TIRANE- Një i dënuar për trafik droge është qëlluar me një plumb pas koke, përpara pallatit ku banonte. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 22:40 të mbrëmjes së të premtes në rrugën “Ymer Kurti”, pranë shkollës "Petro Nini". Viktima quhet Aleksandër Koliçi, 43 vjeç, i dënuar për “trafik lëndësh narkotike”

Policia dyshon se në ekzekutimin e Koliçit kanë marrë pjesë të paktën dy persona, të cilët pas krimit janë larguar me vrap. Vrasja dyshohet të ketë ndodhur për motive hakmarrje, pasi Koliçi ka qenë i penduar i drejtësisë dhe rrëfeu për rrjetin e trafikut të drogës. Gjithashtu, riaktivizimi i ndonjë rrjeti trafiku dhe përfshirja e tij, është një tjetër pistë ku janë shtrirë hetimet.

Aleksandër Koliçi, u arrestua vite më parë së bashku me gjashtë të pandehur të tjerë në kuadër të operacionit të koduar “Poter-Al” ndaj një grupi kriminal që merreshin me trafikun e lëndës narkotike. Më 10 mars 2008 gjykata e dënoi Aleksandër Koliçin me 4 vite burg dhe 500 mijë lekë gjobë burg për akuzën e “trafikut të narkotikëve kryer në bashkëpunim”. Koliçi përfitoi ulje të dënimit për shkak të statusit të “të penduarit”. Gjithashtu, ai përfitoi edhe për shkak se pranoi akuzën dhe u gjykua me procedurë të përshpejtuar. Pjesëtarët e tjerë të grupit “Poter-Al”, një prej operacioneve më të suksesshme policore iu nënshtruan një gjykim normal. Anëtarëve të grupit kriminal, iu janë sekuestruar dhe pasuritë e vëna nga aktiviteti kriminal. ( ne foto viktima)
(s.g/GSH/balkanWeb)