ardhur deri një përfundim i tillë.
Faqet janë të paginuara lart, në të majtë. Dy faqet që janë të renditura menjëherë pas frontespicit nuk janë të paginuara, ndërsa fletët tjera janë të paginuara, edhe pse në disa raste numrat nuk vërehen për arsye se ngjyra është fshirë apo kur është bërë prerja e margjinave të faqeve të ksomblës, së bashku me pjesët e letrës janë prerë edhe numrat përkatës. Ksombla ka gjithsej 98 faqe tekst. Pas përfundimit të teksti janë 2 fletë (katër faqe) boshe dhe kopertina e veshur nga brenda me letër të hollë të kohës. Ksombla është e ndarë në dy pjesë dhe tre kapituj. Pjesa e parë është e ndarë në dy kapituj të gjerë. Kapitulli i parë është i ndarë në pesë nënkapituj dhe atë: f. 1r-8v nënkapitulli i parë, f. 9r-12v i dyti, f. 13r-15v i treti, f. 16r-v i katërti, dhe f. 17r-v i pesti. Kapitulli i dytë është i ndarë në nënkapituj: f. 18r-20v i pari, f. 20v-22v i dyti, f. 23r-26r i treti, f. 26r-v i katërti, f. 26v-28v i pesti, f. 29r-30v i pesti, f. 31r-v i gjashti, f. 31v-33r i shtati, f. 33r-v i teti, f. 33v-34v i nënti, f. 35r-v i dhjeti, f. 35v-39v i njëmbëdhjeti. Në f. 40r është përmbajtja tabelare e lëndës. Në f. 40v është stema e Pal Engjëllit. Stema është e vendosur në një shqyt, ndërsa shqyti brenda një katërkëndëshi. Nuk ka dekorime. Brenda shqytit të stemës është një engjëll që mban në dorën e djathtë një degë palme, ndërsa në kokë ka një kurorë mbretërore. Engjëlli krahët i ka të ngritur lart. Është i gjunjëzuar dhe është i kthyer në të majtë. Sipër shqytit është një kryq me dekorime të varfra. Pjesa e dytë e ksomblës fillon në f. 41r dhe ka këtë titull: “Epistola Salutifera charitatis: Pauli cognomento Angeli...” Në fillim të tekstit është një inicial me dekorime floreale ku dominon hardhia e rrushit me fryt dhe gjethe të shumta, kurse brenda grafemës “E” është një zog me krah të hapur dhe kokën e kthyer në të majtë. Kjo pjesë nuk është e ndarë në kapituj, por paraqet një tërësi të vetme përmbajtësore dhe tematike. Siç thamë, fillon në f. 41r dhe vazhdon deri në fund të ksomblës në f. 49v. Në fund të faqes 49v, është data, muaji dhe viti i botimit të ksomblës, pra ksombla ka gjithsej 98 faqe. E tërë ksombla ka 107 iniciale, me dimensione dhe forma të ndryshme. Nga këto iniciale (nistore) 3 janë me dekorime floreale, 68 e janë unicial (grafema kapitale) dhe 38 janë grafema të vogla, të tipit mijuskul (italike).
Cilat janë veprat e tjera të Pal Engjëllit junior dhe ku ruhen ato
Ksombla e librit antikuar e Pal Engjëllit ruhet në bibliotekën “Seminario vescovile–Como”, pastaj në “Biblioteca Statle–Cremona, biblioteca Nazionale Vittorio Emanuele III–Napoli, biblioteca Comunale Augusta–Perugia, biblioteca Angelia–Roma, biblioteca Vallicelliana–Roma, biblioteca Universitaria Alessandrina–Roma; biblioteca Civica-Padova dhe në biblioteca Civica A. Hortis-Trieste”. Gjatë kërkimeve dhe hulumtimeve tona shkencore, ne kemi konsultuar këto ksombla dhe kemi edhe riprodhimet e tyre në letër, në CD dhe mikrofilm. Për të mos e rënduar lexuesin, ne nuk po shënojmë edhe vendndodhjet (signaturat) ku ruhet ksombla në bibliotekat përkatëse.
Pal Engjëlli është autor i gjashtë librave të botuar në periudhën kohore 1520-1544. Nga këta tituj, vetëm njëri është i njohur për studiuesit, albanologët dhe historianët shqiptarë, edhe ai vetëm si titull i përshkruar nga të tjerët (studiuesit e huaj), sepse shqiptarët nuk e kanë pasur asnjëherë në dorë ksomblën origjinale. Është fjala për ksomblën me titull: “Epistola Pauli Angeli ad Saracenos: cum libello contra Alcoranum: pro proudia: preuiaque dispositione conuersionis infidelium omnium mirabiliter: et fere repente: ad Iesum Christum Dominum Deum nostrum, uiam, ueritatem, et vitam plene satietatis: cui soli sit emper omnis laus, honor, et gloria, nobis autem obedientia fidelis, et pura tantum. Amen. Venezia: Alessandro Bindoni 1520”, të cilën ne e kemi të riprodhuar të tërën në letër dhe të skanuar.
Titujt e pesë librave të tjerë antikuarë të Pal Engjëllit janë: “Epistola Pauli Angeli: ad Sanctissimum in Christo patrem et Dominum Nostrum Dominum [D.N.D] Clementem diuina Prouidentia Papam septimum. In Sathan ruinam Tyranidis et in salutiferi supersubstantialis panis quottidiani Christicolarum gloriosam resurrectionem triumhatem iterum in omnem terram. Item prefato eiusdem Paulum Angeli [P. A.] in summam angelicam ordinatiori transmutatione capitulorum iam reformatam pro quacumque etiam summam consimilim et prefato summi Pontifici suoque sacro Concistoriali Senatui corrigendam submissam, cum enucleata veraci, apertiorique declaratione perfectae detegenda... [Venezia, m.a.] Datum in Domo Domino Nostro Iesu Christi in peregrinatione nostratis, Anno Domini M.D.XXII, nonis Maii [7 maj 1524]”; “Epistola Pauli Angeli ad Sanctissimum Dominum Nostrum Dominum [D.N.D] Clementem diuina Prouidentia Papam septimum. Venezia: Bernardino Viani da Lissona, 1525”; “Apologia: vel quasi exorcismus aduersus illorum hostium Dei peruersam: & ualde malignam intentionem: qui nuperrime triginta illas hamatiuas conclusiones Vuittemberge sic publice coaxare non horruerunt. Venezia: da Bartolomeo Zannetti, 1537”; “ HYPERLINK "http://edit16.iccu.sbn.it/scripts/iccu_ext2.dll?fn=10&i=60755" In transmutationis Summae angelicae ornationem Pauli Angeli nouissima satiusque reordinata connexio. Venezia, 1543”; “Pauli cognomento Angeli Apologia aduersus Lutheranae perfidiae nonnullas versutas palliatas & impias conclusiones. Venezia: da Bartolomeo Zanetti, 1544”.
Përmbajtja e ksomblës dhe vlera e saj
Ksombla e Pal Engjëllit, e shkruar para 486 vjetësh, ka një vlerë të veçantë për vetë faktin se renditet ndër librat e paktë të njohur deri me sot që kanë për autor një shqiptar. Nëse e shikojmë në këtë kuadër, atëherë kjo ksombël me botimin e saj të parë (1524) dhe atë të dytë, (1525) është një fillim i mbarë (së bashku edhe me titujt tjerë të Pal Engjëllit) për plotësimin e një zbrazëtie shekullore të krijimeve autoriale shqiptare në latinisht dhe italisht. Së bashku me paraardhësit ose bashkëkohësit, Marin Barletin, Marin Beçikemin, Mikel Marulin, Mikel Trkanjotin, Gjon Gazulin, Domenik Topinë, Dhimitër Frangun, Gjon Muzakën e ndonjë tjetër, Pal Engjëlli junior, me 6 veprat e tij të njohura deri me sot, do jetë njëri ndër krijuesit më frytdhënës me vepra kryesisht teologjike, përkthime, por edhe krijime të mirëfillta në latinisht dhe italisht. Autori në më shumë se një vend shënon vitin 1524, por edhe muajt mars dhe datat kur ai shkruan letrat-debat të cilat secila në vetvete duhen studiuar e analizuar për porosinë dhe anën përmbajtjesore shumë të pasur.
-
-
-
Regullat e Postimit
- Ju nuk mund të hapni tema të reja.
- Ju nuk mund të postoni në tema.
- Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
- Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
-
Rregullat e Forumit
Krijoni Kontakt