-
Rituali i dhëndërisë në oborr
Rëndom ujin e mbushur në krua, pus, çezmë apo në vendburim, dhe atë, nga tri vajza beqare që i kanë prindërit gjallë, e vëndojnë në zjarrin e ndezur prej ditës së parë apo prej kur janë zënë tri kuleçët. Këtë ujë e ruan njëri prej tri vajzave të lartpërmendura që ruajë prej dikujt të mos i bëjë ndonjë magji.
Në këtë kusi të mbushur me ujë, futin një monedhë të metaltë, që besohet se jeta e tij të shkojë mirë e fortë si hekuri.
Është zakon që dhëndër bëhet paradite, dhe atë, disa orë para se të shkojnë ta marrin nusen. Dhëndrin e ulin jashtë në oborr të shtëpisë, që më parë është ulur në gur, sepse është besuar se jeta e tij e ardhshme do të jetë e fortë si guri. Në këtë rast vajzat këndojnë këngë për dhëndrin se si ndahet prej beqarisë e si hyn në jetën e burrërisë.
Dhëndrin që e rruajnë dhe e qethin dy të rinj, ndërsa vajzat beqare ia hudhin para këmbëve një legen me ujë, që besohet se ky ujë i merr të këqijat dhe të ligat. Pasi e derdhin ujin nga legeni, atëherë marrin një ibrik me ujë dhe e lagin apo e stërpikin deri në atë shkallë, sa që kullon nga uji. Pra, stërpikjen e tillë e bëjnë të gjithë të pranishmit, si vajza, djem etj. Për këtë besohet se teshat e beqarisë që i heq ashtu të lagura me gjithë të këqijat dhe të ligat i heq me heqjen e teshave, kurse i merr uji me të cilin e kanë stërpik apo e kanë lagur.
Pas gjithë kësaj, atëherë ai që e bën dhëndër, së bashku shkojnë për në banjë, ku atje e kanë bërë gati ujin e ngrohur e të stolisur me gjethe e lule të ndryshme si dhe brenda në kusi futin një monedhë prej metali. Për të gjitha këto besohet besohet si: gjethet dhe lulja, që çiftit i ri të zbilojë si gjethet e të lulëzojë si lulet, kurse për monedhën e metaltë, që jeta e dhëndrit të jetë e fortë, e qëndrueshme si hekuri.
Rituali i rruajtjes dhe qethjes së flokëve si dhe shpërblimi me monedha të hekurta kur bëhet dhëndër
Të hollat e metalta ia hedhin në shaminë që rruhet dhe nënqethet, që është zakon i shpërblimit ndaj dhëndrit. Pra, këtë shami të cilën e mbajnë dy të rinj me qëllim që mos t’i pikojnë qime flokësh në tokë e të shkilen, sepse besohet se do t’i dhemb koka, s’do t’i ecë shëndeti, bile-bile edhe pas shumë dobësimeve mund edhe të vdesë. Për këtë shami mbahet me kujdes që të mos i bien qime flokësh dhëndrit.
Pasi e kryejnë këtë ritual, dy djemtë e rinj e lidhin shaminë me gjithë flokët si dhe paratë të cilat ia kanë dhuruar, dhe atë, në të katër qoshet e saj, e pastaj ia dhurojnë nënës së tij. Pra, kjo shami ruhet prej nënës së dhëndrit deri sa të vjen nusja, për të vetmin qëllim që mos marrë dikush flokët e tij e të bëjë ndonjë magji, e kështu me radhë. Pasi që vjen nusja, këtë shami së bashku me paratë e metalta, vjehrra e fut në arkën e nuses së re, të cilën e ruajnë deri sa të jetë gjallë çifti i ri.
Por, në kuadër të këtij rituali bëhet edhe rruajtja e dhëndrit, gjithashtu në oborr, i ulur në një gur, ku përreth tij luajnë valle shoqëria, miqtë, farefisi dhe atë, me dajre, por ndodh edhe me lodra e zurle. Ujin me të cilin e rruajnë dhëndrin, e marrin prej ujit me të cilin do të lahet në banjë. Pasi e rruajnë, qimet e mjekrës si dhe flokët i mbështjellin, siç u cek, në shami dhe mu për këtë shamia ruhet në arkë, që besohet se e mbron nga rreziqet e ndryshme të jetës së ardhshme, zënkave, grindjet, thika, plumbi, e kështu me radhë. Kurse për paratë e hekurta besohet që jeta e tij të jetë e fortë si hekuri, dhe mu për këtë nuk bën që këto pará askush t’i marrë, sepse besohet se i merret forca e tij.
Ky ritual me elemente pagane thuajse ende haset aty-këtu në nënqiellin e trevës sonë.
Rituali i pritjes së nuses nga ana e dhëndrit
Pasi që krushqit kthehen me nusen apo qesin krye në hyrje të lagjes, kodrës apo diç e ngjashme, por që duket prej shtëpisë së dhëndrit, në këtë rast dikur është përdorur rituali ku dhëndri ka dalë me dy motrat apo kushërinat* e veta të cilat kanë qëndruar anash tij, dhe atë, në këtë mënyrë: Kur krushqit janë parë e është dëgjuar gjëma e lodrave dhe zurleve, të shoqëruara me krisje të pushkëve lajmëtare, atëherë dhëndri së bashku me dy motrat apo kushërinat* e veta si dhe me nënën i ka shikuar krushqit përmes një shpate nëntëkrerëshe, dhe atë, duke i numëruar krushqit tri herë nga nëntë veta, sepse është besuar se nusja e vet, fëmijët do t’i lind në nëntë muaj apo në nëntë hënë si dhe fëmijët do t’i rrojnë.
Por, pas këtij rituali që ndoshta dikund në trevën tonë mund të haset ende, menjëherë e bëjnë edhe këtë ritual: Marrin një sitë të re mielli si dhe një shami apo tylben të bardhë të cilën ia vënë sitës përpara apo e mbështjellin. Pra, nëpërmes të kësaj site të mbështjellur me tylben, dhëndri, nëna dhe motra e tij e shikojnë nusen e re si dhe krushqit. Për këtë besohet se duke e parë për herë të parë nusen me tylbenin e bardhë nëpërmjet sitës, që jeta e çiftit të ri t’u shkojë bardhë e të mos kenë zënka, qortime me dhëndrin, nënën dhe mbarë familjen e tij.
Për sa i përket sitës së re, besohet që nusja e re të sjellë bereqet, që me sitë të gatuajë, pra, të shtohet pasuria si dhe të bëhet gatuese e mirë në të ardhmen. Në kuadër të këtij rituali aty-këtu haset rituali ku vetëm dhëndri e shikon nusen e re nëpërmjet një unaze të arit, për të cilën besohet se çifti i ri do të ketë lumturi e do të duhen ashtu siç duhet ari.
Duhet vënë në pah përse dhëndri gjithmonë duhet ta sheh i pari nusen, ngase në popull besohet se po ta sheh nusja e para dhëndrin, atëherë ajo burrin do ta mbajë gjithmonë nën kontroll apo urdhërin e saj.
Rituali i ardhjes së nuses
Në të kaluarën e afërt si edhe sot nëpër disa vende të trevës sonë nuset ende i marrin me kuaj.
Pasi që krushqit shpërndahen, kurse nusen me kuaj *** e arkave futen brenda në shtëpinë e dasmorit, ku për këtë haset ky lloj rituali, dhe atë, në këtë mënyrë: Vjehrra e shoqëruar me ndonjë grua tjetër të afërt të familjes ose farefisit del te dera e oborrit dhe e pret nusen e re. Në këtë rast vjehrra qëndron një çast të shkurtër duke e shikuar nusen e cila rri në kalë. Për këtë qëndrim besohet se mu siç rrinë të dyjat drejt, ashtu edhe punët në jetën e tyre t’u shkojnë drejt e mbarë.
Por, në këtë rast vjehrra rëndom flokët e kryes i ka të mbështjellura mirë, sa që nuk i duket asnjë fije floku, ngase po t’i duket ndonëj fije floku, në popull besohet se vjehrra me renë apo nusen e re do të qortohen, përlahen apo s’do të kenë muhabet.
Pra, para se të hyjë nusja tek pragu i derës së madhe të oborrit, e shtrijnë një zgjedhë të temlikut, që me hyrjen e kalit ose karrocës, që në popull për këtë besohet se zgjedha e temlikut ka të bëjë me shtimin e pasurisë, bereqetit, t’i shtohen kafshët, si kuajt, lopët etj., të punojnë e të lëvrojnë tokën, e kështu me radhë. Por, për këtë besohet se nusja e re t’i nënshtrohet anës së burrit apo thjesht thënë, t’u nënshtrohet urdhërave, çdo gjë njësoj si kafshët nën zgjedhën e temlikut. Ndërkaq, po me këtë zgjedhën e temlikut, vjehrra me ndonjë grua tjetër të cilat tri herë rresht e ngrënë duke filluar prej kryet e kalit e duke e vënë mbi shpatullat e nuses si dhe duke e zbritur sërish në tokë. Edhe për këtë besohet se nusja e re t’i nënshtrohet familjes së burrit mu si kau nën zgjedhë të temlikut, pra, të dëgjojë të punojë pa asnjëfarë protesti ndaj tyre.
Rituali para se të zbresë nusja
Pasi ende nusja nuk ka zbritur prej kali, qerreje apo veture, pra, pasi kryhet rituali i zgjedhës së temlikut, në vazhdim haset ky lloj rituali i stërlashtë, dhe atë, në këtë mënyrë: Marrin një vogëlush, pra, një djalë të moshës 1 deri 5 vjetësh, që prindërit i ka të gjallë, dhe atë fëmijë ia futin nuses së re ndër duvak, që besohet se nusja e re të lind në fillim djalë si dhe të jetojë me prindër të gjallë. Kurse, sa i përket moshës 1 deri 5 vjetësh, besohet se ky fëmijë i sjell mbarësi për të lindur vetëm djem, ngase numri tek është fatlum!
Në vazhdim djalin e lartpërmendur e mbështjellin fund e krye me një shami apo çarçaf të bardhë që të mos e shohë nusja si dhe fëmija nusen, ngase po të shihen, besohet se fëmijët dhe vetë nusja e re do të dergjin tërë jetën. Pra, në këtë rast fëmijën e futin tri herë rresht ndër duvak sa herën e tretë nusja e re qet e i jep një dhuratë që e ka mbështjellur për brezi, si: një këmishë, çorapë, etj.
Për këtë ritual, pra, të mbështjelljes së djalit me shami apo çarçaf të bardhë dhe ia ulin nuses në prehër, që në popull besohet që nuses së re në të ardhmen t’i mbushet prehëri me djem. Pastaj këtë fëmijë e ngrenë tri herë në prehërin e saj, por, më parë këtë fëmijë e kanë rrotulluar tri herë përreth qafës së kalit, e kështu me radhë.
Por, duhet përmendur se fëmijën gjatë tërë ritualit në fjalë nuk bën që nusja e re ta prek fare, ngase besohet se fëmijët që do të lindin do të jenë shëndetligë dhe do të dergjin së bashku me nusen e re.
Rituali i kësulave të bardha kur zbret nusja
Ky ritual bëhet në këtë mënyrë: Kur nusja zbret nga kali, koçia*, atëherë marrin tri kësula që dikur i kanë, apo në disa vende përdoren shtatë kësula të bardha. Pra, të gjithë këto kësula i marrin prej djemve beqarë të cilët prindërit i kanë gjallë dhe i palojnë njëra mbi tjetrën dhe tri herë i prekin kryet nuses së re. Pra, për këto kësula në popull besohet që ajo të bëjë vetëm djem si dhe t’i rrojnë me prindër të gjallë. Por, ka raste kur kësulat nuses ia vënë mbi kalauken e binishit të kuq.
Për sa i përket numrit i cili përdoret tek, është numër i cili sjell fat. Por, duhet cekur se ngjyra e kësulave të bardha besohet se nusja në jetë të çojë jetë të bardhë me burrin mu si ngjyra e tyre.
Rituali i tri gotave me raki dhe i musafit me rastin kur zbret nusja
Rituali në fjalë bëhet në këtë mënyrë: Kur nusja bën të zbresë nga kali, koçia ose vetura, vjehrra me një musaf të mbështjellur me një shami apo diç e ngjashme, me ngjyrë të bardhë, që në popull besohet se me prekjen e kokës, që rëndom është tri herë, nusen e re e mbron nga shpirtligat, dreqi dhe magjitë. Kurse, sa i përket ngjyrës së bardhë, me të cilën është mbështjellur ky musaf, besohet që jeta e tyre të jetë e bardhë dhe e hareshme. Por, ky ritual është i vonshëm, i cili është inkorporuar me pranimin e fesë islame, kurse para apo kur të parët tanë kanë qenë të krishterë, po këtë ritual e kanë përdorur, por me tri gota raki, dhe atë, në këtë mënyrë: Prej tri gotave të mbushura me raki, vjehrra e merr gotën e parë dhe e stërpikë vendin ku do të shkelë nusja e re; me gotën e dytë, të cilën ia ka rrotulluar tri herë rreth e përqark kokës; kurse gotën e tretë si dhe rakinë e mbetur prej dy gotave tjera e kanë futur në një enë të cilën e kanë mbyllur me tapë dhe e kanë vënë në dhomën e dhëndrit. Pra, për këto tri gotat me raki është besuar si numri tre, numër tek, i cili sjell fat e mbarësi në jetën e çiftit të ri, kurse rakia i ka mbrojtur prej shpirtligave dhe dreqit si dhe të mos iu bëjnë magji. I gjithë ky ritual është përcjellur me shoqërim të këngëve me dajre.
Rituali i kulaçit kur zbret nusja
Rituali i kulaçit në trevat tona bëhet bëhet edhe sot e kësaj dite si vijon: Me rastin kur zbret nusja nga kali apo koçia, rëndom e presin me këngë që këndojnë grupet e vajzave dhe grave, të shoqëruara me nga tri dajre apo më shumë. Pra, rituali në fjalë i kulaçit, i cili është gatuar para një jave në ditën e qërimit të drithit, rëndom mbështillet me ndonjë gjë të bardhë. Me rastin e zbritjes së nuses * e këtë kulaç i cili në vete përmban sheqer, miell nga të gjitha drithërat që janë qëruar në mulli para një jave si dhe monedhë të metaltë, pra, e prekin tri herë në krye me këtë bukë kulaçi, dhe atë, duke e rrotulluar përreth kokës, që në popull besohet se me ardhjen e saj, në shtëpinë e burrit sjell bereqet dhe nafakë. Por, ky kulaç ka edhe besimin e të gjitha elementeve që hasen në këtë, si sheqeri, që ka besimin e jetës së ëmbël për çiftin e ri në jetë, drithërat e përziera, që besohet se do të ketë pasuri edhe në bereqet, e kështu me radhë, si dhe monedha e metaltë, që besohet se jeta e dy të rinjëve të jetë e fortë mu si metali.
Por, duhet përmendur se buka – kulaçi i këtillë vendohet në sofër natën e dytë, që në popull e quajnë “nata e parë që nusja ulet në sofër të shtëpisë së burrit”, dhe, kjo natë zakonisht është nata e martë.
Rituali i tri kokrrave lakra të bardha kur zbret nusja
Se elemente të stërlashta që nga kohërat e perënduara apo që nga fillet e vonshme të paganizmit hasen në kuadër të shumë veprimeve jetësore, si në lindje, fejesë, martesë, vdekje e kështu me radhë, flasin qartë besimet e ritualeve të ndryshme që ende janë të gjalla në këtë nënqiell të Pollogut, Sharrit dhe Malit të Thatë. Pra, në kuadër të dasmës sonë gati prej ditës së qërimit të drithit e deri në fund apo edhe pas saj deri në tri ditë pasi që vjen nusja, hasen rituale të ndryshme të stërlashtësisë sonë.
Me rastin kur zbret nusja e re, përpos shumë ritualeve, edhe sot e gjithë ditën haset rituali i cili bëhet në këtë mënyrë: Vjehrra e shoqëruar me gra të tjera, me një tepsi prej bakri, ku në të vënë tri bukët e kuleçëve, kësulat e bardha, tri kokrra lakra të bardha etj. I merr lakrat dhe ia rrotullon tri herë rreth e rrotull kryes së nuses së re apo që në shumë vende lakrat ia prekin kryet, për të cilën në popull besohet se nusja e re do të lind fëmijë të mirë e shëndetplotë mu si lakra. Por, për lakrat besohet se nusja ardhja e nuses do të sjellë edhe bereqet apo bollëk në kulturat e bujqësisë. Për sa i përket ngjyrës së bardhë të lakrave, besohet se jeta e çiftit të ri të jetë e bardhë e përplot hare e gëzim, e kështu me radhë. Ndërkaq, tepsia prej bakri, për të cilën besohet se i mbron dy të rinjtë nga shpirtligat, qofshinlarg, dreqi si dhe nga magjia.
I gjithë ky ritual bëhet me shoqërimin e këngëve të ndryshme të kënduara me dajre nga të rejat apo beqaret si dhe grave të tjera.
Rituali i tërheqjes së duvakut dhe tri goditjet pas shpine prej dhëndrit kur zbret nusja
Kur zbret nusja, rëndom dhëndri së bashku me atë që e ka bërë dhëndër, afrohen, kurse dhëndri në këtë rast para se ajo të zbresë, i afrohet dhe i bie tri herë me grusht pas shpine, që besohet se nusja e re t’i nënshtrohet burrit, në të kundërtën nusja ha dajak po qe se nuk i nënshtrohet urdhërave të tij.
Por, me këtë rast nuses së re vjehrra ia tërheq duvakun pas shpinës, duke ia ngritur kokën lart, që t’i rrahë apo asgjësojë shpirtligat, qofshinlarg, ngase besohet se nusen e rëndojnë për deri sa rri në kalë si dhe të mos bjerë nga kali.
Rituali i zbritjes së nuses nga ana e vjehrrit apo dhëndrit
Sipas vendeve të ndryshme të trevës sonë hasen edhe rituale të shumëllojshme, por, të gjithë këto gati më parë kanë të bëjnë me zbritjen e nuses prej kali apo koçie – veture. Në të kaluarën si dhe rrallë herë haset edhe sot, që vjehrri ta zbret nusen. Pra, në të kaluarën vjehrri e ka zbritur nusen prej kali, koçie apo veture, dhe atë, në këtë mënyrë: Nusen e ndihmojnë për ta zbritur dy gra, që në popull quhen “ULIXHE”, kurse vjehrrin vetëm pak e prek me supin e djathtë të krahut të tij të majtë. Nusja e re në këtë rast vjehrrit i ka falur një dhuratë që e nxjerr prej brezi, si: çorapë të qëndisur, këmishë të veme prej pëlhure, çarçaf për jorgan, etj.
Por, në rastin kur e zbret dhëndri nusen, haset ky lloj rituali: Kur bën nusja të zbresë në tokë, me këmbën e djathtë apo dhëndri me këmbën e majtë, pra, kush i pari sado pak e prek mbi shuplakën e epërme të këmbës, që në popull besohet se kush i pari i shkel këmbën ai do ta mbajë nën urdhër. Por, rëndom preferohet që për këtë përparësi të ketë dhëndri. Duhet përmendur se kur dhëndri e zbret nusen prej kali apo koçie, nuk bën aspak që nuses t’i zënë apo t’i prekin këmbët në tokë, ngase besohet se mund të shkelë në ndonjë magji ose ta trazojë shpirtligën apo atë qoftlarg, dhe në këtë rast nusja e re nuk i jep asgjë dhëndrit për dhuratë.
Për atë pse gratë nuk e zbresin nusen, në popull thuhet dhe besohet se gratë janë “shejtane” dhe mu për këtë ato edhe s’mund ta zbresin, sepse e shoqërojnë “shejtanin”, e nusja e re do të jetë tepër e padëgjueshme, e pasjellshme, do të krijojë zënka, e kështu me radhë. Por, vlen të përmendet se është nënçmim për atë familje ku gratë e zbresin nusen, për këto bindje apo arsye, si familja e tyre është e nënshtruar nën urdhërat e grave, aty s’ka fare burrëri, privelegji i grave është në parim të kundërt me traditën tonë kombëtare për festën e dasmës megjithëse dikur ka pasur rast të rrallë kur gratë e kanë zbritur nusen, edhe atë, në mungesë të prindërit apo meshkujve më të afërt të familjes.
Pasi bëhet ky lloj rituali, pason rituali i stërlashtë pagan kur dhëndri e zbret nusen dhe e çon në ahur, oborr, krua, te pusi, e kështu me radhë.
Rituali i stërlashtë kur dhëndri e zbret nusen
Pavarësisht se nusen e zbret vjehrri apo dhëndri, nusen ashtu të veshur me duvak, e futin për herë të parë në ahur, ku i mbajnë lopët, kuajt, gomarët, dhentë, dhitë, etj. Por, me rastin e zbritjes së nuses dhëndri e kap me një dorë për mjedisi dhe ashtu e mban pezull ndër sqetull të krahut të djathtë, dhe atë, pa i prekur fare këmbët në tokë. Pasi që e çon brenda në ahur, e lëshon në këmbë mbi një tepsi të bakrit. Por, në afërsi të kësaj tepsie lënë edhe gjygim të bakërt e të mbushur me ujë si dhe një shinik.
Kur nusja shkel mbi tepsi, një grua merr gjygimin dhe ia lanë këpucën e djathtë apo të dyjat. Për sa i përket tepsisë si dhe gjygimit të bakërt, në popull besohet se nusja te burri do të jetojë gjatë e të jetë e fortë mu si bakri.
Por, duhet vënë në dijeni se larja e këpucëve të nuses me ujin e gjygimit, që në popull besohet se bereqetin ia marrin prindërit e saj apo të familjes së babait të saj dhe të kalojë në familjen e burrit, sa që i tërë bereqeti të fshihet prej shtëpisë së prindërve të nuses.
Por, pas këtyre nusja ulet një kohë të shkurtër mbi shinik, i cili është i kthyer mbrapsht, për të cilin besohet se ky shinik do të mbushet plot e përplot me bereqet që me ardhjen e saj. Pra, pasi nusja ngritet nga shiniku, dhëndri ia ngre pak duvakun kah fytyra dhe pastaj ia heq krejt nga kryet dhe ia vëndojnë në krye ndonjë fëmijës së vogël, i cili është djalë dhe prindërit i ka gjallë, që besohet se nusja e re të lindë vetëm djem e të rriten me prindër. Pra, vogëlushit të cilit ia vëndojnë duvakun e nuses mbi krye, nusja e re e shpërblen me një pará të metaltë, që besohet se çifti i ri në jetë të ketë pasuri, kurse nusja e re gjithmonë ta shtojë pasurinë e t’u japë edhe të tjerëve.
Pra, pasi që ia heqin duvakun, atëherë qëndrojnë të dy në këmbë.
Rituali kur nusja e re hyn në ahur
Në të kaluarën është përdorur rituali i heqjes së duvakut në ahur, që sot heqja e duvakut bëhet vetëm në dhomën ku ajo mbyllet me dhëndrin. Pra, nusen e kanë shtyrë në ahur që t’i prekë tri kafshë shtëpiake, dhe atë, vetëm nga një herë. Pastaj ka marrë një fije bari, si kashtë apo kullosë dhe ua ka qitë në grazhd si dhe e kanë çuar që të prekë disa vegla bujqësore, si: drapërin, shatin, kacinë, tërfurkën, pllugun, etj.
Për të gjitha këto është besuar me sa vijon: Nusja e re të njihet e të punojë në jetë e t’i ruajë dhe mirëmbajë nën kujdes. Pra, për këto relikte të lashta thjesht pagane, qartë kuptojmë jetën e atëhershme familjare. Ky lloj rituali nuk haset më në trevën tonë.
-
-
Rituali i nënshtrimit të nuses së re ndaj dhëndrit
Pasi që nuses ia kanë hequr duvakun, atëherë si dhëndri ashtu edhe nusja e re rrinë gati, ku dhëndri e ka kapur për hunde, dhe atë, në këtë mënyrë: Duke ia ngritur duvakun, e ka kapur tri herë për majën e hundës, ku edhe ia ka ngritur kokën lart si dhe janë shikuar sy më sy pa folur fjalë. Për këtë ritual është besuar se nusja e re t’i frikësohet burrit apo të mos flasë shumë, por t’i nënshtrohet atij në jetë.
Por, në disa vende të trevës sonë po ky ritual është përdorur në mënyra të ndryshme, si për shembull: Kur dhëndri ia ka çuar duvakun që t’ia shohë fytyrën, këtë e ka bërë me ndonjë gjësend të hekurt, si me mashë zjarri, thikë, lugë e diç të ngjashme, por, që ka qenë prej hekuri, që për këtë është besuar se nusen e re dhëndri gjithmonë në jetë do ta shohë shëndoshë e mirë, të fortë mu si gjësendet e hekurta, e kështu me radhë.
Pra, ky ritual i stërlashtë pagan na jape të kuptojmë se për të gjitha ritualet e bëra më parë, si nëpërmjet shamisë së bardhë, sitës së miellit, unazës së artë, etj., ku dhëndri duhet të shohë i pari nusen, ngase është besuar si dhe sot e tërë ditën besohet se nusja e re do të jetë e fortë fizikisht – e shëndoshë, në të kundërtën po ta shohë nusja e para, atëherë besohet se dhëndri do të jetë shëndetligë, i sëmurë apo do të dergjë tërë jetën. Prandaj për këtë ritual besohet se burri duhet të jetë i pari për të gjitha punët në bashkëshorti. Nga kjo qartë kuptojmë nënshtrimin e nuses ndaj burrit.
Sa i përket ritualit kur nusja hyn në ahur, të shtojmë edhe këtë: brenda në ahur dhëndri dhe nusja i kanë prekur njëri-tjetrit barkun afër kërthizës, lugut të zemrës, që është besuar se u është rritur dashuria ndaj njëri-tjetrit. Ndërkaq, pasi që janë njohur të dy brenda në ahur, ku është sjellur një djalë i vogël, me prindër të gjallë, i cili ia ka hequr këpucët, që kjo haset edhe sot e kësaj dite në disa vende të trevës sonë. Me heqjen e këpucëve që nusja e re e shpërblen me ndonjë dhuratë, si: çorapë të shkruar, këmishë të perenxhiktë, etj. Pra, ky farë* fëmije shpërblehet mu si fëmija i cili ia ka vënduar duvakun e saj në kokë. Në këtë rast në këpucët si dhe dorezat që i kanë, pra, i merr të hollat, për të cilën gjë besohet se ajo me këto sjell bereqet dhe pasuri, dhe atë, prej këmbëve e deri në kokë si dhe duart t’i ketë të atilla që të japë gjithmonë. Pra, për heqjen e këpucëve, të dorezave të bardha, konkretisht për këpucët, besohet se me veshjen e një palë sandalleve që ajo i mbath, se nusja e re prej këtij çasti e tutje është bërë anëtare e barabartë e familjes apo shtëpisë së burrit.
Rituali i prerjes së hapave të nuses pasi zbret
Me rastin e largimit të nuses nga tepsia, në të cilën ka zbritur apo, pastaj shkel mbi një sëpatë, të cilën e kanë vënë aty-pari tepsisë ashtu të shtrirë në një anë. Atëherë e merr vjehrra sëpatën dhe me të i shkon pas dhe ia pret hapat që ajo i len pas, dhe atë, deri atje ku nusja do ta heqë duvakun.
Për këtë prerje me sëpatë besohet që të gjithë të këqijat, magjitë, ato qofshinlarg, shpirtligat i mbyt apo i largon, që nusja të mos shkelë në ato gjurmë, se besohet se ajo sëmuhet, ligështohet, e kështu me radhë. I gjithë ky ritual përcillet me shoqërimin e këngëve të kënduara me dajre nga vajzat beqare dhe gratë.
Rituali kur dhëndrit ia urojnë dhëndërinë apo martesën
Pasi që kryhen ritualet, si zbritja, ngritja e duvakut, kapja për majën e hundës, prekja e lugut të zemrës nga të dytë, heqja e duvakut, binishit të kuq, çizmeve-këpucëve, dhe pasi që shihen dhëndri me nusen, dhëndri del përjashta në lamë dhe krisë tri herë me pushkën lajmëtare, që në popull besohet se dhëndri e ka parë dhe e ka pëlqyer nusen. Pasi që të gjithë dëgjojnë krismat e pushkës lajmëtare, atëherë dhëndri del e shkon te lodrat dhe zurlet, ku “ustallarët” e presin e ia bëjnë “nibetin” e dhëndërisë. Në këtë rast tupanxhiu i rrotullohet tri herë rreth e përqark dhëndrit, e atëherë ky e shpërblen tupanin me një grusht pará të metalta, të përziera me sheqerka të kuqe dhe leblebia*, që në popull besohet se dhëndrit do t’i shtohet pasuria mu ashtu si paratë që i hudh të panumëruara si dhe të çojnë një jetë të ëmbël mu si sheqerkat e kuqe, e kështu me radhë.
Pastaj i afrohen njerëzit tjerë dhe ia urojnë dhëndërinë apo martesën, e në disa vende ia japin dorën dhe e marrin n’grykë*, kurse në disa vende të trevës sonë vetëm i thuajnë, urime.
Rituali kur nusja hyn në “shtëpinë e zjarrit”
Pasi që nusja del prej ahuri, atëherë i merr n’grykë të gjithë anëtarët e familjes së burrit. Pra, ky është çasti kur nusja del haptas para familjes së burrit të vet. Kështu pasi që kryhet rituali i lartpërmendur, atëherë nusen e çojnë në shtëpinë e zjarrit apo “mutfak” – “shpizës”, që rëndom është një dhomë e vogël, e cila shërben për kryerjen e punëve, si të gatuarjes, ku piqet buka, pita, etj.
Në mesin e kësaj dhome të “shtëpisë së zjarrit” vëndojnë një saç ku nën të gjendet një pjatë e mbushur me qumësht. Pra, nusja sillet tre herë përreth saçit dhe e ngre atë. Pastaj poashtu e sheh pjatën e mbushur me qumësht të shtëpisë së burrit, që në popull besohet se ajo e sheh veten përherë të parë në qumësht, që në jetën e re të saj me burrin të shihen gjithmonë bardhë mu si qumështi i bardhë.
Por, rituali i qumështit të bardhë sot në shumë vendbanime të trevës sonë ka pësuar ndryshime për nga forma dhe vendi i kryerjes, dhe atë, në të shumtën e rasteve e hasim në mbrëmje kur e mbyllin dhëndrin me nusen.
I gjithë ky ritual bëhet me shoqërimin e këngëve të përcjellura me dajre nga vajzat dhe gratë, ku nuses ia nënçmojnë anëtarët më të afërt të familjes së babait, e kështu me radhë.
Rituali i magjes dhe prekjes së gozhdave prej nuses së re
Pasi që kryhet rituali kur nusja e re hyn në “shtëpinë e zjarrit” pason rituali në fjalë i cili bëhet në këtë mënyrë: Pasi që në brendi apo në dhomën e shtëpisë së zjarrit gjenden shumë gjësende apo orendi, si saçi, saxhaku, zinxhiri i zjarrit, magja si dhe enë të tjera (v.i. fjalia duhet të zgjatet). Pasi që nusja e re e kryen ritualin e saçit dhe të pjatës së mbushur me qumësht, atëherë e çojnë te magjja ku gatuajnë, ku ajo e shoqëruar me gra dhe vajza beqare, tri herë e çel dhe e mbyll kapakun. Për këtë ritual besohet se do të shtohet bereqeti i magjja kurrë të mos shteret. Rëndom mbi dhe në brendi të magjes nusja e re i lë disa pará të hekurta, të cilat i marrin magjetoret si shpërblim, për të cilat besohet se përherë magjja të jetë e mbushur plot e përplot me miell e me drithëra.
Me këtë rast nusen e re e çojnë që t’i prekë gozhdat e gozhduara në mur, dhe atë, nga tri herë, që besohet se prej atij çasti ajo i mëson të gjitha varëset si dhe të gjitha punët në jetën e ardhshme t’i shkojnë mirë e mbarë dhe fortë si hekuri.
Rituali i furrës dhe zinxhirit të zjarrit, lugëve, sitës, sofrës dhe shumë gjësendeve që i prek nusja e re
Rituali në fjalë bëhet në këtë mënyrë: Pasi që nusja e kryen ritualin e magjes dhe të prekjes së gozhdave, pastaj e çojnë me gra dhe vajza beqare të cilat këndojë këngë të ndryshme, e më të dalluara ato me satirë humoristike. Nusaj e re rrotullohet tri herë rreth furrës së zjarrit, e pastaj ajo e prek tri herë zinxhirin e zjarrit të votrës, që në popull besohet se çifti i ri të jetojë sa furra e zjarrit dhe zinxhiri. Por, aty pari furrës së zjarrit janë të lëna tri lugë të cilat i merr nusja e i vëndon në vendin e veçantë te lugatorja apo te kripanica. Edhe për këtë besohet që nusja e re të jetë e shpejtë si zjarri e furra si dhe të jetë e zoja të orendisë shtëpinë apo të gjitha gjësendeve t’ua gjejë vendet e veta. Por, për tri lugët besohet se në shtëpinë e burrit do të shtohet bereqeti e pasuria.
Në këtë rast nusja vazhdon t’i prekë edhe shumë gjësende të tjera, si sitën e miellit, që në popull besohet se ajo do të sjellë bereqet e drithëra, që t’i sitë e të gatuajë. Ndërkaq, nusja e re i prek nga tri herë, si sofrën, qypat, shekat si dhe enë orendie të tjera shtëpiake që në vete përmbajnë besimin e stërlashtë pagan të bereqetit, punëve, e kështu me radhë.
Kanagjexhja
Përgatitjet për ta bërë vajzën nuse fillojnë që ditën e premte dhe atë*, i vijnë tesha nga farefisi i saj. Pra, që ditën e premte ajo mbyllet në dhomë dhe nuk del jashtë, si dhe nuk iu del as prindërve të vet. Gjatë kësaj kohe deri sa ajo bëhet nuse, e shoqërojnë vajzat beqare apo shoqet e saja si dhe TELAKJA e parë, e cila e përgatit për nuse. Pra, vajzën e përgatitin dy telake, dhe atë, e para fillon ta bëjë nuse, ndërsa e dyta e përfundon apo e bën nuse. Për sa i përket telakes së parë, ajo patjetër duhet të jetë nga gjaku i vajzës apo farefis i ngushtë, dhe atë, si: nusja e vëllait, motra e saj e madhe, vajza e mixhës, e dajës, tezes, hallës, e kështu me radhë, si dhe të jenë të besueshme e të kenë fëmijë, kuptohet me prindër të gjallë. Por, duhet cekur përse ato që e bëjnë vajzën nuse duhet të jenë të martuara. Duhet të jenë të martuara, sepse ajo më tepër do të mësojë rreth çështjeve të ndryshme, si duhet të veprojë konkretisht ndaj burrit gjatë natës së parë të martesës, gjatë natës së gjedekut, etj.
Pra, për këto dy telake ka një kusht themelor, që ato fëmijët e parë t’i kenë djem, ngase besohet që ajo në jetë të lind vetëm djem.
Dy telaket kanë angazhimet e tyre, si e para e cila e përgatit vajzën për nuse, duke e larë, duke ia vënduar kanën që ia kanë dërguar ata të burrit në ditën e petkave, duke veshur me teshat e nusërisë, *ashtu edhe telakja e dytë, e cila vajzën që bëhet nuse e teleisë me të gjitha orenditë për nuse.
Por, duhet përmendur se telakja e parë në rastin kur petkaxhinjtë hynë nga dera e shtëpisë, kjo e nxjerr nusen e re në një dritare të shtëpisë, prej ku i numëron tri herë nga nëntë veta petkaxhinjtë, dhe atë, duke i shikuar përmes një shpate nëntëkrerëshe, që besohet se fëmijët t’i lind në nëntë muaj apo nëntë hënë e t’i jetojnë.
Rituali kur vajza i veshën teshat e nusërisë
Përderisa dy telaket e përgatitin vajzën për nuse, pra, e para, siç dihet, e bën gati, dhe atë, në këtë mënyrë: Mblidhen shoqet e vajzës siç është zakon ditën e shtunë paradite, e në të kaluarën që ditën e premte, bile edhe më herët*, edhe atë, në dhomën ku ajo mbyllet. Së pari marrin dhe ia qepin teshat si dhe pajën e saj që e ka përgatitur kur ka qenë beqare dhe gjatë kohës kur ka qenë e fejuar apo ndër nishane, si dhe pajën që ia kanë sjellur petkaxhinjtë apo ana e burrit.
Pra, një ditë para se të shkojë nuse, dhe atë, që në mëngjes e ndejnë në mur pajën apo çejzin, kuptohet, teshat e trupit, kurse ato tjerat, si jorganin e diç të ngjashme i futin në arkë apo në “çekmexhe” ashtu mirë të paluara. Këto tesha vijnë e i shikojnë mbarë farefisi i gjerë i saj gjatë tërë ditës.
Siç cekëm më lartë, vajzën e bëjnë nuse ditën e shtunë që në mëngjes me të gjitha ritualet, duke filluar prej larjes në banjë, vënia e kanës së kuqe, zënia e gërshetëve e deri te veshja me teshat e nusërisë. Pra, telakja e cila e ka bërë gati, sërish i vëndon kanën në krye apo në flokë, në këmbë dhe në duar. Por, kjo kânë* në popull quhet “përsëritja e kanës”, ngase qysh të premten ia kanë vënduar kanën e flokëve. Nga ana tjetër, nusja e re rri e strukur në një skaj, e mbështjellur me një plaf të bardhë apo ndonjë tylben a shami të bardhë, që besohet se nusëria t’i shkojë vetëm bardhë. Por, duhet përmendur kur vajzës ia heqin teshat e vajzërisë, ku ajo gjoja se kundërshton, e shoqet e saja ia heqin disi me shumë mundime, e në këtë rast ajo fillon të qajë e të dënesë, kurse shoqet e saja i këndojnë këngë të ndryshme që i kushtohen beqarisë, si p.sh.:
Qaj mij* Lulije motër, qaj me lot
kur do të rahe Abaz derii kush do të dale zot
kur do t’dale zot oj Lulie nazli sheret
ajo vjehrra është e gjalit t’vet.
Ose
Qan Zulçja në votër
si të erdhën ditët mori motër
si të erdhën ditët mori motër
si do na i lësh punët papunumun
naok e qajshin motrën sa du shkoje
po i qajshin punët kush dë va bojë…
… e kështu me radhë.
Pra, e futin në banjë ku ajo brenda lahet dhe ***. Pra, kur del prej banjës, së pari ia veshin teshat e dikujt si të ndonjë femre apo gruaje të afërt të familjes së saj, ngase besohet se shpirtligave apo atyre qofshinlarg u bën dredhi që ato të mos e shëmtojnë, dëmtojnë e t’i bëhet ndonjë magji. Pra, këto tesha ajo në mbrëmje i heq nga trupi dhe vishen ato të rejat që i ka përgatitur ana e babait të vet të cilat kanë qenë të mbyllura diku që askush më parë s’i ka parë, që besohet se po t’i ketë parë, atëherë shpirtligat, dreqi apo ato qofshinlarg, të mos i bëjnë gjë (v.i. mund t’i bëjnë ndonjë gjë). Por, për këto tesha thuhet se me qëllim nuk i kanë ndenjur e as i kanë treguar më parë që dikush të mos marrë “yrnek” si dhe t’i bëjnë ndonjë magji.
Pra, qartë kuptojmë se teshat që i vesh në mbrëmje janë të familjes së vet me qëllimet dhe besimet e përmendura.
Pra, kur ia veshin teshat e para në mëngjes, ajo rri në një jastëk apo shkëmb në skajin e dhomës, dhe atë, me fytyrë të kthyer kah muri. Gjatë kësaj kohe një vajzë e afërt e familjes i qëndron pranë, që kujdeset që kush nga të pranishmet apo ato që vijnë gjatë ditës për ta parë e t’ia urojnë nusërinë, të mos i bëjnë ndonjë magji. Pra, të gjitha vajzat dhe gratë që vijnë për t’ia uruar familjes dhe vajzës nusërinë, zakonisht sjellin edhe dhurata apo peshqeshe të ndryshme, si shamia, çorapë e diç të ngjashme.
Pra, nusja e re qanë kur vijnë ta vizitojnë, por, në të gjitha këto rastet e përmendura telakja e parë kryen punët e veta.
Rituali i heqjes së teshave të vajzërisë
Ky ritual bëhet në këtë mënyrë: Telakja apo nëna e vajzës i kushtojnë rëndësi të posaçme ndërrimit apo heqjes së teshave të trupit, e cila bëhet në këtë lloj formësimi të rrumbullakësuar: teshat e vajzës i merr në dorë telakja apo nëna dhe atë, pa i lëshuar fare në tokë. Rëndom teshat e vajzës i mbështjellin me “skutaçe” të beqarisë e i marrin ashtu mirë të mbështjellura dhe i ngrenë në tra, ku atje i varin që të mos prekin kund, si p.sh., po të prekin në dysheme apo në tokë, besohet se atëherë vajzës që bëhet nuse mund t’i ndodh ndonjë e keqe, mund të sëmuret apo të dergjë ose të vdesë e ta gëlltisë toka.
Rëndom nëna e vajzës që shkon nuse i merr teshat e mbështjellura me “skutaçe”, dhe, po qe se dëshiron që vajza e saj të bëjë fëmijë pas një viti, ajo i merr teshat dhe i lanë menjëherë në koritë, në krua, që për këtë në popull besohet se mu ashtu siç ecë uji mu ashtu edhe ajo në vazhdë të kohës të lind fëmijë. Kurse kur dëshirohet që ajo të mos lind që në vitin e parë, atëherë siç u përmend më lartë, i merr dhe i var në tra, dhe atë, për aq ditë sa ato rrinë pezull të varura në tra, për aq vite ajo nuk dëshiron që e bija të mbetet me barrë.
Varësisht nga dëshira e nënës aq ditë teshat rrinë varur në tra, e pastaj këto tesha i marrin dhe i lajnë mirë. Pra, këto tesha rëndom ia japin motrës së vogël, dhe, po qe se nuk ka motër, atëherë ia japin ndonjë vajzës së afërt të familjes apo ndonjë shoqes së saj. Me këtë rast këndohen këngë të ndryshme, si p.sh.:
Kaj moj motër ne të ndajë Zabeli
ilvida me shoqet natën e Shën-Gjergjit
Kaj moj motër e s’kije me pushue
ilvida me ne oja me bèe
Çiti dimijat mavije me rrudha
ne t’i baje Hajrije kurva
ne t’i baje Hajrija ne t’i baje
kur t’i bjerë malli për mue ne t’i kaje…
apo
Oj Lulie hënmi lule groshe
oj e mejro përziju me shoqe
përziju ndër shoqe oj qibare
se tej bëhesh nuse hiç të mos veje mbare…
… e kështu me radhë.
Pra, asaj që i japin këto tesha, kuptohet se ajo e ka radhën që të shkojë nuse.
Rrallë herë ndodh që këto tesha nusja t’i merr me vete e t’i ruajë gjatë tërë jetës në shenjë të kujtimit të vajzërisë e t’i ruajë në arkë apo në “çekmexhe”.
Rituali i mbushjes së ujit që lahet vajza e cila bëhet nuse
Vajza e cila bëhet nuse zakonisht lahet dy herë: të parën herë kur asaj ia vëndojnë kanën në flokë, dhe të dytën herë kur ia veshin rrobat e nusërisë, e kështu me radhë.
Uji që mbushet për t’u larë nusja, mbushet pa folur fare – bile as ndërmjet vete e as t’u flasë dikush; prej fillimi deri sa e vënë në zjarr për t’u ngrohur, ngase besohet se në të ardhmen kjo mos të përlahet e të ketë zënka në jetë si dhe të mos dëgjojnë ato qofshinlarg apo shpirtligat.
Ujin e mbushin me një kusi prej bakri, dhe pasi e vënë në zjarr, në të futin gjethe dhe lule të ndryshme. Për këto lule besohet se jeta e çiftit të ri gjithmonë të lulëzojë, si dhe për zjarrin besohet se kurrë në jetë të mos shuhet votra e çiftit të ri, kurse për kusinë e bakërt poashtu besohet që bashkëshortësia e tyre të jetë e fortë si metali i bakërt i cili i mbron edhe nga shpirtligat dhe marrja mësysh.
Këtë ujë e mbushin rëndom si në rastin kur i zënë kuleçtë, kur e mbushin ujin për t’u larë dhëndri, dhe atë, tri vajza, që besohet se ky numër si në të gjitha rastet sjell vetëm fat të mirë e mbarësi, por për tri vajzat poashtu besohet se do t’i lind fëmijë, pra, ky çift do të bëhet vetë i treti.
Por, ka diçka që ndryshon sado pak, konkretisht uji për t’u larë nusja nuk bën të mbushet prej ndonjë pusi apo tri puseve si në rastin e mbushjes së ujit për larjen e dhëndrit, por vetëm prej ndonjë uji i cili gjithmonë rrjedh, ngase besohet se ajo në jetë do të shtojë, përparojë, do të lind, pra, do të rrjedh jeta me fëmijë të njëpasnjëshëm si rrjedh uji prej burimit të kronit. Pra, ashtu siç ecën uji në natyrë, edhe asaj në jetën bashkëshortore t’i ecin punët pa u ndalur kurrë, e kështu me radhë.
-
-
Rituali i zënies së gërshetave kur bëhet nuse
Tri vajza beqare*, vajzës që bëhet nuse marrin dhe ia zënë flokët bishta në këtë mënyrë: është zakon që bishtalecat t’ia zënë tri vajzat beqare të cilat i kanë gjallë prindërit, dhe atë, në numër tek, si: 3, 5, 7, 9, 11, 13 e kështu me radhë. Për zënien e bishtave varet se sa flokë ka nusja e re. Por, mirë është kur ajo i ka flokët e dendura, që më shumë t’i zënë bishta, dhe atë, bishta të hollë, që kuptohet numri i tyre të jetë më shumë dhe në numër tek. Pra, bishtalecat e tillë nuses së re ia zënë tërë shpinën. Këto bishtaleca i lëshojnë shpinës së saj dhe i kapin me një pe, dhe atë, një për një në formë horizontale, ku vëndojnë thelbe hudhrash në të gjitha bishtalecat si dhe ndër perin e bishtalecave apo në vargun e penjëve të vënduara, thelbet e hudhrave tërheqin një pe në të cilin i varin nja tre pistila* rruazash, gjithashtu në numër tek.
Për sa u përket thelbave të hudhrave, në popull besohet se shërbejnë për ta mbrojtur nga shpirtliga, ato qofshinlarg si dhe mos të marrin mësysh apo të mos e zë magjia, e kështu me radhë.
Pasi që ia zënë bishtalecat, atëherë telakja e dytë ia vëndon vathët, qaforen, tri unazat si dhe orën e dorës që ia kanë dërguar ata të burrit.
Rituali i vënies së kanës
Rituali i vënies së kanës është zakon i lashtë i cili haset edhe sot e kësaj dite në trevën e nënqiellit tonë, dhe atë, në këtë mënyrë: Natën e enjte apo të shtunën pasdarke, mblidhen shoqet, pra, vajzat beqare dhe gratë, të cilat e përcjellin ritualin e shtruarjes së shtratit, që në popull quhet “Shtrati i burrit”. Këtë shtrat e shtojnë mu në mes të dhomës ku ajo i ka bërë përgatitjet e mëparshme, si larjen në banjë, veshjen e teshave të para për nusëri si dhe vënien e kanës. Pra, pasi e shtrojnë shtratin që e kanë dërguar ana e burrit, atëherë e marrin vajzën-nuse dhe me zor e ulin apo e shtrijnë në këtë shtrat, dhe atë, në kokërr të shpinës, ku e mbulojnë me jorgan apo me plaf të bardhë apo diç të ngjashme. Por, në këtë rast ia lënë jashtë duart dhe këmbët, për t’ia vënë kanën, e me këtë rast e këndojnë me këngë të ndryshme, si p.sh.:
Jorgani i derrit te dera
ngraò motër – hijn n’ato* stela
jorgani i derrit te laòma
ngraò motër – hijn tej te nëna
jorgani i derrit te votra
ngaò motër – hijn tej te motra…
… dhe këngë të tjera.
Por, duhet cekur se mbi krye të vajzës-nuse i vënë çevrën, këmishën dhe çorapët e dhëndrit që janë të qepura në formë të një rrethi që në popull quhen “Shenjat e dhëndrit”. I gjithë ky ritual ka për qëllim që vajzën-nuse ta paranjoftojë e ta parapërgatitë psikikisht për fjetje me burrin të nesërmen mbrëma. Pasi që e shtrojnë shtratin, marrin dhe e futin brenda një djalë të vogël i cili i ka prindërit gjallë, që besohet se nusja e re të lind fëmijën e parë djalë e të jetojë me prindër. Pasi që e bëjnë këtë, atëherë telakja e cila e ka përgatitur që më parë kanën në një enë apo pjatë të bakërt, që për këtë besohet se e mbron prej shpirtligave, ato qofshinlarg, magjitë dhe mësyshi si dhe nusja e re të jetojë gjatë sa jeton bakri po aq të jetoj edhe ajo me burrin në jetën e ardhshme.
Vënien e kanës zakonisht e përdorin në gishtat e këmbës dhe duarve, por ka raste kur ia vënë kanën duke e përfshirë krej shpinën dhe gjithë gishtat e duarve – deri te thonjtë. Për këtë hasen disa lloje të vënies së kanës, si: DIZ (krejt), pa kurrëfarë zbukurimesh, DUMAN, Bajrak.
Duhet cekur se telakja e cila ia vë kanën me një krande të fshesës së farashit, ajo i prekën edhe shoqet e saja beqare, që besohet që sa më parë apo më shpejt t’u delë “nafaka” e të bëhen nuse. Me këtë rast shoqet e këndojnë me këngë të ndryshme, si p.sh.:
Vine kanën pika-pika
t’kam pas nëna bajrak ndër çika
Vine kanën me pika t’kuqe
do t’çoj nëna bajrak ndër nuse
Vine kanën me dukat
do t’çoj nëna me krushq e me bajrak…
… apo këngë të kënduara nga ana e burrit, si:
Vune kanën a naòs t’marrtë e mbara
flokë gjata e Fisnik dilberit
marrëm motrën e Abaz derrit.
Vune kanën e Fisnik dilberit
prishe hatrin e Abaz derrit
Mbushe krejen oj Lulije me kânë plot
prishe hatrin e axhës tën…
… e të tjera.
Pas një kohe të shkurtë vajza-nuse del dhe i lanë duart dhe këmbët në pus në ndonjë vendburim të afërt apo në krua, dhe atë, sa më shpejt që të mos zënë shumë kana, por nuk bën që edhe të mos i znë fare kana, ngase besohet se ngjyra e kuqe e mbron nga shpirtligat; apo t’i zënë shumë kana, atëherë dhëndri me padurim pret ta shohë nusen apo e do shumë, kurse në të kundërtën besohet se dhëndri nuk do të ketë fat të mirë, e kështu me radhë. Pra, edhe për pusin, vendburimin dhe kronin-pronin besohet se mu ashtu siç ecë uji, ashtu t’u ecë jeta mbarë e mirë çiftit të ri në të ardhmen.
Pasi që i kryejnë këto rituale apo kur ajo i lanë duart dhe këmbët, atëherë shoqet e saja marrin një gomar dhe ia veshin apo ia vënë në kokë këmishën, çevrën dhe e shëtitin gomarin nëpër lagjen e vet, e me këtë rast e tallin dhëndrin me këngë të ndryshme, si p.sh.:
Bilbili te mullari – bilbili te mullari
vinja kmejshën e dhëndrit – magjarit
Kputja ni kime magjarit
çepja ni kmejsh Abaz shkavit
Ush, hej magjar, ush hej virën
si të t’thotë Lulija tej ç’ashtaò bën
Ush, hej magjar mos bën hojna
mos të të mbesë kmejsha nëpër projna…
… apo tjetër këngë, si:
Saònte magjari do çeshe
kmejshën e dhëndrit da ushtoje…
… e kështu me radhë.
Pra, pasi që i bëjnë gjithë këto që i përmendëm, atëherë pasi të kenë shkuar granimi, vajzën-nuse e qesin ta shohë hënën pesëmbëdhjetë dhe kohën, si qiellin, yjet e kështu me radhë.
Rituali i nxjerrjes së vajzës-nuse në lamë apo oborr
Ky ritual i lashtë dhe i bartur brez pas brezi ndër shekuj sado pak ka pësuar ndryshime të pakta, por thelbësisht flasin qartë besimet që hasen në këtë mënyrë: Pasi që nusja e re e kryen ritualin e vënies së kanës apo pasi që e bëjnë në mënyrë të talljes gomarin dhëndër dhe e shëtisin nëpër lagje, thuajse pas një kohe relative nusen e nxjerrin jashtë në oborr – lamë apo bahçe që të shohë hënën, dhe atë, siç u cek më lartë, diku në orët e vona së bashku me njerëzit e familjes së vet. Nëse qielli është i kthjellët e duket hëna me yjet, pra, nuses me këtë rast ia ngrenë tri herë shaminë ose plafin e bardhë ku ajo e shikon qiellin, yjet dhe hënën, e në këtë rast nga ana e vajzës-nuse thuhet: “bijë e nënës, çfarë shikon, u bëfsh. Shikoje hënën, hënë u bëfsh, e ndritsh tërë jetën nga të shkosh e të vajsh, e më rrofsh sa hëna bijë…”
Por, për këtë ritual të lashtë pagan besohet se përpos që vajza-nuse të jetë e bëshme, e shëndetshme dhe e dashur, ajo të çojë jetë të gjatë e të ndritshme, t’i shkëlqejë e t’i zbardhë fati në jetë me burrin mu ashtu si hëna e pesëmbëdhjetë… Ndërkaq, besohet se po të jetë qielli i kthjellët, pa asnjë fije mjegulle apo reje, besohet se nusja e re do të ketë jetë të pastërt e të lumtur. Mirëpo, nëse qielli është i vrenjtur, në këtë natë, pra, të natës së enjte apo të diel, atëherë besohet se nusja e re nuk do të ketë jetë të mbarë dhe të fatshme*, bile-bile kur koha është e vrenjtur, i dëshpëron pa masë të afërmit e familjes së saj dhe për këto raste nuk e qesin fare në periferi të shtëpisë. Pra, duhet vënë në pah se atë ditë kur ajo bëhet nuse, në popull besohet se kjo është dita e nuses, prandaj nëse dita është e kthjellët me diell, atëherë besohet se nusja e re është boll e mirë, zemërbardhë, bujare, fisnike, e kështu me radhë.
Në popull haset edhe ky lloj besimi, i cili është i lidhur ngushtë me motin e vrenjtur të ditës kur ajo bëhet nuse, se gjatë kohës së vajzërisë apo gjatë fejesës, ajo ka ngrënë gjellëra prej fundeve të kusisë, vorbës, e kështu me radhë. Pra mu për këtë besohet në dukuritë e natyrës, si kur është moti i vrenjtur, bie shi, borë, rrënima, etj.
Ndërkaq, dita e enjte apo e diel kur djali bëhet dhëndër, është dita e tij. Nëse kjo ditë është me mot të mirë dhe me diell, besohet se dhëndri është i mirë dhe anasjelltas, kur moti është i ligë, atëherë besohet se dhëndri është i keq, rigoroz, kokëfortë etj.
Ritualet kur e përcjellin vajzën-nuse
Ditën e enjte në mëngjes herët apo të dielën që kur nusës ia zënë flokët në bishta e ia lidhin kryet me të gjitha orenditë si dhe e teleisin, pra, prej këtij çasti nuk bën që askush ta prekë apo të preket në kokë, ngase besohet se nuses së re në jetën e ardhshme do t’i dhemb koka te burri.
Pasi që e bëjnë gati, atëherë e qesin që t’i marrë n’grykë e të përshëndetet me burrat e familjes e ata të farefisit. Në këtë rast i japin të gjithë pará në formë të dhuratës, dhe gjatë këtij rituali kur ajo i merr n’grykë qan e qan… Pas kësaj telakja e merr dhe e teleis e ia heq teshat e mëparshme e ia vesh ato të nusërisë që ia ka dërguar ana e burrit. Pra, pasi e rregullon ashtu me të gjitha orenditë, atëherë nusen e re e qesin në derë të shtëpisë, ku anash e mbajnë për krahësh dy gra të farefisit, e kështu me radhë.
Ndër të tjera, vlen të veçojmë se kur nuses ia veshin çizmet, dhe atë, në çizmen e djathtë dhe në doreza i futin pará të hekurta, që besohet se ajo të jetojë shumë apo gjatë e shëndoshë, e fortë si hekuri si dhe të mos i veshë bosh, pra, të jenë plot që jeta t’i shkojë me të mira e begati. Pas kësaj nusen e hipin në kalë dhe atë rëndom vëllai i vet me gruan apo dikush tjetër nga të afërmit e familjes nëse ajo nuk ka vëlla, kurse një grua merr një safë me ujë dhe e stërpik, që besohet se ajo i merr të gjitha të ligat dhe e lagën vendin që e le pas që mos ta ndjekin shpirtligat, e kështu me radhë. Kur ajo hipën në kalë, rëndom para e vëndon këmbën e djathtë sipas zakonit fetar islam, dhe atë, duke thënë Bismil-lahi. Pasi që e hipin në kalë, atëherë lajmërohen krushqit se munden të nisen, pra, kur bën që të nisë, kuptohet, kali i bardhë i nuses, që për këtë kalë besohet se nuses t’i shkojë jeta vetëm bardhë në jetën e ardhshme me burrin, atëherë një fëmijë djalë që i ka prindërit gjallë e thërret tri herë në emër duke i thënë se i harrove hallet, që për këtë besohet se sa më shpejtë në shtëpinë e saj të vijë ndonjë nuse e re që do t’i bajë hallet. Po për këtë ritual besohet që nusja e re të lind fëmijën e parë djalë e t’i jetojë me prindër të gjallë. Por, në rast se nusja e re nuk ka vëlla, atëherë i thuajnë duke e thirrur tri herë: “Oj Lulije çfarë të bësh andej – le të ngjajë këndej”, pra, kur të lind fëmijë të ngjajë kah familja e nuses, si: dajallarëve, e kështu me radhë.
Në rastin kur nusja del te pragu i derës, i ati i saj i bie tri herë me grusht shpinës e i thotë: “udhë e mbarë të qoftë moj bijë e babës, e m’u bëfsh si Hana pesëmbëdhjetë”. Pra, nusja e re e cila shkon nuse në ndonjë fshat tjetër si dhe në fshatin e vet i japin një pará të hekurt e cila e mban në gojë dhe e hudh para se të dalë prej fshatit të vet, ku për këtë besohet se me këtë pará të hekurt që ajo e hudh në fshatin apo sinurin e fshatit të saj, besohet se e lë bereqetin te babai i vet.
Pra, nusja prej kur hipën në kalë, rri drejt, që besohet se punët familjes së babait të vet t’i shkojnë mirë e mbarë, e po qe se ajo rri shtrembët apo e zvarritur, besohet se punët familjes së babës nuk do t’i shkojnë mirë e mbarë si dhe do ta marrë bereqetin e do ta çojë te shtëpia e burrit. Pra, pasi del prej pragut të derës, ajo shtrembërohet dhe atë, kokën e mban disi të ulur, e kështu me radhë.
Ritualet kur e përcjellin vajzën-nuse (v.i. të titullohet disi!)
Nusen e përcjell familja e vet me të gjitha ritualet që kanë të bëjnë deri te dalja e saj prej pragut të derës e deri në sinuarin e fshatit tjetër. Duhet përmendur se në të kaluarën po edhe sot për teshat apo pajën e arkat e nuses katër djem beqarë me prindër të gjallë i ngarkojnë nëpër kuaj si dhe nëpër qerre, rëndom secilin kalë e tërheq për kërpeshi një fëmijë i vogël djalë, i cili është anëtar i afërt i familjes së saj si dhe i shoqërojnë edhe disa njerëz tjerë që nuk janë të shtyrë në moshë që atë ta përcjellin me kujdes që të mos bjerë nga kali, etj.
Gjatë përcjelljes së këtyre kuajve ndodh që nusen ta përcjellin deri në shtëpinë e burrit, por, në të shumtën e rasteve e dorëzojnë diku kah mesi i rrugës – kuptohet palës së dhëndrit. Pra, me rastin e dorëzimit të nuses, ata që e kanë mbajtur për krahësh i bien tri herë me grushta pas shpinës. Dizgjinat – kërpeshat e kuajve nuk ua japin në dorë, por ua lëshojnë në tokë si dhe i shkelin me këmbë, ashtu të hedhura në pluhur apo në baltë. Por, ndodh që edhe t’i lidhin në shumë nyje, që për të gjitha këto besohet se çifti i ri të lidhen në martesë me krijimin e familjes së re si dhe lidhjen e dhënies së së vajzës me familjen. Pra, për shkeljen e dizgjinave dhe të kërpeshave me këmbë besohet që burri t’i nënshtrohet gjatë tërë jetës nën këmbë nuses së re. Pra, ky ritual ka të bëjë edhe me traditën tonë shekullore zakonore, konkretish për besimin e nderit të vajzës që rri poshtë, kurse gjaku rri lart. Pra, ana e burrit me rastin e pranimit të nuses dhe kuajve apo koçisë, janë tepër të kujdesshëm që kërpeshët apo dizgjinat-kërpeshët të mos bien në tokë, ngase besohet se nuk duhet lejuar që nderi i nuses së re të bjerë poshtë, por të merret mu ashtu siç është ruajtur te shtëpia e babës së saj. Por, për këtë besohet se po të jepen dizgjinat apo kërpeshët në dorë, atëherë nusja e re jepet me gjithë të ardhmen e anës së babait të vet si dhe ajo do të lind vetëm vajza. Pra, mu për këtë kur e përcjellin nusen te pragu i derës nuk dalin vajza dhe gra, që besohet se po të dalin, atëherë ajo do të lind vetëm vajza në jetë. Pra, kur nusja del prej shtëpisë nuk bën që ajo ta kthejë kokën prapa e ta shohë shtëpinë e babës apo lagjen, ngase ajo prej këtij çasti është anëtare e familjes së burrit.
Por, në kuadër të përcjelljes së nuses hasen edhe disa rituale të lashta pagane, si për shembull: nusja para se të hip në kalë, e ulin mbi një shinik të kthyer mbrapsht si dhe kur ajo del prej shtëpie, marrin një saç dhe e vëndojnë mbi magje, që besohet se ajo të mos e marrë bereqetin te burri, por ta lenë te babai i vet.
Kyr hynë në oborr të shtëpisë së dhëndrit, para se t’i shkarkojnë këto tesha, dhëndri i prek si teshat ashtu edhe samarët e kuajve, që besohet që ky dhe nusja e re t’i përdorin e t’i bajnë deri sa t’u shkyhen e nëse nuk i prek këto tesha, besohet se vdes njëri prej bashkëshortëve, e këto tesha i gëzon dikush tjetër.
Rituali kur nusja vjen për në shtëpinë e dhëndrit
Pasi që krushqit lajmërohen se mundet të nisen, atëherë “çaushi” apo bajraktari i përcakton dy apo tre krushq që të nisen para, e të shkojnë të tregojnë se vjen nusja. Por, duhet përmendur se dikur është përdorur që krushqit para se të nisen për ta marrë nusen, i kanë dërguar dy apo tre veta të cilët u kanë treguar apo lajmëruar anës së nuses se vijnë krushqit, si dhe janë shpërblyer. Por, ky zakon i lashtë sot nuk haset. Kurse dy apo tre krushqit e caktuar që janë nisur me kuaj ose në këmbë për të lajmëruar ardhjen e nuses së re, dhe atë, njëri prej tyre kush ka arritur më parë e ka marrë dhuratën prej dasmorit, si, prej dhëndrit, prindërve, farefisit, të afërme të tij apo prej nënës së dhëndrit, dhe atë, ndonjë këmishë, çorap, pará e diç të ngjashme. Pasi që arrinë te shtëpia e dhëndrit, atëherë sërish kthehet te krushqit që vijnë rrugës.
Është zakon i lashtë që krushqit kur kthehen për në shtëpi të dhëndrit, ta ndërrojnë rrugën që të mos kthehen andej nga kanë ardhur. Këtë e bëjnë për dy arsye: e para, sepse besohet që ta mashtrojnë dreqin, shpirtligat, etj., të cilat besohet se kur kanë ardhur për te nusja, gjatë rrugës, ato i presin për t’i bërë të këqija nuses së re. Në popull besohet se ndërrimi i rrugës bëhet edhe për atë që dikush të mos i bëjë ndonjë magji nuses së re, e kështu me radhë.
Por, në këtë rast kur kthehen si dhe kur nisen gjatë rrugës, në të gjitha vendet ku aty pari gjenden varreza, rëndom i ndalin këngët, lodrat bashkë me zurlet, që ky gjest është zakon i parimeve fetare islame.
Për sa i përket takimit të të dy palëve të krushqive, duhet thënë se në të kaluarën për takimet e tilla, që sipas zakonit kanë nisur luftë, ngase asnjëra palë nuk ka lëshuar rrugë, se po të lëshonin, atëherë ajo palë e krushqive kanë qenë të nënçmuar – frikacakë si dhe e kanë nënçmuar fisin e dasmorit, nusen e re dhe tërë fshatin prej nga janë nisur, që për këtë është besuar se tërë jetën të përmendurit do t’i ndjekin të keqijat si dhe nusja e dhëndri do të sëmuren e dergjin tërë jetën e tyre si dhe mund të ndodh ndonjë kob apo morte e përgjithshme si në familje apo në fshat. Prandaj në atë kohë janë zhvilluar luftëra të shumta në nënqiellin tonë, ku edhe sot e kësaj dite hasen toponime të tilla, si “Vorret e krushqive”, “Kepi i nuses” (v.i.) në disa fshatra, si: Pirok, Novosellë, Sellcë, Radushë dhe në shumë fshatra tjerë. Në raste të këtilla kanë luftuar të gjithë, si krushqit, inxhet dhe nuset e reja, ngase është besuar se është nder i shenjtë që të luftosh e ta mbrosh nderin dhe gjakun e nuses së re.
Sot për takime të tilla haset marrëveshje, që të mos nisen kurrë dy palë krushq prej një fshati dhe në të shumtën e rasteve kur takohen dy palë krushq, rëndom ata që shkojnë të marrin nusen ua lëshojnë rrugën atyreve që e kanë marrë nusen, si dhe ka raste kur heqin short se cila palë do të niset para.
Në raste kur takohen dy palët, sipas zakonit, që besohet se nuk bën të shikohen nuset e reja në mes veti, ngase cila e sheh e para, ajo do të ketë mbarësi e fat në jetë, kurse tjetra do të ketë të liga dhe të këqija. Duhet cekur se rreshti i dasmorëve nuk bën të ndërpritet apo dikush t’u ndërhyjë, ngase besohet se çifti i ri do të ketë telashe, do të ngrinden, do të kenë zënka, e mund të vjen edhe deri te ndarja e tyre, e kështu me radhë.
Rituali i rrahjes së dhëndrit pasi e hanë darkën
Pasi që përfundojnë me palimin* e nuseve, që në popull e quajnë “seri i grave” si dhe lojërave sportive të dasmës, si mundja (pehlivanllëku), vrapimi, (v.i.) përlarja e qenve, kërcimi me hapa, kërcimi trup, vrasja e mëzerve, hudhja e gurit, etj., që në popull quhen “siri* i burrave”. Pra, shpërndahen të gjithë pjesëmarrësit, si bashkëfshatarët dhe miqtë, kurse dhëndri i cili ka marrë pjesë në të gjitha këto lojërat e lartpërmendura, kthehet së bashku me atë që e ka përgatitur apo e ka bërë dhëndër në shtëpi. Kurse në të njëjtën kohë nusen e marrin dhe e çojnë në dhomën e vet, pra, në dhomën ku ajo do të mshilet.*
Gjatë përcjelljes prej oborrit e deri në dhomën e gjerdekut, të shoqëruara me dajre nga vajzat dhe gratë, këndojnë këngë të ndryshme, si:
Ec naòse lule ec me sevda
ndërro ka ni kaòm e mejro, ben temena
Bën temena pi për trolli
se të kimi naòse pi Stambolli
Bën temena oj delie
naòsja e Fisnik agës pres sot mi ije..
… e kështu me radhë.
Kurse për dhëndrin përgatiten në një dhomë tjetër për të ngrënë darkën ku marrin pjesë krushqit, ngase është zakon thirren darkë krushqit e ftuar një ditë më parë, pra, të mërkurën apo të shtunën, si dhe në këtë darkë thirret edhe hoxha, rëndom imami i fshatit, i cili pasi që e ha darkën në sofër, bën lutjen fetare, respektivisht duanë (v.i.). Duhet përmendur se para darkës hoxha e bën kurorëzimin e çiftit të ri sipas dispozitave fetare islame. Kur hoxha e mbaron duanë, atëherë dhëndri i përshëndet të gjithë të pranishmit, por ndodh që t’i përshëndesë vetëm gojarisht apo ia jep dorën hoxhës dhe nja dy apo tri vetave, dhe ikë. Në këtë rast e rrahin dhëndrin, kuptohet, në formë të shakasë, (v.i.) i cili shpejton që sa më parë të dalë e hyjë në dhomën e gjerdekut. Pra, këtë rrahje e cila është zakon i lashtë, me elemente thjesht pagane, kur të rinjtë, si shokët dhe anëtarët e farefisit më të gjerë i bien me grushta apo me dru shpinës, ku ai i cili e ka bërë dhëndër orvatet ta mbrojë, si dhe në këtë rast kur e rrahin, besohet se duke i rënë me grushta dhe drunj, ia largojnë shpirtligat prej trupit të tij, që besohet se ato e shoqërojnë atë që të hyj bashkë në dhomë apo në gjerdek, ku atje mund t’i bëjnë ndonjë të lige apo të keqe në punët e marrëdhënieve intime të tyre. Pra, për këtë besohet se po të mos e rrahin dhëndrin, atëherë fëmijët që do t’i lind çifti i ri, do të jenë të atyre qofshinlarg, e kështu me radhë. Po për këtë ritual besohet se dhëndrit ia paguajnë borxhin e nënës dhe babës, ngase prej se të mbyllet ai, më do të jetë i larguar nga kujdesi i rënjdomtë i familjes, pra, kalon në jetën e vërtetë të burrërisë. Por, duhet cekur se në këtë rast të rinjtë që gjenden në dhomë, ku hanë darkën, orvaten që dhëndrit t’ia marrin çevren prej xhepit, që për këtë çevre besohet se ai që ia merr, ai e ka radhën që të bëhet dhëndër, respektivisht të martohet.
Pra, këtë çevre është zakon që të nesërmen t’ia kthejnë në forma të ndryshme, duke bërë shaka me dhëndrin.
Rituali i shtruarjes së shtratit në dhomën ku mbyllet nusja dhe dhëndri
Para se ta futin nusen në dhomën e gjedekut, aty-këtu është zakon që së pari e çojnë në një dhomë, ku rrinë anëtarët e familjes së dhëndrit për këtë arsye: që nusja të njohë orenditë e brendshme të dhomës së ndejtjes, ku njëherit edhe për shkak se besohet që nuses së re t’i shkojë apo ecë jeta mbarë e mirë mu si anëtarëve të tjerë të familjes së burrit apo të familjes së saj, ngase edhe ajo më është anëtare e kësaj familje. Por, duhet cekur se gjatë kohës kur dhëndri ha bukë në sofrën e krushqive, ajo në këtë në këtë kohë ha darkën, ku gjatë tërë kohës derisa ajo ha darkë, nuk flet fare me asnjë njeri, ngase besohet se me cilin flet për herë të parë në shtëpi, me atë do të ketë “muhabet” në jetë, prandaj ajo derisa të mbyllet me dhëndrin nuk flet me askënd, por për herë të parë me dhëndrin që me të t’i shkojë jeta me muhabet.
Para se të dalë dhëndri prej dhomës ku e rrahin me grushta shpinës, nusen e re të shoqëruar me gruan e atij që e ka bërë djalin dhëndër si dhe vajza dhe gra të farefisit futen brenda duke kënduar këngë të ndryshme në përcjellje me dajre, si p.sh.:
Mori vejn akshami tu u errë, mori tu u errë
vejn ftejra e naòses tu u zverdhë, mori tu u zverdhë
As mos u zverdhë e majro as mos u tut
se Zulçe dilberin naòk e kimi uk…
Ndërkohë hyn brenda dhëndri së bashku me atë që e ka bërë dhëndër sipas zakonit, kur tri vajza beqare me prindër të gjallë, e të besueshme prej familjes së dhëndrit, e shtrojnë shtratin, ku brenda në të nusja e re ka futur një dhuratë, si këmishë të vijme apo të perenxhikut, çorapë apo diç të ngjashme, që ia dhuron një vogëlushit i cili i ka prindërit gjallë, ngase ai u ndihmon gjatë shtruarjes së shtratit si dhe fëmijën e valavitin tri herë në këtë shtrat dhe e mbulojnë një kohë të shkurtër, për të cilën besohet se çifti i ri fëmijën e parë ta lindin djalë e të rritet me prindër. Për derisa shtrohet shtrati, vajzat dhe gratë këndojnë këngë të ndryshme satirike, si p.sh.:
Naòse xhi ke bë në Abaz derrin
ç’shtej të ka erdhun n’dilberin.
Naòse xhi ke bë në shokët
saònte të ka erdhun në kokët.
Pra, pasi që dhëndri hyn brenda, e marrin dhe e ulin mbi shtretër, kurse përballë tij poashtu e ulin nusen e re, ku do t’i bëjnë ritualet e ujit, ku shikohet nusja me dhëndrin, dhënia e dorës, heqja e flokëve, e të tjera.
Ritualet me rastin kur dhëndri dhe nusja i bëjnë* mbi shtretër
Pasi që dhëndri hyn brenda dhe e ulin mbi shtretër përballë nuses së re, ku në praninë e tyre gjenden vajza beqare dhe gratë e farefisit. Por, duhet përmendur se dhëndrin e shoqëron ai i cili e ka bërë dhëndër, kurse nusen e shoqja e telakut, të cilët i bëjnë këto rituale: Së pari dhëndrit dhe nuses në mes tyre, pra, mbi shtrat, ua vënë një enë të metaltë të mbushur me ujë, që në të kaluarën e kanë mbushur me qumësht, kurse në ditët e sotme përdoret aty-këtu, që të venë enën e bakërt të mbushur me ujë, e në shumë raste vënë një pasqyrë të rrumbullakët, ku dy të rinjtë shihen për herë të parë përmes këtyre që u përmendën, pra, të qumështit, ujit apo pasqyrës, për të cilën besohet se kështu ato e shohin njëri-tjetrin në mënyrë indirekte, që për këtë besohet se do t’u shkojë jeta mbarë mu si qumështi i bardhë apo uji i cili rrjedh natyrshëm, poashtu edhe jeta e tyre t’u shkojë mirë e mbarë.
Pasi që e kryejnë këtë ritual, pason rituali i dhënies së duarve njëri-tjetrit, që besohet se këta të dy kështu njoftohen si dhe jeta t’u shkojë gjithmonë me marrëveshje, e kështu me radhë.
Ndërkaq, në vazhdim nusja çohet në gjunj dhe me dorën e djathtë ia heq fare pak flokët e ballit, që për këtë ritual në popull besohet se nusja e re ia sprovon burrërinë dhëndrit, ku ai po të reagojë, atëherë besohet se ai do të jetë i ashpër dhe kategorik, e nëse jo, atëherë nusja do ta ketë nën urdhërin e saj. Mirëpo gjatë këtyre ritualeve vajzat beqare si dhe disa gra më të afërta të familjes së dhëndrit këndojnë këngë të ndryshme satirike, si për shembull:
I mur shkallët babaj* i naòses e hipi në tra
të lutem Zulçe aga bijën mo ma nga
Mo e mbaj at gajle baba i shkretë
Me Zulçe dilberin do flej me ni dishek
Mo e mbaj at gajle baba i shkretë
se me Zulçe dilberin do flejmë çafpërçafe…
… e kështu me radhë.
Pasi që e kryejnë ritualin e heqjes* së flokëve të dhëndrit, atëherë marrin dhe u qesin të dyve nga pak sheqer të bardhë refuz në majë të gjunjëve, dhe atë, para ia vënë dhëndrit, ku nusja e re mundohet që t’ia merr me grushtin e dorës së djathtë, dhe atë, tri herë rresht, pastaj dhëndri mundohet që t’ia merr nuses, por ky sheqer që vëndohet në maje të gjunit rëndom e vënë mbi një fasuletë të bardhë.
Pra, për këtë ritual të lashtë besohet se kështu sprovohen aftësitë e tyre të shkathtësive që gjithmonë çifti i ri njëri-tjetrit t’i ndihmojë për të mirë e t’u shkojë jeta bardhë e ëmbël mu si sheqeri i bardhë refuz, kurse për atë pse tri herë bëhet orvatja për ta marrë sheqerin, besohet si në të gjitha rastet tjera se ky është numër tek i cili sjell fat. Edhe në këtë rast këndojnë këngë të ndryshme satirike, si p.sh.:
A more tej gjali i Hasanejcës
mo të të kënxhije caòca e Hisenejcës…
… etj.
Pra, po me këtë rast përdorin edhe vënien e kokrrave të orizit, ku para mundohet dhëndri t’ia marrë kokrrat e orizit të bardhë, e pastaj nusja e re. Pavarësisht se kush ia merr i pari orizin e bardhë, për këtë besohet se të dy do të kenë bollëk në jetë si dhe fat e mbarësi të bardhë mu si ky lloj orizi i bardhë.
Dhe në fund marrin një tepsi ku e kanë gatuar* një sheqerpare dhe ua vënë në mes dhe në skajin apo mu para saj, e në këtë rast nusja e re kur dhëndri bën ta marrë me majat e gishtave mu para saj, ajo ia rrotullon tepsinë e metalit, apo e kundërta, që për këtë besohet se kjo ëmbëlsirë e caktuar në tri vende që më parë e kanë përdorur duke e bërë formën e kryqit, që sot më nuk e hasim, por në të kaluarën e afërt është përdorur. Pra, për këtë besohet se çifti i ri së bashku e “nacetin”* këtë sheqerpare prej së cilës do të hanë të dy gjatë kësaj nate, kurse në mëngjes këtë ua japin vajzave beqare që të hanë, që sa më parë edhe ata të ëmbëlsohen, e kështu me radhë. Por, duhet cekur se aty-këtu pas sheqerpares vënë edhe petulla të gatuara me tëlyen dhe një pjatë me mjaltë, që e ka po të njëjtin besim sikur sheqerparja.
Ritualet në natën e gjerdekut
Pasi që i kryejnë të gjitha ritualet, si ai me tepsinë e sheqerpares (v.i.), pra, të gjitha vajzat dhe gratë e pranishme ashtu duke kënduar disa këngë vokale, dhe atë, të përcjellura me dajre, në dhomë mbetet një femër e cila është më e afërt me nusen e re, që i ofron disa ndihma që ajo ka nevojë, që pastaj me dredhi del, gjoja se del që t’u sjellë diç për të ngrënë apo për të pirë, ndërsa nusja e re në këtë rast i vërsulet dhe e kap për “skutaçe”, dimija apo për ushkuri, në shenjë të asaj se gjoja edhe ajo dëshiron të dalë me të jashtë.
Pasi të gjitha dalin jashtë, kuptohet, edhe ajo e fundit, në këtë rast grupi i vajzave beqare dhe grave këndojnë këngë të ndryshme vokale, si p.sh.:
Erdh Zulçe aga e na thejrri
erdh bija e derrit e na tejrri
Erdh Zulçe aga e na mblodh
erdh bija e thejvit e na përmblodh…
… e kështu me radhë, apo këngë tjetër ndër shumë këngë që këndohen, si është kjo:
Zulçe aga sekmat e mëndafshta
i nxore mikeshat përjashta
Zulçe aga sekmat pi teli
i nxore mikeshat te plehni…
… e kështu me radhë.
Mirëpo, duhet vënë në pah se brenda në dhomë e ëma e djalit ua ka lënë një pjatë prej bakri të mbushur me petulla dhe mjaltë si dhe një gotë me sherbet. Për këto besohet se çifti i ri ashtu siç do t’i hajë gjatë natës, që besohet se jeta e tyre t’u shkojë apo ecë mirë e me bollëk mu si petullat me tëlyen si dhe ëmbël si mjalta e bletës punëtore. Ndërkaq, gjatë një kohe të shkurtër një anëtare (femër) e familjes së dhëndrit rri pas dere apo dritares, e cila qëndron derisa dy të rinjtë t’i dëgjojë duke biseduar apo duke përshpërit, që për këto besohet se çiftit të ri t’i lindin fëmijë në gjendje normale apo të dëgjojnë e të flasin pa të meta. Por, pas një kohe prej nja një apo dy ore vajzat beqare vijnë te dera duke kënduar që nusja e re t’u jep dhuratën të cilën e ka sjellur prej shtëpie apo apostafat për vajzat beqare, dhe atë, ndonjë ëmbëlsirë apo sheqerka, për të cilën besohet se edhe atyre sa më shpejtë t’u dalë “nafaka”. Pra, në këtë rast siç u përmend më lartë, këndojnë këngë të ndryshme, si p.sh.:
Mori naòsja jonë sa e mirë
selli tre herë derës me mihir
Mori naòsja jonë e mbushur me tel
selli tre herë derës o tej më…
apo
Mi këndon bilbili te dera
naòsja do na japë sheqera
Mi këndon bilbili te pojata
naòsja e Zulçe agës do na japë çokollada…
… dhe këngë të ndryshme.
Këtë dhuratë që ua jep nusja e re, zakon është që dhëndri ua çet duke e hapur fare pak derën apo deri te pragu, për arsye që të mos e shohin apo të hynë ato qofshinlarg, shpirtligat, e kështu me radhë.
Ritualet gjatë natës së gjerdekut
Pasi që dhëndri ua jep dhuratën vajzave beqare, me këtë rast dhëndri dhe nusja bëjnë edhe disa rituale, që janë zakone të lashta, por disa sosh sot më nuk përdoren, ngase koha e ka bërë të veten. Sidoqoftë, vlen të përmenden ritualet, kur dhëndri rri ulur në mes të shtratit, kurse nusja qëndron në këmbë e dënesë. Ai kërkon nga ajo t’ia sjellë kutinë e duhanit apo të cigareve, ku nusja merr dhe ia hudh atij në dorë, pastaj ai ia kërkon ashkën e zjarrit apo shkrepsën që edhe këtë nusja ia hudh në dorë që të mos ia japë në dorë dhe së fundi pasi që këto dy raste ai dështon, atëherë nuses i kërkon një gotë ujë për të pirë, sa që në këtë rast ajo detyrohet me çdo kusht t’ia jep në dorë, ku shëndeti e kap atë për dore dhe e ulën pranë vetes. Por, për këto rastet e përmendura, dhëndri rëndom nuses ia kthen, si cigaret, shkrepsën apo gotën e ujit, dhe atë, tri herë rresht, me të vetmin qëllim që sipas zakonit besohet se nusja e re duhet t’i zbatojë urdhërat e dhëndrit që natën e parë, ku ajo duhet t’u nënshtrohet urdhërave të burrit, po qe se ajo këto urdhëra nuk i zbaton, atëherë diç nuk është në rregull me të. Mu për këtë që u tha më lartë se po të bëjë nusja “inat”, atëherë dhëndri këtë herët në mëngjes e kthen prapë hipur në një gomar te familja e prindërit e saj, por, këto janë raste të rralla që kanë ndodhur në trevën tonë.
Pasi që dhëndri e ulën nusen pranë vetes, atëherë fillon t’ia heq të gjitha orenditë që ia kanë vënë në krye, si lulet e ndryshme, e me këtë rast ia hudh duvakun pas shpine, që për këtë besohet se me heqjen e duvakut pas shpinës, nusja e re mund lirisht të flasë, ngase më parë s’ka guxuar për shkak se besohet që mos t’u mundësojë komunikim shpirtligave për derisa e ka duvakun si dhe pas heqjes së duvakut ajo flet për herë të parë me dhëndrin, që besohet se do të kenë “muhabet” gjatë tërë jetës.
Pastaj, aty-këtu haset që dhëndri ta pyes nusen me disa pyetje që kanë të bëjnë me natyrën e parimeve themelore fetare islame dhe atë, si: agjërimit, të faljes së pesë kohëve të namazit, për shkuarjen e saj një herë në jetë në haxhillëk, të japë zeqate dhe për fund, a di të heqë e të bëjë “shehadet”. Por, për të gjitha këto po ta dijë nusja, ia tregon, e nëse nuk i di, i premton se do t’i mësojë. Por, vlen të përmendet se dhëndri pos tjerave nusen e pyet se a i di shartet e abdesit, ku kemi të bëjmë me pastrimin e trupit pas kryerjes së aktit intim. Pra, për të gjitha këto rituale qartë dihet se janë besime fetare islame.
Ndërkaq, dhëndri e pyet nusen se a e do, mos ka dashur ndonjë tjetër, mos e kanë martuar familja me zor, ku ajo përgjigjet pozitivisht, kurse janë rastet e rralla kur ajo deklarohet se është e martuar pa dëshirën e saj, ku atëherë dhëndri këtë në mëngjes e kthen te prindërit e saj.
Por, është interesant të përmendim se pas këtyre që u përmendën, dhëndri e merr dorën e djathtë të nuses, ku e pyet për secilin gisht, dhe atë, duke filluar prej gishtit të madh, se kujt i takon, ku ajo jep përgjigje, si: babës, nënës, vëllait, motrës dhe ai i vogli ku ajo i thotë se i takon dhëndrit.
Por, është mirë që të përmendim edhe një herë heqjen e duvakut pas shpine, ku poashtu besohet se me heqjen apo hudhjen e tij pas shpine, pra dhëndri ia hudh të gjitha të ligat apo të këqijat që munden t’ia bëjnë ato qofshinlarg, shpirtligat apo dreqërit.
-
-
Ritualet në natën e gjerdekut
Është zakon që çifti i ri natën e gjerdekut pas petullave me mjaltë, të pijnë tri herë sherbet, pra, me atë sherbet me të cilin nusja e ka prekur pragun e derës së hyrjes së shtëpisë me rastin kur ajo ka hyrë në shtëpi dhe poashtu tri herë, për të cilën besohet që jeta e re çiftit të ri t’i shkojë mirë e ëmbël. Pastaj dhëndri merr gjygimin e bakërt të mbushur me ujë, ku i qet nuses tri herë t’i lajë sytë si dhe ajo pastaj i qet atij. Pasi që i lajnë sytë, dhëndri merr atë ujë prej legeni dhe e derdh në të katër anët e dhomës së gjerdekut, që besohet se nusja e re të lëshojë rrënjë e të vendosë themele në këtë shtëpi, pra, të lind fëmijë. Por, duhet përmendur se në këtë rast kur hanë ëmbëlsira, si sheqerka, sheqerpare, që besohet se jeta do t’u shkojë ëmbël, si dhe aty-këtu haset apo përdoret që në këtë natë çifti i ri të hajë edhe kungull të zier apo të pjekur, që besohet se jeta e tyre të jetë e majme në të ardhmen me familjen e tyre që do ta krijonte etj.
Pas këtyre ritualeve të lartpërmendura, të dy të rinjtë bien në shtrat për të fjetur. Duhet përmendur se gjatë kësaj nate të gjerdekut nuk bën që të dytë të flejnë, ngase besohet se vijnë shpirtligat e u bëjnë ndonjë të ligë dhe mu për këtë njëri e ruan tjetrin deri në mëngjes.
Në të kaluarën është hasur zakoni që shtëpinë ta kenë ruajtur rreth e rrotull, që besohet se mos të vijë dikush e t’u bëjë magji. Ndërkaq, e ëma e dhëndrit e cila zgjohet para se të thirrë ezani i sabahut, ajo i zgjon nga gjumi dy fëmijë, dhe atë, një djalë dhe një vajzë, të cilët sipas zakonit i kanë prindërit gjallë dhe së bashku me ta pa folur fare shkojnë në ndonjë pus, çezme apo në krua dhe mbushin ujë në një kusi të bakërt, të cilën kusi s’bën ta lëshojnë fare në tokë, ku e ëma merr dhe e ngrohën këtë ujë me kujdes të veçantë, e pastaj shkon te dhoma e gjerdekut, ku troket tri herë në derë dhe nusja ia çelën derën dhe e pranon ujin e ngrohtë, që në popull e quajnë “uji i ndërrimit” si dhe ia jep vjehrrës një tylben të bardhë. Pra, me këtë ujë lahet e pastrohet, respektivisht merr gusëll vetëm dhëndri. Por, duhet cekur se për të gjitha që u përmendën më lart, besohet si: fëmijët të të dy gjinive që çifti i ri të lind në jetë djem dhe vajza e të rriten me prindër, kurse për kusinë e bakrit që e mbushin ujin në pus, çeçmë apo në krua, besohet se jeta e çiftit të ri të jetë e sforcuar e të jetojë sa jeton bakri e t’u ece jeta ashtu siç ecë uji si dhe punët e tyre në jetën intime t’u shkojnë si uji (v.i. nuk lexohet) … përlyerje pabesie e tradhtie ndaj njëri-tjetrit si dhe të duhen mu ashtu siç e duam ujin në jetë, e kështu me radhë.
Pasi që dhëndri lahet dhe i veshën teshat që ia ka sjellur nusja prej shtëpisë së vet, atëherë hyjnë vajzat dhe gratë më të afërta të familjes dhe e marrin nusen dhe e qesin në dhomën tjetër, ku në mbrëmje do ta ulin për të parën herë në sofër. Pra, me daljen e çiftit të ri, atëherë hyjnë nëna e dhëndrit e cila i shikon teshat në shtrat ku kanë fjetur e i merr shenjat e vajzërisë, që rëndom janë në ndonjë peshqir, mahramë apo plaf të bardhë, ku vjehrra i merr dhe i mbështjell e i hudh, zakonisht në ujë të kulluar, i cili rrjedh si kroni, jazi apo lumi, që për këto besohet që çifti i ri të çojnë jetë të pastër e të kulluar intime, kuptohet, pa ndonjë pabesi apo tradhti ndaj njëri-tjetrit, e kështu me radhë.
Rituali i petullave, bukë-kulaçit dhe i sheqerpares
Pasi që nusja zgjohet herët në mëngjes ditën e premte apo të hënën, ku njëherit e përgatitin me të gjitha orenditë e ndërresës. Ndërkaq, në këtë rast një femër e afërt e gjirit familjar merr dhe e shtron në mes të dhomës së gjerdekut një plaf të bardhë, ku në të i bëjnë ritualet e petullave, bukë-kulaçit dhe atë, në këtë mënyrë: Dhëndri dhe nusja ulen përballë njëri-tjetrit ku këta të dy i shoqërojnë ai i cili e ka bërë djalin dhëndër së bashku me të shoqen si dhe vajza beqare dhe gra të farefisit.
Petullat që sipas zakonit i ka përgatitur gatuesja e dasmës, i vëndojnë në një tepsi prej bakri, ku në mes vënë një pjatë poashtu prej bakri të mbushur me mjaltë, ku dhëndri i pari merr një petull dhe ia afron nuses që ta provojë se a është e shkathtë apo e zoja që burrit t’ia rrëmbejë petullën prej dore, që besohet se në jetë ajo do të jetë e zoja që të gjitha punët t’i ndajnë bashkërisht, në të kundërtën e gjithë pesha e punëve në familje do t’i mbetet vetëm burrit. Pra, kështu bëhet tri herë me radhë si nga ana e dhëndrit, poashtu edhe nga nusja e re, dhe në këtë rast këndohen këngë të ndryshme satirike, si p.sh.:
Zulçe aga han petulla
Abaz derri han netulla…
… e kështu me radhë.
Pasi që e kryejnë këtë ritual fillojnë me ritualin e bukë-kulaçit, ku zihen tri bukë-kuleçë: e para është përdorur me rastin kur zbret nusja, e dyta kur zgjohet të premten apo të hënën në mëngjes, dhe e treta, në vënien e nuses në sofër. Pra, këtë bukë-kulaç që është i gatuar nga të gjitha drithërat dhe është zënë me sheqer, ku në mes i kanë futur një pará të hekurt. E merr një e afërt e familjes dhe e then bukë-kulaçin në katërsh, në formë të kryqit, që ky lloj rituali qartë flet mbi lashtësinë e vet të botës krishtere dhe atë të epokës së krishterizmit të hershëm. Pra, këtë bukë-kulaç e marrin me nga një dorë dhe e thejnë përgjysmë. Po qe se në gjysmën e thyer të dhëndrit apo të nuses i bie paraja e hekurt, në këtë rast besohet se ai apo ajo do ta mbajë kuleten ose qesen e shtëpisë në të ardhmen, e kështu me radhë. Por, edhe në këtë rast këndohen këngë të ndryshme me karakter përbuzës apo satirik, si p.sh.:
Mori naòsja jonë sa tamëm në shtat
kemi Zulçe agën me tabijhat
Unë tabijhatin do ja mësojë
kollaj-kollaj dinjën* ta çojë…
… e të tjera.
Kurse për ritualin e sheqerpares e bëjnë mu si në natën e gjerdekut, por këtu veçohet se tepsinë e bakërt të sheqerpares e cikërojnë* në tri vendet tjera, ku së pari dhëndri, pastaj nusja, që formohet kryqi, e për këtë besohet se çiftit të ri t’i shkojë jeta mirë e ëmbël, e kështu me radhë. Por, edhe në këtë rast këndohen këngë të ndryshme nga vajzat beqare dhe gratë, ndërsa vajzat beqare marrin ngapak për të ngrënë, si petulla me mjaltë, bukë-kulaç dhe sheqerpare, që besohet se edhe atyre t’u del “nafaka” sa më shpejtë.
Rituali daljes së nuses te kroni apo uji
Pasi që i kryejnë ritualet e petullave, kulaçit dhe sheqerpares, atëherë nusen e qesin menjëherë te uji, dhe atë, në këtë mënyrë: Vjehrra para kohe e dërgon një vogëlush për të mbushur ujë në krua, pus, çezmë në një ibrik të bakërt i cili ka ngjyrën e bardhë si dhe gjatë tërë kohës prej nisjes e derisa atë e mbush, këtë ibrik nuk bën ta lëshojë aspak në tokë. Pra, për të gjitha këto që u përmendën më lartë, në popull besohet se fëmija i vogël i cili është djalë, dhe atë, me prindër të gjallë, që çiftit të posamartuar fëmijët në jetë t’i lindin vetëm djem e të jetojnë me prindër. Poashtu edhe për ibrikun e bakërt besohet që çifti i ri të jetojë gjatë. Ndërkaq, për atë pse ibriki i bardhe nuk lëshohet në tokë, besohet që të mos prekë fare në gjurmët e shpirtligave, atyre qofshinlarg, ngase besohet se toka poashtu i gëlltit njerëzit, pra, edhe ngjyra e bardhë besohet që çifti i posamartuar të çojë jetë të bardhë.
Pra, ibrikun e mbushur me ujë e merr në dorë nusja e re e cila së pari i qet ujë vogëlushit që i lanë sytë, pastaj ai i qet nuses, pastaj nusja i qet vjehrrës, kuptohet, tri herë si për të gjithë. Por, në këtë rast kur nusja del prej dhomës së gjerdekut, këndohen këngë të ndryshme, si p.sh.:
Do ta lijmë* çardakun me misk naòse lulja jonë
kur do hecish më temis naòse lulja jonë
Do ta lijmë çardakun me mjalt naòse lulja jonë
kur do hecish mos vikat naòse lulja jonë…
Pas kësaj e marrin ujin ku nusja fillon dhe i stërpik tri herë vajzat beqare të cilat gjende aty-pari, kurse pas kësaj vajzat marrin po atë ujë nga ibriku dhe i shpërlajnë duart dhe fytyrën. Pra, për këto të gjitha besohet që vajzat beqare të kenë fat që sa më parë të martohen, e kështu me radhë.
Duhet cekur se në të gjitha këto raste këndohen këngë të ndryshme, si p.sh. ajo kur nusja i qet vjehrrës ujë:
Kur do të thotë hankonenja naòse bën ni kafe
mos i thaòsh hankonenes haj lij çato llafe
Kur do të thotë agababa naòse bën ni çaj
mos i thaòsh agababës haj rej çatëj
Kur do të thotë motra e Zulçes naòse të të ndërroj
mos i thaòsh tej asaj hajde të të martoj.
-
-
permbledhje fantastike,
...jane keto te dhena nga ndonje liber, nese po, na ofro titullin dhe autorin.
Falemnderit
-
Regullat e Postimit
- Ju nuk mund të hapni tema të reja.
- Ju nuk mund të postoni në tema.
- Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
- Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
-
Rregullat e Forumit
Krijoni Kontakt