Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 16-të ‘A
Përsëri pra në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të Meshës së dielës, kësaj here do të lexojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 16-të gjatë vitit kishtar, ciklit të parë, sipas kalendarit të liturgjisë kishtare.
Tema kryesore që trajtojnë leximet biblike të kësaj së diele është Mbretëria e Hyjit. Ungjilli i së dielës pohon se Zoti vazhdon të mbjell në zemra tona grurin e mirë dhe na jep forcën për t’u kujdesur që këtij gruri të mirë të mos i zihet fryma nga egjra, nga e keqja. Tri shëmbëlltyrat e ungjillit të kësaj së diele përmbajnë mesazhin e optimizmit e të shpresës, bashkë me ftesën që të shikojmë e të përkujdesemi për tepër për frytet se sa për egjrën.
Edhe në këtë të diele mesazhi i Fjalës së Zotit mbërrin tek ne në formën e shëmbëlltyrës; madje këtë të diele nga Ungjilli do të dëgjojmë tri shëmbëlltyra që flasin për Mbretërinë e Qiellit, për dinamikën e saj dhe për atë që ajo sjell në zemër të njeriut e të historisë. Tri shëmbëlltyrat ungjillore të kësaj së diele: ajo e grurit dhe egjrës, ajo e kokrrës së senapit dhe ajo e tharmit të miellit, përmbajnë një mesazh optimizmi e shprese.
Jezusi, më tutje, u shpjegon nxënësve të vet, e kështu edhe ne sot, shëmbëlltyrën e parë, atë të grurit e të egjrës që rriten së bashku në të njëjtën arë të tokës , e na kujton se në jetë e historinë tonë është i pranishëm e vepron edhe djalli, i cili na nxit vazhdimisht drejt së keqes. “Fusha“ apo “ara” është historia ku alternohet, ndërrohen me radhë punëtorë të ndryshëm, të mirë e të këqij. Përveç pronarit të arës që shpërndan e mbjell vetëm atë farë që është në gjendje të prodhojë e jap fryte të domosdoshme për njeriun, ekziston një “kundërshtar”, i cili me të njëjtën begati e zell e hedhë egjrën, një barë që ndoshta edhe mund të shërbejë për ndonjë gjë, por i cili në qëllimin e atij që e mbjell ka si cak e synim vetëm të pengojë rritjen e grurit.
Fusha duket që i përket dy pronarëve: vetëm që njëri vepron në dritën e diellit, pra punon ditën, ndërsa tjetri përfiton nga errësira e natës e vepron në kundërshtim, pra punon me armiqësi kundër pronarit të parë e të mirë. Me siguri që kishte tjetër tokë e arë tjetër përreth ku mund të mbillej fara e egjrës; por fakti që egjra është hedh e mbjell në të njëjtën fushë apo arë, “në mesin e grurit” tregon veprën shkatërrimtare që aktori (pronari) i dytë i ka vënë vetës si synim.
Ky “dualizëm” është mjaft i rregullt në Bibël e këndej e kemi të pranishëm edhe në Besëlidhjen e re. Në mbarim kundërshtari ka edhe një emër. Është “djalli”, opozitari për antonomazi, kundërshtari i së mirës, jo i bujqësisë por kundërshtar i Zotit.
Detyra e tij është pengimi i veprës së shpëtimit, synimi i tij është të veproi në atë mënyrë që të pengohet e të kundërshtohet rivendosja e Mbretërisë Hyjnore nga veprimtarë bakëqij e të mbrapshtë, mbjellës të skandaleve.
Pasi që e mira e ka zanafillën dhe vjen nga Hyji, e keqja nuk mund të mos të vij, përveç se nga antagonisti i tij, djalli, megjithëse Bibla na siguron se fjalën e fundit nuk e ka shejtani por “biri i njeriut”, Ai do të japë udhëzimet se çka do të bëhet përfundimisht si për grurin e po kështu edhe egjrën. Gruri do të vendoset në hambarë, ndërsa egjra do të digjet në zjarr. Ti lutemi Zotit që në zemra tona të ketë vend vetëm për Fjalën Hyjnore e për frytet e saj.
vazhdon-->
Krijoni Kontakt