Rreziku i ri kosovar i trafikimit të njerëzve

Një shenjë në KOHË

ADRIATIK KELMENDI

NUMRI NË RRITJE i rasteve të prostituimit të vajzave kosovare është shenja e parë se tashmë as familjet shqiptare në Kosovë nuk janë imune nga forma më e popullarizuar e kriminalitetit modern në botë - trafikimit të njerëzve. Organizatat humanitare në Kosovë kanë kontaktuar dhe asistuar rreth 10 raste të vajzave kosovare të shtyra dhunshëm në prostitucion në këto dy vjetët e fundit. Teksa vetëm rreth 2 vjet më parë asnjë nga këto organizata nuk ka ditur të tregojë për shembuj të prostitucionit brendapërbrenda Kosovës. Në anën tjetër, Kosova njihet si shembulli ndër më unikët në botë ku vetëm brenda tri-katër vjetësh ka arritur që nga një vend ku trafikimi i njerëzve për shërbime seksi thuaja nuk ka ekzistuar fare të shndërrohet një ndër vendet më të spikatura për këtë lami kriminaliteti. Katërshifror është numri i femrave kryesisht nga vendet ishsovjetike që me premtime nga më të ndryshmet për punë dhe jetë të lumtur në ndonjë shtet të Perëndimit kanë përfunduar si skllave seksi në klubet e natës në Kosovë me liri të ndaluar ose të kufizuar të lëvizjes. Organizatat humanitare alarmojnë se shpejt Kosova nga një vend transit ose venddestinim i trafikimit të njerëzve mund të shndërrohet në vend furnizues. Një pohim i tmerrshëm, por racional ky, duke pasë parasysh shkallën e varfërisë, papunësisë dhe transicionin e përgjithshëm, si dhe numrin në rritje të të rinjve që presin rastin e parë për të ikur nga nga Kosova të etur për një punë jashtë. Ndërsa përvoja e vendeve të tjera ish-komuniste që kanë kaluar nëpër transicion - me shembullin më të afërt Shqipërinë - tregon se për luftimin e këtij fenomeni duhet pasur një strategji të qartë të përbashkët si qeveria dhe organizatat joqeveritare. Ndërsa jo me pak me rëndësi do të duhej të ishte edhe koshienca e vetë qytetarëve, që në rastin e Kosovës është nuk mund të thuhet të jetë në nivel, për shkak të sasisë së problemeve të tjera të mëdha.

JAVËN E KALUAR në Washington, me ftesën e sekretarit amerikan të Shtetit, Colin Powell, së bashku me rreth 400 persona nga 123 vende të botës isha pjesëmarrës i konferencës ndërkombëtare “Strategji për hapjen e rrugës në luftën globale kundër trafikimit për seks”, më të madhen deri më këtë ditë për këtë subjekt. Konferenca ishte e konceptuar, siç e zbulon edhe titulli, për të shkëmbyer përvojat e njerëzve që në një mënyrë ose një tjetër kanë pasur të bëjnë me trafikimin e njerëzve dhe për të gjetur strategjitë e përbashkëta për luftimin e “formës më të rëndë të krimit të organizuar të shekullit XXI”, si u quajt trafikimi i njerëzve nga përfaqësuesit e Departamentit amerikan të Shtetit. Dhe aty ishin të pranishëm që nga viktimat e trafikimit, policët, qeveritarët e deri te gazetarët. “Një nga kërcënimet më të mëdha të dinjitetit njerëzor është trafikimi i njerëzve”, tha në konferencë John Ashcroft, prokuror i përgjitshëm në SHBA. “Ne duhet dhe do të vazhdojmë të punojmë së bashku për mbrojtur viktimat e trafikimit dhe të sjellim para drejtësisë të gjithë ata që shkelin dinjitetin e tyre njerëzor”, ishte mesazhi i tij. Ndërsa letra përkrahëse e presidentit amerikan George W. Bush që iu shpërnda pjesëmarrësve, si dhe niveli i lartë i folësve - ku përfshihen emra si ai i Richard Armitage, zëv.sekretar amerikan i Shtetit (që foli në vend të shefit të tij Powell që ndodhej në Kinë) dhe Paula Dobriansky, nënsekretare e shtetit për Çështje Globale - tregon për seriozitetin me të cilin i është qasur kësaj çështjeje administrata amerikane. Kjo besoj duhet të flasë se sa me seriozitet duhet t’i qaset trafikimit të njerëzve edhe secila administratë tjetër në botë. Thuaja të gjithë pjesëmarrësit e konferencës u pajtuan se në këtë formë krimi shpesh ndodh të jenë të përfshirë persona nga të gjitha shtresat e shoqërisë, që nganjëherë vijnë edhe nga niveli qeveritar. A duhet që edhe ne në Kosovë ta mbajmë mend një gjë të tillë?

STATISTIKAT tregojnë se çdo vit rreth dy milionë femra të mitura, të moshës 5-15-vjeçare, janë të abuzuara në ndonjë një mënyrë ose të shitura e të trafikuara, duke u detyruar të ofrojnë shërbime seksuale. Një raport i OKB-së pohon se rreth 500 mijë femra janë të trafikuara në Evropë për çdo vit dhe se fitimi i personave të involvuar në këto aktivitete arrin rreth 7 miliardë dollarë amerikanë për çdo vit. Ndërsa Interpoli nënvizon se fitimet e përgjithshme nga të gjitha format që kanë të bëjnë me trafikimin e njerëzve e prostitucionin, përfshirë këtu edhe faqet në internet, sillen rreth shifrës marramendëse - 37 miliardë dollarë në vit. 200 milionë njerëz në botë sot mbahen në forma të ndryshme të robërisë, spikasin shifrat e IOM-it. Teksa shtohet se rreth katër milionë njerëz trafikohen nëpër kufijtë e ndryshëm për çdo vit, prej tyre dy milionë fëmijë, të cilët janë viktimë e pedofilisë dhe pornografisë me persona jomadhorë.

KËTO TË dhëna duhet të flasin mjaft se në çfarë rruge është nisur edhe Kosova në këtë kohën e lirisë së saj. Aq më tepër kur mësohet fakti i tmerrshëm se së paku me dhjetëra është numri i të miturve nga Shqipëria që sot ndodhen në vende të Evropës e Amerikës si viktima të trafikimit me qëllime pedofilie. Shumica prej tyre kanë menduar se po lëvizin drejt Perëndimit për të përparuar jetën e tyre e jo shkatërruar atë, me besimin se po shkojnë për shkollim. Ky ka qenë arsyetimi më i shpeshtë që ka bërë që edhe prindërit shqiptarë t’ua besojnë të huajve fëmijët e tyre. Kështu që para se t’ia besoni veten dikujt, ose t’ia besoni fëmijën, kujdesuni të mësoni se si e ka emrin ai që iu flet për jetrën e ëndërruar! Kjo ishte edhe njëra ndër porositë e konferencës në Washington, që është me rëndësi të madhe të mos bie në vesh të shurdhër edhe në Kosovë.

Një fakt i tmerrshëm: Me dhjetëra është numri i të miturve nga Shqipëria që sot ndodhen në vende të Evropës e Amerikës si viktima të trafikimit me qëllime pedofilie. Shumica prej tyre kanë menduar se po lëvizin drejt Perëndimit për të përparuar jetën e tyre e jo shkatërruar atë, me besimin se po shkojnë për shkollim. Ky ka qenë arsyetimi më i shpeshtë që ka bërë që edhe prindërit shqiptarë t’ua besojnë të huajve fëmijët e tyre



mani