-
Rreze ilire nëpër histori
[
Agim Shehu
1.
Kronika e lashtë tregon se Dari i mundur i Persisë kish lënë qerren Mbretërore me rrobat e purpurta e vetë fluturoi me kalë. Tendën e tij po e ruante për fitimtarin, Lekën e Madh, truproja e tij. Sa hyri, ai dëgjoi vaje të huaja grash që luteshin të trëmbura. Pyeti, dhe i thanë se qe familja e Darit - nëna, gruaja dhe bijat. Ato kishin parë rrotull rrobat e arit e po ulërinin duke menduar se ai qe vrarë!
Leka i Madh urdhëroi, jo vetëm të mos prekeshin gratë por dhe të nderoheshin. E ëma e Darit me sy lutës i ra në këmbë komandantit Efestion, duke kujtuar se ai qe Aleksandri i Madh! Të pranishmit i bënë shënjë asaj se fitimtari i parë qe Tjetri, në krah. Leka i Madh u përgjegj i buzëqeshur me sy nga shoku: «Edhe ai është një Aleksandër». Pastaj nënës së kundërshtarit të mundur i hodhi në supe pelerinën e purpurt mbretërore të tij.
2.
Plutarku shkruan: «I thanë Pirros (së Epirit), - ‘na e largo këtë sharës nga Ambrakia’!
- Jo, tha Pirrua, më mirë të na shajë këtu në sy, para një pakice!…
Më pas ai i thirri e iu drejtua atyre: «Pse më keni sharë»?!
- Po të kishim dhe ca verë përpara do të të kishim sharë më shumë,- iu përgjigjën ata.
Për çiltërsinë e tyre, Pirrua i fali.
3.
Montenji, shkrimtar i shquar francez, në veprën e tij «Esse» shkruan për Skënderbeun: «Një ditë princi i Epirit po ndiqte një ushtar për ta ndëshkuar. Ushtari po i lutej me lot në sy që ta falte! Por kur u bind se Skënderbeu po i afrohej i vendosur e kërcënueshëm, menjëherë nxori edhe ai shpatën.
Sa pa që ushtari zgjodhi këtë mënyrë për të vdekur dhe jo lotët, Prijësi e fali. Ata që nuk e kanë lexuar historinë e habitëshme dhe trimërinë e Skënderbeut, këtë ngjarje nuk mund ta kuptojnë ».
4.
Në luftën kundër Sulltanit dhe bejlerëve kokëmushkë e trumizë të cilët e pengonin në krijimin e një shteti të pavarur shqiptar, Ali Pashë Tepelena urrente veçanërisht «asnjanësit» dyfytyrë. Kapi njërin prej tyre dhe e pyeti se nga cila anë ishte !
«Me asnjë anë, Pasha, u përgjegj ai, nga të më çojë rryma» !
Ali Tepelena e njohu në fytyrë që e mashtronte, e mbështolli të lidhur te një tra dhe urdhëroi ta hidhnin në lumin Vjosë. «Nisu, i tha, dhe dil ku të të nxjerrë rryma» !
5.
Bajronit Ali Pashë Tepelena i dha dy shoqërues, Dervishin dhe Vasilin. Një mysliman, një krishter.
Erdhi dita e të dy do ndaheshin me poetin e madh. Si shënjë falenderimi, Bajroni u zgjati florinj. Me lot në sy nga ndarja, kur panë monedhat ata ngrinë të fyer dhe i ranë ballit me pëllëmbë: «Bubu ç’na bëre! Pse na fyeve, imzot! Besa te shqiptarët nuk paguhet. Ne duam të na duash, jo të na paguash» !
6.
Tafil Buzi, luftëtar shqiptar me emër dhe komandant i një tabori perandorak, shkoi në hamam të Stambollit të bënde banjë. Ai që shërbente me sapun, një çast i foli shqip. Tafil Buzi, fisnik e inatçor siç qe, u kthye rrëmbimthi tërë xixa në tru dhe e pa rreptë:
«Shqiptari nuk ulet të lajë kurrizin e të tjerëve ! - foli me inat. Mori kamxhikun dhe e qëlloi fort në shpinë sa u përgjak, pastaj i thirri : «Shporru, laj veten me sapun dhe pastro gjakun e keq» !
7.
Bilbilejtë legjendarë të Progonatit qenë nën litar për t’u varur. Ç’kini për të thënë ? - i pyeti pashai xhelat.
«Të ndezim dhe një cigar» - i thanë ata qetësisht.
8.
Një trim kryengritës i Malësisë së Bjeshkëve para vrasjes pushtuesit sllavë e pyetën: «A e ke ndjerë veten më ngushtë»? «Po, besa - u përgjegj ai - kur në konak më erdhën miq dhe s’kisha çfarë t’u jepja»!
9.
-Do të të vrasin andartët, Petro! - i tha Petro Nini Luarasit miku i tij i shquar, Themistokli Gërmenji.
« Sa më shumë të na vrasin aq më shumë do shtohemi – iu përgjegj Petro Nini. – Veç po më vranë tanët pas krahësh, mblidhmani gjakun në një shishe bojëshkrimi se me të fëmijët do shkruajnë gjuhën e mëmës».
Po ashtu u përgjegj pas kërcënimesh dijetari atdhetar Ilia Dilo-Sheperi posa andartët therën në pritë priftin atdhetar martir At Stath Mellani: - Dhe po më therën, fyti im do tregojë formën e shkronjës shqipe « a ». -
10.
…Vrasësit grekë me ndihmë të francezëve, para pushkatimit Themistokli Gërmenjit i lidhën sytë: «Zgjidhmini sytë që të shoh dhe njëherë flamurin shqiptar në ballkonin e Korçës»! - u tha trimi. Pastaj shtoi: «Më lejoni që komandën për t’u pushkatuar ta jap vetë»!
11.
Viktor Eftimiu, shkrimtari i madh rumun me prejardhje shqiptare, shkruan se shqiptari ngado që shkon nëpër botë, rrënjët e vëndlindjes i merr me vete. Ai i ngjan shqiponjës me dy krerë: njera kokë sheh nga vëndi ku e shpie halli, tjetra kokë sheh nga atdheu.
-
Regullat e Postimit
- Ju nuk mund të hapni tema të reja.
- Ju nuk mund të postoni në tema.
- Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
- Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
-
Rregullat e Forumit
Krijoni Kontakt