Mustafa përkrah Qeverinë për imunitetin
Nga Express më 21 korrik 2011 në ora 12:29
Kryetari i partisë më të madhe opozitare në vend, LDK-së, Isa Mustafa ka përkrahur vendimin e Qeverisë së Kosovës për t’i referuar Gjykatës Kushtetuese kërkesën për interpretimin e çështjes së imunitetit për presidentin, kryeministrin, ministrat dhe deputetët.
Në një deklarim për medie Mustafa ka thënë se Qeveria e Kosovës ka bërë mirë që ka shfrytëzuar një kompetencë të vetën, duke iu drejtuar kushtetueses për imunitetin, pasi që sipas tij kjo çështje filloi të bëhet problem politik.
“Unë mendoj që Qeveria ka bërë mirë që e ka shfrytëzuar një kompetencë të saj kushtetuese, e ka hequr nga rendi i ditës një çështje e cila filloi të bëhet problem politik për Kosovën”, ka theksuar ai, siç transmeton Kosovapress.
Sipas tij ky vendim i Qeverisë së Kosovës kontribuon në sqarimin e shumë dilemave të EULEX-it, dhe për këtë mbetët që Gjykata Kushtetuese të jap mendimin e saj, i cili duhet të respektohet nga të gjithë.
“I kontribuon sqarimit të një neni të Kushtetutës, për të cilin edhe EULEX-i edhe të tjerët thanë që nuk është mjaft e qartë, dhe mbetët tani në Gjykatën Kushtetuese, që ajo ta japë mendimin, dhe natyrisht se mendimi i Gjykatës Kushtetuese do të jetë mendim i cili duhet të respektohet nga të gjitha instancat, edhe të drejtësisë, edhe të politikës”, tha ai.
Të mërkurën Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, lidhur me qartësimin e imunitetit të të gjithë bartësve të institucioneve shtetërore të Kosovës, duke u nisur nga presidenti, kryeministri, anëtarët e Qeverisë dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës.
Krijoni Kontakt